...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çfarë fshihet pas ‘zborit’ në Serbi me nacionalistin Vullin – ministrin e mbrojtjes?

Në Serbi prej fillimit të vitit 2011 është hequr detyrimi ushtarak; kështuqë në ushtri shërbejnë ushtarë me pagesë (me kontratë), ose vullnetarë. Thuhet se prej atëherë deri më tash, mëse 200.000 meshkuj të aftë për ushtri në asnjë formë nuk janë të përgatitur për mbrojtjën e vendit, pandaj Ministria e Mbrojtjes, të cilën aktualisht e udhëheqë një “jashtëqitje” e të gjitha partive serbe, Aleksandar Vullin, i cili ka ndërmarrë një aksion të gjërë për mobilizimin e tyre dhe dërgimin në stërvitje ushtarake 15-ditore.

Adil Fetahu

06/03/2019 - 14:08

Mobilizim apo stërvitje të rendomta ushtarake?

Në Serbi prej fillimit të vitit 2011 është hequr detyrimi ushtarak; kështuqë në ushtri shërbejnë ushtarë me pagesë (me kontratë), ose vullnetarë. Thuhet se prej atëherë deri më tash, mëse 200.000 meshkuj të aftë për ushtri në asnjë formë nuk janë të përgatitur për mbrojtjën e vendit, pandaj Ministria e Mbrojtjes, të cilën aktualisht e udhëheqë një “jashtëqitje” e të gjitha partive serbe, Aleksandar Vullin, i cili ka ndërmarrë një aksion të gjërë për mobilizimin e tyre dhe dërgimin në stërvitje ushtarake 15-ditore. Në këto stërvitje do të thirren meshkujt që kanë kaluar moshën 30-vjeçare, të cilët nuk kanë qenë në kurrëfarë forme të shërbimit ushtarak. Ata çdo vit duhet të shkojnë nga 15 ditë në këto stërvitje për t’u aftësuar dhe për specializime të ndryshme të mbrojtjes (luftës). Këto ditë në adresa të shtëpive po u shkojnë “plikot e kaltra” me thirrje për t’u lajmëruar në organet e mobilizimit për një kontigjent prej 600 vetë.

Thonë se ata që janë në punë, nuk humbasin asgjë, pasi Ministria e Mbrojtjes ua kompenson të ardhurat personale. Mirëpo, duke marrë parasysh fushatën e militarizimit të ushtrisë serbe— blerjes së avionëve luftarakë (Mig-29; tankeve; helikopterëve; raketave dhe mjeteve tjera luftarake nga Rusia) dhe retorikën luftënxitëse të Ministrit të Mbrojtjes, po edhe të vet kryetarit të shtetit, e të mos flasim për Kishën Ortodokse Serbe— populli është i shqetësuar nga frika e ndonjë avanture lufte, prandaj të ftuarit për ushtri, po iu shmangen thirrjeve sa munden; thonë se disa kanë ikur në Zvicër e gjetkë në Europë. Dënimi i parë për mospërgjigje të thirrjës është 50 mijë dinarë dhe natyrisht nuk iu mungojnë edhe sanksione të tjera.

Ministri Vullin vet është lajmëruar, vullnetarisht, të shkojë ushtar!

Ndoshta pakkush e di se vetë ministi i mbrojtjes së Serbisë nuk e ka kryer shërbimin ushtarak kur ka qenë i detyrueshëm. Në Serbi është një parullë e moçme e patriotizmit folklorik: “Rado Srbin ide u vojsku” (Serbi me gëzim shkon ushtar). Por Vullini, sado patriot që hiqet, më me gëzim i ka bërë bisht shkuarjes në ushtri, me arsyetim se është i paaftë për shërbim ushtarak. Si njeri që prej moshës 18-vjeçare është zhytur në politikë dhe është ngrohur afër secilit regjim këtë “paaftësi” e ka arritur si funksionar i Partisë “Jugoslovenska udruzena levica”-JUL (e Majta e Bashkuar Jugosllave), së bashkëshortes së S.Millosheviit, Mira Markoviç. Thotë se “i ka mbetur merak”, por se kontrolli mjekësor e ka shpallur të paaftë për shkak të dioptrisë mbi 7 ndërsa kurrë nuk bartë as nuk është parë me syze të dioptrisë! Por nëse është i paaftë për ushtarë të rëndomtë, për cilëndo gjini ushtarake, ajo paaftësi nuk e ka penguar të bëhet ministër i të njëjtës ushtri, në të cilin post është emëruar në prill të vitit 2016! Për të dhënë shembullin personal në fushatën e mobilizimit aktual “për stërvitje ushtarake”, Vullini thotë se vet është lajmëruar të shkojë 15 ditë në këto stërvitje, nëse kontrolli mjekësor e lejon! “Nëse unë si ministër mund t’i “ndaj” 15 ditë në vit për mbrojtje të atdheut, përse të tjerët nuk mund ta bëjnë këtë”, pyet Vullini.

Vullini është më i paaftë moralisht, se fizikisht!

Edhe pse “i paaftë” për shërbim në ushtri, Vullini ka dëshmuar shkathtësi dhe aftësi kaskaderi të ushtrimit të funksioneve në parti të ndryshme dhe në funksione të ndryshme të pushtetit në Serbi.  E ka filluar karrierën si anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës për të vazhduar si nënkryetar i Mira Markoviçit (JUL), mandej formoi një parti të vetën të cilën e lidhi me SPS-in e Ivica Daçiçit, pastaj u nda prej tij dhe më 2006 themeloi  partinë “Pokret za socijalizam, nacionalizam…” (Lëvizja për Socializëm e Nacionalizëm), gjithnjë kundër hyrjes në Bashkimin Evropian! Në Partinë Përparimtare Serbe të Nikolliçit e Vuçiçit hyri më 2010 dhe në vitin 2012 u zgjodh deputet nga lista e Vuçiçit, u bë ministër pa portofol në Qeverinë e Daçiçit, pastaj shef i Zyrës për Kosovë (“e Metohi”); dhe më 2014 ministër për Punë, Çështje të Luftëtarëve dhe Sociale, ndërsa prej muajit prill 2016, ministër i Mbrojtjes.

Vullini është “rrufepritës” për të gjitha lëvizjet që bënë kryetari Vuçiç. Kur duhet të kritikojë ndokënd në raporte ndërkombëtare, Vullini thotë ato që i dikton Vuçiçi, ndërsa kur ndokush nga ambasadorët a faktorët tjerë ndërkombëtarë reagojnë, Vuçiçi e bënë Vullinin të parëndësishëm,“për pesë pare”!

Tezja misterioze e Vullinit

Në viti 2012, ndërsa ishte shef i Zyrës Qeveritare të Serbisë për “Kosovë e  Metohi”, Vullini në bashkëpunim me bandat kriminale serbe në Veri të Mitrovicës, ka patur mundësi të abuzojë me mjete të Qeverisë dedikuar strukturave paralele dhe në bashkëveprim me kontrabandën që zhvillohej atje, ka mund të pasurohet materialisht, pa kurrëfarë kontrolli. Në atë kohë, kishte blerë banesë luksoze në Beograd për një çmim prej 250.000 euro. Kur agjencia kundër korrupsionit i kishte kërkuar raport për prejardhjen e asaj shume, Vullini kishte thënë se 205.000 euro ia kishte dhënë (hua) “tezja nga Kanadaja”, por nuk mundi ta dëshmojë me asnjë provë këtë pretendim. Agjensia ia paraqiti padinë Prokurorisë speciale për krime të rënda, në Beograd, por pas dy vjetëve që u mbajt dosja, Prokuroria “nuk gjeti prova që mbështesin akuzën për kriminalitet”. Kështu “tezja misterioze” e shpëtoi Vullinin!

Në kohën kur Tribuali i Hagës i kërkonte Serbisë ekstradimin e kriminelëve të luftës, Vullini ishte në radhët e para të bandave që i mbronin kriminelët. Me rastin e arrestimit të gjeneralit Vesellin Shlivançanin, policia e arrestoi Vullinin për shkak të sjelljes së tij agresive në mbrojtjen e kriminelit, prandaj Vullini qëndroi një muaj në paraburgim. Tash, nga posti i ministrit të mbrojtjes, në një takim me officerët e lartë të ushtrisë së tij, i himnizoi dhe lartësoi komandantët kriminelë të luftës, si gjeneralin Vlladimir Llazareviç, ish-komandant i Armatës së Tretë, i gjykuar nga Tribunali i Hagës: “Gjeneral Llazareviçi dhe gjithë të tjerët, të cilët nuk janë në mesin tonë, sepse janë diku larg (nëpër burgje ku i ka ndarë Tribunali i Hagës, v.j.), kanë arsye të jenë krenarë, si më të mirët në mesin e më të mirëve, si më trimat në mesin e më trimave”, tha Vullini! Për këtë vlerësim të kriminelëve të luftës, ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott  i bëri kritikë publikisht, por Vuçiçi e “amortizoi” duke e  trajtuar Vullinin si të pa rëndësishëm, ashtu sikurse edhe është në të vërtetë, nën hijen dhe nën këpucët e Vuçiçit, si karrierist i ndyrë dhe i pamoral...   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA