...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dardania (Kosova & Sanxhaku) kurrë s`ka qenë një shtet me Serbinë

Macolm beson se e vërteta- sa u përket fakteve legjitime- është ndryshe. Kosova (përfshirë edhe Sanxhakun I.A.), sipas tij, ligjërisht kurrë s’ka qenë e bashkuar me shtetin serb

Ismet Azizi

02/06/2021 - 19:06

Gjatë tetorit të vitit 1918, ushtria serbe, me ndihmën e aleatës të saj, ushtrisë franceze, ia  doli t’i ripushtonte trojet verilindore shqiptare, që i kishte pushtuar më 1912 dhe që iu njohën nga Konferenca e Londrës. Për të evituar qëndresën e shqiptarëve, komanda e ushtrisë serbe, më 29 shtator 1918, hidhte me aeroplan qindra proklamata  në disa qytete të trevave Kumanovë, Shkup, Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë, Novi Pazar, Plavë, dhe Guci. Me anë të atyre ftoheshin shqiptarët të luftonin kundër ushtrisë  austro-hungareze e të viheshin në mbrojtje të minoritetit serb. Tërhiqej vërejtja se nëse kërkesa  do të përfillej, atyre do t’u ofrohej “miqësia” që do të thoshte që ata do të bëheshin pjesë e pushtimit të tokave të tyre.

Shteti i ri Jugosllavi u shpall më 1 dhjetor të vitit 1918. Ai zyrtarisht  u quajt “Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve” (SKS) dhe u formua Mbretëria Serbe, Mbretëria e Malit të Zi (me pasojë Nikolla dhe dinastia e tij u përmbysën) dhe nga disa pjesë të Austro-Hungarisë, përfshirë Slloveninë dhe territoret kroate. Serbia ishte komponenti mbizotërues, jo vetëm për shkak të madhësisë së saj dhe ushtrisë së madhe, por edhe për shkak se  sundimtari i Serbisë, princi i kurorës, Aleksandër Karagjorgjeviç (i cili u bë regjent në vend t’etit, më 1914), u shpall mbret i shtetit të ri. Sa i përket Kosovës, ajo u përfshi vetvetiu në këtë proces, sepse konsiderohej një pjesë integrale e Mbretërisë së Serbisë. Të gjithë komentatorët e asaj kohe si dhe historianët e mëvonshëm, si duket e kanë pranuar këtë ide si një fakt të qartë dhe legjitim.

Macolm beson se e vërteta- sa u përket fakteve legjitime- është ndryshe. Kosova (përfshirë edhe Sanxhakun I.A.), sipas tij, ligjërisht kurrë s’ka qenë e bashkuar me shtetin serb. Malcolm shton: Mirëpo, e vërteta e çuditshme është se Kosova nuk është bashkuar ligjërisht në Serbi as në bazë të standardeve të ligjit ndërkombëtar.

Kur Kosova u okupua në vitet 1912-13, në Serbi ishte akoma në fuqi kushtetuta e vitit 1900. Neni 4 i kësaj kushtetute e bën të qartë se asnjë ndryshim në kufijtë e Serbisë nuk mund të jetë i vlefshëm pa pëlqimin e Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe jo “Asambleja e Zakonshme” ose parlamenti. Pra, fjala është për një asamble më e gjerë që duhej të mblidhej për të shqyrtuar posaçërisht çështjet kushtetuese dhe një asamble e tillë nuk u mbajt kurrë për të diskutuar ose ratifikuar zgjerimin e kufijve të Serbisë, që do të përfshinte Kosovën dhe Maqedoninë. Nga pikëpamja serbe, pretendohet se megjithëse nuk u respektua procedura korrekte e brendshme kushtetuese e Serbisë, territoret u aneksuan në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe falë fuqisë për të lidhur marrëveshjet që mbreti kishte.

Sidoqoftë, e vërteta dhe faktet tregojnë se Kosova nuk i përkiste Serbisë për asnjë kriter. Për më tepër, Kosova nuk është bashkuar ligjërisht në Serbi as sipas ligjit të brendshëm ose në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare. Sepse, sipas Zef Mirdite, (U povodu knjige Noela Malcolma "Kosovo. A Short History" ), kur një territor kalon nga një shtet në tjetrin me ndihmën e okupimit dhe at gjatë kohës së luftës, ai akt pas luftës duhet të njihet me marrëveshje midis dy palëve ndërluftuese. Kjo i referohet marrëveshjes së Londrës që u nënshkrua pas luftës midis aleatëve ballkanikë (përfshirë Serbinë) dhe shtetit osman.

Sidoqoftë, Serbia kurrë nuk e ka ratifikuar atë. E njëjta gjë është e vërtetë për Traktatin e Kostandinopojës, të lidhur në Mars 1914 midis Serbisë dhe shtetit Osman, sipas të cilit Traktati i Londrës konsiderohej i ratifikuar. As Serbia kurrë nuk e ka bërë atë. E njëjta gjë është rasti me marrëveshjen në Sevres në 1920, dhe madje edhe me atë në Ankara në 1925, e cila mbeti e pavlefshme dhe joefektive në lidhje me aktin e aneksimit të Kosovës në Serbi. Gjegjësisht, me marrëveshjen në Ankara në 1925, Turqia e konsideroi Kosovën një pjesë të Jugosllavisë, dhe jo Serbisë.

Me formimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, (sipas autorit Rexhep Shkrijel), filloi rrëmbimi dhe shkatërrimi i pronave myslimane – “të aga dhe bejlerëve, të cilët u plaçkitën dhe u dogjën, dhe një numër aga dhe bejlerësh dhe shërbëtorët e tyre u vranë”. Këto grabitje u kryen nga fshatarët serbë (kmetët) sepse ata besonin se kishin të drejtë në tokën që kishin dhënë me qira për kultivim. Siç dihet, shërbëtorët ishin qiramarrës të tokës, ndërsa pronarët e saj të vërtetë ishin agallarët dhe bejlerët.

Përveç Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë, shumë myslimanë jetuan në Mbretërinë e re. Mbretëria e sllavëve të jugut e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve u përpoq të heqë qafe popullsinë jo besnike shqiptare, e cila konsiderohej si një faktor shpërbërës, dhe në atë mënyrë të fitonte tokë të përshtatshme për kolonizim. Një seri masash direkte dhe indirekte inkurajuan myslimanët e pavendosur të migrojnë dhe për atë qëllim u përdorën institucionet shtetërore të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Jugosllavia).

Menjëherë pas themelimit të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, popullimi i Kosovës, Dukagjinit dhe Maqedonisë, me serbë, malazezë dhe sllavë, ishte detyrë me përparësi. Për shumë politikanë serbë dhe disa shkencëtarë, popullata shqiptare ka qenë gjithmonë një problem serioz që duhej zgjidhur. Në artikullin “Problemet e kolonizimit tonë të brendshëm” («Problemi naše unutrašnje kolonizacije»), i cili u botua në revistën Letopis Matice srpske (Novi Sad, 1925, libri 303, vëll.3) Anton Melik deklaron se atje “Arnautët, në disa zona, arritën një shumicë absolute, sepse, sipas statistikave tona nga viti 1920, ata përbëjnë 63.9% në rrethin e Kosovës, 60.5% në rrethin e Zveçanit, 65.9% në rrethin e Prizrenit , dhe Dukagjini deri në 80.8%…..Detyra kryesore “duhet të jetë prishja e unitetit të Arnautëve të banuar, në atë mënyrë duhet kolonizuar në radhë të parë Fusha e Kosovës dhe Dukagjinit”.

Në disertacionin e doktoratës Reforma Agrare dhe Kolonizimi në Kosovë (1919-1941) (Prishtinë, 1981), Mi. Obradoviç shkruan autori Petrit Imami, (2016, Serbët dhe shqiptarët..,) se një nga shkaqet që krijoi tension dhe shkaktoi pakënaqësi tek shqiptarët në Kosovë ishte mënyra në të cilën qeveria ushtroi zgjidhjen serbe “Borgjezia serbomadhe  dëshironte të thyente kompaktësinë e fshatrave shqiptare duke sjellë kolonë tek ata. Shqiptari krenar nuk mund të toleronte poshtërimin nga kolonët agresivë, kështu që ky ishte shkaku i vrasjeve dhe krijimit e kaçakëve  të rinj. (…) Xhandarët gjithashtu kontribuuan në marrëdhëniet e këqija midis kolonëve dhe shqiptarëve. Në krye të detyrës, ata kryen abuzime, nxitën kolonët kundër shqiptarëve, plaçkitën gjithçka që u pëlqente dhe vranë pa ndonjë arsye…

Pasi Serbia krijoi një administratë pushtuese përmes një regjimi ushtarak dhe policor, ajo kreu terror dhe gjenocid ndaj shqiptarëve, duke përdorur forma të ndryshme të dhunës. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më 1 maj 1918, në Shkodër u krijua Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Programi i këtij komiteti parashikonte zgjidhjen e dy detyrave kryesore: sigurimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit shqiptar dhe aneksimin e Kosovës dhe të gjitha rajoneve të okupuara shqiptare me Shqipërinë, në një shtet të vetëm komb, si një kusht i domosdoshëm për zhvillim politik, ekonomik dhe kulturor të popullit shqiptar. Duke shpresuar, si organizatat e tjera patriotike, që Konferenca e Paqes në Paris do të zgjidhte çështjen shqiptare, Komiteti i Kosovës i dërgoi asaj memorandume të njëpasnjëshme duke kërkuar që të respektohet pavarësia e shtetit shqiptar dhe të ndreqen padrejtësitë që i bëhen Shqipërisë në Konferencën e Londrës. Komiteti kishte në programin e tij çlirimin e Kosovës dhe rajoneve të tjera shqiptare, mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe demokratizimin e tij.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA