Pse veprimet politike të Organizatës Politike nuk janë “dhunë”?
Ylli Përmeti
22/11/2016 - 18:42
Veprimi i fundit i veprimtares së Organizatës Politike kundrejt ministres së çarsimit, është konsideruar nga shumë njerëz si “dhunë” dhe si e tillë ajo dënohet! Por veprimet e një organizate politike janë së pari “politike”. Domethënë, taktike lidhur me pushtetin, nga i cili buron dhuna sistemike. Domethënë, lëvizja ose shkaku fillestar i çdo kundër-lëvizje social-politike. Por le të kuptojmë së pari natyrën e dhunës. Ja si e përcakton fjalori ynë i nderuar:
1. Përdorimi forcës fizike, i shtrëngimit fizik ose psikik, i mjeteve e i metodave të vrazhda ndaj dikujt për ta detyruar të bëjë diçka jashtë vullnetit e dëshirës së tij, për ta nënshtruar e për ta shtypur dikë, për të kufizuar veprimet e dikujt etj.; detyrim a shtypje me anë të forcës;
2. Shndërrim, poshtërim a turp i madh që i bëhet dikujt, cenim i rëndë i nderit të dikujt me vepra a me fjalë; fyerje e rëndë që i bëhet dikujt.
Nëse e konsiderojmë veprimin e veprimtares në fjalë dhe e lidhim me përcaktimin e mësipërm, sigurisht që ekziston një farë dhune. Por diskutimi i “dhunës” në fjalë buron nga pushteti dhe përdoret nga një organizatë politike. Objektivi e saj është “politik”. Domethënë, t’i kundërpërgjigjet dhunës sistemike e cila është kryekëput asimetrike me kundërdhunën që përdoret —dhe lejohet ose nënkuptohet—edhe nga ligji për funskionarët publikë. Domethënë, një dhunë e kontrollur që nuk dëmton fizikisht pushtetarin nga i cili buron dhuna sistemike por dëmton politikisht. Që ta kuptojmë natyrën e dhunës sistemike ne duhet ta përcaktojmë atë. Ja si përcaktohet ajo nga një filozof politik:
Dhuna sistemike është përcaktuar si institucionalizim i situatave shumë të larta asimetrike që vijnë nga përqëndrimi i pushtetit në të gjithë format e tij, d.m.th institucionaliizmi i pabarazisë politike, ekonomike dhe sociale. Këto situata mund të referohen në nivelin ekinomik, ku kontrollet e murosur të burimeve ekonomike nga një shumicë, që është institucionalizuar në një sistem të ekonomisë së marketingut, çon në papunësi, varfëri dhe pasiguri për pjesët e mëdha të popullatës; në nivelin politik, ku institucionalizimi i kontrollit të procesit ekonomik nga një shumicë në një ‘demokraci’ përfaqësuese çon pjesën më të madhe të popullatës në tëhuajësim dhe apati; nivelet sociale dhe kulturor, ku kontrolli i institucioneve sociale dhe kulturore nga pjesë të popullatës çon në forma të ndryshme të diskriminimit përkundrejt pjesëve të tjera’. The Myth of the Clash of Fundamentalisms, TAKIS FOTOPOULOS,The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, vol.1, no.4, (July 2005)
Dhe ja si përcaktohet natyra e kundër-dhunës nga i njëjti autor:
‘Kundër-dhunë kundër dhunës sistemike mund të ndërmerret kolektivisht nga grupe sociale, ose nga individë që veprojnë vetëm. Kundër-dhuna kolektive mund të marrë formën e veprimit direkt, demonstrime të dhunshme dhe trazira që mund të kulmojnë në një revolucion të dhunshëm dhe, në raste ekstreme, mund të kujtojë luftën guerile ose qoftë edhe terrorizmin popullor. Kundër-dhuna individuale merr formën kryesore të krimeve kundër varfërisë (plaçkitjeve, thyerjeve, vjedhje makinash etj.), megjithëse ajo mund të marrë gjithashtu formën e dhunës fizike, si në rastin e veprimeve terroriste që ndërmerren nga indidvidë ose grupe (të cilët nuk kanë lidhje organike me lëvizje popullore, dhe kështu ata mund të klasifikohen si forma të terrorizmit popullor) kundër elitave dhe përfaqsuesve të tyre. Kundër-dhuna kolektive, kur merr përpjestime të mëdha, mund të çojë ose në repression direct shtetëror (d.m.th dhuna kundër civilëve që ndërmerret direkt nga aparati shtetëror dhe drejtohet nga procese normale ligjore, me synim që të luftojë kundër-dhunën kolektive) ose, në raste ekstreme, në terrorizëm shtetëror, ndërsa kundër-dhuna individulae merret me legjislacion më të rreptë mbi krime dhe lidhet me rritjen e popullatës në burgje’. The London bombings and the myths on “terrorism”, TAKIS FOTOPOULOS.
Qartësisht, përdorimi i kundërdhunës është i drejtë përsa kohë që ajo buron nga dhuna sistemike. Kjo e fundit merr disa forma: së pari, është dhuna politike. Ajo shprehet kryesisht duke përdorur dhunën policore dhe përsëritur “faktet e kontrolluar”. Së dyti, dhunë ekonomike. Ajo shprehet përmes kërcënimit me papunësi. Së treti, dhunë sociale. Ajo shprehet përmes skajimit të publikut nga vendim-marrja dhe ushtrimi i pushtetit. Dhe së fundmi, dhunë psikologjike. Ajo shprehet përmes masmedias, kryesisht, duke bombarduar njeriun me frikë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 20 reads



