...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga padija e juridiksionit dhe gazetarisë shqiptare në përdorimin e parimeve juridike

Kriza është e thellë dhe fillon me padijen e “ekspertëve” të juridiksionit dhe gazetarët e oligarkisë

Ylli Përmeti

03/02/2019 - 12:21

Fiaskua tjetër e opozitës dhe apologjia jo e mirë e Dakos

Çfarë na thanë gazetarët për ‘përgjimet’ e prokurorisë lidhur me Dakon se ishin “hetim” ndërsa të tjerë thanë se ishte “investigim”! Kjo fjala e fundit ka zëvendësuar të parën në fakt, sepse, si duket, gazetarëve u shijon më shumë fjala e huaj! Ja si e paraqet fjalori ynë i nderuar fjalën hetoj në kuptimin e dytë nga katër kuptime që i jepë: 2. drejt. “Shqyrtoj rrethanat në të cilat është kryer një krim ose një kundërvajtje penale”. Qartësisht, sqarimi nuk të sqaron se ‘si’ ta ‘hetosh’ një çështje penale. Fjalori i “Oxford-it” e qartëson pak më shumë konceptin por sërish nuk tregon se ‘si’ hetohet një çështje penale.

Kështu, nëse gjykojmë nga veprimet e prokurorisë, e cila si në rastin e Tahirit ashtu dhe të Xhafajt dhe të Dakos, me të tjerë që mund të pasojnë, ata ose mjaftohen me hetimet (pa thonjëza) të italianëve —që është një praktikë e padrejtë, sepse prokuroria përfaqëson akuzën në gjykatë dhe akuza buron nga hetimi i saj dhe jo nga hetimi i ndonjë tjetri, me qëllim që ta mbrojë çështjen me sukses në gjykatë dhe mos të shpenzojë kohën dhe kursimet tona kot, sepse do të përballet me avokatin mbrojtës të të akuzuarit…— dhe të Xhafajt dhe Dakos ku na paraqiti ‘përgjimet’ për “hetime”, mund të themi me siguri të plotë se prokurorët përkatës…të prokurorisë së krimeve të rënda, ku supozohet se janë integruar prokurorët më të mirë në dije teorike dhe praktike, nuk kanë mësuar të hetojnë. Në fakt, problemi me prokurorët është mjaft i gjerë dhe kërkon vëmendje të veçantë nga ne: sepse supozohet se kualifikohen nga ‘dijetarë’ me emrin ‘pedagogë’ në çështjen përkatëse. Nuk është e rastit që pedagogët që kanë kualifikuar prokurorët përkatës nuk reagojnë për “hetimet” e nxënësve të tyre!

Do të ishte në dobi të shoqërisë, rrjedhimisht, që sfida të fillonte me pedagogët. Unë kam vite që shkruaj për këto çështje, veçanërisht në Shqipëri: sepse vërej se nuk ka dije hetuese. Mirëpo, gazetarët e oligarkisë, të cilët nuk marrin mësime hetuese kur studiojnë gazetari, dhe rrjedhimisht, gabimet e tyre kur quajnë ‘përgjimet’ - “hetime”, mund të tolerohen nga ne, nuk e shtrojnë çështjen duke filluar nga “pedagogjia juridike” lidhur me hetimet—duke ftuar në emisione të ashtuquajturit “ekspertë” në hetime ­—pedagogët— por ftojnë tipa si Marku, Kikia, Nano, Baze e të tjerë si këta, që s`e kanë idenë nga hetimet dhe juridiksioni në përgjithësi. Mjerimi kuptimor i gazetarëve, për më shumë, paraqitet zbuluar kur paraqesin në lajme ‘anketat’ si “studime”. Domethënë, nuk kanë mësuar as dallimin mes anketës dhe studimit! Gazetarët e anëve tona nuk mësuar as dallimin mes ‘lajmit’ dhe ‘informacionit’ — A-në në gazetari — kur thonë...“këto dhe të tjetra informacione...” në vend të thonë “këto dhe lajme të tjera”, sepse informacioni është pjesë e lajmit dhe jo anasjelltas: sepse kuptimi ‘shqip’ i ‘informacionit’ është një ‘e dhënë’ e një ‘ngjerjeje’ ndërsa ‘ngjarja’ është ‘lajmi’. Kështu fakti që gazetarët nuk kanë kuptuar as A-në e gazetarisë, si mund të pretendojmë se ata kuptojnë aspektet juridike dhe janë të aftë t`i shqyrtojnë ato?! Qartësisht, kriza është e thellë dhe kërkohet kontributi ynë.     

Shekullin e kaluar, prokurorët shqiptarë në hetime përdornin kryesisht gjurmimet, dëftimin e kontradiktave dhe dhunën psikologjike dhe fizike: sepse mungonin ndërveprimet njerëzore me telefona dhe rrjetin elektronik. Këtë shekull, prokurorët iu përshtatën karakterit kryesor të partive dhe qeverive—parazitizmit— dhe u përqendruan kryesisht te ‘përgjimet’. Kështu ata nuk i gjurmojnë të dyshuarit fizikisht! Mirëpo, pushtetarët janë në dijeni të përgjimeve, sepse, në fund të fundit, janë ata që hartojnë ligjet dhe ligjësojnë praktikën e përgjimeve, dhe janë të kujdesshëm në veprimet e tyre në telefona dhe botën elektronike. Kështu prokurorët, rrinë me vite të tërë për të “kapur” ndonjë ‘lidhje’ kriminale dhe mbushin dosje pas dosjesh me bisedat e tyre. Rezultati i kësaj praktike, siç tregon “puna” e prokurorëve tre dekadat e fundit, është zero. Duhet theksuar, edhe një herë, se qoftë prokurorët e shekullit të kaluar qoftë prokurorët e këtij shekulli, në vendin tonë, punojnë pa parime juridike.

Parimi kryesor juridik i një prokurori është të provojë në gjykatë se rasti ‘kriminal’ që ka hetuar qendron ‘përtej gjithë dyshimeve të arsyeshëm’. Për të realizuar këtë synim prokurori duhet kuptojë dhe përdorë tre parime të tjerë që burojnë nga parimi kryesor: (a) “actus reus”— të tregojë se i akuzuari ka kryer një sjellje të vullnetshme të shoqëruar me “rrethana” të ligjishme (duke përfshirë dhe mosveprimet dhe detyrën), dhe në shumë raste sjellja e tij ka “shkaktuar” (së pari në ‘fakt’, së dyti në ‘ligj’) disa “pasoja”; (b) “mens rea”— të tregojë përgjithësisht se i akuzuari ka vepruar me qëllim ose me paramendim ose me pakujdesi subjektive në raport me “actus reus” (veprimet e jashtme), se ai synonte, dinte ose ishte në dijeni të rreziqeve—pavarësisht se në disa raste i akuzuari mund të jetë fajtor edhe nëse nuk ka qenë në dijeni, si në rastin kur frenat e automjetit nuk punojnë mirë dhe vret dikë gjatë udhëtimit por tregohet se çdo njeri i arsyeshëm nuk do ta përdorte automjetin pa u siguruar se frenat punonin mirë apo në raste të ngjashme; dhe (c) mungesën e çdo mbrojtjeje, si në rastin kur një njeri përdor fuqi të arsyeshme për të mbrojtur veten.  

Për të realizuar këto parime, nevojitet shqyrtimi i tyre nga pedagogët dhe përdorimi i tyre në çdo rast. Janë parime të krijuar nga juridiksioni anglosakson dhe si të tillë janë të nevojshëm për çdo vend dhe shoqëri...                    

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA