...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përtej plotësimit të kërkesave: si mund të marrë karakter vërtet revolucionar protesta e studentëve?

Pse e kundërshtojmë hierarkinë shtetërore dhe institucionale bëhet e qartë nëse kuptojmë se çfarë nënkupton ‘hierarkia’: ajo nënkupton përqendrimin e pushtetit dhe përqendrimi i pushtetit vetëm liri, efiçencë dhe zhvillim shkencor të individëve të një shoqërie nuk mundëson

Ylli Përmeti

09/12/2018 - 16:30

Që kur filluan protestat kundër reformës në arsimin e lartë janë bërë shumë përpjekje, fisnike, nga shumë veprimtarë dhe veçanërisht nga veprimtarët e OP-së, pjesë e të cilave kam qenë dhe unë, fizikisht—pavarësisht se banoj në Durrës dhe udhëtimi me mjetet e transportit publik shpesh është rraskapitës— dhe teorikisht, me një studim mjaft të gjerë që është pritur mirë nga lexuesit por është çensuruar nga masmedia dhe universiteti...publik!

Sidoqoftë, protestat e vitit 2014-15 ranë në amulli sepse shumë ngjarje të tjera politike të padrejta pasuan dhe si pasojë, energjia e protestës u shpenzua në shumë drejtime. Për shkak se veprimtarët intesifikuan punën lidhur me dijësimin e studentëve për efektet e reformës dhe reforma kishte dhënë disa efekte të dëmshëm në jetën e tyre, të cilët i kishim parashikuar që në atë kohë, protesta mori karakter ‘masiv’ gjatë ditëve të para të dhjetorit 2018. Por protesta nuk është mirorganizuar—në kuptimin e moskuptimit të objektivit final dhe rrugëve përmes të cilave kalon objektivi në fjalë.

Kujtoj se ne jemi përpjekur të ‘pjekim’ idenë e arsimit publik falas. Ky ka qenë —dhe është— objektivi ynë. Por rrugët nuk u qartësuan as nga veprimtarët e OP-së as nga të tjerë! Për pasojë, megjithëse protesta ishte masive krahasuar me dy vitet e para, ajo nuk ka marrë ende karakter revolucionar: sepse si përgjatë fazës së protestave masive ashtu dhe pas tyre nuk ka shqyrtuar asnjë plan-veprimi se si mund të realizohet arsimi publik falas dhe cilësia e lartë e tij. Nuk do të ishte e çuditshme që Rama përdori argumentin --gjatë ditëve të para të protestës-- se studentët nuk përfaqësonin gjithë studentët. Vetëm kur protesta mori karakter vërtet masiv--pas ditës së shtatë-- Rama ndryshoi qendrim: filloi të mendonte plotësimin e kërkesave dhe vuri në veprim parazitët e institucioneve! Kujtoj se numri total i studentëve është mbi 129 mijë (81.9% e këtij totali janë në universitetin publik). 

Për pasojë, në kulmin e protestave filluan përçarjet e brendshme (studentët dhunuan pedagogun Marka e veprimtarë të tjerë sepse ai është veprimtar i “organizatës politike” duke i mohuar të drejtën e shprehjes në protestë, domethënë, një ndër kontribuesve kryesor në mobilizimin e studentëve, hamendësisht sepse studentët ngatërrojnë partitë politike me lëvizjet politike!) ndërsa u shfaqën “ekspertët” e establishmentit si kërpudha pas shiut me “elaborate” gjysmake që shtypi i shitur dhe i zhytur në padije i vendos në krye-temën e ditës ndërsa çensuron të tjerë! Se çfarë nuk tregon, për shembull, “elaborati” i autorit më poshtë,[1] janë shkaqet sistemike. Kur nuk tregohen shkaqet sistemike nuk do të ishte e habitshme të propozonte si rrugëzgjidhje hierarkinë shkencore dhe konkurrencën në universitetin publik!

Pse e kundërshtojmë hierarkinë shtetërore dhe institucionale bëhet e qartë nëse kuptojmë se çfarë nënkupton ‘hierarkia’: ajo nënkupton përqendrimin e pushtetit dhe përqendrimi i pushtetit vetëm liri, efiçencë dhe zhvillim shkencor të individëve të një shoqërie nuk mundëson.

As do të ishin të çuditshme kërkesat në kulmin e protestave: ato jo vetëm që nuk proceduan nga ndonjë asamble studentore por u dorëzuan në ministrinë e arsimit pa firma, pa proces verbal dhe pa objektivin kryesor: arsim publik falas! Kërkesat ndryshuan edhe një herë pas dy ditë protestash dhe përsëri ishin kontradiktore në raport me drejtësinë dhe demokracinë pavarësisht se u shtua arsimi publik falas. Për shembull, buxheti i shtetit nuk mund të dyfishohet vetëm për arsimin e lartë por për asimin në përgjithësi duke përfshirë dhe ciklet pararendës. Kërkesa për rritjen e fuqisë së votave  të studentëve në zgjedhjen e drejtuesve të jetës universitare, është gjithashtu, problematike: sepse asnjë student nuk mund të gjykojë drejtë aftësitë drejtuese të një pedagogu, siç nuk mund të gjykojë drejtë aftësitë drejtuese të përfaqësuesve politikë. Se cilët mund të gjykojnë drejtë aftësitë drejtuese të pedagogëve janë trupi pedagogjik dhe shoqëria pjesë e të cilës janë prindërit e studentëve.

Studentët marrin pjesë në zgjedhjen e drejtuesve të universitetit jo sepse mund të gjykojnë drejtë ata por sepse supozohet se përmes procesit zgjedhor mësojnë të gjykojnë drejtë drejtuesit e tyre. Fuqia e votës rrjedhimisht duhet të anojë nga trupa pedagogjike e cila, për t'i dhënë karakter demokratik zgjedhjeve në universitet, fton shoqërinë të marrë pjesë në to, jo vetëm për të gjykuar por edhe për të votuar. Më konkretisht, 50% të fuqisë së votës ta ketë trupa pedagogjike (sepse kjo supozohet se mund gjykojë drejtë virtytet dhe punën e trupës) ndërsa 25% studentët dhe 25% prindërit (sepse gjykimi i drejtë i tjetrit nënkupton hetim dhe kundrim, dhe një lloj hetimi mund të zhvillohet gjatë ndërveprimit të pedagogëve dhe një lloj kundrimi gjatë gjykimit).           

Dhe le të shqyrtojmë çështjen e arsimit publik falas të cilin duhet ta kishin qartësuar veprimtarët po të kishin shqyrtuar studimin që kam publikur për këtë çështje (sepse shqyrtimi i studimeve çon gjithnjë në plan-veprim): në kushtet ekonomike në të cilat gjendemi aktualisht ne nuk mund ta realizojmë arsimin publik falas—sepse arsimi publik falas nënkupton rritjen buxhetit në arsim dhe rritjen e efiçencës në universitet. Domethënë, efiçencës në raport me dijen e gjeneruar, e cila, me radhë, do t`i shërbejë shoqërisë. Dekadat e fundit universiteti publik nuk ka gjeneruar dije origjinale por më shumë zbaton “dijen” e të tjerëve. Kjo çështje lidhet me shkaqe sistemikë: domethënë, me faktin se universiteti është kontrolluar përmes rektorëve gjithnjë nga qeveria dhe rektorët me radhë kanë shërbyer si marjoneta sistemike: domethënë, kanë punësuar militantë partish (parazitë) dhe kanë shkatërruar arsimin.

Por qeveria mund të ndërmarrë veprime dhe të realizojë disa nga kërkesat e studentëve por jo të gjitha pavarësisht se sa do ta përshkallëzojnë natyrën e protestës studentët.

Për shembull, ajo mund të kërkojë kontribut më të madh nga ndërmarrjet që veprojnë në Shqipëri me taksa në dijeni se do të ‘kërcënohet’ me mungesë sponsorizimesh në zgjedhjet e ardhshme nga oligarkët e tregut, me largim jashtë vendit dhe fshehje të fitimeve. Këtij lloj kërcënimi ajo mund t`i shmanget nëse masa paraprake ndërmerren. Ajo mund të kërkojë të kontribuojnë në arsim investitorët e huaj të cilët aktualisht nuk janë përfshirë në taksën progresive të qeverisë në dijeni se mund të ‘kërcënohet’ me pezullim të investimeve. Këtë lloj ‘kërcënimi’ qeveria mund ta evitojë gjithashtu nëse masa paraprake ka ndërmarrë. Ajo mund, në fund, të konsiderojë një ‘paketë’ politikash të tjera që mund të realizojnë objektivin e arsimit publik dhe falas, të cilat mund të qëmtohen këtu:       

Padija dhe krimet e “qeverisë Rama” dhe klasës politike: 2013-2017 (Ylli Përmeti)

Në ditën e njëmbëdhjetë protesta u rrëgjua në numra dhe si duket, për shkak të rrëgjimit, studentët pranuan protestuesit e Astirit, të cilëve u ishin përgjigjur me mospranim në ditët e para të protestave...në kohën kur dihet se protestuesit në fjalë u mbështetën nga PD-ja dhe u implikuan me opozitën e establishmentit në përgjithësi! Kjo zhvendosje qendrimi me siguri do t`u kushtojë studentëve. Këtyre ngjarjeve u paraprinë ‘mbështetjet’ e senateve universitare (nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti Politeknik dhe Moisiu në Durrës). Të gjithë këta universitete shquhen për pasivitetin e tyre lidhur me reformën në arsim, si në nivel teorik (nuk u shquan në kritikën e reformës) ashtu dhe në nivel praktik (nuk morën pjesë në asnjë protestë...nga ‘politekniku’, në fakt, ka marrë pjesë, në dijeninë time, në protesta intensive vetëm një pedagog)! Mbështetja e tyre, rrjedhimisht, vjen pas mbështetjes së kërkesave –në parim- nga ministria e arsimit dhe Rama. Si e tillë, ajo bart karakterin e servilizmit.

Gjykuar nga organizimi jo aq i mirë dhe kërkesat e studentëve, të cilat janë të pjesshme dhe kontradiktore, mund të themi se nga përpjekja e tyre mund të realizojnë kërkesën e parë (Rama, në anën tjetër, mund të reduktojë buxhetet e ministrive, kryeparazitëve të institucioneve publike, për të mbuluar shpenzimet e Universitetit, sepse taksat nuk mund t`i përdor as kundrejt oligopoleve vendore dhe as kundrejt kapitalistëve të huaj) dhe të fitojnë kartën e studentit. Në të vërtetë Rama ka shumë gjasa të përdorë taksat e shoqërisë. Nëse po, përpjekja e studentëve është e dështuar: sepse prapë ata do të paguajnë për universitetin!

Mësimet që nxjerrim nga kjo përpjekje fisnike janë se vërtet studentët janë zgalemi i revolucioneve por pa proceduar nga shqyrtimi dhe kuptimi i të drejtave ato kurrë nuk mund të realizohen. 

Të gjitha këto në kohën kur gjithë shoqëria është zhytur në borxhe dhe nga studentët kërkohet të kuptojnë shkaqet pse ajo është zhytur në borxhe dhe lidhjen e ngushtë që ka zhytja e shoqërisë në borxhe me zhytjen e studentëve. Nevojitet, në fjalë të tjera, jo vetëm fitimi i të drejtave në arsim por së pari fitimi i të drejtave si shoqëri—domethënë, një shoqëri (ose shtet) pa borxhe është më e mirë dhe më e drejtë, më e dëshirueshme dhe më dinjitoze se një shoqëri e kredhur në borxhe kundrejt oligarkëve vendorë dhe të huaj.      

Përditësuar*    


[1]Që protesta e studentëve të bëhet historike, Jorgo Mandili, Dita, 09, 12, 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA