Pse fitoi Partia “Socialiste”?

Ylli Përmeti
26/06/2017 - 16:06
‘Shpresa është e ardhmja, memorja e së kaluarës’.
—Aristoteli
Arsyeja kryesore se përse fitoi koalicioni i “Majtë” në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013-të në Shqipëri është se në krye të dy mandateve, popujt, në kuadër të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut lodhen me gënjeshtrat e një elite politike, sidomos kur ato janë trashanike dhe perceptohen lehtësisht dhe kështu, votojnë partitë që ngjallin më shumë shpresë — sepse shpresa është e ardhmja dhe kujtimet e së kaluarës; nëse kujtimet janë të dhimbshme votuesit do të kërkojnë një grimcë shprese diku tjetër: sa më të mëdha të jenë dhimbjet dhe zhgënjimet aq më shumë do të orientohen shpresëhumburit drejt partive që ngjallin shpresë. Por ishte “kauza” e saj për drejtësi dhe për të dënuar kriminelët e qeverisë “Berisha” që krijoi kushtet për të rritur votëbesimin e saj. Ishte pikërisht kjo dinamikë që shfrytëzoi PS-ja. Por ngaqë asaj i mungonte dija sistemike dhe administrative u kthye shpejtë në një qeveri tiranike. Në rastin me studentët që e gjuajtën me vezë, për shembull, Rama u soll si një tiran i vërtetë: i ndoqi penalisht dhe i dënoi! Ndërsa në rastin e protestës së PD-së, jo vetëm që nuk përdori kodin e procedurës penale kur PD-ja kërcënonte me “destabilizim”, por krijoi marrëveshjen kriminale përmes së cilës nuk do të mund të dënohen kurrë krimet e së kaluarës — përjashto mundësinë e rindryshimit të kodit penal. Ajo ishte tiranike edhe me reformën në sektorin e energjitikës: sepse përdori dhunë vetëm kundrejt shtresave të dobta të shoqërisë dhe “harroi” premtimin se do të ‘detyronte’ klasën politike —parazitët kryesorë— të paguanin energjinë e përdorur. Tirania, në të vërtet, bëhet e pashmangshme kur përfaqësuesit zgjidhen “nga lartë” dhe votohen “nga poshtë” dhe, qendrojnë në ofiqe publike për një kohë të gjatë, për mos të thënë gjithë jetën, dhe kur objektivi i elitave borgjeze është përqendrimi i pushtetit dhe, kur përqendrimi pushtetit është në vetë-vete tirani. Siç citon, për më tepër, Aristoteli:
...është pjesë e [natyrës së tiranisë] të përpiqet për t’u kujdesur se gjithë punët e tiranit janë sekrete, por nuk fshihet asgjë se çfarë thotë dhe bënë ndonjë subjekt, përkundrazi, subjekti do të përgjohet gjithandej...gjithashtu është pjesë e këtyre masave tiranike për të varfëruar popullin kur tërheqë fondet për mbrojtje ushtarake, me qëllim që qytetarët e zakonshëm të shqetësohen me fitimet jetike të cilët s’do të kenë as kohë të lirë as mundësi për t’u angazhuar në veprime komplotiste...kështu, tiráni priret me konsistencë të farkëtojë luftra me qëllim që të ruajë monopolin e pushtetit.[1]
Tirania në G/N është së pari e natyrës globale,[2] dhe së dyti, vendore, dhe buron, siç kam treguar në vend tjetër,[3] ose nga një njeri me sëmundje dhe njohuri të pjesshme lidhur me njeriun dhe natyrën e tij ose nga përqendrimi i pushtetit ose nga të gjitha bashkë. Ndryshe nga kjo qasje —kuptimi i sistemit dhe natyrës së tij— komentatorët, “ekspertët” dhe politikucët e PS-së dhe, militantët e kësaj partie, përgjatë fazës së qeverisjes “Rama 1” nuk ndalonin se akuzuari Berishën si shkaktarin kryesor të krizës së thellë në Shqipëri dhe përgjatë fazës “Rama 2” u bindën se keq-qeverisja ishte pasojë e “bllokadës” ose “shantazhit” që ushtronte LSI-ja gjatë bashkëqeverisjes! Por nëse Berisha është një herë shkaktar dhe Meta vërtet ka penguar shumë politika (një projekt që jam munduar të realizoj në Durrës për kafshët e braktisura dhe njerëzit e varfër, është bërë i pamundur për shkak se anëtarësia e LSI-së nuk ka miratuar buxhetin 2017-të) — ata që kërkojnë t’i zëvendësojnë janë dy herë shkaktarë: sepse supozohet se përgjatë kohës që ishin në opozitë studiuan dhe kuptuan sistemin. Për shembull, Mimi Kodheli akuzoi qeverinë “Berisha” se ‘kreditë e pashlyera dhe detyrimet e papaguara’ që ka lënë Berisha janë shkak për krizën ekonomike në Shqipëri![4] Ndërsa Erjon Braçe ia atribuoi ‘mungesës së të ardhurave’, gjithashtu dhe Berishës, i cili, sipas tij, ka ‘ndërtuar një jetë mbi borxh[e] dhe jo mbi punë’! Ermelinda Meksi, në anën tjetër, e cila shkruan me gradën shkencore “profesor-doktor”, argumenton se taksa e sheshtë që vendosi qeveria “Berisha”, megjithëse ngriti investimet e huaja, ajo e ka dëmtuar ekonominë shqiptare, sepse rritja ekonomike, sipas saj, ishte pasojë e rritjes së borxhit publik dhe jo nga rritja ekonomike e stimuluar nga taksa e sheshtë, [e cila] përgjithësisht ra përgjatë të njëjtës periudhë dhe borxhi u rrit. Për këtë arsye, argumenton ajo, ne duhet të adoptojmë taksën progresive me qëllim që të ulim borxhin, të rrisim PPB-në, përgjegjshmërinë dhe punësimin. Për ta ilustruar tezën e saj Meksi na sjell si shembull sektorin e energjitikës ku as është investuar cilësisht, as është shtuar punësimi dhe as është ulur çmimi i energjisë![5] Në një analizë të dytë,[6] ajo përpiqet të argumentojë parashtrimin e tezës “socialiste”: duke cituar se “buxheti” i PS-së për vitin 2014-të mbështetet mbi tre akse kryesore: (1) rritje ekonomike reale prej 2%; (2) paketën e re fiskale; dhe (3) miradministrimin në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore. Me këto tre akse, qeveria “Rama” premtoi rritjen e të ardhurave për qeverinë me rreth 364 miliardë lekë, 42 miliardë lekë më shumë se viti 2013-të! Por pas katër vjetëve të ardhurat e qeverisë nuk u përmirësuan fare: nga -10.8 për qind në vitin 2013-të dhe -11.2 përqind në vitin 2015-të, në -13.3 në vitin 2016-të dhe, siç parashikohet nga FMN-ja, -13.8 për qind në vitin 2017-të![7] Qartësisht deficiti i qeverisë është në rritje pavarësisht rritjes ekonomike.
Sa i përket pikës së parë ku parashikohet rritje ekonomike prej 2%, duke (a) shlyer faturat e papaguara dhe duke (b) premtuar transparencë me qëllim që të (c) përmirësohet klima e biznesit dhe të arrijmë rritje ekonomike, është një parashikim i ngushtë sepse ndërsa klima e biznesit varet nga një sërë politikash të brendshme ajo nuk merr në konsideratë gjendjen e përgjithshme të ekonomisë botërore, veçanërisht të Perëndimit, e cila gjëndet në disa vende në stanjacion, në disa të tjerë në reçesion dhe në të tjerë në depresion: sepse nga vendet perëndimore varet ekskluzivisht e ardhmja e ekonomisë shqiptare, qoftë lidhur me ndërmarrjet që operojnë në Shqipëri, të cilat janë kryesisht me origjinë nga vendet fqinje, qoftë në lidhje me të ardhurat dhe kursimet e emigrantëve që siguronin rritje ekonomike të konsiderueshme —për mos të thënë vendimtare— për Shqipërinë përgjatë qeverisjes “Berisha”. Për shembull, për vitin 2008-të, remitancat ishin 833.3 milionë euro ndërsa investimet direkte 609.8 milionë euro,[8] 233 milionë euro më pak. Nga viti 2008-të deri më sot investimet janë rritur por nuk kanë kaluar shifrën e remitancave të vitit 2008-të, ndërsa kanë rënë në shifra rekord në vitin 2013-të krahasuar me vitin 2012-të, me 28.1 për qind. Remitancat përbënin gati 1.3 për qind të PBB-së.[9] Dhe jo vetëm, remitancat do të bien edhe më shumë në të ardhmen, sepse masat kursimtare do të vazhdojnë për shumë vite në Perëndim dhe emigrantët do të varfërohen më shumë, siç do të varfërohen përgjithësisht popujt e perëndimit.
Duke shpërnjohur kuadrin institucional dhe efektet e tij në ekonominë reale, gjithashtu dhe shkaqet e vërtetë të krizës në ekonomi, gjendjen e përgjithshme të ekonomisë reale, katastrofën ekologjike dhe vlerave të shoqërisë shqiptare,[10] profesoresha na mbush me opitimizëm njëlloj si në filmat vizatimor. Këtyre tezave iu shtua edhe “teza” e Alfred Pezës, politikucit të PS-së, i cili, pasi u kompromentua me oligarkët ekonomikë të masmedias vendore si gazetar dhe mashtroi tifozët e Peqinit për skuadrën e futbollit të Shkumbinit, si kandidat për deputet, bashkë me Ramën e të tjerë si ai, dhe si deputet u bë miliarder për një kohë të shkurtër dhe u ndoq penalisht nga prokuroria që, në fund, u shfajësua nga gjykata, duke çuar mundin e vetëm të prokurorisë dëm...që është, “realizimi dhe efekti pozitiv psikologjik te konsumatorët”![11] Domethënë, krijimin e psikologjisë pozitive me qëllim që konsumatorët të shpenzojnë...më shumë! Këtë “tezë” e kopjon —si gjithë kopjacët e tjerë të establishmentit— nga ish-Governatori i Bankës Qendrore Amerikane, Greenspan, i cili përgënjeshtroi veten, sepse të gjitha politikat që ‘besonte’ kur ishte governator dhe spekulator në “Wall Street” në pleqërinë e tij nuk i beson, sepse s’kanë asnjë efekt në ekonomi!
Propozimi i Fullanit për “amnistrimin e kredive të këqija” ishte i njëjtë: sepse kreditë e këqija janë pasojë, jo shkak i krizës. Në të vërtetë propozimi i Fullanit përputhet me propozimet e kolegëve të tij — “ekonomistët” ortodoksë dhe të institucioneve ndërkombëtare (FMN etj.) në përgjithësi (Martin Wolf etj.).Nuk mungonin idetë se kreditë e këqija mund të blihen nga qeveria me kursimet e popullit! Në fund kreditë e këqija (rreth 35 miliard lekë ose 255 milion euro) u fshin (dhe nuk u falën) nga llogaritë e bankave pasi qeveria nxiti —pasi u nxit nga këshillat e BE-së— hartimin e një ligji në vitin 2014-15-të. Për pasojë, bankat nxorën në shitje 1243 prona të patundshme dhe presin të kompensojnë humbjet. Qëllimi kryesor ishte të lehtësonin kredidhënien e bankave dhe të rifillonin një cikël të ri “zhvillimor”! Qeveria fali —përgjatë fushatës zgjedhore— dhe borxhet (tatimore dhe doganore) e bizneseve të mbledhur që nga viti ’95 - vlera e të cilëve është rreth 172.5 miliard lekë. Qëllimi i qeverisë ishte të luftonte informalitetin, të krijonte një klimë re për biznesin dhe të nxiste pagimin e detyrimeve. Edhe për ‘kreditë e këqija’ qeveria veproi pa kuptuar shkaqet se pse kreditë përfundojnë të këqija; as kuptoi politikën kredidhënëse të bankave: sepse janë në njërën anë, kredimarrësit që përfundojnë të “këqij” për shkaqet që kam dëftuar në vend tjetër,[12] dhe kredidhënësit (bankat) që kredijapin pa konsideruar rreziqet e kredimarrësit. Ndërsa për fshirjen e borxheve synohet rritja e votëbesimit por dhe vetë-falja: sepse dihet tashmë se anëtarët e qeverive kanë lidhje të tërthorta me tregun dhe administratat ku u falën milionat. Kjo politikë ka dhe një efekt anësor — pozitiv për qeverinë “Rama”: se bizneset –hemendësisht- do të votëbesonin qeverinë sepse ajo u fali borxhet. S’është e rastit që qeveria “Rama” e ndërmorri këtë politikë përgjatë fushatës zgjedhore!
Kështu, ndërsa këto janë disa mendësi të cilat lidhen me anëtarët kryesorë të klasës politike, një mjerim tjetër është ulur këmbëkryq në mendësinë eRamës, kryesisht në politikën e jashtme: ai mbron projektin e BE-së nga “armiqtë” e saj të brendshëm dhe të jashtëm dhe propagandon BE-në e madhe në të cilën do të integrohet rajoni dhe kombi shqiptar — pa konsideruar as efektet e politikave neoliberale as avantazhet tona![13] Partia “demokratike”, në anën tjetër, kundërshtonte qeverinë Rama jo mbi baza shkencore por duke përdorur retorikën — në kuptimin që “kundërshtojnë për të kundërshtuar” dhe jo për të ndriçuar kontradiktat sistemike dhe konceptuale. Sepse të përmendësh ‘infomalitetin’ si kontribues në ekonomi pa kuptuar shkaqet e shfaqjes së tij - nuk është shkencë por bishtnim. Dhe shkaqet kryesorë të informalitetit janë dy: botëkuptimi modern —përfitimi i institucionalizuar— dhe korruptimi nga lartë-poshtë i shoqërisë.[14] Për shembull, të parët që s’paguajnë taksa janë politikanët, korporatat dhe militantët. Sigurisht, informaliteti, i cili nënkupton një lloj parregullsie në lidhje me ekonominë, shtrihet edhe në aspekte të tjetrë të ekonomisë. Për shembull, një studim e përcakton informalitetinpërgjithësisht në terma punësimi, ndërmarrjesh, dhe veprimtari të cilave u mungojnë mbrojtje sociale, ligjore dhe rregullatore dhe, në raste individësh, të drejta sociale dhe ligjore’.[15] ILO (International Labour Organization), në anën tjetër, një institut studimor mjaft serioz, megjithëse shkon në më shumë detaje, dështon kur mundohet të dëftojë shkaqet e informalitetit. Sipas tij është vetëm “shmangia” e ndërmarrjeve kapitaliste nga taksimi.[16] Por ‘shmangia’ është sërish pasojë, jo shkak: sepse ‘shmangia’ është pasojë e përqendrimit të pushtetit përsa kohë që pushteti ekonomik dhe pushteti politik nuk paguan –në shkallë të ndryshme- taksa. Sepse mospagimi i taksave mundësohet nga përqendrimi i pushtetit në njërën anë (elita e një vendi) dhe shpërqendrimi në anën tjetër (populli).
Akademikët dhe politikanët tanë nuk dinë të shfrytëzojnë as përfundimet e FMN-së: sepse ajo sugjeron kontrollin e kapitalit për ekonomitë në krizë të thellë si rrugëzgjidhje të përkohshme pavarësisht se ky përfundim nuk përputhet me rolin e Amerikës në “Rendin e Ri Botëror” të “Globalizmit Neoliberal” dhe kërkesat e korporatave dhe bankave ndërkombëtare, të cilave u shërben devotshmërisht.[17] Sepse nëse do të kishin kuptuar principet e kuadrit institucional, në të cilin jemi integruar pjesërisht, qeveritarët tanë do të luanin me “liritë”, siç luan Britania me “lirinë e lëvizjes”, dhe/ose siç luan Gjermania me “lirinë e punës”. Gjermania, për shembull, në kulmin e eksodit biblik të popujve të Lindjes së Mesme drejt Perëndimit, luajti me lëvizjen e lirë të njerëzve. Ndryshe nga Britania, e cila ka avantazhe kryesisht në shërbimet bankare dhe rrjedhimisht liria e kapitalit i intereson më shumë se çdo liri tjetër, dhe Gjermania, e cila ka avantazhe kryesisht në teknologji, së cilës i intereson më shumë se çdo liri tjetër liria e mallrave, ne kemi avantazhe në agrikulturë dhe blektori. Kësisoj, pa vendosur kontrolle rigoroze dhe të përhershme mbi kapitalin dhe mallrat, dhe pa zhvilluar prodhime me cilësi të lartë dhe kosto të ulët, ne nuk kemi asnjë mundësi të zhvillojmë prodhime cilësore dhe me rendiment të lartë — përmes të cilëve do të mundësonim mbulimin e nevojave të brendshme dhe të eksportonim në rajon dhe botë.
Por cilët ishin shkaqet e fitores së dytë të ashtuquajturve “socialistë” kur dihet se qeveria “Rama 1” nuk iu përmbajtë asnjë premtimi? Së pari, duhet thënë se në zgjedhjet e qershorit 2017-të, qeverisja “Rama” shkaktoi bojkotin më të madh në historinë e zgjedhjeve. Shkaku kryesor i bojkotit ishte zhgënjimi lidhur me premtimet e tij. Dhe nuk ishte, siç argumentuan shumë “ekspertë” në masmedian e borgjezisë, thjesht ‘pakënaqësia’: sepse ndryshimi mes ‘zhgënjimit’ dhe ‘pakënaqësisë’ është madh; i pari është tejet i ngushtë dhe lidhet kryesisht me objektivat personale; i dyti është shumë më i gjerë dhe lidhet kryesisht me politikat e një qeverie. Shpresa dhe një zhgënjimi, në fund të fundit, janë të ndërvarur. Kur ka shpresë – s’ka zhgënim dhe anasjelltas. Me të drejtë një e përditshme e quajti të nesërmen e zgjedhjeve se “fitoi partia e zhgënjimit”. Kështuqë ‘zhgënjimi’ ishte shkaku kryesor i bojkotimit të zgjedhjeve. Një shkak tjetër, dytësor, ishte beteja jonë si veprimtarë politikë. Personalisht jam përpjekur prej shumë vitesh t’u tregoj shqiptarëve se pse zgjedhjet duhet të bojkotohen. Argumenti se kush bojkoton zgjedhjet nuk përmbush detyrat e tij si qytetar, apo tregon indiferencë, është i pabazë: sepse është ‘detyrë’ e çdo qytetari të ndëshkojë një klasë politike kur ajo ka treguar në mënyrë të përsëritur se është kriminale dhe do të jetë e tillë për sa kohë anëtarët e saj kryesor nuk kanë zhvilluar asnjë virtyt të qendrueshëm politikë dhe administrativ. Bojkoti është akt politikë dhe jo apolitikë: sepse ai synon ndryshime politike. Një ndër virtytet kryesor që kërkohet nga njerëzit që administrojnë institucionet publike është virtyti i drejtësisë. Ky i fundit nuk mund të zhvillohet nëse ata s’kanë treguar se e dashurojnë drejtësinë. Ndërsa njerëzit që administrojnë politikën duhet të kenë zhvilluar dijen sistemike në raport e njeriun dhe (dis)avantazhet mes shtetesh. Kur kjo lloj dije ekziston ajo mund të përdoret në të mirë të vendit dhe anasjelltas.
Së dyti, gjykuar nga përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje, rreth 43%, dhe gjykuar nga përqindja që mori PS-ja nga kjo përqindje, pak më shumë se gjysmën e saj —domethënë, rreth 23%, kuptojmë natyrën e qeverisë “Rama 2”: ajo është ekstremisht oligarkike. Më konkretisht, nga rreth 3 milion e gjysmë votues (...), vetëm 23 për qind e tyre miratuan “politikat” e qeverisë “Rama 2”. Kjo përqindje tregon pikërisht natyrën e “demokracisë” përfaqësuese: se ajo s’ka asnjë mundësi për të qenë përfaqësuese e shumicës. Sidoqoftë, shkaku kryesor se pse fitoi “Rama 2” ishte pikërisht politika e vitit të fundit: ai rriti rrogat e administratës publike në mënyrë të padrejtë dhe fali borxhet e bizneseve! Këto dy hapësira kanë një kontigjent mjaft të gjerë votuesish. Për pasojë, ato ishin vendimtare. Një kontigjent tjetër, i rëndësishëm, janë “nostalgjikët” e “socializmit”. Këta të fundit –si shumica e elektoratit- ushqejnë iluzione nga emri i partisë “socialiste”. Duke shpërnjohur këto shkaqe, krerët e “socialistëve” argumentuan se ishte puna e tyre në “ekip” e të tjera si këto që mundësoi fitoren e tyre! Një shkak tjetër, ishte paraqitja e partive opozitare. Qoftë Basha qoftë Meta përgjatë fushatës ishin katastrofikë: i pari, në padije, kopjoi keqas taktikat e Berishës; i dyti, përdori një gjuhë kontradiktore dhe një sjellje tejet të pakontrolluar. Sidoqoftë, është e qartë se qeveria “Rama 2” do të vazhdojë të jetë tiranike dhe e padrejtë, sidomos me veprimtarët politikë të “Organizatës Politike” dhe përfaqësuese e pakicës së shqiptarëve. Për pasojë, ajo do të përballet me shumë protesta. Nuk është ende e qartë se sa do të realizojë objektivin kryesor të reformës në drejtësi: dënimin e krimeve politike që janë shkaktuar vitet e fundit. Presioni i ndërkombëtarëve nuk do të mungojë. Por ‘dënimet’ politike varen më shumë nga politikanë trima dhe të urtë (në kuptimin filozofik) sesa nga presionet. Kështuqë qeveria “Rama 2” do të jetë me një këmbë në krimet e së kaluarës dhe me tjetrën në përpjekjen e saj për të zhvilluar vendin në nivel ekonomik dhe krijuar kushtet institucionale për drejtësi. Objektivi i parë kalon nga i dyti dhe anasjelltas...
[1]Aristotle, Politics, XI.
[2]Pushteti i frikës dhe globalizmi neoliberal.
[3]Demokraci apo barbarizëm?
[4]Kriza, amnisti për kreditë e pashlyera,Shqip, 10 Prill 2013.
[5]Sfidat e ekonomisë, mes taksave dhe borxhit, Prof.dr. Ermelinda Meksi, Shqip, 18 Dhjetor 2013.
[6]Me të njëjtin titull,Shqip, 19 Dhjetor 2013.
[7]World Economic outlook 2016, Table A12.
[8]Raporti statitikor mujor Gusht 2013, Banka e Shqipërisë, f, 5.
[9]Emigrantët mbuyllin remitancat. Top Channel, 14/12/2013.
[10]Shih, për më shumë, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.
[11]Një burim i ri për rritjen ekonomike, Alfred Peza, Tema, 16, Dhjetor, 2013.
[12]Miti i progresit dhe themelet e njohurisë.
[13]Këtu e kam fjalën për ligjëratën e tij publike të datës 18/12/2013, drejtuar popullit shqiptar me rastin e shtyrjes së statusit për anëtarësim në BE-Eurozonë.
[14]Shih Përtej korrupsionit të komunistëve dhe kapitalistëve modernë.
[15]Informality, Inclusiveness, and Economic Growth: An Overview of Key Issues, James Heintz, University of Massachusetts, Amherst , USA, Political Economy Research Institute, July 2012, f, 18.
[16]Informality, Gender and Poverty, Economic and Political Weekly, ILO, May 27, 2006.
[17]IMF, THE LIBERALIZATION AND MANAGEMENT OF CAPITAL FLOWS: AN INSTITUTIONAL VIEW, November 14, 2012.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 265 reads



