...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Dokumenti jozyrtar për ndryshim kufijsh në Ballkan: gjepur!

Edi Rama në euforinë para zgjedhjeve të 25 prillit, “qëlloi veten në këmbë”, kur deklaroi se di për atë hartë, e ka parë atë dokument dhe se për të ka biseduar me Janshën!

Adil Fetahu

18/04/2021 - 13:49

Ka disa ditë që në mediat serbe, kroate, boshnjake, por edhe në ato sllovene, është ngritur zhurmë e madhe lidhur me një dokument diplomatik të pavulosur “non-paper” për gjoja ndryshimin e kufijve mbi baza etnike të disa shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Për çka është fjala në të vërtetë?

Pas ngritjes së këtij problemi në nivele diplomatike midis Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë, madje edhe në raport me Bashkimin Europian, mediat ngritën tensionin dhe tronditën vendet për të cilat gjoja se “dokumenti” propozon copëtimin e BH në tri baza etnike, bashkimin e serbëve me Serbinë, të kroatëve me Kroacinë, ndërsa shtetit Boshnjak t’i hapet rrugë për një dalje në Detin Adriatik. Sipas medias propozohet të bëhen ndërrim territoresh midis Kosovës e Serbisë, duke i dhënë Serbisë veriun e Kosovës, ndërsa Kosovës Luginën e Preshevës, e pastaj Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Gjithnjë sipas “dokumentit”, trojet shqiptare të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, duhet t’i bashkohen Shqipërisë. Por nëse e lexojmë dokumentin e bashkangjitur me këtë analizë, asnjë nga këto pretendime nuk është i vërtetë. Qoftë edhe Voa nuk e hetoi mjaftueshëm zhurmën e madias!

A është ky korrigjim i padrejtësive të Kongresit të Berlinit (1878) e të Konferencës së Londrës (1913), askush nuk e beson, por megjithatë është ngritur re pluhuri rreth kësaj “mundësie”.

Deri të mërkurën e kaluar e kanë mohuar të gjithë ata të cilëve u është drejtuar pyetja, se a ekziston një letër e tillë apo jo. Si autor i letrës u fol për kryetarin e Qeverisë së Sllovenisë, Janez Jansha, ndoshta edhe bashkautor me kryetarin e Qeverisë së Hungarisë, Victor Orbanin. Por çudia më e madhe është nëse hungarezi Orban “ka gisht” në këtë plan, përse nuk përmendet edhe çështja e Vojvodinës, shumica e territorit të së cilës do t’i takonte Hungarisë, ndërsa një pjesë, deri në Zemun t’i takojë Kroacisë. Të mërkurën e kaluar përmbajtjen e letrës e botoi edhe portali slloven“Necenzurisano”, duke pohuar se kryetari i Qeverisë së Sllovenisë atë letër e ka dërguar në disa adresa të caktuara në Bashkimin Europian, ndër të cilët edhe kryetarit të Parlamentit Europian, Sharl Mishel.

Por askush nga Bashkimi Europian nuk ka pranuar se kanë marrë një dokument të tillë nga premijeri i Sllovenisë, ndërsa vet Jansha këtë “propagandë” e cilëson si të qëllimshme për të dëmtuar imazhin e tij personal dhe kredibilitetin e shtetit të Sllovenisë, në prag të marrjes së udhëheqjes 6-mujore të BE nga Sllovenia (1 korrik – 31 dhjetor 2021).

Përkundër pohimeve dhe mohimeve rreth “dokumentit joformal”, portali slloven “Necenzuriano” thotë, siç transmeton “Klik.ba”, se letra ekziston, dhe mban titullin: “Ballkani Perëndimor -  Rruga përpara” dhe se atë e ka marrë kabineti i Sharl Mishelit qysh në shkurt të këtij viti, por meqenëse dokumenti nuk është zyrtar, nuk përmban nënshkrimin e askujt?!

Sipas informacioneve të portalit ”Necenzurisano”, e që i transmeton portali boshnjak Klik.ba,  dokumenti, përmend çështjet e pazgjidhura kombëtare të Serbëve, Shqiptarëve dhe Kroatëve edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, sepse:

• Marrëveshja e Dejtonit (1995) vetëm e konfirmoi atë që ishte arritur me luftë, e cila mori më se 100.000 viktima, por ajo marrëveshje nuk ishte parimore;

• Është vështirë të mendohet perspektiva europiane e Serbisë dhe Kosovës;

• Anëtarësimi i Bosnje-Hercegovinës në BE mund të përjashtohet plotësisht;

• Hapësirën e zbrazët ndërkohë po e shfrytëzon Turqia, e cila ka rritur ndikimin e saj në BE dhe në Maqedoni;

• Përveç Turqisë dhe disa politikanëve lokalë dhe ithtarëve të tyre, të cilët kanë dobi nga kaosi dhe nga mosfunksionimi i institucioneve, askush tjetër nuk është i kënaqur me situtën në BH.

Dhe për t`i zgjidhur këto probleme propozohet:

1) Bashimi i Kosovës me Shqipërinë. Në Kosovë 95% e popullsisë dëshiron bashkimin me kombin amë. Situata e njëjtë është edhe në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (që është anëtare e NATO-s) dhe Kosovës, praktikisht as nuk ekziston. Pjesa serbe e Kosovës do të fitonte status të posaçëm, sipas shembullit të Tirolit Jugor, që është krahinë autonome në italinë Veriore, në të cilën shumicën e popullsisë e përbëjnë banorët që flasin gjermnishten. (Ky variant, vjen në shprehje poqese nuk bëhet shkëmbim territoresh midis Kosovës e Serbisë).

2) Çështja nacionale serbe mund të zgjidhet në masën më të madhe me bashkangjitjen e pjesës më të madhe të Republikës Srpska shetit të Serbisë. Në rrethana të tilla, Serbia është e gatshme të pajtohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

3) Çështja nacionale kroate mund të zgjidhet me bashkangjitjen e shumicës së kantoneve kroate të BH me shtetin e Kroacisë, ose me dhënien e statusit të posaçëm pjesës kroate në BH, sipas shembullit të Tirolit Jugor.

4) Kjo do t’u linte Boshnjakëve shetin e pavarur funksional, për të cilin ata do të merrnin përgjegjësinë e plotë vet. Në referendum do të deklaroheshin se a duan të bashkohen në BE apo të qëndrojnë jashtë BE-së (duke e ndjekur shembullin e Turqisë). Tash për tash, shumica e Boshnjakëve mbështet perspektivën europiane, por me rritjen e ndikimit të Turqisë dhe të islamit radikal, situata mund të përkeqësohet radikalisht në dekadën që vijon.

* * *

Këto, sipas “Necenzurisano” janë variantet që paraqet “dokumenti”, autorësinë as karakterin zyrtar të të cilit nuk e pranon akush, por megjithatë duket se është nëpër kanalet diplomatike dhe në duar të zyrtarëve të shteteve ballkanike dhe atyre të Bashkimit Europian.

Ministri gjerman për punët europiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth (16.04.2021), tha se “vizatimi i vijave të reja kufitare është rrugë e rrezikshme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto vende kanë të ardhme vetëm si shoqëri multietnike dhe multifetare. Pajtimi dhe bashkëpunimi në rajon janë qenësore për paqe, demokraci dhe prosperitet”.

Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Nikolla Sellakoviç, dje ishte në Moskë për t’u konsultuar me ministrinë e Rusisë Sergej Lavrov, për këtë dhe për çështje tjera, i cili i garantoi Serbisë përkrahje të plotë në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të plotë, siç thotë ai, në pajtim me Rezolutën 1244 të KS KB.

Edi Rama në euforinë para zgjedhjeve të 25 prillit, “qëlloi veten në këmbë”, kur deklaroi se di për atë hartë, e ka parë atë dokument dhe se për të ka biseduar me Janshën!

Sido që të jetë, dokumenti i përmendur ka ngritur shumë pluhur në shtetet për të cilat bënë fjalë. Madje, në këso situatash, komentues të ndryshëm ironizojnë paknaqësinë e palëve. Një ironizim i tillë është për Serbinë,  se ‘po i jepet vetem një pjesë e Republika Srpska, por përsëri po mbetet e mbyllur, pa dalje në Detin Adriatik  as në Oqeanin Indian!

Kazani i Ballkanik gjithnjë vlon e zien diçka dhe vala herë merr hov më të madh ose më të vogël, varësisht se si i fryjnë zjarrit ata që e kanë ndezur, prej Kongresit të Berlinit e deri më sot.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA