...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mësime nga shkaqet e luftës së parë botërore: Austrohungaria kundër Serbisë

Luftën e Dytë Botërore nuk e filloi Serbia, gjegjësisht Jugosllavia, por në territorin e vet e tërhoqi me protestat e 27 marsit 1941 që u zhvilluan në Beograd, kundër Marrëveshjes së Qeverisë Cvetkoviç-Maçek (të 25 marsit), për t’iu bashkuar Paktit Trepalësh: Romë-Berlin-Tokio

Adil Fetahu

30/08/2018 - 14:22

Atentatimbi trashëgimtarin e fronit të Austrohungarisë, princin Franc Ferdinandin dhe bashkëshorten e tij, Sofija Hotek, kryer në Sarajevë më 28 qershor 1914 (ditën e Vidovdanit), u bë shkak i drejtpërdrejt i fillimit të Luftës së Parë Botërore, në të cilën Serbia u shkërmoq dhe po të mos ishin fuqitë e mëdha që hynë në luftë, e mundën dhe shpërbënë Austrohungarinë, është pikëpyetje se ku do të ishte sot Serbia.

Luftën e Dytë Botërore nuk e filloi Serbia, gjegjësisht Jugosllavia, por në territorin e vet e tërhoqi me protestat e 27 marsit 1941 që u zhvilluan në Beograd, kundër Marrëveshjes së Qeverisë Cvetkoviç-Maçek (të 25 marsit), për t’iu bashkuar Paktit Trepalësh: Romë-Berlin-Tokio. Ato protesta u ideuan dhe nxitën nga shërbimet secrete, diplomacia dhe paraja britanike. Po të mos zhvilloheshin protestat e 27 marsit, Jugosllavia nuk do të pushtohej, sepse me Marrëveshje i ishte garantuar sovraniteti, integriteti, mospërfshirja në luftë dhe disa privilegje tjera, të cilat nuk u ishin premtuar asnjë nga shtetet satelite të atij Pakti. Po le t’i kthehemi shkaktimit të Luftës së Parë Botërore.

Atentati i Sarajevës

Prej vitit 1908, Bosnje-Hercegovina ishte pjesë e aneksuar e Perandorisë së Austrohungarisë. Më 28 qershor 1914, trashëgimtari i fronit të Austrohungarisë, Franc Ferdinand, me bashkëshortën Sofija Hotek, kishin arritur me tren për një vizitë në Sarajevë. Pastaj u formua kolona e automobilave të përcjelljes së vizitës së princit. Në automobilin e dytë të kolonës, të hapur krejtësisht për ta parë e përshëndetur njerëzit,  ishte princi me të shoqen. Grupi prej shtatë atentatorësh i përgatitur nga oficerët e Serbisë, kishin zënë pritat, në mesin e shumë shikuesve, bri rrugës nga po kalonte kolona. Atentatori i parë, serbi i Bosnjes, Nedelko Çabrinoviç, hodhi bombën drejtuar princit, por e huqi, dhe bomba eksplodoi  në tokë midis kolonës, duke plagosur disa officerë e qytetarë tjerë. Atentatori u kap nga policia me ndihmën e shikuesve. Princi reagoi gjakftohtë, duke kërkuar përkujdesje për të plagosurit dhe urdhëroi të shkohet në bashkinë e qytetit, ndërsa në të kthyer kishte ndërmend t’i vizitonte në spital të plagosurit e atentatit. Në të kthyer nga bashkia e qytetit, kur kolona e automobilave kishte ngadalësuar lëvizjen në një udhëkryq, atentatori Gavrillo Princip  me dy të shtëna me revole, nga afërsia e automobilit, godet princin dhe të shoqen (princin në qafë, ndërsa të shoqën në stomak). Të dy viktimat vdiqën pas pak në spitalin e qytetit. Atentatori u përpoq por nuk arriti të vetëvritet, pasi u kap shpejtë. Për shkak të moshës së re, atentatori i shpëtoi dënimit me vdekje; u dënua me 20 vjet burgim, por gjatë vuajtjes së dënimit, vdiq nga tuberkulozi në burg, në qytetin Terezino (në Çeki), më 28 prill 1918. Austrohungaria i kërkoi Serbisë hetimin dhe gjykimin e njerëzve që kishin nxitur dhe përgatitur atentatin, por Serbia me arsyetime të ndryshme këtë nuk e bëri, prandaj Austrohungaria i shpalli luftë Serbisë, në të cilën u përfshinë shumë koalicione, lufta zgjati katër vjet, në të cilën gjetën vdekjen më se 10 milionë ushtarë e civilë, dhe dyfish  më shumë të plagosur. Nga Lufta e Parë Botërore, u prishën tri perandori (Perandoria Osmane, BRSS dhe ajo e Austrohungarisë, prej të cilave dolën e u formuan shtete të reja, ndër to edhe Jugosllvia e Versajës e dominuar nga Serbia.

Serbia e Madhe shkak i Luftës së Parë Botërore

Uritë hegjemoniste për një Serbi të madhe kurrë nuk janë shuar. Pas zgjërimit të saj nga luftërat ballkanike, Serbia ia kishte vënë syrin që t’i shkëpuste pjesë të caktuara të Monarkisë së Austrohungarisë e t’i merrte për vete (Bosnjen, Vojvodinën, Sllavoninë). Politika kriminale-terroriste ka dominuar përherë në shoqërinë dhe në shtetin e Serbisë. Ishin formuar organizata e shoqata të ndryshme subversive e terroriste, ndër më të rrezikshmet në botë. Ato jo vetëm se toleroheshin por fshehtas përkraheshin nga pushteti, ndërsa haptas përkraheshin nga mjetet e informimit, duke glorifikuar trimërinë dhe përkushtimin e kriminelëve nga radhët e tyre.

Pas atentatit të Sarajevës, Monarkia e Austrohungarisë kërkonte nga Serbia hetimin dhe gjykimin jo vetëm të bashkëpunëtorëve, përgatitësve dhe inspiratorëve të atentatit, por edhe të atyre që zhvillonin idenë e Serbisë së Madhe. Mirëpo, Serbia jo vetëm se nuk ndërmori ndonjë veprim në atë drejtim por me kryeneçësi përgjigjej se Serbia kurrë nuk mund të pranojë kërkesa të cilat ia ulin dinjitetin e shtetit. Përveç luftës së ashpër propagandistike të zhvilluar përmes shtypit të të dy vendeve, edhe notat zyrtare midis qeverive ishin më pak acaruese. Një notë me 10 kërkesa ultimative Austrohungaria ia dërgoi qeverisë së Serbisë më 23 korrik 1914, duke kërkuar përgjigje në afat prej 48 orësh. Notën ia dorëzoi ambasadori i Austrohungarisë në Beograd, konti Gizl fon Gizilingen, në dorë ushtruesit të detyrës së kryetarit të qeverisë dhe ministër i punëve të jashtme të Serbisë, dr Lazo Paçu. Në notën e dorëzuar flitet gjërësisht për detyrimet e Serbisë nga kontrata e Berlinit, e lidhur më 31 mars 1909, për sa i përket gjendjes së krijuar në Bosnje. Por Serbia jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar aktivitetet subversive të cilat kishin për qëllim shkëputjen e pjesëve të Austrohungarisë, për t’iu bashkuar Serbisë, por përmes shtypit dhe propagandës politike i glorifikoi aktorët e atentatit. Në note shpjegon hollësisht ecurinë e përgatitjes së atentatit: kush dhe si e ka përgatitur grupin e atentatorëve, kush i ka furnizuar me armë (bomba e revole), kush dhe ku i ka hedhur përtej kufirit. Ja kërkesat e parashtruara në notë:

Qeveria e Mbretërisë së Serbisë premton se në të ardhmën:

  1. Do të ndalojë çdo publikim i cili perhapë urrejtje dhe mosrespektim ndaj Monarkisë, që ka tendencë të përgjithshme të drejtuar kundër integritetit territorial të Monarkisë;
  2. Menjëherë ta shpërndajë Mbrojtjen Popullor (fjala është për një organizatë terroriste, a.f.), dhe t’ia konfiskojë mjetet e saj të propagandës, dhe në të njëjtën mënyrë të veprojë edhe kundër lidhjeve dhe shoqatave të tjera në Serbi të cilat u morën me propagandën kundër Austrohungarisë. Qeveria mbretërore (e Serbisë, a.f.) do të ndërmarrë masa të domosdoshme për të siguruar se shoqatat e shpërndara të mos mund të vazhdojnë aktivitetin i tyre nën emra të tjerë e në forma të tjera;
  3. Që pa vonesë të heqë nga programet mësimore në Serbi çdogjë që mund të ushqejë propagandaën kundër Austrohungarisë qoftë fjala për personelin mësimor apo për metodat e mësimit;
  4. Të shmangë nga shërbimi ushtarak dhe nga administrata të gjithë officerët dhe nëpunësit, të cilët janë përgjegjës për zhvillimin e propagandas kundër Austrohungarisë, emrat e të cilëve do t’ia jepë Serbisë qeveria e Austrohungarisë në bazë të provave materiale që disponon;
  5. Të pajtohet që organet e Austrohungarisë të bashkëpunojnë në Serbi në luftimin e lëveizjeve subversive të drejtuara kundër Monarkisë;
  6. Të nisë hetimin gjyqësor kundër çdo pjesëmarrësi në komplotin e 28 qershorit, i cili mund të gjendet në territorin e Serbisë, dhe që organet e Qeverisë Mbretërore (të Austrohungarisë, a.f.) të caktuara për këtë qëllim, të marrin pjesë në proceset e ngritura për këtë qëllim;
  7. Me urgjencën më të madhe të burgosë majorin Vojisllav Tankosiç dhe një farë Milan Ciganoviçin, zyrtarë serbë të komprometuar nga rezultatet e hetimit;
  8. Me masa efikase të pengojë pjesëmarrjen e pushtetit serb në trafikimin e armëve dhe eksplozivit përtej kufirit; të shkarkojë nga detyra dhe t’i dënojë ashpër pjesëtarët e shërbimit kufitar të Shabacit dhe Lloznicës, të cilët kanë ndihmuar ekzekutorëve të krimit në Sarajevë, për ta kaluar kufirin;
  9. T’i japë sqarime Qeverisë Mbretërore të Monarkisë (së Austrohungarisë, a.f.), të cilat kanë të bëjnë me deklaratat e paarsyeshme të funksionarëve të lartë në Serbi dhe në botën e jashtme, të cilët, pa marrë parasysh pozitat e zyrtarit, nuk kanë hezituar të shprehen në mënyrë armiqësore kundër Austrohungarisë pas atentatit të 28 qershorit;
  10. Pa vonesë ta informojë Qeverinë Mbretërore të Monarkisë për zbatimin e masave të parapara në pikat e cekura më sipër.

Qeveria Mbretërore e Monarkisë pret përgjigjen e Qeverisë Mbretërore (të Serbisë, a.f) deri të shtunën, më 25 korrik, më së voni deri në ora 6:00 pasdreke.

Mbreti i Serbisë i ankohet Carit të Rusisë

Ndaj kërkesave ultimative të Austrohungarisë, trashëgimtari i fronit mbretëror të Serbisë, Aleksandri, më 24 korrik i dërgon një letër/telegram, ankesë dhe lutje për ndihmë, carit të Rusisë. Në letrën/telegramin e dërguar i shkruan Lartmadhërisë së tij Carit të Rusisë:

“Mbrëmë qeveria e Austrohungarisë i ka dorëzuar qeverisë së Serbisë notën, e cila ka të bëjë me krimin në Sarajevë. E vetëdijshme për detyrimet e saj ndërkombëtare, Serbia prej momentit që ka ndodhur krimi  i tmerrshëm, ka deklaruar se e gjykon dhe se është e gatshme të nisë hetime në Serbi poqese në gjykimin e organizuar nga pushteti austrohungarez dokumentohet pjesëmarrja e ndonjë qytetari të saj (Serbisë, a.f.). Mirëpo, kërkesat që përmbanë nota e Austrohungarisë për Serbinë janë nënçmim i panevojshëm dhe të papajtueshme me dinjitetin e shtetit të pavarur. Për shembiull, prej nesh kërkohet të japim dhe botojmë në “Gazetën Zyrtare” deklaratën e qeverisë dhe Sovrani të urdhërojë ushtrinë dhe ndalojë frymën e armiqësisë ndaj Austrisë dhe që ta fajsojmë vetveten për dobësi kriminale në pikëpamje të intrigave tradhtare. Më tutje, kërkohet t’u lejojmë zyrtarëve austrohungarezë të vijnë në Serbi për të marrë pjesë në gjykimin e zyrtarëve dhe të mbikëqyrin përmbushjen e kushteve tjera të shtruara në notë. Kërkohet prej nesh të pranojmë kushtet në tërësi, në afat prej 48 orësh, për ndryshme Ambasada e Austrohungarisë do ta lëshojë Beogradin.

Ne jemi të gatshëm të pranojmë ato kushte të Austrohungarisë të cilat janë në pajtim me pozitën e një shteti të pavarur si dhe ato për të cilat Ju, Lartëmadhëria Juaj do të na këshilloni për t’i pranuar, ndërsa të gjithë personat për të cilët vërtetohet se kanë qenë bashkëpjesëmarrës në krim, do të dënohen rreptësisht nga ana jonë. Disa nga kushtet nuk mund të përmbushen pa i ndryshuar ligjet tona, e për këtë kërkohet kohë e nevojshme. Na kanë dhënë afat tepër të shkurtër. Ndoshta pas kalimit të tij do të sulmohemi nga ushtria e Austrohungarisë, e cila po përqendrohet në kufirin tonë. Nuk jemi në gjendje të mbrohemi, prandaj ju lutemi Juve, Lartmadhëri, të na ndihmoni sa më shpejtë të jetë e mundur, Vullnetet e mira, shumë të çmuara, të cilat Lartëmadhëria kaq herë i ka treguar ndaj nesh, na jepë besim të fortë se edhe ketë herë, apli ynë i zemrës Suaj fisnike sllavene, nuk do të mbetet pa jehonë. Në këtë moment kritik, ju shpreh ndjenjat e popullit serb, duke Ju lutur Lartmadhëri që të interesoheni për fatin e Mbretërisë së Serbisë”.

Përgjigjja e shkurtër, telegrafike, e Carit të Rusisë ndaj lutjes së trashëgimtarit të fronit mbretëror të Serbisë, ka pasuar më 27, me këtë përmbajtje:

“Kur më jeni drejtuar, Lartmadhëri, në kohën e stresit të veçantë, nuk keni gabuar sa u përket ndjenjave që ushqej ndaj jush, as sa u përket simpative të mia të përzemërta ndaj popullit serb. Gjendja aktuale në mënyrën më serioze preokupon kujdesin tim, ndërsa qeveria ime po bënë përpjekje të pafund për t’i zbutur vështirësitë e tashme. Aspak nuk dyshoj se Ju, Lartmadhëri, si dhe qeveria mbretërore e Serbisë, dëshiron që këtë detyrë ta lehtësoni, pa lënë anash asnjë hap që do të shpinte drejt zgjidhjes dhe kështu të pengoni tmerret e luftës së re, dhe ta ruani dinjitetin e Serbisë.

Gjithnjë, deri sa të ekzistojë edhe shpresa më e vogël e shmangjes së gjakderdhjes, të gjitha përpjekjet tona do të orientohen drejt këtij qëllim, por përkundër dëshirës sonë të flaktë nuk kemi pasur sukses. Mund të jeni të bindur, Lartmadhëri, se Rusia në asnjë rast nuk do të pushojë të interesohet për fatin e Serbisë”.

Ndërkohë, më 28 korrik 1914, konti Leopold Berhtold, ministër i punëve të jashtme të Austrohungarisë, i dërgoi një letër të shkurtër/me telegraf, Nikolla Pashiçit, kryetar i Qeverisë dhe ministër i punëve të jashtme të Serbisë, me të cilën i shpallë luftë Serbisë. Ja përmbajtja e letrës, me të cilën Austrohungaria i shpalli luftë Serbisë:

“Meqenëse qeveria e Mbretërisë së Serbisë nuk është përgjigjur në mënyrë të kënaqëshme në notën e datës 23 korrik 1914, të cilën ua ka dorëzuar ambsadori i Austrohungarisë në Beograd, Qeveria Mbretërore e Monarkisë është e detyrar që vet të kujdeset për ruajtjen e të drejtave dhe ineresave të veta dhe për këtë qëllim, të zbatojë forcën ushtarake. Prandaj, Austrohungaria konsideron se prej tash është në gjendje lufte me Serbinë”.

Këto ishin shkaqet e fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pasojat politike, ekonomike e civilizuese të luftës ishin të mëdha, prandaj edhe quhet “Lufta e Madhe”.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA