...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Meriton veprimtaria politike e Mid`hat Frashërit të nderohet dhe është e ‘majtë’ “partia socialiste”?

Njerëzit gjykohen drejtë në bazë të parimit që vijon: sa të mira dhe sa të këqija ka shkaktuar gjatë jetës politike (sepse ne jemi së pari ‘qënie politike’) dhe nëse peshorja anon nga njëra anë ose nga tjetra ashtu është dhe historia (dhe karakteri) i tij.

Ylli Përmeti

14/11/2018 - 19:04

Njerëzit gjykohen drejtë në bazë të parimit që vijon: sa të mira dhe sa të këqija ka shkaktuar gjatë jetës politike (sepse ne jemi së pari ‘qënie politike’) dhe nëse peshorja anon nga njëra anë ose nga tjetra ashtu është dhe historia (dhe karakteri) i tij. Këtë parim e përdorim sepse njeriu nuk lind dhe nuk është i përsosur (ai përsoset vetëm nëse synon të përsoset në...virtyte) dhe si i tillë gjatë jetës mund të shkaktojë të mira dhe të këqija.

Sipas të njëjtit parim mund gjykohet jeta e Mid`hat Frashërit, eshtrat e të cilit i solli qeveria “Rama” në atdhe nga Amerika ose vetë Rama meqë në partinë përkatëse është vetë gjykatës dhe vetë ekzekutor.

Përgjatë socializmit marksist Mid`hat Frashëri u kryqëzua. Historanët lidhur me të janë të ndarë: disa e mbështesin disa jo. Enveri dhe komunistët e shekullit të kaluar mbështesin faktin se ai ishte kryetar i Ballit Kombëtar dhe si i tillë, shkaktar i drejtëpërdrejtë i bashkëpunimit me pushtuesit italian dhe gjerman ndërsa mbështetësit e Mid`hatit argumentojnë se ishin komunistët ata që nuk iu përmbjatën marrëveshjes së “Mukjes” përmes të cilës ishin pajtuar se do të luftonin bashkë armikun dhe si të tillë, ballistët ishin “anti-fashistë”.

Mirëpo, këta të gjithë “harrojnë” ose bëjnë sikur “harrojnë” se partia komuniste u krijua përpara se të krijohësh balli kombëtar, për të luftuar kundër pushtuesit. Komunistët kishin filluar, në fakt, të vetë-organizoheshin që në vitin 1929 në Korçë. Ata ishin pasojë e ideologjisë marksite që kishte marrë formë në revolucionin bolshevik të Rusisë me në krye Leninin dhe kërkonin të realizonin të njëjtin projekt edhe në Shqipëri. Për revolucionin përkatës klasa e bejlerëve në Shqipëri ishte në dijeni dhe dinte pasojat nëse ai merrte formë në vendin tonë. Pasoja e parë ishte shtetëzimi i pasurive të bejlerëve ose latifundistëve të kohës. Kjo ishte arsyeja pse Mid`hati dhe shumë si ai nuk iu bashkuan partisë komuniste por krijuan një vit më pas “ballin” pasi panë se komunistët mund të fitonin luftën dhe ata mund të humbisnin “klasën” e krijuar si përgjatë perandorisë otomane ashtu dhe përgjatë periudhës zogiste.

Ishte, në fjalë të tjera, një organizatë politike që u nxit nga pritshmëritë dhe nga frika se mos humbiste zotërimet e pronave dhe privilegjeve të klasës së lartë dhe nuk ishte “anti-fashiste” dhe demokratike siç pretendojnë. Karakterin e saj të padrejtë dhe jodemokratik e kuptojmë jo vetëm nga individët që krijuan organizatën përkatëse por dhe nga dhjetë pikat e programit dhe nga slogani që përdori:        

Slogani “shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”, për shembull, i cili vazhdon të përdoret nga shumë njerëz të kohëve tona, një qendrim që tregon shkallën e lartë të pakuptimësisë së tyre në raport me njerëzit që e përdorën në të kaluarën por dhe me vetë sloganin: le të “harrojmë” për një çast të kaluarën e njerëzve që e përdorën (kolaboracionin e tyre me nazi-fashistët) dhe të përqendrohemi te vetë slogani: së pari, slogani kritikohet sepse sipas tij Shqipërinë e zotërojnë vetëm shqiptarët kur dihet se në përbërjen e popullit tonë ka dhe pakica nga popuj të tjerë. Dhe për të njëjtën arsye, nuk është vetëm i papërputhshëm me realitetin demografik të vendit por dhe mund të konsiderohet “fashist” meqë përjashton nga përbërja e popullit pakicat e tjera; së dyti, në pjesën e dytë të tij…“vdekje tradhëtarëve”…nuk tregon as shkaqet pse tradhëtojnë njerëzit as është i drejtë: sepse nuk mund të vrasësh një njeri pa hetuar dhe shqyrtuar shkaqet…Nuk është njëlloj, për shembull, të tregosh tradhëtarin (Berishën, Ramën etj.) pa treguar shkaqet: sepse jo vetëm që karakteri është i padrejtë kur nuk tregohen shkaqet pse janë janë tradhëtarë por rrezikojmë të përsërisim të njëjtën dukuri.

Duke anashkaluar parimin që përmenda më lartë (ndoshta nuk e njohin) dhe gjykimin e drejtë të veprimtarisë së Mid`hatit, mbështësit e tij përmendin vetëm njërën anë: kontributin, “kulturën” dhe krijimtarinë e tij...letrare. Kështu për mbështetësit e tij, këto “punë” mjaftojnë për ta vendosur atë në altarin e një kombi! Por është e qartë se nuk janë as gjykues të mirë (si mund të jenë gjykues të mirë kur nuk adoptojnë asnjë parim për të gjykuar drejtë jetën e një njeriu?) e as do të jenë ndonjë herë përsa kohë që asnjëri nuk e vendos në “kandarin” e drejtësisë. Domethënë, se sa të mira dhe sa të këqija ka shkaktuar për popullin e tij përgjatë jetës së tij politike.

Kështu, nëse gjykojmë vetëm nga veprimtaria e tij politike dhe veçanërisht për fazën kur ai ishte kryetar i ballit, ai nuk meriton te jetë në altarin kombit. Nëse gjykojmë nga ideologjia e tij, e padrejtë, (për mos të thënë ‘fashiste’), ai nuk meriton të jetë atje. Dhe nëse gjykojmë nga veprimtaria e tij kur u përfshi në themelimin e shtetit modern shqiptar, ai meriton të jetë me të tjerët dhe të nderohet. Por qartësisht, peshorja anon nga të këqijat: sepse roli i tij në ballin kombëtar dhe ideologjia e tij e mundin kontributin që dha në fillimet e tij politike.

Kujtoj se komunistët marksistë përdorin një kriter tjetër të gjykimit të njerëzve: klasën. Dhe përsa kohë që Mid`hati ishte përfaqësues i klasës sunduese të kohës për aq kohë ai ishte armik klasës punëtore: sepse klasa punëtore ose bujkrobërit e kohës shfrytëzoheshin nga bejlerët dhe jo anasjelltas. Dhe partia komuniste marksiste ishte së pari ‘klasore’―domethënë, përfaqësonte klasën e shfrytëzuar nga shfrytëzuesit.

Për të njëjtat arsye, Mid`hati mund të nderohet vetëm për kontributet e tij por jo për tërësinë e veprimtarisë së tij. Si i tillë, ai nuk meriton të jetë pjesë e njerëzve që udhëheqin popujt me mendim dhe veprim dhe të jetë në altarin e tij. 

Pyetjes që ngrenë shumë gazeta gjoja të “majta” se mos ndoshta Rama ka rreshqitur drejt të djathtës me vendosjen e Mid`hatit në altarin e njerëzve më të nderuar të popullit (koncepti ‘popull’ është më i gjerë se koncepti ‘komb’), tregojnë se sa pak dije kanë për të majtën në përgjithësi dhe partinë socialiste në veçanti: sepse kjo e fundit e ka braktisur të majtën marksiste që në `90 me Ramizin dhe më pas me Nanon dhe vazhdon me Ramën.

Partia socialiste ka ruajtur vetëm një komponent të të majtës keinsianiste të shekullit të kaluar: taksën progresive, e cila nuk zbatohet si në shekullin e kaluar, kur ekonomitë kishin marrë drejtim tjetër, introvert, por në kuadër të globalizmit neoliberal, ekstrovert. Këtë orientim e shqyrtoj në vend tjetër dhe këtu nuk do të zgjerohem. Ndryshimi kryesor është se taksa progresive e shekullit të kaluar shoqërohësh me një tërësi angazhimesh për të patur sukses. Ndërsa partitë gjoja të “majta” të kohëve tona nuk e shoqërojnë me angazhimet që institucionalizoi Keinsi. Kjo është arsyeja pse ato zhysin popujt në borxhe. Gjithë komponentët e tjerë i ka braktisur që në `90. Si e tillë, partia socialiste ka një përqindje shumë të vogël nga e majta keinsianiste dhe asnjë përqindje nga e majta marksiste. S`po përmend këtu të Majtën që themeloi Aristoteli me Perikliun dhe filozofinë e tij, të cilën s`e njohin as të “majtët” marksistë as të djathtët!

Për të njëjtën arsye, partia “socialiste” vepron njëlloj si partia “demokratike”: sepse në ideologji është thuajse e njëjtë me të djathtën dhe si të tillë, nuk mundohen të gjykojnë drejtë jetën politike të ballistëve apo të Zogut por adoptojnë qasjen e “pajtimit” të klasave me qëllim që të ligjësojnë veten (sepse në politika nuk ndryshojnë nga politikat e Zogut) në gjeneratat pasardhëse. Si e tillë, është një qasje “diplomatike” që lidhet kryesisht me ligjësimin e politikës së tyre nga gjeneratat pasardhëse që paralelisht mund t`u çojë ndonjë votë sidomos në kushtet aktuale që kanë humbur besimin. Efekti që ka kjo lloj qasje në gjeneratat pasardhëse është se  ―arsyetojnë demagogët aktualë― do të arsyetojnë njëlloj politikat aktuale dhe do t`i nderojnë njëlloj si rilindasit e shekullit 19-të.

Kështu në vend të paraqiten si “tradhëtarë” nga ndonjë “çapraz” i historisë do të paraqiten si “rilindas” pavarësisht politikave anti-popullore dhe anti-kombëtare. Tradhëtia, në të vërtetë, kundrejt popullit, buron kryesisht nga padija e të ashtuquajturës “elitë” dhe nëse përdorim një koncept juridik, se sa ‘përgjegjësi’ mban elita aktuale për politikat anti-popullore duke përfshirë politikat anti-ekologjike, ajo është 51 për qind përgjegjëse ndërsa populli 49 për qind. Nëse përdorim sloganin e nacionalistëve të tipit Mid`hat, i bije që të vrasim gjithë popullin dhe gjithë elitën. Dhe nëse e përdorim të njëjtin slogan për vetë nacionalistët e shekullit të kaluar i bije që t`i fshijmë të gjithë nga faqja e historisë.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA