Padija dhe mashtrimet e klasës politike dhe akademike për krizën energjitike: drejt territ dhe katastrofës së mëtejshme ekologjike
Abstrakt: Në vijim të këtij studimi do të tregoj padijen dhe mashtrimet e klasës politike dhe akademike lidhur me krizën energjitike dhe të ardhmen tonë: ajo do të jetë tejet e zymtë nëse populli vazhdon të mashtrohet.
Ylli Përmeti
18/10/2021 - 10:06
Reforma e padrejtë dhe pa perspektivë e qeverisë “Rama” në sektorin e energjitikës
Energjia elektrike u zhvillua ngadalë përgjatë tre shekujve të fund-mesjetës. Por ajo filloi të merrte karakter të përgjithshëm vetëm shekullin e XX. Paralel me të u zhvillua dhe energjia e fosileve dhe teknologjia përkatëse dhe duke filluar nga shekulli i kaluar, energjia elektrike klasifikohet si një e “mirë publike” — si “një e mirë” që duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve të një vendi. Në shkallë të ndryshme qeveritë e shekullit të kaluar, kryesisht në ish Bllokun Perëndimor dhe atë Lindor, garantonin energjinë për të gjithë popullatën. Por duke filluar nga fillimi i shekullit XXI, me shpërthimin e globalizmit neoliberal, energjia elektrike, si gjithë sektorët e tjerë të ekonomive, gjëndet në sulmin e kapitalit. Gjendja energjitike në Britani, për shembull, ishte aq e keqe tetë vjet më parë saqë disa akademikë sugjeruan se ‘vetëm kur të gjithë të jemi në terr, do të merren masa konkrete nga politikanët profesionistë’!
Filloje nga këtu: Shkaqet e shkatërrimit të sektorit të energjitikës dhe nevoja e krijimit të kushteve për një ‘revolucion energjitik’
Në Evropë shtatë monopole kontrollojnë më shumë se 2/3 e energjisë së prodhuar, me rezultat rritjen mesatare thuajse kudo të çmimit të energjisë. Në SHBA, e cila është vendi i vetëm i zhvilluar me rrjetin e prodhimit të energjisë plotësisht të privatizuar, ndërprerjet e energjisë janë më të përhapura se në Evropë. Shumë herë ndërmarrjet e prodhimit krijojnë mungesa artificiale për të rritur çmimet! Në Greqi ndërmarrja publike e prodhimit të energjisë elektrike (ΔΕΗ), e cila prodhon energji duke përdorur lignit, shpesh përballet me privatizim të plotë (aktualisht kontrollohet nga qeveria me 51% të aksioneve)— ndërsa shërbimet e saj u “rekuizionuan” përkohësisht me qëllim që mobilizimet e punëtorëve të ndalohen!
Në Shqipëri energjia teknologjike sigurohet kryesisht nga uji dhe nafta, sepse janë burime që sigurohen nga burimet vendore (shih për më shumë grafikun).
Përgjatë mungesës së rreshjeve energjia blihet në tregun botëror. Kjo është ndër arsyet se pse Banka Botërore dhe institucione të tjerë që përparojnë globalizmin neoliberal, nxisin vendet të integrohen në rendin përpakatës: që të imporotojnë por dhe eksportojnë energjinë sipas nevojave—çka nënkupton se të njëjtët institucione do të nxisin ndërtimin e më shumë hidrocentraleve në Shqipëri për të mbuluar nevojat e tyre! Por vendi ynë si shumë vende të tjerë gjendet, krahas krizave të tjera, në krizë energjitike gjithashtu. Të dy sektorët —naftës dhe energjisë ujore— gjënden në rrënim e sipër.
Gjendja bëhet dramatike kur shoqërohet me shkeljet ligjore të përfaqësuesve: kur ata nuk paguajnë detyrimet elektrike ndaj shtetit. Për shembull, qeveria “Berisha” (Topi, Fullani, Pollo, Ruli, Bode, Mediu, Topalli, etj.) nuk paguante energjinë që konsumonte pavarësisht se anëtarët e saj gëzonin rroga të majme dhe privilegje si asnjë tjetër! Dhe jo vetëm qeveria “Berisha”: por thuajse gjithë administrata publike (ministri, bashki etj.) nuk paguanin për një kohë të gjatë energjinë e përdorur. Qoftë edhe ndërmarrjet prodhuese private ishin debitore ndaj “CEZ shpërndarjes” dhe shpesh nuk paguanin detyrimet. Krahas këtyre, militantët e partive, kryesisht klasa e mesme, s’paguanin në shkallë të ndryshme gjithashtu energji elektrike.
Kriza lidhur me mospagimin e energjisë së konsumuar, rrjedhimisht, filloi të degradonte “nga lartë – poshtë”: nga qeveria “Berisha” dhe partitë në pushtet, me protagoniste PD/PS/LSI, drejtorët e ndërmarrjeve shtetërore, ndërmarrjet private, militantët e partive duke u shtrirë deri te qytetarët e paangazhuar partiatikisht. Kjo paturpësi lidhet ngushtë gjithashtu me korrupsionin dhe ekonominë informale. Në Greqi, për shembull, më shumë se 32% e ndërmarrjeve nuk paguante taksa në vitin 2019 ndërsa paralelisht mijëra të tjera falimentojnë.
Si pasojë, qeveria “Rama” duhet të përmbyste keq-qeverisjen që ishte krijuar prej të cilës kishte përfituar dhe partia “socialiste”. Por kur një qeveri nuk ka mësuar të studiojë dhe të zhvillojë arsyetim të drejtë në raport me drejtësinë sociale që vendoset përmes pushtetit politik dhe për më shumë qëllimi i saj në pushtet është të vjedhë shtetin nuk do të ishte e çuditshme që...për ta “përmbysur” rrënimin e sektorit e njëjta qeveri vendosi në fuqi ligjin e përgjithshëm se të gjithë “pa përjashtim” duhet të paguanin detyrimet por harroi në proces të detyronte shkaktarët kryesorë të krijimit të “kulturës” së mospagimit. Vetëm kur kaloi thuajse një vit në qeverisje Rama u mundua të tregonte realitetin duke cituar se:
91 për qind e kontratave të abonentëve familjarë dhe 88 për qind e kontratave të biznesit rezultojnë me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në tetor 2012 rezulton 36.60 për qind e energjisë së blerë, dhe humbja në dhjetor 2012 ka kapur shifrën 55.46 për qind...Institucionet buxhetore kanë pasur 5.5 miliard borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes dhe ky borxh arrin 7.6 miliard lekë duke përfshirë edhe institucionet jobuxhetore...për vitin 2013, humbjet në sistemin e energjisë elektrike, kanë arritur 45% të sasisë së energjisë të futur në rrjetet e operatorit të shpërndarjes [ndërsa] 30% e energjisë në Shqipëri vidhet.
Sidoqoftë, sipas një raporti, rezultoi se në të gjithë vendin ishin 708 mijë e 377 debitorë. Por Rama gënjeu kur tha se qeveria e nisi shlyerjen e borxhit ‘nga vetja’ dhe jo...siç shprehësh eufemisht...nga ‘hallka e fundit’, hamendësisht nga shtresa e varfër e shoqërisë, sepse qoftë edhe borxhi publik ndaj ‘CEZ’-it shlyhet nga parátë e buxhetit. Kështu amnistoi shkaktarët dhe penalizoi kryesisht qytetarët e varfër kur dihet se nuk e kishte të vështirë që ta zgjidhte problemin e mospagimit të detyrimeve energjitike duke vendosur drejtësi: duke hartuar, qoftë edhe duke kërkuar ndihmën e vartësve të tij, një kuadër veprimi për grupet e punës në terren që:
• të mos përfshinin në “listën e zezë” të gjithë qytetarët që tregonin në sistem debitorë por të shqyrtonin gjendjen e çdonjërit veçmas. Sepse çdo debitor bart veçoritë e tij, sepse dihet se CEZ-shpërndarja tejfaturonte shumë prej tyre; të tjerë i vononte për t’i kaluar në sistem, për pasojë, shuma e konsumuar bëhësh e papërballushme për t’u paguar, meqënse çdo vonese i shtohet kamatë-vonesa në kohën kur psikologjia e përgjithshme ishte mospagimi — sepse kur s’paguajnë ata atje lartë, të cilët, për më shumë, gëzojnë dhe shijojnë nga kursimet publike rroga të majme, ne përse të paguajmë, pyet populli? dhe
• përpara se të ndërprisnin energjinë e debitorit që s`paguante të shqyrtonin gjëndjen e përgjithshme ekonomike të debitorit: gjendjen e punësimit, se nëse ishin të punësuar kryefamiljarët apo jo dhe, se në cilën gjëndje gjëndet banesa ku jetojnë. Nëse gjëndja ishte mjerane, siç edhe është në mijëra raste, energjia nuk duhet të ndërpritësh por të garantohësh me qëllim që një farë drejtësie të vendosësh dhe një farë morali të tregohësh. Por qeveria në vend të zbatonte këtë logjikë shkoi drejt rëndimit të familjeve në nevojë: sepse ajo planifikoi, duke ndjekur edhe një herë këshillat e FMN-së, jo vetëm heqjen e fashës prej 300 kv, por edhe njësimin e tarifave të familjeve me ato të ndërmarrjeve!
Vetëm pas dy vjet e gjysmë kuptoi qeveria “Rama” se familjet në nevojë duhet t’i lehtësonte duke u falur kamatë-vonesat! Gjendja ishte aq e keqe në sektorin e shpërndarjes saqë qeveria “Rama” krijoi një njësi të “pavarur” me 50 vetë për të hetuar personelin e OSHEE-së (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili zëvendësoi CEZ-in) për lidhje elektrike të paligjshme, rezultati i të cilit, në dijeninë time, nuk është publikuar! Reforma vazhdoi me rikonceptimin e linjës së shpërndarjes. Qëllimi ishte të luftoheshin humbjet në rrjet. Kjo politikë çoi, gjithashtu, në arrestimin dhe vetëvrasjen e disa qytetarëve (numri tërësor i të cilëve nuk është raportuar në dijeninë time nga policia e shtetit!) që s`kishin paguar detyrimet dhe disa të tjerë kishin kryer lidhje të paligjshme ndërsa në fillim të mandatit të tretë— plasi kriza e radhës.
Shpërthimi i krizës energjitike në fillim të mandatit të tretë dhe mashtrimet e klasës politike dhe akademike
Ndërsa nuk kishte kaluar as një javë nga shpërthimi i krizës energjitike kryesisht në Evropë, Kinë dhe Indi, dhe në kohën kur rezervat ujore në kaskadën e hidrocentralit më të madh të vendit, Fierzë, ishin sa mesatarja shumëvjeçare e periudhave të njëjta vjetore dhe nuk rrezikonte nga prurje të ulëta (bazuar në të dhënat e KESH-it, niveli i hidrocentralit të Fierzës ishte 270.43 metra mbi nivelin e detit nga 296 që është maksimalja; i Komanit 170.50 metra nga 176; dhe i Vaut të Dejës 73.30 nga 76 metra, të cilat konsiderohen kuota normale për sezonin)...ditën e tretë të tetorit, Rama njoftoi shtypin dhe na kumtoi përmes tij “gjendjen e jashtëzakonshme” në sektorin e energjitikës.
Ligji për ‘gjendjen’ në fjalë dikton se qeveria me ministrinë e saj drejton sektorin e energjitikës në tërësi dhe ligji detyron ndërmarrjet shtetërore dhe private të zbatojnë planin e qeverisë në rastin e shitjes së energjisë dhe qeveria është përgjegjëse për mbulimin e kostove shtesë të ndërmarrjeve private në rastet kur pësojnë humbje nga shitja e energjisë elektrike ndërsa pezulloi investimet në sektor. Kjo ‘gjendje’ do të vazhdojë deri në mesin e pranëverës së ardhshme, meqë kështu e këshilluan Ramën “disa qeveri mike”, ndonëse nuk përjashtoi ngjarje të paritura që mund të shkaktojnë ndryshime të masave. Në krye të krizës energjitike u emërua zv. kryeministri, A. Ahmetaj.
Për të përligjur gjendjen e ‘jashtëzakonshme’ në sektorin e energjitikës Rama tha se do të përballemi me një krizë të “jashtëzakonshme” si ajo e tërmetit dhe pandemisë në terma ekonomikë por...ne, tha Rama, do të dalim më të fortë “siç dolëm më të fortë nga tërmeti e siç po dalim më të fortë edhe nga pandemia, çka e tregojnë kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike, pas mbylljes dramatike të ekonomisë, kështu do të dalim edhe nga kjo fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tragtare që nuk i kemi ne në dorë”.
Nuk harroi të përmendte —për të mbeshtetur argumentin e tij— studiuesit dhe analistët financiarë, sipas të cilëve, argumentoi Rama, ajo lidhet kryesisht “me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t`i frenuar ato, por po ashtu edhe me një kombinim faktorësh të tjerë”. Argumentin e tij e ilustroi me bursën HUPX ku energjia elektrike u tregtua mesatarisht 39 euro/mëh vitin e shkuar ndërsa sivjet shkoi 110 euro/mëh me një rritje prej 182%.
Ndërsa përmendi dhe disa rajone dhe vende të tjerë ku çmimi i energjisë është rritur, një javë më pas, njoftoi masat në tre pika kryesore: se qeveria garanton furnizimin e pandërprerë me energji elektrike për të gjithë (duke përmedur masat por pa i sqaruar ato); se do të mbrojë familjet dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike (duke përmendur masat por pa i sqaruar ato); dhe se do të garantojë fondin e nevojshëm likuid për ndërveprim me tregun e energjisë elektrike (duke përmendur instrumentat e garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër për të siguruar pikën një dhe dy). Domethënë, me kursimet që ishin planifikuar për investime në sektorin energjitik, do të paguajë si energjinë e importuar (duke majmur të huajt) ashtu dhe tregtarët e brendshëm (sidomos tregtarët e naftës)!
Kështu ndërsa qeveria e Ramës na “ndihmoi” për të na “xjerrë” nga kriza energjitike duke paguar për blerjen e energjisë 200 mln euro, nuk harroi të na “qetësonte” duke na thënë: “Ndjehuni mirë që ia kemi dalë dhe kini besim që do t’ia dalim gjithnjë e më mirë. Dhe e dyta, mundohuni të mos e harroni se çfarë mbjellim ne sot, me qëndrimet e me vendimet tona, do të korrin fëmijët tanë nesër. E që nesër fëmijët e sotëm, të mos kenë aq pak fat sa ç’patën fëmijët e viteve 90, që kur u rritën korrën atë që u mboll mbrapsht në ato vite, duhet që ne të mos kërkojmë asnjëherë rrugë të shkurtra që nxjerrin gjithmonë gjatë”!
Por përpara se të merrte masa, përdori fjalë hiperbolike si “çmime marramendëse”, “stuhi” e të tjera si këto dhe tregoi besimin në “fat” meqë na tha se është një tjetër “fatkeqësi”, ndërsa kur kumtoi masat, përdori fjalë “heroike”, se ai “ia doli” dhe ndaj të kemi besim se ai do t`ia dalë gjithnjë mirë dhe se ai po mbjell farën —me qendrimet dhe vendimet e tij— që t`i korrin fëmijët tanë nesër. Pas kësaj “lodhjeje rraskapitëse” kryeministri shkoi në mbrëmje në televizionin Klan ku “rrëfeu” me idiotët e Çanit, të cilët pyeten nga “gazetarët” si “ekspertë” por pa qenë të tillë, se hiperbola që përdori për krizën energjitike lidhësh me qëllimin e tij për t`u paraqitur edhe një herë si “shpëtimtar” i popullit!
Rama tha, gjithashtu, se familjet paguajnë tarifë “nën koston” e prodhimit pa përmendur koston e tij! Në fakt, Banka Botërore në studimet e saj në të kaluarën ka nxjerrë një kosto të përafërt për energjinë elektrike: $9.64 qindarka/cents për kWh për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen. Por dimë se teknologjia dhe drejtimi i shtetit ndryshon dhe përmirësohet dhe kostoja për pasojë nuk mund të jetë e njëjtë! Kështuqë, kryeministri duhet të citonte si fillim se sa është kostoja e prodhimit të energjisë elektrike dhe pastaj të mbronte politikën e tij “bujare” që të kishim mundësi të krahasonim koston e prodhimit me të kaluarën duke përfshirë dhe periudhën socialiste dhe koston që paguajnë shtresat e ulëta të shoqërisë (pensionistët etj.) krahasuar me klasën punëtore të socializmit marksist.
Për të përligjur politikën e tij Rama përmendi një gjysmë të vërtetë kur u pyet nga një ndjekëse se përse nuk e vendosim vetë çmimin e energjisë, meqë e prodhojmë vetë atë, duke iu përgjigjur se:
“Ne prodhojmë kur kemi reshje të mjaftueshme për mbushjen e hidrocentraleve dhe blejmë energji kur ka thatësirë, aq më tepër kur periudhat e thatësirës janë bërë më të gjata kohët e fundit si pasojë e ndryshimeve klimaterike. Prandaj, Shqipëria është e varur njësoj si vendet e tjera nga çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar”.
Por nuk përmendi faktin se gjendja e ujit në hidrocentrale nuk ishte ‘kritike’ kur shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa për çmimin e naftës tha:
“Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës që konsumohet në vendin tonë. Nafta që nxirret këtu është naftë e rëndë dhe shkon kryesisht jashtë për nënprodukte të saj, si bitumi për shembull. Ndërkohë, rreth 600 mijë ton, që konsumohen në formën e gazoileve dhe benzinës, janë nënprodukte që vijnë nga jashtë” ndërsa shtoi se “nafta në vendin tonë tregtohet nga subjekte private që e blejnë produktin sipas bursës në tregjet ndërkombëtare”.
Ndërsa në rastin e energjisë elektrike tha një gjysmë të vërtetë, për rastin e naftës mashtroi kur nuk përmendi faktin se rafineritë në Ballsh dhe Fier (me aftësi rafinimi 1 milion dhe 0.5 milion tonë përkatësisht) po zënë ndryshk ndërsa shtrembëroi faktin se nafta jonë është e rëndë dhe për pasojë ajo nuk përdoret për konsum në vendin tonë por vetëm për bitum, duke nënkuptuar se ne importojmë naftën e vendeve të tjerë, ndaj jemi të detyruar ta paguajmë shtrenjtë!
Nafta jonë, në fakt, edhe pse shumica e saj rafinohet jashtë vendit dhe është krijuar një ligj dhe një institucion (ISHTI) “për kontrollin dhe respektimin e standarteve apo rregullave shtetërore për cilësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj”, sipas direktivave të BE-së, të cilat vendosin kufizime mbi nënproduktet e naftës me qëllim që të kontrollohet çlirimi i gazrave në atmosferë nga mjetet e transportit, ka cilësi të dobët “si pasojë e përzierjes së karburantit që tregtohet në stacionet e shpërbimit me naftë kontrabandë të prodhuar nga rafinetirtë vendase apo importuar në mënyrë të paligjshme”.
Qoftë edhe nafta e puseve nuk është si ajo që përshkruan Rama: sepse, sipas një studimi, nga më seriozët që kam ndeshur për sektorin, “nëse e krahasojmë atë me naftën krudo të vende të tjerë rreth botës, duke parë gravitetin API (dendësinë e lëngut në raport me ujin) dhe përmbajtjen në squfur (papastërti në naftën krudo që tregojnë cilësinë), nafta shqiptare tregon se ka cilësi të njëjtë krahasuar me vendet kryesorë të prodhimit të saj”.
Përkundër kësaj politike, opozita e partisë “demokratike” me në krye Bashën deklaroi se ajo që qeveria e quan krizë energjitike është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi: sepse përmes tenderave korruptivë energjia blihet 3-4 herë më shtrenjtë nga jashtë pasi energjia e hidrocentraleve tanë shitet me çmim të ulët ndërsa shtoi se viti 2021 ishte ndër vitet më të mira të prodhimit të energjisë kur është prodhuar më shumë se sa konsumi mesatar. Por rrëfenja kryesore e partisë në fjalë është “fakti” se qeveria “Rama” e çoi çmimin e energjisë elektrike nga 7.2 (kur ishte në pushtet partia “demokratike”) në 9.4 lekë dhe shtoi me 240 lekë çmimin e karburantit me “taksën Rama” dhe shiti lirë në gusht energjinë elektrike nga kaskada e Drinit ndërsa akuzoi qeverinë për futjen kontrabandë të 30% të karburantit përmes një ndër “pesë”, siç i përblodhi Basha, oligarkëve ekonomikë të vendit tonë: Kastratin. (Kuvend: 14 tetor 2021).
Kësaj rrëfenje i shtoi dhe padinë penale që çoi në SPAK një ditë më pas ndaj tre drejtuesve: Adrian Çela/OSHEE; Ergys Verdha/KESH; dhe Erina Rexhepi/drejtuese e furnizuesit të tregut, për shpërdorim detyre, korrupsion, dhe moskallëzim krimi në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke shtuar se shitën energjinë me rreth 60 euro kilovatorin [gjatë verës] dhe e blenë me 240 deri 260 euro gjatë krizës, madje, sipas tyre, “më lart se tregu”, dhe duke shkaktuar një dëm prej 10 milionë euro.
Ndaj këtyre pretendimeve Rama kundërargumentoi se “energjia paguhej me dy fasha”: një fashë ishte për të mbrojtur gjoja të pamundurit që konsumonin 300 klw që nuk ishte 7.2 por 7.7 lekë, ku bënin pjesë sipas Ramës, “kuçi dhe maçi” (drejtora policie etj.) “dhe për gjithë të tjerët, përfshi gjithë konsumatorët familjarë”...[që hynin në fashën e dytë dhe paguanin 13.2 lekë], “hoqëm fashën dhe çmimin e çuam 9.5 lekë dhe diferencën [në raport me koston e prodhimit...] e paguan shteti”! Lidhur me akuzën për kontrabandë me naftën, Rama kundërargumentoi dhe cituar dy shifra: në vitin 2013 dhe 2012 “juve”, u tha kryetari i qeverisë kundërshtarëve të tij, “zhdoganit 313 mijë tonë naftë ndërsa “tani që flasim është zhdoganuar 481 mijë”, duke nënkuptuar se kontrabanda me naftën është më e vogël me qeverinë e tij!
Ndërsa disa nga këto shifra meritojnë hetim dhe gjithë rrëfenja e tyre u përqendrua te çka është bërë nga njëri dhe tjetri në pushtet, pas të cilës rendin “analistët” e të njëjtës oligarki, shtypi i “lirë” filloi të tregonte gjysmë të vërteta. Gazetarja e Voa-s, Mimoza Picari, për shembull, bisedoi me disa ‘ekspertë’ sipas të cilëve “çmimet e enegjisë elektrike janë rritur si pasojë e rritjes së çmimit të gazit”, i cili përdoret për prodhimin e saj (Pajtim Bello) dhe aktualisht është rritur përdorimi i tij si pasojë e “Protokollit të Kiotos”, ndërsa një tjetër (Gjergj Bojaxhiu) shton “mangësitë në marrjen e masave nga strukturat shtetërore për menaxhimin e krizave”—domethënë, “duke ulur humbjet”, të cilat, “nëse konvertohen në vlerë me çmimet e bursës, që duhet të importohet kjo sasi për kompensim, vetëm për këtë vit deri në fund të tij do shkonte afërsisht 80 milion euro”, të cilat mund të përdoreshin për blerjen e energjisë nga importi.
Në “ekspertët” e saj gazetarja e Voa-s përfshiu dhe zv. presidentin e “Konfindustria Albania” ose shoqatës së industrialistëve italianë në Shqipëri, Giordano Gorini, dhe një prej investitorëve në hidrocentrale të vegjël, i cili këshilloi qeverinë “Rama” të “shtojë kapacitetin e prodhimit të brendshëm me 33%”, meqë, sipas tij, ka ujëra të pashfrytëzuar me qëllim që qeveria të plotësojë kërkesën e brendshme dhe ai dhe të ngjashmit e tij të shtojnë investimet dhe fitimet! Bellua shtoi se “siguria energjitike është siguri kombëtare por nëse një qeveri nuk e ka në koncept këtë, mos prit të marrë masa të tjera”, duke mbështetur pronësinë publike të hidrocentraleve.
Një ‘ekspert’ tjetër, Lorenc Gordani, tha se nevojitet bursa energjitike (kombëtare apo rajonale) dhe jo prokurimet publike dhe ankadet për të maksimizuar fitimet nga shitja e energjisë, dhe nëse mungojnë investimet në rrjet nga OSHEE, me 50 mln euro në vit, nuk ulen humbjet me 1%. Bursa, sipas tij, do të mundësonte fitime të voltshme ndërsa KESH-i duhet të maksimalizojë prodhimin e energjisë që të shesë në bursa duke marrë fitim maksimal ndërsa OSHEE-ja mund të siguronte kontrata afatgjata (40 euro apo më lirë) por ato, sipas tij, janë penguar për shkak të aspekteve ligjore.
Nga qendrimet ‘joeksperte’ do të veçoja qendrimin e Artan Fugës, i cili, menjëherë pas deklaratës së Ramës mbajti një qendrim tejet idiot: se gjendja jonë energjitike nuk varet nga tregua i huaj siç pretendoi Rama ndërsa pak ditë më pas shtoi tezën e partisë “demokratike”: se është “krizë menaxhimi për shkak të politikës”. Ndaj:
Nëse nuk shkëputet lidhja mes politikës, gjyqësorit, medias, sipërmarrjeve publike, agjensive shkencore, 4 korporatave të energjisë elektrike, ne do të kemi përdorimin e tyre për qëllime politike, nuk do të ketë transparencë. Unë kam informacione që edhe menaxhimi i fondeve të produktit është i keqpërdoruar.
Ndërsa ka pjesërisht të drejtë lidhur me efektin që ka partia në pushtet mbi ndërmarrjet shtetërore, qofshin ato në sektorin e energjitikës apo gjetkë, dhe jo plotësisht, sepse ishin qeveritë ose pushtet politike, marksiste në Lindje dhe keinsianiste në Perëndim, që ngritën ndërmarrjet shtetërore dhe mbulonin nevojat e popullit dhe ekonomisë pavarësisht problemeve, ai nuk përmend nevojën e ndryshimit të ligjit për to dhe propozimi i tij për zgjidhjen e krizës energjitike — që të ndërpritet “çdo lloj eksporti të energjisë për një kohë të caktuar dhe të bëhet transparenca e financave të korporatave”— është tejet i mangët. Ky është një qendrim i një “profesori” dhe “akademiku” —një kategori njerëzish që paguhen rreth 10 herë më shumë se klasa punëtore nga kursimet tona— dhe tregon faktin se në Shqipëri nuk demagogojnë vetëm partitë dhe “ekspertët” e partive por dhe “profesorët”: ndaj është e drejta jonë që “titujt” e tyre shkencorë t`i shohim me dyshime dhe qëndrimet e tyre t`i citojmë me qëllim që populli të kuptojë se me çfarë klase politike dhe shkencore përballet!
Qeveria “Rama”, në fakt, vazhdoi logjikën e qeverisë “Berisha” — duke ndërtuar hidrocentrale të vegjël dhe duke shkatërruar florën dhe faunën e tyre dhe ekosistemin në përgjithësi dhe është në proces për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në Kukës duke përdorur kapitalin amerikan dhe ndërmarrjen “Bechtel”, të cilin e kam shqyrtuar në vend tjetër dhe kam treguar se është pa perspektivë si për amerikanët ashtu dhe (madje, më shumë) për ne, ndërsa po mbron “idenë” e ndërtimit të hidrocentralit në shtratin e Vjosës! Ministrja e energjitikës pak ditë përpara se të shpërthente kriza energjitike, madje, shkoi në terren bashkë me ambasadoren amerikane dhe tha mes të tjerash se “Skavica është ëndërr e gjithë shqiptarëve” (...) dhe se qeveria që ajo përfaqëson synon “sigurinë energjitike” dhe kthimin e Shqipërisë në një “vend eksportues të energjisë së rinovueshme”. Ky ‘synim’, Bellos, ‘ekspertit’ që citova më herët, si duket i ka shpëtuar!
Do të ishte e dobishme, rrjedhimisht, t`u kujtonim politikanëve profesionistë të tipit Berisha, Nano dhe Rama, dhe Basha, “ekspertëve” dhe “akademikëve” që parazitojnë në gjirin e partive për të propaganduar idiotësitë e njërit-tjetrit, por dhe popullit, me qëllim që të kuptojë realitetin ku jeton dhe shkallën e idiotësisë së klasës politike dhe akademike, se me orientimin tonë për t`u integruar në BE dhe globalizmin neoliberal, ne braktisëm një nga parimet kryesor të socializmit marksist: vetëmjaftueshmërinë. Këtë parim e braktisën dhe vendet perëndimore kur mbizotëronte social-demokracia. Por ndërsa ne e braktisëm parimin në fjalë menjëherë ata e braktisën gradualisht. Efekti i llojit të braktisjes ishte se ne u rrënuam më shumë se ata ndërsa në vend të tij do të pranonim ‘ndërvarësinë’ mes shtetesh dhe sovranitet të kufizuar: ky i fundit do të ndahësh me BE-në dhe SHBA-të ndërsa ‘ndërvarësia’ si ngjizje krijoi kushtet për ndërvarësi jo vetëm politike dhe institucionale por dhe ekonomike duke përfshirë dhe ndërmarrjet shtetërore të burimeve ekonomike strategjike.
Kështu si energjia nga nafta ashtu dhe energjia nga hidrocentralet do të ishin pjesë e ndërvarësisë ekonomike mes shtetesh dhe çmimet nuk do të përcaktoheshin nga pushteti politik si shekullin e kaluar por nga dinamika e tregut. Kjo është arsyeja se pse qeveritë tona e kanë bërë sektorin e energjitikës pjesë të dinamikës botërore të çmimeve. Por energjisë së naftës iu shtua një tjetër ndërvarësi: ‘rafinimi’ i saj në Itali. Kjo është një zgjedhje politike e parrëfyer nga klasa politike, për dy arsye: së pari, për të “shpërblyer” Italianë për kontributin e saj në krizën e viteve `90; dhe së dyti, për të fituar vetë klasa jonë politike nga rafinimi i saj jashtë vendit: sepse kur rafinimi bëhet larg syve të popullit klasa në fjalë mund të vjedhë më shumë.
Nuk është, në fjalë të tjera, akciza dhe taksat që vendosin qeveritë shkak i rritjes së çmimit të naftës, siç argumentojnë shumë idiotë, kryesisht “opozita”, militantët dhe gazetarët e saj, në televizione dhe gazeta: taksat janë pasojë e braktisjes së parimeve sistemike ose e orientimit tonë për t`u “zhvilluar”. Ishin, në fjalë të tjera, kushtet gjeopolitike që u krijuan me braktisjen e socializmit marksist që mundësuan rrënimin e sektorit të naftës dhe hidrocentraleve. Akciza mbi naftën (prej 37 lekë për litër), për shembull, është pasojë e rrënimit të rafinerisë në Ballsh dhe Fier, të cilat kanë aftësi të rafinojnë si prodhimin e brendshëm ashtu dhe të importit. Por rrënimi i sektorit ishte pasojë e dy shkaqeve që sapo përmenda: shpërblimi i Italisë për kontributin e saj dhe vjedhja më e lehtë e saj nga klasa politike, që të dy buruan nga braktisja e parimeve sistemike.
Ndërsa pesë taksat e tjera, e qarkullimit, karbonit, rilicensimit, tvsh-së, duke përfshirë dhe “taksën Rama” prej 2.4 lekë për litër për markimin dhe skanimin, për të cilën çirret Basha, janë pasojë e orientimit tonë: sepse në globalizmin neolibeberal ku jemi integruar pjesërisht dhe presim të integrohemi plotësisht, qeveritë s`kanë burim më të sigurtë ekonomik se burimet energjitike. Kështu ato “luajnë” me taksat dhe në rastin e qeverive tona, vjedhin dhe përmes rafinimit jashtë vendit karahas vjedhjes që ushtrojnë me energjinë elektrike. Taksa e karbonit, për shembull, pritet të rritet më shumë për arsye se qeveritë duan të zvogëlojnë çlirimet. Kështuqë, nëse taksa mbi karbonin rritet, ashtu do të rritet dhe çmimi i naftës.
Realizimi i “sigurisë energjitike” dhe kthimi vendin tonë në “vend eksportues” nga ministrja jonë e turpit dhe qeveria idiote që ajo përfaqëson, në kushtet aktuale, politike dhe gjeopolitike, me qeveri idiote dhe opozitë edhe më idiote, dhe kushte ekologjike katastrofike, bëhet i pamundur edhe nëse ndërtohet Skavica dhe ruhet jeta e banorëve në atë zonë, siç argumentoi në të njëjtën ditë ministrja, në mungesë të banorëve...sepse si pasojë e braktisjes së socializmit marksist dhe lejimit të popullit të lëvizte si jashtë vendit ashtu dhe brenda tij, dhe përqendrimit të tij në zonat urbane, filloi përdorimi i automjeteve private dhe u rrit përdorimi i aparaturave elektrike në banesat e tij, të punës dhe familjare: me lavatriçe, frigorifer, sisteme ngrohje dhe ftohje etj. Paralelisht u përshpejtuan —bashkë me vendet e tjerë— ndryshimet klimatike dhe katastrofa ekologjike.
Në vitin 1990, për shembull, konsumi i energjisë elektrike ishte 2.26 Mtoe por ra në 1.22 Mtoe në vitin 1992, si pasojë e krizës tërësore të vendit, dhe më pas, pasi ekonomia filloi të rimëkëmbej, kryesisht me kursimet e emigrantëve, konsumi u rrit duke arritur në vlerën 1.84 Mtoe në vitin 2001. Në vitin 1990 industria absorbonte 50% të burimeve të energjisë dhe 17% në vitin 2001. Por sektori që pësoi rritje të vazhdueshme të konsumit të burimeve energjitike është transporti, i cili në vitin 1990 konsumonte 6% të totalit ndërkohë që në vitin 2001 arriti në vlerën 44% ndërsa sektori i banesave konsumonte 14.6% në vitin 1990 ndërsa në vitin 2001 u rrit në 21% dhe sektori i shërbimeve pësoi rritje nga 5.4% në 1990 në 16.5% në vitin 2001.
Por sektori i transportit thuajse u katërfishua nga viti 1990-2020 duke zënë 40% për qind të konsumit të energjisë ndërsa pas tij —me 24%— qendrojnë familjet, duke u ndjekur nga sektori industrial me 20%. Vendi ynë, në fjalë të tjera, përmbysi shpenzimin e energjisë së prodhuar nga burimet hidrokarbure dhe hidrocentralet dhe e zhvendosi atë nga industria drejt transportit dhe familjeve. Domethënë, kaloi nga një vend që prodhonte energji për të mbuluar kryesisht industrinë prodhuese, prej të cilës siguronte pavarësi të lartë ekonomike, në një vend që prodhon energji për të mbuluar kryesisht transportin dhe sektorin e shërbimeve ku bëjnë pjesë dhe familjet ndërsa përdor teknologjinë e vendeve të huaj si për transportin ashtu dhe për banesat. Kjo prirje është theksuar dekadën e fundit sidomos lidhur me sistemet ngrohëse dhe ftohëse (2020: INSTAT).
Gjykuar nga grafiku i INSTAT-it, të cilin e kam ndarë në dy pjesë për ta përshatur për publikim, prodhimi neto vendas është rritur më pak se konsumi gjatë dy dekadave të fundit ndërsa është luhatur shumë gjatë qeverisë “Rama” duke kulmuar në vitin 2018 dhe duke pësuar rënie të madhe dy vitet e fundit; konsumi i energjisë elektrike është rritur; dhe humbjet në rrjet janë zvogëluar.
Për pasojë, ashtu është rritur dhe nevoja për energji elektrike. Kështu, nëse në vitin 2007 vendi ynë prodhonte 1.455 megavatë (MW) në vitin 2018 prodhimi shkoi në 2.204 MW. Shumica (1.448 MW) prodhohësh nga ndërmarrja shtetërore, KESH, ndërsa një e treta (755 MW) nga prodhuesit privatë. Dy vjet më vonë raportohen shifra më të larta: prodhimi tërësor ishte 5.3 mln MWh ndërsa konsumi vazhdoi të ishte më lartë: 7.5 mln MWh. Nga kjo tërësi, KESH-i prodhoi 3.1 mln MWh dhe HEC-et private prodhuan 2.2 mln MWh.
Për krahasim, në vitin 1980, vendi ynë prodhonte gjithsej, nga hidrocentralet dhe termocentralet, 3,711 mln kwh: 2, 952 kwh nga hidrocentralet dhe 759 nga termocentralet, dhe mbulonte nevojat e vendit duke përfshirë dhe nevojat e industrisë së tij (të rëndë dhe të lehtë) e cila ishte konkurrente në tregun rajonal me prodhimet e saj cilësore dhe me kosto të ulët. Por duhet thënë se gjatë gjysmës së dytë të socializmit marksist pati një rënie të konsumit të energjisë elektrike, kryesisht si pasojë e rritjes së varfërisë. Pas braktisjes së tij dhe zhvillimit të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut, konsumi filloi të rritësh duke u disafishuar (shih grafikun).
Banka Botërore ka përllogaritur koston mesatare të shërbimit duke përdorur një qasje pará-nevoja (cash-needs). Sipas saj, kostua mesatare e shërbimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u vlerësua të ishte $0.114 për kWh. Kostot relativisht të larta të shërbimit në Shqipëri u nxitën kryesisht nga kostot e shërbimit të borxhit mbi huamarrjet nga bankat. Kostot e shërbimit u dyfishuan për KESH-in mes vitit 2011-2014 dhe u vlerësuan duke përdorur qasjen tarifë-shpërblim të jenë mesatarisht $0.131 për KWh, 15 për qind më lartë se vendet e tjerë që u vlerësuan me qasjen pará-nevoja, me ndryshim mes dy qasjeve të luhaten nga 17 për qind në Kosovë në 88 për qind në Maltëzi.
Por humbjet nga shpërndarja në vitin 2008 ishin 33%; në vitin 2013, 43%; dhe shkuan 38% në vitin 2014 ndërsa kostua nga humbjet e shpërndarjes mbeti e njëjtë: $220 mln. Pas më shumë se gjashtë vjetësh që nga fillimi i “refomës” në sektorin e energjitikës, humbjet janë 21.79% ose 1 miliardë kwh. Përqindja nga pagesat u rrit me 90 për qind në vitin 2014 por pagesat e vonuara arritën $650 mln. Tarifa të reja u vendosën nga ERE duke ndaluar tarifat me dy fasha dhe “aforfe” (në mënyrë të përafërt) për familjet dhe duke vendosur tarifa për gjithë kategoritë e përdoruesve: kjo lloj përllogaritje kategorike filloi në janar të vitit 2015.
Vlen të përmendet, në fund, se ndryshimet klimatike do të kenë efekte të mbrapshtë, paralajmëronte Banka Botërore më shumë se dhjetë vjet më parë, mbi prodhimin e energjisë nga hidrocentralet: sipas saj, deri në vitin 2050, mesatarja vjetore e prodhimit të elektricitetit nga hidrocentralet e mëdhenj mund të zvogëlohet me rreth 15% dhe nga hidrocentralet e vegjël me rreth 20%! Ky është një parashikim ‘optimist’ sepse kuptimi i realitetit të gjendjes klimatike ishte tejet i pjesshëm në atë kohë. Tani, institucionet ndërkombëtare, sidomos trupa ndërkombëtare e Panelit Ndërkombëtar mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC) në OKB, kanë fituar një kuptim më të drejtë dhe parashikohet një katastrofë më e madhe ekologjike—çka nënkupton se vendi ynë (dhe jo vetëm) do të shkretohet më shumë nga thatësirat dhe përmbytjet!
Kështuqë përqindjet e parashikuara nga Banka Botërore (15 dhe 20%) mund të dyfishohen pa frikë. Por këtij parashikimi i mungon një tjetër, i karakterit social: se populli do të vazhdojë të lëvizë në mënyrë të pakontrolluar dhe do të vazhdojë të përqendrohet në zonat urbane. Për pasojë, synimi për të realizuar “siguri energjitike” dhe për të mbuluar nevojat e brendshme bëhet —edhe nëse ndërtohet Skavica apo ndonjë hidrocentral tjetër— tejet i pamundur. Ai bëhet edhe më i pamundur po të përfshijmë dhe qëllimin e qeverisë aktuale për të mbuluar nevojat e popullit shqiptar në Dardani (Kosovë) me energji elektrike. Tashmë është nënshkruar një marrëveshje për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike mes dy shteteve tona. Ajo është mbështetur nga amerikanët (USAID-i) dhe synohet përdorimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) për zhvillimin e sektorit!
Dhe me lëvizjen e pakontrolluar të popullit dhe me zhvillimin industrisë, nevojat për energji elektrike do të disafishohen siç janë disafishuar 30 vitet e fundit. Për pasojë, vendit tonë do t`i duhen disa “Skavica” për të përballuar nevojat e tij si në afatshkurtër ashtu dhe në afatgjatë ndërsa s`është marrë asnjë masë për zvogëlimin e çlirimeve dhe parandalimin e katastrofës ekologjike! Të gjitha këto kur në fund të tetorit zhvillohet mbledhja vjetore e OKB-së lidhur me masat e parandalimit të krizës ekologjike. Gjykuar nga fakti se përpara mbledhjes në fjalë janë publikuar një seri parashikimesh të zymta, masat do të jenë të forta.
Shkaqet e krizës energjitike në Evropë dhe përtej
Brukseli i BE-së, ndërkohë, është duke kundruar mbi klasifikimin e energjive ndërsa janë krijuar dy kampe politike: në njërën anë Franca, Republika Çeke dhe Finlanda, të cilët kërkojnë nga Komisioni Evropian të quajë energjinë bërthamore “energji të gjelbërt”, me qëllim që të sigurojnë financë të qendrueshme (ndryshe impiantet nuk do të financohen dhe do të braktisen) dhe në tjetrën Gjermania që kërkon të shuajë gjithë energjinë bërthamore vitin tjetër, kryesisht si pasojë e rreziqeve që bart (mund të shkaktohet ndonjë “incident” dhe shkakton mbetje toksike që duhet të grposen thellë në tokë) ndërsa SHBA-ja dhe Britania pritet të njoftojnë “teksinominë” e tyre mbi burimet energjitike, fakt që ka shtuar frikën në Bruksel për përpjekjet e tij për t`u kthyer në një krijues botëror i standarteve për investitorët ose kapitalistët. Mbështetja politike për një marrëveshje botërore mbi çlirimet e metanit në mbledhjen e OKB-së po rritet ngadalë ndërsa 25 vende të tjerë iu bashkuan zotimit të SHBA-së dhe BE-së për të ulur çlirimet nga gazi në fjalë. Vende të mëdhenj si Kina, India dhe Brazili ende nuk e kanë nënshkruar nismën.
Qoftë edhe kriza energjitike në Evropë u shkaktua nga braktisja e parimeve social-demokrate të shekullit të kaluar dhe jo nga rritja e kërkesës pas pandemisë siç argumentuan shumë “analistë” dhe “ekonomistë” ortodoksë apo zhvendosja nga burimet fosile drejt burimeve të ripërtëritshme, siç argumentuan të tjerë “ekspertë”. Një analizë e FT tregon se është “mungesa në ofertë ose furnizim dhe tej-mbështetja në importe të paqendrueshme”, që kontribuan vendimtarisht në çmimet rekord të gazit. Tre janë arsyet, sipas FT: tërmetet në Holandë; përpjekja e Kinës për të pastruar ajrin; dhe politika e Putinit:
Kalimi në energji më të pastër si era dhe dielli ka patur efekt për të nxitur kërkesën për gas —që shihet zakonisht nga industria si një “urëkalimi energjitike” në afatmesëm mes epokës së hidrokarbureve dhe ripërtëritësve. Por synimi afatgjatë për krijimin e ekonomive zero-neto në Britani dhe Evropë ka minuar dëshirën e investitorëve për të vendosur pará për të zhvilluar furnitorët e energjisë fosile për të cilën ata besojnë se do të jetë në shumicën e saj e vjetëruar. Furnizimet evropiane të gazit, që kanë qenë të ulëta çdo dekadë për shkak të zhvillimeve të shpejta, kanë rënë me 30 për qind dekadën e fundit. Përpjekjet e Evropës për të qenë udhëheqësja botërore mbi ndryshimet klimatike janë shuar në ndryshimet më të gjera të tregut. Ata kanë nxitur ekonomitë me rritje të shpejtë të Azisë për t`u larguar nga qymyri, duke u përballur me vendet si Kina dhe India që janë tani rivalë për të njëjtin gas që Evropa po mbështetet në vende si SHBA-ja dhe Katari. Industria e gazit vepronte thuajse tërësisht me linja pikë-më-pikë që mbajti konkurrencën rajonale në minimum. Rritja e shpejtë e industrisë së gazit do të thotë se ngarkesat kanë krijuar tani diçka të ngjashme me tregun botëror të naftës. Qeveritë perëndimore argumentojnë se çmimet e “paqendrueshme” të gazit rifuqizojnë nevojën për të përshpejtuar drejt energjisë së ripërtëritshme. Por ka shqetësime se problemet mund të shkrepin një pasojë të papritur kundër ripërtëritësve nëse konsumatorët fillojnë të besojnë se çmimi i energjisë është tejet i lartë. Konsumi botëror i naftës mbetet relativisht i qendrueshëm gjatë vitit me luhatje të vogla mes stinëve. Kërkesa për gas, sidoqoftë, është më e fuqishme çdo dimër për shkak të rolit të tij për ngrohje. Ndërsa atje është një ngarkesë minimale me kërkesën e gazit gjithë vitin nga prodhimi i energjisë dhe industria, si prodhuesit e plehut dhe çelikut, kulmoret dimërore mund të jenë shumë më lartë përgjatë hemisferës veriore.
Rreth 40 për qind e konsumit tërësor të gazit në Britani shkon drejtëpërdrejt për ngrohjen e banesave, kryesisht përgjatë një periudhe pesë-gjatë muajsh. Industria i drejton këto cikle në mënyra të ndryshme. Kryesorja është magazinimi — duke pompuar gazin nën tokë gjatë kohës me kërkesë të ulët që mund të përdoret kur moti bëhet i ftohtë. Mënyra tjetër është qasja në furnitorë të paqendrueshëm që mund të rriten ose zvogëlohen sipas nevojës. Një nga problemet e mëdha me të cilin përballet Britania dhe Evropa, sidoqoftë, janë burimet kryesore të këtyre furnitorëve që nuk punojnë siç punonin dikur, duke krijuar kushtet për çmime më të paqendrueshëm. Fusha më e madhe e gazit evropian, Gronigen, në Holandë, u planifikua për të qenë një furnitor i rëndësishëm, me prodhimin në rritje ose të tkurrur për të ndihmuar të balancojë ofertën me kërkesën, duke lejuar fusha të tjera gazi të prodhojnë lirshëm gjatë gjithë vitit. Por Groningen është bërë një përgjegjësi për qeverinë holandeze. Ngaqë furnizimi i saj i stërmadh ngadalë u zbraz, tërmete të vegjël u shkaktuan në zonën përreth, duke shkaktuar dëme në banesa dhe biznese. Dhe ngaqë trysnia politike u rrit, vendimi i mor që të mbyllësh, me fushën tani të pompojë më pak se një të tretën e vitit 2018.
Lajmi i mirë për Evropën është se ajo ka aftësi më të madhe importuese të gazit se çdo rajon tjetër. Britania importoi afërsisht 20 për qind të gazit në vitin 2019 përmes anijeve përgjatë linjave që derdhen nga Norvegjia dhe BE-ja për të kompensuar rëniet në prodhimin vendor. Lajmi i keq, sidoqoftë, është se kërkesa aziatike për gas është rritur shpejtë — duke u zgjeruar me 50 për qind dekadën e fundit, dhe duke u udhëhequr nga konsumi tre herë më lartë i Kinës — se ngarkesat e gazit janë bërë më të vështira për t`i siguruar në vitin 2021. Çfarë hamendësohesh të ishte një burim i epshëm furnizues befas duket të jetë më pak kështu. Për shembull, qeveria britanike nuk e quan më Katarin, një nga dy eksportuesit më të mëdhenj të gazit, si furnitorin e saj kryesor. Shumica e ngarkesave të Katarit shkojnë drejt lindjes, ku blerësit kanë paguar shpërblim (prim) për të tërhequr anijet.
Por faktori më i rëndësishëm nga këta është Rusia. Evropa kontinentale furnizohet me më shumë se një të tretën e gazit tërësor nga Gazpromi, monopoli i gazit i mbështur nga shteti rus. Është një marrëdhënie që është krijuar gjatë dekadave, por është baraspeshuar me aneksimin e Krimesë nga Rusia. BE-ja karakterizohet zakonisht nga kritikët si e cënueshme për shkak të mbështetjes së saj nga gazi rus. Por marrëdhënia është më e ndërlikuar. BE-ja shtyu si fillim për një zhvendosje ruse larg kontratave afatgjata që lidhen me çmimet e gazit, një lëvizje që krijoi tërthorazi një sistem çmimi më reflektiv në dinamikat e tregut të gazit.
Sidoqoftë, besueshmëria ndaj Gazpromit është lëkundur këtë vit. Një dimër i gjatë 2020-21 nënkuptoi se magazinimi në Rusi dhe Evropën kontinentale ka rënë në nivele të ulët. Dhe Gazpromi ka bërë pak të ndihmojë Evropën për t`u rimbushur, duke refuzuar të ngarkonte me furnizim shtesë përmes Ukrainës përtej çka ishte siguruar nën kontartat afatgjatë. Ukraina dhe vendet e Evropës lindore kanë akuzuar Rusinë se po përpiqet të “armatosë” furnizimin me gaz, pjesërisht për të trysnuar Berlinin për të përshpejtuar miratimin e linjës Nord Stream 2, e cila do të anashkalojë Ukrainën për të çuar furnizime drejtpërdrejt në Gjermani përmes detit Balltik. Në shtator Putini përqeshi “Alecs e zgjuar” në Komisionin Evropian për të nxitur një çmim të bazuar në treg, duke sugjeruar se ata ishin gabim në çmime.
Industria e gazit është thellësisht e ndarë rreth Rusisë se nëse ajo po luan me furnizimin. Në njërin kamp analistët argumentojnë se Moska duhet të përparësonte rritjen e magazinimit të saj, sepse konsumi vendor është rritur, duke e lënë atë me më pak gaz për të eksportuar. Kampi tjetër dyshon se ndërsa atje ka grimca të vërtetash për Rusinë që po përballet me sfidën për të furnizuar Evropën, atje ka qenë dhe një përqindje oportunizmi nga ana e Gazpromit — si për të rritur çmimin e gazit ashtu dhe për të përparuar ambiciet e Moskës. Çka nënkupton se tre furnitorët kryesorë të paqendrueshëm të Evropës — janë bërë shumë më të pasigurtë të gjithë në të njëjtën kohë.
Evropa mund të përballet qoftë edhe me konkurrencë më të madhe për gaz. Rusia filloi të furnizojë Kinën me gas përmes linjës Fuqia e Siberisë dy vjet më parë, por është ushqyer nga fusha që kurrë nuk janë përdorur për të furnizuar Evropën. Gazpromi po studion ndërtimin e linjë “Fuqia e Siberisë 2”, një linjë që do të lidhë fushat në Siberinë perëndimore — të cilat vërtet furnizojnë Evropën — drejt Kinës deri në vitin 2030. Shqetësimi i industrisë është se megjithëse ajo ende shpreson të veprojë si një urë energjie përgjatë ndryshimit energjitik, rritjet e fundit të çmimeve e kanë lënë atë të rrethuar nga të gjitha anët. Drejtorët e gazit tregojnë SHBA-në ku industria e rreshpeve ka zvogëluar shumë konsumin e qymyrit, duke çuar në një rënie të mprehtë në çlirime, dhe çmime rekord të karbonit në Britani dhe Evropë, të cilët kanë mundësinë të bëjnë njësoj.
Industria e gazit është kritikuar për pandershmëri. Ndërsa ajo prodhon rreth gjysmën e CO₂ të qymyrit kur digjet, çlirimet e metanit — një gaz serrë edhe më i fuqishëm [se CO₂] — çlirohen gjatë nxjerrjes dhe transportimit dhe janë nën mbikqyrje rritëse. Unioni Ndërkombëtar i Gazit kërkon nga qeveritë të mendojnë rreth politikave — nga kufizimet e shpimeve në SHBA deri te vonesat e lejeve në Britani — beson se kanë dëmtuar aftësinë e industrisë për të mbajtur botën të mirëfurnizuar. Tani politikëbërësit shpresojnë në shumicën e tyre se Rusia do të mund të rrisë furnizimin me gas këtë dimër, ose moti do të jetë i butë. Në afatgjatë, ulja e kërkesës dhe gjetja e një rezerve tjetër është kritike.
Mungesën e kontratave mes Brukselit dhe Moskës dhe pohoi dhe Putini gjatë ditëve të para të krizës: ai tha se Komisioni Evropian kufizoi kontratat afatëgjatë duke shkuar në këmbime tregtare gazi. Putini, në fakt, sqaroi pak ditë më pas se Evropa varësh nga linja e re e gazit (Nord Stream 2): nëse miratohet nga Gjermania, tha ai, Rusia mund të rrisë furnizimin me gas për Evropën me 10% dhe të zgjidhë krizën energjitike. Ai tha, gjithashtu, se politika e komisionit të BE-së është hartuar nga “jo-specialistë” të cilët mashtrojnë votuesit dhe se bota mund të shmangtte kriza në të ardhmen nëse ajo përqëndrohësh mbi “projekte themelor” si linja Veriore 2 në vend të tregut të shitjes me para në dorë (“spot market trading”). Ai shtoi se gazi i SHBA-së dhe Lindjes së Mesme ulën furnizimin në Evropë, duke krijuar një mungesë prej 70 miliardë m² të cilën mund ta mbulonte linja Veriore 2 me aftësinë e saj për të shpërndarë 55 miliardë m² ndërsa përmendi faktin se Gazpromi ka rritur furnizimin për Evropën me 11 miliardë m² këtë vit.
Por analistët e industrisë kanë thënë se më shumë gas ka shkuar në Turqi, të cilën Gazpromi e quan si Evropë, se përpara pandemisë, por jo në tregun kryesor të Evropës perëndimore, i cili është furnizuar përmes Ukrainës dhe linjave përmes Polonisë. Por me Moldavën, një shtet që qendron mes Rumanisë dhe Ukrainës, Rusia po “luan” gjeopolitikisht meqë si vend është pranë të kufirit të saj: krizës së saj energjitike Gazpromi iu përgjigj me “kusht” që të vononte reformat e tregut të energjisë të kërkuar nga Brukseli ose liberalizimin e tregut të gazit me qëllim që të eliminojë konkurrencën dhe sigurojë monopolin në shtetin përkatës, dhe braktisë marrëveshjen për treg të lirë/pa tarifa me BE-në dhe në vend të saj të shkojë në Unionin Ekonomik Euroaziatik, të krijuar nga Putini, për të rivalizuar bllokun ekonomik perëndimor, në këmbim të gazit më të lirë.
Si rezultat, qeveria moldave, e cila është e orientuar drejt BE-së, është mes “shkëmbit dhe greminës” dhe e alarmuar kërkoi ndihmë nga Brukseli. Ky i fundit i dërgoi një “grant” për të mbuluar 20 ditë me gaz importi por duke i “diktuar” se cilin gaz do të blinte: ndërmarrjet e gazit në Poloni, Rumani dhe Ukrainë, ku disa ndërmarrje ndërkombëtare, kryesisht evropiane, kanë magazinuar gas dhe e kanë kthyer Ukrainën në një “qendër” tjetër gazi!
SHBA-ja në hall më të madh energjitik
SHBA-ja nuk u ndikua nga kriza energjitike sepse Trampi e orientoi vendin drejt pavarësisë energjitike. Por sektori është ndikuar nga kostua e lartë e energjisë. Dhe ngaqë tregu botëror nuk kontrollohet në tërësinë e tij nga Uashingtoni, Bajdeni po ngre çështjen e zhbalancimit afatshkurtër të energjisë lidhur me kërkesën dhe ofertën, me qëllim që të ndihmojë ekonominë amerikane. Domethënë, të importojë energji me kosto të ulët se sa të prodhojë në vend me kosto të lartë. Kjo është politikë të cilën Bajdeni e ka mbrojtur edhe kur ishte opozitë edhe gjatë fushatës. Domethënë, ndalimin e shpimeve në tokat federale dhe ka refuzuar një linjë nga Kanadaja, kryesisht si pasojë e protestave të banorëve, ndërsa pritet të miratojë ligje për industrinë për uljen e çlirimeve të gazrave të dëmshëm. Aktualisht po mendohet të përdoren rezervat e vendit për të zbutur çmimet por ngaqë rezervat janë vlerësuar në çmimin e tregut, ato nuk do të kenë ndikim afatgjatë.
Kështu ndërsa SHBA-ja është ndikuar pak nga kriza energjitike në Evropë dhe Azi, Agjenica Federale e Energjisë paralajmëroi gjatë krizës se mungesat botërore mbi gazin kishin filluar të ndikonin tregjet amerikane. Për banesat amerikane që ngrohen me gas —thuajse gjysma e tyre— tarifa mund të rritet me 30 për qind dhe familjet që përdorin propan dhe naftë për ngrohje tarifa mund të shkojë 54 për qind dhe 43 për qind më shumë.
Holanda eliminon gazin dhe “minon” fitimet e vendeve eksportuese
Ndërsa Rusia po përpiqet të zgjerojë tregun e saj të gazit dhe fusha e gazit holandez në Groningen është një nga shkaqet e krizës energjitike në Evropë, ajo ka ushqyer kaldajat e familjeve, impiantet elektrike dhe industritë e rënda që nga viti 1960. Por nxjerrja e gazit shkaktoi shembje të tokës poshtë provincës. Si rezultat tërmetet janë rritur në fuqi dhe shpeshtësi përgjatë veriut të vendit dekadat e fundit, duke dëmtuar shumë banesa. Për të njëjtën arsye Holanda po zhvendoset drejt burimeve energjitike me zero çlirime në kohën kur është mes vendeve të fundit në përdorimin e energjive të ripërtëritshme. Ligji i miratuar në vitin 2018 lejon bashkitë (rreth 355) të zgjedhin vetë se cilin burim energjie do të përdorin: të gjithave u kërkohet të paraqesin planet e tyre deri në fund të vitit. Hidrogjeni dhe burime të tjerë janë duke u shqyrtuar si mundësi zëvendësimi i gazit.
Përfundime
Kontratat afatgjatë për burimet energjitike janë të domosdoshme sepse mundësojnë vendin prodhues të prodhojë aq sa t`i përmbahet kontratës dhe siguron vendin blerës të energjisë. Në rastin e vendit tonë, ne mund të krijojmë kontrata afatgjatë për naftën por jo për hidrocentralet meqë energjia e tyre nuk mund të magazinohet. Por sektori i naftës duhet të vendoset në “binarë” të drejtë dhe jo të lihet në dinamikën e korporatave të huaja , tregut botëror dhe matrapazëve vendorë si “Kastrati” sot dhe të tjerë nesër. Por që të vendoset në “binarë” të drejtë sektori energjitik, na duhet një qeveri që të gëzojë në nivel të lartë virtytin intelektual dhe etikë: pa këta dy virtyte asnjë qeveri nuk mund ta vendosë në “binarë” sektorin—sidomos në kushte kur qeveria aktuale është e varur kryekëput nga neoliberalët e huaj dhe veçanërisht nga ambasada amerikane e cila kërkon të investojë në sektorin e hidrocentraleve bashkë me një korporatë amerikane.
Kujtoj se janë të njëjtat korporata që kanë shkatërruar ekosistemin amerikan dhe kanë shkapërdershur kursimet e popullit atje me digat: sepse siç kam treguar në vend tjetër, hidrocentralet me diga mbi 15 m janë joekonomikë dhe kostot reale për ndërtimin e tyre janë dyfish krahasuar me koston që paraqitet nga “ekspertët” pranë qeverive përpara se të ndërtohen! Qëllimi i “ekspertëve” është të përfshijnë qeverinë në ndërtimin e tyre dhe ta fusin në një rrugë pa kthim me qëllim që të vjelin nga kursimet e popullit në afatgjatë! Kujtoj, gjithashtu, se në SHBA po prishen digat e mëdha, si për arsyen e të qenit joekonomikë ashtu edhe për arsyen sepse shkatërrojnë ekosistemin dhe meqënse u ngushtuan fitimet andej vijnë këtej që të majmen duke ndenjur! Lidhur me krijimin e Bursës për të zhvilluar sektorin e energjisë elektrike, të cilën e mbështesin dhe amerikanët...është një përpjekje që çon në katastrofë më të madhe ekologjike dhe shoqërore, sepse bazohet mbi të njëjtët hidrocentrale dhe mbi të njëjtën dinamikë shoqërore (lëvizje e pakontrolluar e njerëzve etj.). Ajo bazohet, për më shumë, mbi të njëjtat qeveri, të cilat jo vetëm që nuk kanë dije për sektorin por mezi presin të qeverisin që të vjedhin dhe gëzojnë privilegjet që burojnë nga pushteti mes tyre dhe mospagimi i energjisë elektrike!
Kështu qeveritë mashtrohen dhe zhysin popujt në borxhe! Në rastin tonë shtohet dhe kriza klimatike, përmes së cilës hidrocentralet e mëdhenj nuk mund të prodhojnë sasinë e energjisë që prodhonin shekullin e kaluar dhe mbulonin deri diku koston e mirëmbajtjes së digave, rrjetit të shpërndarjes dhe administratës. Ndaj dhe ndërtimi i Skavicës apo ndonjë hidorcentrali tjetër, do të rezultojë në një dëm tejet të madh ekonomik për popullin nëse barrën e rreziqeve nuk e merr përsipër privati. Nëse gjykojmë nga çka tregova në këtë studim, gjysmë të vërtetat dhe mashtrimet e klasës politike dhe akademike, duke përfshirë dhe “ekspertët” e fushës, dhe çensura në median e oligarkisë (kuptoje përgjithësisht si një pushtet politiko-ekonomik që drejtohet nga pak njerëz dhe jo siç e shtrembërojnë idiotët e nomenklaturës), dhe nga fakti që rinia dhe populli në përgjithësi nuk e kërkon të vërtetën, por dhe nga gjendja e sektorit, nuk është e vështirë të parashikohet e ardhmja:
• së pari, kostua e energjisë do të rritet, jo si pasojë e “keqmenaxhimit” siç propagandojnë idiotët e opozitës, por si pasojë e një qeverie që nuk ka fituar dije për sketorin kur ishte në opozitë, as ka fituar gjatë kohës së qeverisjes; dhe si pasojë e mungesës së virtytit etikë: asaj nuk ia ndjen fare se shkatërrohet ekosistemi dhe jeta e popullit—nëse do t`ia ndjente do ta kishte treguar kaq vite. Në rastin e krizës aktuale, ajo veproi vërtet pa gjykim të drejtë të gjendjes energjitike kur shiti me çmim të ulët dhe bleu me çmim të lartë në kohën kur kishin filluar rreshjet por do të ishte e padrejtë ta shikojmë krizën energjitike të lidhur vetëm me këto veprime: sepse ajo lidhet me orientimin tonë tërësor si ekonomi dhe shoqëri.
• së dyti, gjendja ekologjike do të përkeqësohet meqë si hidrocentralet e vjetër ashtu dhe të rinjtë shkatërrojnë florën dhe faunën e lumenjëve dhe ekosistemin në përgjithësi.
• së treti, kriza klimatike do të përkeqësohet edhe nëse merren masa “radikale” në mbledhjen e radhës për ndryshimet klimatike: sepse mbetjet e CO₂ qendrojnë në atmosferë për qindra vjet — nga 300 vjet deri në 1,000 vjet (NASA). Kriza klimatike me të cilën po përballemi dekadat e fundit —kryesisht si pasojë e globalizmit neoliberal i cili dysafishoi çlirimet— është shkaktuar kryseisht nga vendet që zhvilluan teknologjinë me bazë energjitë fosile: SHBA, Britani etj. Domethënë, çlirimet e shekullit të XVIII kur në Ballkan dhe rajone të planetit ndriçoheshin me qirinj, ngroheshin me dru dhe udhëtonin me kuaj e mushka, gjenden ende në atmosferë dhe bashkë me çlirimet e tjerë të shekullit XIX, XX dhe XXI, krijojnë kushtet për një katastrofë ekologjike disa shekullore. Ja pse them se pararendësit tanë menduan vetëm për vete dhe jo për ne siç mendojnë “njerëzit” aktualë kur nuk përpiqen të ndryshojnë dinamikën shkatërrimitare të krijuar nga pararendësit por janë bërë pjesë e saj dhe të gjithë shkatërrojnë jetën e planetit tonë!
Me këto kushte, Shqipërinë e presin çmime energjie mjaft të lartë, të cilët mund t`i përballojë elita ose klasa politike, akdamike dhe mediatike. Por jo populli në përgjithësi. Ndaj e ardhmja jonë do të jetë në terr. Madje elitat, siç përmend dhe FT me vend, s`kanë rrugë tjetër për të zgjidhur krizën energjitike veç të ulin kërkesën—çka nënkupton se ose do të rritet kostua e saj përmes marrëveshjeve politike, që ta bëjnë të papërballueshme për shresat e ulëta të shoqërisë— ose do të ulin rrogat!
Por ndërsa vendet perëndimore s`ka burime energjitike dhe shkalla e krizës atje mund të ndihet më fortë, në Shqipëri ne kemi burime energjitike —jemi vendi kryesor i Evropës me burimin më të madh të naftës (Patos-Marinza) dhe me rezerva rreth 3.2 miliardë fuçi— dhe duhet të ishim më të pasurit në Evropë siç është populli i Katarit dhe vende të tjerë në raport me fqinjët e tyre! Por jemi populli më i varfër! Arsyet i tregova në këtë studim siç i kam treguar në të tjerë të ngjashëm: sepse kemi një klasë politike dh akademike jo të “paaftë” siç na përrallisin shumë idiotë që nuk kanë treguar kurrë aftësinë e tyre por pa dije dhe pa virtytin e etikës—sepse aftësia buron nga dija dhe ajo do të ishte gjysmake pa virtytin e etikës.
Qeveria aktuale u paraqit mashtruese dhe idiote edhe një herë kur e shiti rafinerinë e Ballshit për skrap, përmes një banke të nivelit të dytë pasi kjo e fundit ngriti dy grupe ekspertësh për vlerësimin e gjendjes së saj: sipas tyre, nevojiteshin 30 deri në 50 milionë euro për ta rikthyer në punë dhe ngaqë kjo shumë ishte e “lartë” e nxorën në shitje për 25 milionë euro por në fund ia shitën kompanisë “Shijaku shpk” për 9 milionë euro ndërsa ndaj mbi 800 naftëtarëve shteti do t`u paguajë një rrogë prej 300 mijë lekësh të vjetra në muaj për një periudhë tre vjeçare pavarësisht se kishte vetëm 15 për qind të aksioneve të ARMO-s. Kjo e fundit u detyrohet 13 paga mujore naftëtarëve dhe tashmë përdor vetëm rafinerinë e Fierit.
Për t’u bindur se politikanët profesionistë dominohen nga oligarkët e një vendi mjafton të përmendim zbulimin e gazetës Dita, —përgjimet— ku Zamir Mane, një ndër oligarkët ekonomik kryesor të vendit që bashkëpunon ngushtë me oligarkinë politike, ka folur (dhe hamendësisht vazhdon të flasë) më shumë se kushdo tjetër, me Ramën dhe Metën! Ndërsa në nivel kombëtar oligarkia ekonomike parapërcakton deri diku veprimet e oligarkisë politike, oligarkia botërore ekonomike parapërcakton veprimet e elitës mbikombëtare ose oligarkisë politike që vepron në nivel mbikombëtar. Ndërhyrja e Sorosit në veprimet e sekretares së shtetit amerikan, Hilari Klinton, se cilin duhet të emëronte për të ndërmjetësuar në tensionin e krijuar mes dy partive kryesore në pushtet —PD-së dhe PS-së— pas 21 janarit, vërteton pikërisht mungesën e pavarësisë politike të elitave kombëtare politike. Jo vetëm sepse ato financohen nga oligarkia ekonomike përgjatë fazë parazgjedhore, dhe rrjedhimisht, krijojnë që në fillim ndërvarësi politike por edhe sepse elitat politike nuk dinë të drejtojnë shtetin modern: sepse s’kanë as teorinë as përvojën.
Gjykuar nga burimet alternative energjitike, dhe nga rezervat tona energjitike dhe teknologjia ekzistuese, të cilat nuk janë më shumë se dyfishi i sasisë së nxjerrë 10 vitet e fundit, dhe nga katastrofa ekologjike, qeveritë tona duhet të zhvillojnë politika për kursime serioze të energjisë teknologjike, me synim që të ruhet efiçenca në prodhim. Ky objektiv imponon një organizim tjetër të shoqërisë: jo të përqendruar në treg, përmes të cilit ne jemi të detyruar të rrisim gjithnjë sasinë e energjisë elektrike, sepse natyra e tregut është ekspansioniste, por, kryesisht te burimet tona, te shfrytëzimi racional i tyre, te zhvillimi i sektorëve të bujqësisë dhe blektorisë dhe nënsektorëve përkatës, me bazë shkencën dhe solidaritetin dhe jo konkurrencën dhe përfitimin.
Ky objektiv realizohet dhe është shumë më i mundshëm për ne se sa për vende të tjerë: sepse ne kemi edhe rezerva nafte edhe pedagogë me dijen e nevojshme të sektorit (empirike dhe teorike) por jemi edhe vend i paindustrializuar. Një rrugë mjaft ekologjike dhe ekonomike është zëvendësimi i makinave private (ose kufizimi i tyre) me trena dhe tramvajë elektrikë në çdo kënd të Shqipërisë — si brenda qyteteve, ashtu edhe midis. Nxitja e përdorimit të biçikletave; ndërtimi i rrugëve për këmbësorë; qyteteve ekologjikë; zëvendësimi i llambave inkadeshente me llamba kompakte fluroshente...janë disa masa që duhet të ndërmerren menjëherë.
Mbulimi i nevojave për Universitetin e sektorit, me qëllim që të krijojmë paralel një sektor për teknikë dhe zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, bëhet e domosdoshme. Zhvillimi ekologjiko-shkencor i këtyre burimeve, në bashkërendim me ato që janë propozuar në vend tjetër, për rikonceptimin e hidrocentraleve —nga anti-ekologjikë në kryekëput ekologjikë— ngritjen e impianteve për biogaz duke shfrytëzuar njëherësh mbetjet e prodhimeve bujqësore, blektorale dhe ujërat e zeza, dhe më kryesorja, institucionalizimin e parimit të vetëmjaftueshmërisë si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel familjar dhe ndërmarrjeve —një orientim që do të çonte në kursim energjie dhe organizim të shoqërisë me bazë vetëmjaftueshmërinë, duke zhvilluar energjinë e diellit për çdo familje dhe ndërmarrje prodhuese dhe tregëtare, kompletojnë nevojat e vendit dhe sigurojnë jetëgjatësi, si për njeriun dhe Natyrën, ashtu edhe për paqen sociale.
Këshillohet të lexohet në variantin PDF ku është editur dhe përditësuar
Për më shumë,
Revolutionising energy resources: from fossil fuels to black and fusion energy
*Pjesë nga një studim më i gjerë referencat e të cilit gjenden vetëm në origjinal ndërsa është ndërhyrë në tekst që nga dita e parë e publikimit dhe është zgjeruar në për disa vende.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 505 reads