Zvërneci: fundi i Ramës apo i Shqipërisë?

Zvërneci mund të shënojë ose fundin e Ramës ose fundin e Shqipërisë, për gjithë arsyet që tregoj në këtë shqyrtesë
Ylli Përmeti
03/06/2026 - 16:53
Shqyrtesa tregon të paktën pesë mashtrime madhore të Ramës për projektin Zvërnec–Sazan; një paqartësi të rëndë të palës amerikane lidhur me pronat; një kundërshti diplomatike ose qesharake me pasoja gjeopolitike lidhur me pretendimet greke për Zvërnecin; si dhe një ngathtësi të Spakut.
Zvërneci dhe Laguna e Nartës përbëjnë një zonë të mbrojtur dhe një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë, pjesë e ekosistemit Vjosë–Nartë, që shtrihet në rreth 19 mijë hektarë dhe strehon flamingo, pelikane dhe qindra lloje shpendësh migratorë. Prishja e asaj nyjeje jetike për shpendët do të sillte pasoja të rënda, pasi shumë prej tyre e përdorin lagunën si vend pushimi, ushqimi dhe shumimi përgjatë rrugëve migratore ndërkontinentale. Vetë Laguna e Nartës, me sipërfaqe prej rreth 41.8 kilometrash katrorë, quhet një nga nyjet më të rëndësishme të biodiversitetit në Adriatik.
Qeveria “Rama” nisi veprimet për shitjen e Sazanit dhe Zvërnecit pak muaj pasi Trampi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Rama bëri ndryshimet ligjore për “zonat e mbrojtura”, të cilat i hapnin rrugë ndërtimit në to, të hoteleve apo projekteve të tjera që konsiderohen si investime strategjike (Voa, 18. 03. 2024). Në atë kohë, shitja e Sazanit dhe Zvërnecit u njoftua nga vetë dhëndëri i Trampit ndërsa Rama thoshte s`ishte në dijeni pavarësisht se pak javë përpara njoftimit të Kushnerit, kryeministri ynë kishte bërë ndryshimet ligjore, pikërisht për t`i ndezur dritën e gjelbërt oportunistit amerikan! Një ditë pas zhvillimeve të sapo përshkruara, unë shkruaja se:
“Gjykuar nga ndryshimet gjeopolitike në nivel ndërkombëtar dhe nga karakteri i qeverisë “Rama”, zvetënimi në një shkallë të padëshmuar ndonjë herë në historinë e qeverive tona, në këtë rast nga veprimet ligjore që ka bërë për të tjetërsuar ose “kthyer në hale turistike” zonat e mbrojtura, gjasat janë se Rama ka njoftuar “oborrin” e Trampit se ka dy dhurata të vyera për të, Sazanin dhe Zvërnecin; si pasojë, Kushneri, dhëndri` Trampit, tregoi planin e tij dje për të investuar miliona dollarë por, siç thuhet, me fonde nga vendet arabe! Me këta të fundit, dihet se Trampi ka patur lidhje të ngushta me Sauditët, dhe si pasojë, kuptohet se kush qendron pas tyre. Qëllimi i qeverisë “Rama”, rrjedhimisht, është të përgatisë kushtet për të gëzuar mbështetje politike nga Trampi meqënse ai pritet të fitojë zgjedhjet në SHBA dhe meqënse qeveria “Rama” është një nga qeveritë më sorosiste në botë. Domethënë, të zbusë retorikën anti-sorosiste të Trampit me pasuritë më të shtrenjta të popullit tonë.
Ndërsa qëllimi` Ramës ka pak gjasa të garantohet me dhurata të tilla, sepse Trampi ka një luftë të hapur me Sorosin dhe sorosistët, për jetë a vdekje, gjasat janë se ai mund të “mëshirojë” Ramën me to. Kaq do të mjaftonte për Ramën që të vazhdonte me politikat e tij rrënuese të Shqipërisë dhe veçanërisht lidhur me zonat e mbrojtura, ndaj të cilave ai ka treguar një armiqësi të paparë. Por përpjekja e Ramës mund të dështojë, sepse politika e përgjithme e Trampit është anti-globaliste, e cila nënkupton veprimtari ekonomike në atdhe dhe jo rreth botës. Por mund edhe të ketë përjashtime. Sidoqoftë, gjasat janë se Rama do të dështojë me përpjekjen e tij dhe për arsye të tjera, të karakterit gjeopolitik dhe juridik”.
Gati një vit më pas Rama i dhuroi dhëndrit të Trampit “statusin e investitorit strategjik” dhe në fillim të vitit (janar 2026) Rama u takua me Kushnerin dhe bijën e Trampit në Vlorë, hamendësisht për të përparuar projektet. Por e filluan nga Zvërneci dhe jo nga Sazani. Për këtë të fundit Rama kishte thënë se bisedimet ende nuk ishin mbyllur dhe kishte shtuar se ishulli “do të mbetet i Shqipërisë”. Por gjykuar nga zhvillimet që pasuan, të cilat i tregoj në vijim, Sazani do t'i mbetej atdheut tonë kryesisht në kuptimin juridik, ndërsa në kuptimin praktik do të vihej për një shekull në shërbim të një ndërmarrjeje të lidhur me familjen e Trampit. Po aq të paqarta mbeten edhe çështjet fiskale të projektit. Deri më sot nuk është bërë e ditur në mënyrë të qartë se çfarë taksash do të paguhen gjatë fazës së ndërtimit dhe gjatë shfrytëzimit të tij. Duke pasur parasysh traditën e privilegjeve të shumta që u janë dhënë investitorëve të mëdhenj dhe të huaj, dhe mungesën e tejdukshmërisë për marrëveshjen, lind dyshimi i arsyeshëm se projekti mund të përfitojë lehtësime të gjera fiskale, duke ditur se Rama e ka “pisk” me drejtësinë, në të cilën amerikanët zotërojnë pushtet të rëndësishëm, dhe ka treguar se ndërmarrje të tjera të mëdha që veprojnë në Shqipëri janë akuzuar prej vitesh për pagesa të papërfillshme ndaj arkës së shtetit.
Megjithatë, kundërshtia e zhvilluar gjatë 30 majit në Zvërnec dhe dhuna e ushtruar ndaj qytetarëve e detyroi atë të sqaronte projektin më 1 qershor: i rrethuar nga torovelët e kabinetit të tij, Rama e nisi mbrojtjen e tij kundrejt ngjarjes kriminale të Zvërnecit, ku u ushtrua dhunë e paligjshme, për të cilën kishte paralajmëruar se do të thoshte të “vërtetat” e saj, ndryshe nga, sipas tij, “gënjeshtrat” e disa mediave që nuk i emëroi dhe disa kryesuesve të rragatës publike, duke thënë se veprimi i rojeve vetjake lidhur me dhunën e ushtruar ndaj qytetarit ishte “akti i neveritshëm”, ndryshe ngasa kishte thënë një ditë më parë, kur përgëzoi të gjithë rojet ndërsa dhunuesit i quajti thjesht “pa tru”. Ai shtoi se rojet e shtetit duhet të kishin ndaluar rojet private menjëherë pas asaj zvarritjeje (qendrim që përputhej me çka kisha thënë unë një ditë më parë, në kritikën time ditore) dhe pohoi masat kundrejt tyre (shkarkoi nga detyra drejtuesin e policisë së Vlorës, ndaloi një roje që kishte ushtruar dhunë, duke e lënë atë në paraburgim, hoqi dy lejeve të ndërmarrjeve të rojeve vetjake dhe ndaloi rreth 15 vetëve pjesë të kundërshtisë). Por pa marrë ndonjë masë ndaj atyre që kishin miratuar “kualifikimin” e rojeve, si të shtetit ashtu dhe të vetjakëve. Ai tregoi mirëkuptim ndaj atyre që e fajësuan për shitje të pasurisë së Zvërnecit, madje i quajti ata dhe “fisnikë”, por këmbnguli se ai investim është “i jashtëzakonshëm”, sepse investojnë njerëz “të jashtëzakonshëm” dhe shuma që investohet ishte mbi 4 miliardë dollarë.
Pas rreth 20 minutash sqarimesh lidhur me ngjarjen hyri në sqarimin e projektit të Zvërnecit dhe tha se ishte pala amerikane që kërkoi të investonte në Sazan për të cilin ai kishte sqaruar se ishulli ishte tokë shtetërore ndërsa Zvërneci ishte tokë private —përjashto disa pjesë të vogla të papërfillshme—kështuqë, ai tha se u kishte thënë amerikanëve, “merruni me pronarët” përkatës. Pretendimi i tij mund të jetë i vërtetë nëse kemi parasysh pohimin e bijës së Trampit, Ivankës, pikërisht gjatë ditës kur në Shqipëri zhvillohej “beteja” për ndalimin e projektit të Zvërnecit, se ajo e kishte zbuluar vetë ishullin, kur notonte rreth tij, në një intervistë me David Senran.
Por pa sqaruar se nëse amerikanët ishin marrë me pronarët, sepse siç pretendonin shumë raporte, ata s`ishin marrë, madje pati pretendime se “një pjesë e pronave ishin ende në gjykata”, të pazgjidhura, dhe fillimi i veprimeve nuk kishte kaluar nga këshillimi me ta dhe nuk kishte patur tejdukshmëri lidhur me gjendjen e pronave, dhe se Rama kishte zhvilluar një përpjekje, përmes kryetares së tij në Vlorë, rreth një javë përpara kundërshtisë së organizuar, e cila kishte shkuar në Athinë dhe kishte takuar disa banorë të Zvërnecit, hamendësisht me veprimtari ekonomike atje, por pa marrëveshje; madje ata erdhën me autobuzë dhe mjete të tjera nga Athina dhe ishin pjesë e kundërshtisë së organizuar. Rama nuk e përmendi atë përpjekje në “sqarimin” e tij, as është pranuar deri tani nga kryetarja e Vlorës, por gjasat janë se ata e kanë zhvilluar atë. Përpjekja tregon përfshirje të drejtëpërdrejtë të Ramës në procesin e shpronësimeve dhe përparimin e projektit—çka tregon ndërhyrje politike në një proces që lidhet me drejtësisë.
Në “sqarimin” e tij për popullin, të parin, duhet thënë, ai sqaroi çështjen e gardhit, i cili lidhet me fazën “zhvillimore” dhe jo “ndërtimore”, dhe më pas përmendi pretendimet e qeverisë greke për dhunën e ushtruar ndaj “pakicës greke”, duke përligjur dhe pretendimin e saj se Zvërenci ishte “pakicë greke”. Ai vazhdoi të njëjtën përligjje duke iu përgjigjur pak orë më pas Ciprasit, ish-kryeministrit grek të partisë Siriza, me një shkrim, ku bie në kundërshti dhe me çka pretendojnë banorët lidhur me pronat; në fjalët e tij: “incidenti fatkeq, në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste normale për të drejtat e pronës. Ai ndodhi në një klimë tensioni të shtuar, të ushqyer nga dezinformim i gjerë, i shoqëruar me përpjekje të përsëritura për të penguar aktivitetin e ligjshëm të investitorëve privatë ndërkombëtarë me reputacion të lartë, që operojnë në tokë private, të cilën e kanë blerë nga pronarë të ligjshëm me tituj të vlefshëm pronësie, në përputhje të plotë me ligjin shqiptar”.
Thënë, në fjalë të tjera, Rama iu përgjigj edhe Athinës zyrtare edhe një kryetari të një partie politike për pretendimet e tyre se roja e Ramës kishte dhunuar “pakicën greke” në Zvërnec, duke “njohur” kështu “pakicën” përkatëse siç bëri vite më parë për Himarën, dhe pretendoi se amerikanët i kishin blerë pronat kur banorët pretendonin jo vetëm të kundërtën por dhe heshtjen e korporatës së Kushnerit. Sipas raportit, projekti po ecën përpara ndërsa konfliktet e pronësisë mbeten të hapura; bashkësia lokale dhe diaspora pretendojnë se nuk janë dëgjuar sa duhet; organizatat mjedisore flasin për dëmtime të mundshme në një zonë të mbrojtur me rëndësi mesdhetare; Affinity Partners nuk ka dhënë përgjigje publike ndaj shqetësimeve që banorët thonë se ia kanë paraqitur prej vitesh; dhe qeveria shqiptare mbështet vazhdimin e procesit, duke thënë se po ndiqen procedurat ligjore dhe se projekti mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike.
Gjatë ditës së dytë të kundërshtimit, Rama kërkoi nga pjesëmarrësit një kryesi për bisedime por ngaqë ata s`pranuan dhe parashtruan dhe disa kërkesa, me kryesoren dorëheqjen e qeverisë tij, ai filloi të nesërmen t`i quante ata “turmë e orkestruar nga jashtë” ndërsa u tregoi atyre “mbi 800 mijë votat” e zgjedhjeve por që diheshin se ato ishin një farsë e turpshme dhe kriminale, ku mori pjesë dhe ish-kreu i Spakut, jo vetëm me mos mbikëqyrjen e procesit siç premtoi por dhe duke përdorur rastin “Xhaçka” për mos-dëmtimin e Ramës përpara zgjedhjeve. Të njëjtën ditë, Spaku njoftoi se kishte ndaluar një pronë të lidhur me projektin e Zvërnecit, ndërsa Rama e mirëpriti hetimin e tij por shtoi se ai ishte “arbitrar dhe negativ”, dhe këmbënguli se investimi nuk do të ndalet. Spaku, në të vërtetë, duhet të kishte lëvizur që në kur u njoftuan projektet e Ramës, në vitin 2023.
Duhet thënë se pjesëmarrja ishte e madhe që ditën e parë të protestës; ajo vazhdoi e njëjtë dhe ditën e dytë dhe pritet të jetë më e fuqishme. Thirrjet për dorëheqje shoqëroheshin me thirrje për “revolucion”. Rama, nga ana tjetër, filloi të theksonte pretendimin e tij se kundërshtarët e projektit ishin pjesë e një “lufte të stisur me shpifje dhe manipulime”, ku njerëz të “paguar, trajnuar dhe orkestruar” përhapin pretendime të rreme për të penguar investimin, ndërsa kasnecët e tij (si Karamuço) pretendonin se pas tyre qendronin agjentët rusë dhe zhvillohej një “luftë hibride” kundër Ramës. Të gjitha, këto, sigurisht, pa paraqitur ndonjë provë. Qëllimi ishte minimi i kundërshtisë së shitjes së atdheut dhe dobësimi i përpjekjes, duke përmbysur kuptimin e tradhtarit dhe atdhtarit: se Rama ishte “atdhetar” me shitjen e pasurive ndërsa kundërshtarët e shitjes së tij ishin “tradhtarë”.
Përmblethtas, Zvërneci i shtohet një vargu projektesh që ngjallin rragatë dhe që kanë prekur bregdetin e Shqipërisë dhe Vlorës gjatë viteve të fundit: ku shquhen mungesa e përpunimit të mbetjeve dhe djegia e tyre; ngritja e fushës së aviacionit në Vlorë, e cila rrit çlirimet dhe largon shpendët migratorë; termocentrali me gaz amerikan dhe lundrat e ankoruara në gjirin e Vlorës për përpunimin e gazit amerikan, të cilët bashkarisht shkaktojnë rrënim të ekosistemit dhe jetës së popullit shqiptar. Zvërneci mbart një përmasë edhe më të gjerë. Dëmi i mundshëm nuk kufizohet vetëm tek Shqipëria. Për shkak të rolit që luan në rrugët migratore të shpendëve, ndikimi prek një pasuri natyrore me rëndësi evropiane dhe botërore. Çështja nuk është vetëm se çfarë humbet Vlora apo Shqipëria, por se çfarë humbet një nga nyjet më të rëndësishme ekologjike të Mesdheut dhe Adriatikut.
Zvërneci dhe përgjithësisht shkatërrimi i bregdetit të Shqipërisë, dhe vendit tonë në përgjithësi, është pasojë e braktisjes së socializmit marksist dhe humbjes së pavarësisë sonë ekonomike, politike dhe ushtarake, të cilën e zëvendësuam me varësinë që kemi krijuar ndaj Uashingtonit që kur u braktis socializmi marksist dhe së dyti, sepse kemi krijuar varësi ekonomike me qëllimin tonë për t`u bërë pjesë e BE-së. Kur një popull varet në nivel ushtarak dhe ekonomik nga një shtet tjetër, sidomos nga Uashingtoni dhe Brukseli, ai ndalon së qeni i pavarur dhe shtet. Këtyre dy varësive u shtohen dhe krimet politike të Ramës, i cili për t`i shpëtuar drejtësisë së kapur nga amerikanët, po shfrytëzon pangopësinë e Trampit për pasuri dhe po i fal atij pasuritë tona —si Zvërneci dhe Sazani, ndërsa po përgatisin të gjithë bashkë, me ndihmën e ambasadores amerikane në Athinë, shitjen e detit Jon— dhe po i shet atij, bashkë me Miçon dhe “miço” të tjerë në Ballkan, gazin amerikan...
Nga kjo shqyrtesë dalin pesë mashtrime kryesore të Ramës lidhur me projektet Zvërnec/Sazan: pretendimi se 1) nuk e dinte për projektin; 2) qeveria s`ka rol, është çështje private; 3) çështja e pronave është e zgjidhur; 4) protestuesit janë të paguar/orkestruar; 5) projekti është vetëm ekonomik. Në nivelin e mashtrimeve janë dhe amerikanët me mungesën e tejdukshmërisë lidhur me pronat. Një çështje e gjashtë lidhet me “gafën” e tij diplomatike lidhur me përgjigjen e tij ndaj pretendimve të Athinës—nëse mund ta quajmë ashtu, sepse mund të quhet një tjetër tradhti, meqënse përmes asaj “gafe” zyrtarizoi “pakicën greke” në Himarë gjatë viteve 2018 dhe më pas.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 10 reads



