...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Emërvendet e Sanxhakut: tregues të denjë të zanafillës shqiptare

“Shqiptarët e sotëm janë mbetje e ilirëve të cilët jetonin në këto hapësira. U formuan në të kaluarën në pjesën jugore të Shqipërisë, e pastaj gradualisht u përhapën edhe në hapësirat e tjera... në shekullin e VIII dhe IX, kurse në bazë të dokumenteve të pakta që u ruajtën gjuha e tyre e ka origjinën nga ilirishtja”...Valentin Vasileviç Sjedov

Ismet Azizi

13/01/2019 - 14:30

Melaje-Peshter

Në mënyrë që të ruhet trashëgimia e toponomastikës, të paktën pjesërisht, duhet shënuar dhe me kujdes të hulumtohet kjo çështje nga perspektiva të ndryshme shkencore. Me hulumtimin e toponimeve merren shkenca të ndryshme, sidomos linguistika, por edhe gjeografia, hartografia, historia, arkeologjia etj. Metodologjinë e hulumtimeve shkencore të toponimeve më së miri e përpunon toponomastika, dega e linguistikës, në kuadër të onomastikës, disiplinë shkencore e cila merret me emrat. Studiuesit e toponomastikës sjellin njohuri themelore për zhvillimin e toponimeve, format e tyre gjuhësore, ndryshimet, dhe në përgjithësi të funksionit në gjuhë. Këto punime janë të pashmangshme, pa marrë parasysh se nga cili këndvështrim shqyrtohet kjo problematikë. Megjithatë, kur shqyrtohen emrat gjeografik në kontekstin hapësinor, sidomos kur përcaktojnë lidhjet e tyre me funksionet hapësinore, rëndësi të veçantë kanë hulumtimet gjeografike.

Gjeografët, bashkë me gjuhëtarët, janë të pashmangshëm gjatë standardizimit të emrave gjeografik në botimet e ndryshme dhe publikimet gjeografike-hartografike (p.sh. Atlaset) si dhe në të gjitha tekstet tjera që përdoren emrat gjeografik. Kjo është një mënyrë e mundshme e afirmimit të gjeografëve dhe gjeografisë në shoqërinë tonë. Gjeografët duhet të ri-pozicionohen në trajtimin e këtyre çështjeve në të cilat gjithnjë e më shumë, për fat të keq, shpesh ndërhyjnë hulumtuesit e disiplinave të tjera. Kjo nuk do të thotë që gjeografët duhet të kenë ekskluzivitet por është i nevojshëm bashkëpunimi me disiplina të tjera shkencore në punën e përhershme ndërdisiplinore në standardizimin e emrave gjeografik të trojeve shqiptare.

Sanxhaku paraqet një krahinë të caktuar shoqërore-ekonomike dhe territoriale-administrative. Në aspektin ushtarak emri “sanxhak” do të thotë flamur, që nënkupton përfshirjen e ushtrisë nën një flamur të caktuar. Emri sanxhak është me prejardhje turke (sancak) dhe fillimisht ka përfaqësuar flamurin, e që më vonë ka marrë kuptimin e krahinës të cilën sulltanët ua kanë dhënë nën administrim ushtarëve të vet, të cilët mandej e kanë ndarë administrimin në krahina më të vogla, duke marrë kuptimin e Sanxhakut të sotëm. Territori i Ilirisë gjatë administrimit nga Perandoria Osmane, ka qenë i ndarë në disa vilajete. Sanxhaku i Jeni Pazarit i ka takuar vilajetit të Kosovës.

Kur është populluar Sanxhaku për herë të parë dhe nga kush, nuk dihet. Por, saktësisht dihet se ka qenë i populluar në kohën e neolitit. Për këtë ekzistojnë dëshmi të shumta të cilat ruhen në muzetë e ndryshme. Fragmentet e kulturës ilire-romake dëshmojnë se në epokën ilire dhe romake kjo krahinë ka qenë e populluar nga ilirët, gjegjësisht nga fisi Dardan.

Sanxhaku gjatë gjithë historisë ka qenë i banuar nga Ilirët, pastaj  nga shqiptarët, dhe këtë fakt e dëshmojnë gjetjet në fshatin Pruzhanj ( Prush,-i, -it.) në Rrafshnaltën e Peshterit, ku arkeologët kanë zbuluar prushin (hirin) e trupave të të vdekurve të djegur. Këto gjetje datojnë mijëra vjet para Krishtit që me siguri u përkasin ilirëve. Ky fakt dëshmon për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të kësaj popullate.

Sa i përket ekzistencës së Stari Rasit serb, për të cilën shkenca serbe pretendon se ishte selia dhe djepi i shtetit serb, në fakt ky vend është Arsa, kryeqyteti i vjetër i ilir dhe nuk ka lidhje me atë që pretendojnë serbët.

Para ardhjes së sllavëve këto vise kanë qenë të populluara nga ilirët. Për këtë fakt flasin hulumtimet e shumta arkeologjike: Në Pazarin e Ri, në vendin e tanishëm të kombinatit të Tekstilit “Rashka”, mandej mbetjet nga ari dhe qelibari të gjetura para shumë viteve te Kisha e Petrovës. Kjo e fundit na jep njohuri për mundësinë e ekzistimit të një lidhjeje të fiseve ilire, selia e së cilës ka qenë në vendin e kishës së përmendur.

Mbështetur mbi faktorin kohë, historia e Ballkanit dhe e popujve autokton të tij përshkohet nga dardanët, grekët, ilirët, trakasit dhe etnive të tjera me të vogla të kohës së para invadimit të sllavëve në këtë hapësirë, nuk mund të jenë objekt trajtimi i sllavistikës. Kohë më parë, albanologu i njohur Idriz Ajeti në një simpozium të mbajtur në Beograd, ka deklaruar se kjo gjë nuk është punë e sllavistikës (dijes filologjike mbi sllavët e mbi degëzimet e gjuhëve sllave) që të nxjerr përfundime së në cilat territore jetuan dhe u individualizuan gjuhët indoevropiane të atyre popujve para se ne këtë hapësirë të vinin sllavët.[1] Për gjendjen e gjetur nga sllavet dhe pasojat që i solli ardhja e tyre në gadishullin e Ballkanit shkroi edhe dijetari serb I. Popov.[2] Sllavët, sipas tij, kanë ardhur në Ballkan padyshim në shek. VI-të dhe që nga ajo kohë janë bërë popullatë e përhershme e Ballkanit.

Përhapja me forcë e serbëve, përkatësisht pushtimi i hapësirës etnolinguistike shqiptare të Dardanisë antike në shek. XII nga serbet, mbështetet edhe nga historianët serbë të gjuhësisë. Kështu, dialektologu serb A. Beli konstatonte se zhvillimi i dialekteve të gjuhës serbe është i pandashëm nga procesi i kolonizimit serb të Shqipërisë së Epërme. Menjëherë pas pushtimit të Sanxhakut dhe Kosovës, gjegjësisht Shqipërisë së Epërme që u bë në vitin 1912, ai shkruante se “Drejtimin e kolonizimit serb mund ta karakterizojmë përgjithësisht sipas qendrave dhe selive të sundimtarëve serbë si para ashtu edhe pas Betejës së Kosovës. Këto qendra e seli, u shtrinë në shek. XIII në Rasi (Arsa parasllave, serbisht: Raška- afër Novi Pazarit). Prej këndej depërtoi pastaj në shek. XIV, gjatë kohës së sundimit të Dushanit, në drejtim të Prizrenit e të Shkupit. Në mbështetje të gjithë kësaj mund të thuhet se gjuha e shtetit të vjetër serb e kishte qendër Rashkën”[3].

Kur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve Serbe në vitin 1986 u mbajt një cikël ligjëratash shkencore në të cilat u kontestua origjina ilire e shqiptarëve, arkeologu i shquar serb Milutin Garashanin në ligjëratën “Krijimi dhe origjina e ilirëve”, në mënyrë të prerë theksoi se për origjinën paleoballkanike të “shqiptarëve nuk mund të dyshohet”.

Valentin Vasileviç Sjedov, arkeolog rus, i pyetur nga gazetari  i gazetës “Blic” të Beogradit më 2. 11. 2000, se “Kush janë shqiptarët, nga erdhën dhe që kur janë këtu”, u përgjigj: “Shqiptarët e sotëm janë  mbetje e ilirëve të cilët jetonin në këto hapësira. U formuan në të kaluarën në pjesën jugore të Shqipërisë, e pastaj gradualisht u përhapën edhe në hapësirat e tjera...në shekullin e VIII dhe IX, kurse në bazë të dokumenteve të pakta që u ruajtën gjuha e tyre e ka origjinën nga ilirishtja”...

Mbi bazën e gjendjes së hidronimisë së sistemit të lumit Kollubara (kuptimi i kryehershëm ilir i emrit të lumit Kolubara, sipas I. Duridanov, është “lumë i zi, i erret”) dhe lumenjve të tjerë në jug të Savës dhe Danubit, dijetari bullgar Ivan Duridanov nxjerr tri përfundime në lidhje me popullatën ilire të kësaj hapësire.[4]

Pazai i Ri, Jeni Pazar, Novi Pazar, Tregu i Ri, Pazar, Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište, është vendbanimi më i rëndësishëm i Sanxhakut. Rrënjët i ka në Arsa, qytetin Ilir. Rrëzë këtij qyteti është zhvilluar tregtia dhe ky lokalitet ka marrë emrin në shumë gjuhë si; Bazar (persishtja I. A.), Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište. Themelet e qytetit të sotshëm i ka vënë Isa Beg Isaku. Pasi pushtoi këto treva themeloi qytetin dhe e quajti Yeni Pazar. Shqiptarët e quajtën Pazari i Ri dhe Tregu i Ri kurse serbët Novi Pazar. Ky qytet që nga themelimi u shqua për tregëti dhe vazhdoi të jetë deri më sot qytet i tregëtisë.  Përveç këtyre të dhënave, autori i mirënjohur Mushoviç në monografinë Novi Pazar i Okolina, shkruan: “Lumi Ibër– serbisht: Ibar nga i Bard, në gjuhën shqipe: i bardhë, Lumi i Bardhë; Lumi Lim– nga gjuha shqipe: Lum-i; Lumi dhe liqeni Vapa– nga gjuha shqipe: Vapë, vapa-ë; në serbisht: morina; Peshter-Pesh- peshë; ter- terr (terrësi), ter – thatësi, etj.[5]

Prania e shqiptarëve në Sanxhak tashmë nuk diskutohet, sepse janë gjetur shumë dëshmi se nga këtu ata u zgjeruan edhe në Dalmaci, Hercegovinë dhe në Bosnjë ku dëshmojnë edhe shumë emra të vendbanimeve të atjeshme Bare (nga “Bari”), Burmazi (njeri i madh), Buna (bujanë/vërshim ujërash), Bukamire (bukë e mirë), Butmir (tokë e mirë), Curi (shkëmb), Dretel (“dredhel” bimë këmbanare), Kukusi, Muraj, Vuçaj, Gurjevaçë, Otimir, Skoçaj, Vajmezi, Kokona, korça (toponim me të njëjtin emërtim në Shqipëri, Ibali, Ligati, Gjeç, Tuçep, Tulë, Zavallë Gurjevaç etj.

Për praninë e shqiptarëve në këto treva dëshmojnë edhe mbiemrat e ruajtur si sot: Barzeta, Burmaz, Dodosh, Dukaxhiç, Gurakuq, Ibal, Kalimanoviç, Keça, Keçanoviç, Kokeza, Lekiç, Mushkinja, Perëndia, Preka etj. Në Hercegovinë Jugore, në Lubomir, një vëllazëri shumë e njohur u quajt Zotoviç nga fjala shqipe “zot” –zotni).[6]

Në lidhje me toponimet në Peshter dhe për ta ilustruar më mirë, po i referohemi monografisë Koniçanët të autorit Sh. Numanoviq.[7] Sipas autorit Numanoviç, themeluese e vendbanimit Koniçë konsiderohet të jetë Kona, një e ve e cila me djemtë e saj është vendosur në këtë vendbanim. Pas saj, mandej thuhet se këtu u vendosën Koliçët e ardhur nga veriu i Shqipërisë. Shumë shpejt atyre iu bashkuan Nikiçët (Nikqët) kushërinjtë e tyre nga Shala, të cilët i mirëpriti trimi i familjes, Avdi Kola. Shumë shpejt Nikiçët ( Nikajt) u zgjeruan dhe populluan fshatrat Plenibabë, Zhirqe, Rugja dhe Smaluçe.

Uglla

Banorët e sotëm të Koniçës nuk flasin gjuhën shqipe, mirëpo toponimet flasin se paraardhësit e tyre kanë shfrytëzuar gjuhën nga kanë ardhur. Është e ditur që Shaljanët kanë përdorur toponim në gjuhën e tyre, por pasardhësit e tyre, duke harruar gjuhën e tyre, i kanë deformuar aq sa sot vështirë se mund të identifikohen, shkruan Numanoviç. Më tej autori në fjalë shkruan: “Për këtë më së miri flasin këto toponime:

Ostrijelo- Ostri vrh

Darda ( dardha) – krusska

Kronpele( kroni i peles) – Kobilin izvor.

Hasinikinkron (Kroni i Hasa Nikës) –Hasan Ikin izvor.

Livadhajdukin(t) (Livadhi i hajdukit)- hajduška livada,

Gura( gurra I. A.)- Kamenjča (izvor iz kamenja)

Gurišta (Gurishtë)- Kamenjar (kamenica)

Ljug (Lug-u)–Dolina ( do).

Kruja( krye)- Glava.

Krštujit (krshi i  ujit)- Vodeni krš.

Livadmas ( Livadhi i madh) – velika livada

Lazdemin ( Lazi i Demes) –Demin laz

Vrhalili (vorii i Halilit)- halilov grob.

Špata ( shpata) – Sablja ( kosa).

Rapš ( Rrafshi) – Ravan

Gurbut ( Guri i but) – Meki kamen.

Lazbrahimit (Lazi i Brahimit) – Ibrahimov Laz.

Kodrkolips (Kodra e kolibës) –Kolibin laz.

Kršpolin – (Krshi i pulës) Kokosji krš.

Lazmilunit (Lazi i Mullinit) Vodeni Laz.

Lazbukur ( Laz i i bukur) – Ljepi Laz.

Ljukmandupit( Lugu i maxhupit) – Ciganski do.

Kodrbunarit ( kodra e bunarit) – Bunarsko brdo

Aštujć ( Asht i Ujqve) – Vučja kost

Dušk ( Dushku) – Hrast

Kron ( kroni)- Izvor.“

 



[2]I. Popov: Bemerkungen über die vorslavischen Ortsnamen in Serbien, ne Zeitschrift für slavische Philologie Bd. XXVIII, Heidelberg 1960

[3]Dr. Skënder Gashi,po aty.

[4]I.Duridanov,Illyrische Flussnamen in Serbien, ne Linguistique Balkanique VI/ 1963, Sofia, 163, fq. 102 117

[5]Grup autorësh, Monografi, Novi Pazar i okolina, Beograd, 197

[6]Petrit Imami, Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj (2016) vëllimi I, SAMIZDAT B92, Beograd, fq 34

[7]Numanović Š. (2004),Koničani, Botues:Šefkija Numanović,Tutin.

 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA