...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Koalicionet joparimore dhe “Lista Srpska” si vegël e “memorandumit 2” serb në Kosovë

Politika dhe strategjia e Serbisë kaherë ka qenë, është e do të jetë veprimi destruktiv, për të penguar funksonimin normal dhe konsolidimin e shteteve fqinj. Këtë e kanë në gjak e në gjene dhe e kanë të përpunuar në programe, plane e dokumente zyrtare e jozyrtare, publike e të fshehta, të shtetit e të kishës, të akademisë e të universitetit, të diplomacisë dhe ushtrisë e policisë

Adil Fetahu

26/08/2019 - 20:19

Kuvendi i Republikës së Kosovës u shpërnda. Udhëheqësit dhe veprimtarët e partive politike e patën filluar fushatën parazgjedhore edhe para se të shpërndahej Kuvendi, sepse dihej se ai nuk mund të funksionojë në gjendjen e krijuar. Tash pas shpërndarjes së Kuvendit, ka marrë hov beteja politike për të rritur numrin e anëtarëve të partive, për transferime individuale e kolektive prej një partie në tjetrën, për koalicione parazgjedhore. Në këtë fushatë, morali politik ka rënë në nivelin e çmimit të kastravecave. Secila parti lavdërohet me “prurje të reja”! 

Fushata parazgjedhore akoma nuk është zyrtare, për shkak se Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, mjeshtër për të krijuar kriza e tensione, po ua tensionon nervat me zvarritjen e paarsyeshme për caktimin e datës së zgjedhjeve. Kur të fillojë fushata zyrtarisht, populli do të zbavitet e mërzitet me pallavrat e reja të udhëheqësve të vjetër të partive politike. Gjatë fushatës, kush të mundet do t’i futë stërkëmbësa e kunja në rrotë partisë tjetër. Me telashet e arsimit në vitin e ri shkollor do të merren vetëm arsimtarët. Bujqit nuk do të kenë kohë të merren me përgatitjet për mbjelljet vjeshtore, sepse do të sorrollaten nëpër tubime parazgjedhor dhe me shitjen e votave.

E bëra këtë hyrje të shkurtër për të dalë te koalicionet parazgjedhjeve dhe ato kryesoret e më të çuditshmet që bëhën pas zgjedhjeve. Vijat e kuqe, të cilat i kishin caktuar dikur partitë, se me cilët nuk do të bëjnë koalicione, tashmë e kanë humbur ngjyrën dhe janë fshirë. Sepse në politikë parimet nuk vlejnë as pesë qindarka. “Lista srpska” është në fytin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës,  rri anash, deri në momentin e fundit, për të rritur pazarin e saj ultimativ në ndonjë koalicion me shqiptarët e pangopur për pushtet. Do të bëhën pazare “xhambaze” për postin e kryeministrit e të kryetarit të Kuvendit, me premtime edhe për postin e kryetarit të shtetit. Prandaj “Lisa srpska” është një levë e rëndësishme manovrimi në këto pazare.

Por cili është roli dhe qëllimi i “Lista srpska”-s?

Deri më tash është parë roli dhe qëllimi destruktiv i kësaj force politike serbe në skenën kosovare. Deputetët e asaj liste, por edhe ndonjë serb tjetër jashtë saj, janë si “Kali i Trojës” i Serbisë në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës. Tërë kohën kanë bërë dhe gjithnjë do të bëjnë obstruksione për të penguar funksionimin normal të institucioneve ku marrin pjesë. Këtë detyrë e kryejnë sikur të ishin “misionarë” të Beogradit, e jo përfaqësues të zgjedhur të minoritetit serb të Kosovës.

Politika dhe strategjia e Serbisë kaherë ka qenë, është e do të jetë veprimi destruktiv, për të penguar funksonimin normal dhe konsolidimin e shteteve fqinj. Këtë e kanë në gjak e në gjene dhe e kanë të përpunuar në programe, plane e dokumente zyrtare e jozyrtare, publike e të fshehta, të shtetit e të kishës, të akademisë e të  universitetit, të diplomacisë dhe ushtrisë e policisë. Qysh në vitin 1939, ideologu i nacionalizmit hegjemonist serbomadh, akademiku Vasa Çubrilloviç, në një fjalim të mbajtur në Banjallukë (në vitin 1939), e porositi pakicën serbe që jetonte në Kroaci kështu: “Pakica kombëtare serbe në tokat kroate gjithmonë duhet të punojë me përkushtim për pengimin e krijimit të çfarëdo shteti kroat, por nëse për shkak të rrethanave historike kjo megjithatë do të ndodhë, që Kroacia të bëhet shtet, është detyrë e kësaj (pakice serbe, v.j.) të punojë aktivisht për ta dekonsoliduar shtetin e tillë”!

Kjo ide strategjike e kryenacionalistit Çubrilloviç është mishëruar, si vijë e kuqe, në të gjitha programet e memorandumet serbe, ndërsa pakica serbe kudo është manipuluar dhe ka shërbyer si “modus operandi” për kundërshtime, bojkotime, kryengritje, deri në luftë të përgjakshme, sikurse ato të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, në Kroaci, Bosnje, Kosovë.

Një strategji për destabilizimin e shteteve fqinje: Kroaci, Bosnje, Kosovë, Mali Zi dhe Maqedoni, është përcaktuar në “Memorandumi 2” i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (për atë Memorandum kam botuar një shkrim më të gjatë në vitin 2011; aktiviteteve destruktive të caktuara në atë Memorandum, tash politika dhe diplomacia serbe i ka shtuar edhe veprime të reja, të përshtatura sipas kohës dhe rrethanave). Memorandumi është ruajtur si sekret dhe u është dërguar vetëm përfaqësuesve më të lartë të Serbisë për të vepruar me porosinë: “Lexoje, por mos e përhap më tutje”. 

Në aktrimin e tyre patetik për rrezikimin e popullit serb “nga padrejtësitë, vuajtjet, diskriminimi, dhuna, sulmet,  shpërnguljet me dhunë që gjoja po iu bëhet”, pakica serbe në Kosovë po manipulohet për qëllime politike-strategjike të Beogradit. Një “instrument” i fuqishëm manipulues i Beogradit është bërë “Lista srpska”, përfaqësuesit e saj në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës dhe në të gjitha segmentet e jetës publike në Kosovë, në nivelin qendror dhe lokal. Përfaqësuesit e asaj Liste haptas e mohojnë shtetin e Kosovës dhe deklarohen se punojnë për zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë! Ata tërë kohën e keqpërdorin votën paralizuese si minoritet, të cilën ua garanton Kushtetuta e Kosovës, kur është në pyetje votimi i ligjeve.

Është rasti i mirë, por i pabesueshëm, që në zgjedhjet e parakohëshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen sivjet, nga radhët e minoritetit serb të zgjedhin njerëz të cilët do t’i përfaqësojnë denjësisht interesat e njëmendëta të atij minoriteti, e jo interesat e politikës destruktive të Beogradit; njerëz të cilët e duan  dhe krenohen  me përparimin e shtetit të Kosovës, në të cilin jetojnë, punojnë, përparojnë pozitën e tyre shoqërore, ekonomike, arsimore, kulturore dhe të bashkëjetesës me të gjithë bashkëqytetarët. Të fillojnë procesin e katarsit të vet, t’ia kthejnë shpinën politikës destruktive të Beogradit i cili po futë përçarje dhe urrejtje dhe kështu po ua keqëson pozitën minoritetit serb.

Vetëm  një strukturë të re e përfaqësuesve të minoritetit serb, e orientuar kah bashkëjetesa dhe pranimi i shtetit të Kosovës si shtet edhe i tyre, e gatshme për bashkëpunim konstruktiv për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, do të ishte e denjë për koalicion me partitë e shumicës dhe të minoriteteve të tjera. Nëse nuk do të zgjidhet një strukturë e re, e pranueshme edhe për shumicën,  ajo do ta vetizolojë minoritetin serb, do të vazhdojë me politikën e Beogradit dhe do t’ia keqësojë pozitën shumicës së serbëve të Kosovës.

Koalicionet bëhen me subjektet që kanë qëllime dhe pikëpamje të njëjta ose të afërta për realizimin e programit politik. “Lista srpska” ka pasur platformë, vizion dhe qëllim parësor dhe kryesor sabotimin e punës dhe funksionimit të Kuvendit, të Qeverisë dhetëgjitha institucioneve të shtetit të Kosovës, pikërisht siç e ka përcaktuar “Memorandumi 2,” që përmenda më sipër! Zoti mos e dhëntë që me një strukturë si “Lista srpska” të bëjnë edhe një herë koalicion subjektet politike shqiptare, siç ishte rasti me Qeverinë e Isa Mustafës dhe të Ramush Haradinajt.

Ndërsa elektorati shqiptar, duhet t’i hapë sytë mirë në këto zgjedhje, të mos i përsëritë gabimet duke zgjedhur të njëjtët njerëz, por të zgjedhë forca të reja të besueshme e të pakorruptuara, të cilat dijnë dhe duan ta çojnë përpara zhvillimin ekonomik dhe ta konsolidojnë e forcojnë pozitën e shtetit të Kosovës, në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Amin!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA