Dy fiaskot e qeverisë “Rama” për shkarkimin e Metës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Në vijim tregohen të dyja përpjekjet e qeverisë “Rama” për të shkarkuar Metën dhe papërputhshmëritë juridike. Tregohet se qeveria s`ka dije juridike dhe për pasojë parashikohet se edhe përpjekja e dytë për shkarkimin e tij do të dështojë.
Ylli Përmeti
11/06/2021 - 10:17
Përpjekja e parë për shkarkimin e Metës
Meta tha pas vendimit të mazhorancës për hetimin e tij lidhur me vendimin e tij për të zhdekretuar zgjedhjet vendore—se nëse Komisioni i Venecias argumentonte se ai kishte ‘shkelur’ Kushtetutën, do të jepte dorëheqjen! Vendimi i Komisionit të Venecias—se presidenti “tejkaloi kompetencat kushtetuese” u përputh me gjykimin paraprak të Komisionit të Hetimit: fjala ‘tejkalim’ është përdorur nga të dy komisionet. Komisioni i Venecias konkludoi nga aspektet e shqyrtuara të rastit në fjalë “se këto akte nuk mund të kenë qenë të një natyre mjaftueshmërisht serioze për të justifikuar shkarkimin e Presidentit”.
Në fjalë të tjera, presidenti sipas K. Venecias ‘tejkaloi’ Kushtetutën por veprimet e tij nuk janë mjaftueshëm serioze saqë të kërkohet shkarkimi i tij!
Ishte pikërisht ky përfundim—se presidenti “tejkaloi Kushtetutën por nuk ka shkelje për shkarkim”—që shtypi i përditshëm theksoi (Panorama p.sh.). Për pasojë, Meta kërceu si “plesht”…nga gëzimi dhe ditën e nesërme deklaroi si ai nuk kishte shkaktuar asnjë shkelje të Kushtetutës—në fjalët e tij: “Zero shkelje të Kushtetutës”…duke u përpjekur edhe një herë të përligjte vendimin e tij jo me argumentin kryesor që paraqiti në Komision dhe kishte përmendur në konferencat për shtyp gjatë fazës së fillimit të shkarkimit të tij—se ‘kërcënohësh siguria kombëtare’ nga “akte destabilizimi” nga “persona të caktuar” gjatë protestave…një pretendim që duhet të ishte zbardhur nga Komisioni i Hetimit se sa i vërtetë ishte—por me argumentin “se [ai] i ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer Kushtetutës dhe pluralizimit politik...të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventës Europaine të të drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial”!
Ky argument ishte i pari gjatë paraqitjes së tij në Komision në 9 shtator ndërsa argumenti i dytë—se kishte informacion të klasifikuar për kërcënim të sigurisë kombëtare— ishte i dyti.
Kështu, fakti që vendimin e Komisionit të Hetimit do të duhet ta vlerësonte Gjykata Kushtetuese që të vendosë për “fatin” e Metës, dhe fakti që Komisioni i Hetimit filloi procesin e shkarkimit të presidentit me përdorimin e termit ‘tejkalim’ dhe jo ‘shkelje’ dhe Komisioni i Venecias përdori të njëjtin term, duke i dhënë të drejtë Metës të mbrohet dhe mos të dorëhiqet, mbetet ose të qartësohen termat në ligjet përkatës ose të zgjerohet spektri i hetimeve përtej përcaktimeve kushtetuese—në veprimet e tij në skenë dhe prapaskenë— lidhur me përpjekjet e opozitës për të destabilizuar vendin dhe minuar reformën në drejtësi dhe rolin e tij në këtë përpjekje: sepse gjasat ishin se Gjykata Kushtetuese do të vendojë njëlloj si Komisioni i Venecias—domethënë, nuk do të miratonte shkarkimin e Metës pikërisht sepse do t`i përmbahet gjykimit të ngushtë të rastit si nga K. Venecias ashtu dhe nga Komisioni Parlamanetar!
Meta ishte aq i sigurt për fjalët ‘tejkalim’ dhe ‘shkelje’ saqë thoshte se nuk e ka ‘shkelur’ Kushtetutën dhe se ‘tejkalimi’ i kompetencave nuk e shqetësonte fare kur dihet se kuptimet e fjalëve përkatëse në sytë e drejtësisë kanë të njëjtin kuptim qoftë edhe nëse përmendim një veprim të thjeshtë njerëzor në rrugë: kur një shofer ‘tejkalon’ shpejtësinë e lejuar, ai dënohet ose me…Kur ‘shkel’ kufirin e lejuar ai e tejkalon atë dhe për të njëjtën arsye vendohet njëlloj! Fjala ‘tejkalim’ dhe ‘shkelje’ e ligjit kanë të njëjtin kuptim. Kodi i procedurës civile dhe penale dhe Kushtetuta nuk i kanë përcaktuar këta dy koncepte ndërsa përmendet vetëm termi ‘shkelje’ dhe ‘parregullsi’ ndërsa termi ‘tejkalim’ përmendet vetëm një herë në Kushtetutë (neni 17). Në këto kushte, mund të përdoren kuptimet e fjalorëve ligjor të huaj. Sipas fjalorit juridik amerikan, “shkelja (violation) është një ‘dëmtim’, ‘kundravajtje’, ‘thyerje’ e kompetencës, detyrës, ose ligjit” (The Law dictionary: what is violation?). Ndërsa fjala ‘tejkalim’ ka të njëjtin kuptim me fjalën ‘shkelje’ vetëm në kuptimin e saj të parë. Fjalori ynë, ndërkohë, fjalës ‘tejkalim’ nuk i jep ndonjë kuptim juridik.
Fjala ‘tejkalim’ nënkupton një lloj veprimi ndërsa fjala ‘shkelje’ nënkupton përfundimin e tij. Kjo është arsyeja pse përdoret fjala ‘shkelje’ në rastet kur ‘tejkalohet’ ligji...dhe jo fjala ‘tejkalim’. Dhe kjo është arsyeja pse Komisioni i Venecias përdori fjalën ‘tejkalim’ dhe jo ‘shkeljen’: sepse supozohet se hetimi do të përcaktojë shkallën e ‘tejkalimit’ të kompetencës (drejtësisë) së presidentit.
Qartësisht, fjala ‘tejkalim’ është pjesë e ‘shkeljes’ dhe pararendëse e saj. Komisioni i Venecias e shikon konceptin e ‘tejkalimit’ si ‘shkelje’ por duke e nënkuptuar atë ndërsa flet për “shkelje serioze”, sipas të cilit, Meta nuk ka kryer “shkelje serioze...”. Fakti që K. Venecias nuk e përmend fjalën ‘shkelje’ por ‘tejkalim’, lë hapësirë për gjykim sipas dëshirës nga establishmenti politik, sidomos nga Meta.
Sidoqoftë, “socialistët” u tërhoqën pas thuajse një viti nga përpjekja e parë për ta shkarkuar Metën, sepse argumentonte raporti hetimor, se ai “tejkaloi kompetencat por shkeljet nuk ishin të asaj shkalle sa të justifikonin shkarkimin e tij”.
Përpjekja e dytë për shkarkimin e Metës
Pas kësaj përpjekje, qeveria “Rama” nisi përpjekjen e dytë për shkarkimin e Metës: këtë herë për shkelje të rëndë të Kushtetutës gjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Procedurat e parlamentit filluan gjatë zgjedhjeve dhe u zhvilluan me shpejtësi. Komisioni hetimor e mbylli aktivitetin e tij për tre javë dhe mori në shqyrtim të gjithë qendrimet publike të Metës për të vërtetuar përfshirjen e tij në fushatë. Sipas raportit të miratuar prej tij, pas zgjedhjeve, kreu i shtetit rezulton të ketë kryer së paku 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president te cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës së vetë institucionit të presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të presidentit.
Si çdo rast tjetër, debati publik me “ekspertët” e zakonshëm të telelvizioneve nuk mungoi. Një ndër tezat kryesore që qarkulloi pas votimit të shkarkimit të presidentit, nga kampi opozitar, madje dhe nga vetë zëdhënsi i tij, meqë vetë Meta e përqeshi procesin duke organizuar paralelisht një dekorim tjetër, këtë herë asamblin folklorik të Dibrës, “Hazis Ndreu”, ishte fakti se ai u “shkarkua” nga një parlament “antikushtetues”.
Këtë argument e forcoi dhe kushtetutori (‘konstitucionalisti’ siç përdoret gjerësisht nga studiuesit e disiplinës duke ndjekur termin Latin, “constituĕre”, që mund të shqipërohet si “bashkëvendosje”...të ligjeve, dhe që nënkupton një njeri me dije në kushtetuta politike!) Sokol Hazizaj, sipas të cilit, votimi ishte antikushtetues. Në fjalët e tij: “Debati ndodh para institucioneve të ceduara [lëshuara]: para një Kuvendi që duhet të ishte shpërndarë një muaj para zgjedhjeve, ngritja e një komisioni të tillë hetimor është ndaluar me ligj, ndërsa Gjykata Kushtetuese është ende e paplotësuar me anëtarë” (Voa). Dhe vërtet, neni 65 pika 2 e Kushtetutës citon se “zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë para mbarimit të mandadit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij”. Hazizaj nuk harroi të citonte se shkarkimi i tij [Metës] prish balancat mes pushteteve.
Një kushtetutore tjetër, Aurela Anastasi, përmendi faktin që kam përmendur në vend tjetër: se Gjykata Kushtetuese do të përballet me sfidën e dallimit mes “shkeljes” dhe “shkeljes së rëndë” të Kushtetutës, duke këshilluar shfrytëzimin e rasteve të shteteve të tjerë dhe Opinionin e parë të Komisionit të Vencias, sipas të cilit Meta tejkaloi kompetencat por se aktet e tij nuk mund të ishin mjaftueshmërisht serioze për të përligjur shkarkimin e tij.
Hazizi sqaroi në një telelvizion kuptimin e tij lidhur me veprimet e qeverisë për të hetuar Metën, pasi ngatërroi nenin...se “misioni i Kuvëndit që funksionon sot, ka mbaruar para datës 25 prill...sepse katër muajt e fundit e veshin Kuvëndin dhe mazhorancën me paragjykimin politik të krijimit të një supremacie referuar vendimit të Komisionit Hetimor, prandaj është bërë ligji për komisionet hetimore”.
Si Hazizaj ashtu dhe Anastasi, nuk paragjykuan vendimin e Gjykatës. Ky është një qendrim që mbajnë të gjithë njerëzit e përfshirë në gjykata. Qëllimi është të ruhet autoriteti i gjykatës dhe mos të zhvendoset ai tek “paragjykuesit”. Kështuqë e ardhmja e Metës nuk u “paragjykua” nga ‘ekspertët’. Por u “paragjykua” nga “ekspertë” të tjerë të madias: ata që unë quaj parazitë telelvizonesh që na kushtojnë shumë meqë detyrohemi t`i ndjekim.
Aktualisht gjykata përkatëse ka vetëm 7 anëtarë nga 9 që duhet të kishte. Sipas ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, Neni 71/a, “Kriteret për të ushtruar ankim kushtetues individual”, pika c, citon se “pasojat negative të pretenduara janë të drejtëpërdrejta dhe reale për kërkuesin. Domethënë, qeveria “Rama” duhet të vërtetojë në Gjykatë, këtë herë pa praninë e Metës apo ndonjë përfaqësuesi të tij, se veprimet e tij kishin “pasoja negative dhe të drejtëpërdrejta dhe reale”.
Gjykuar nga ky kriter, nga natyra e nëntë akuzave që i ngriti qeveria “Rama” dhe nga faktet në jetën politike dhe sociale të vendit tonë, pas veprimeve të Metës, që kishin pasoja kryesisht të karakterit gjeopolitik se sa politik, por pa dëme konkrete, dhe nga fakti që Gjykata Kushtetuese nuk pajiset me një përcaktim të qartë lidhur me akuzën —“shkeljen e rëndë”, dhe në fund, nga fakti se opozita në SHBA ngriti dy akuza ndaj presidentit “Tramp” dhe ky i fundit u shfajësua të dyja herët, por dhe nga fakti se Trampi u shfajësua dhe nga departamenti i drejtësisë amerikane për akuzën që i ngriti një grua për përdhunim, se ai nuk mund të mbahet personalisht përgjegjës për komentet e “vrazhda dhe fyese” ndaj asaj...(shembuj juridikë që me siguri do t`i shfrytëzojë Meta) Gjykata Kushtetuese nuk do ta miratojë kërkesën e qeverisë “Rama”. Për pasojë, ajo humbet edhe një herë në përpjekjen e saj për të shkarkuar Metën. Ky rezultat do ta bëjë Metën më të fortë dhe më të besueshëm ndërsa qeverinë “Rama” më të dobët dhe më pak e besueshme.
Një faktor tjetër që luan rol në vendimin e Gjykatës përkatëse, të cilin nuk e përmendin “ekspertët” e establishmentit, është fakti se shumica e tyre (katër prej tyre) janë emëruar jo duke u mbështetur kryesisht në meritë por kryesisht në lidhje pushtetore me partitë politike (emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, janë bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese, sipas K. të Venecias!). Ky fakt i bënë ata të korruptueshëm: sepse në vetvete përdorimi i lidhjeve pushtetore se sa i meritës tregon karakter të korruptueshëm. Këtë fakt mund ta shfrytëzojë si Meta ashtu dhe Rama. Domethënë, ata do të tentojnë t`i korruptojnë ata për të realizuar qëllimin e tyre: njëri ka qëllim shkarkimin; tjetri triumfin. Por mes fakteve që përmenda dhe korruptimit, ata do ta kenë vështirë për të mos thënë të pamundur, për të pranuar diktatin e Ramës. Ndaj dhe unë parashikoj se Meta do të dalë “faqebardhë” edhe këtë herë dhe Rama “faqezi”.
Gjykuar nga kjo dinamikë dhe këto premisa, mund të parashikohet dhe ardhmja afatshkurtër e Metës dhe Ramës.
Përfundime
Nga këto dy përpjekje mund të nxjerrim disa mësime si lidhur me Metën dhe Ramën ashtu dhe me “ekspertët” që broçkëllisin nëpër televizone dhe Kushtetutën. Meta, vepron pa dije juridike. Këtë fakt ai e vërtetoi si në përpjekjen e parë kur nuk dallonte ‘tejkalimin’ nga ‘shkeljet’ ashtu dhe në përpjekjen e dytë kur nuk dallonte ‘shkeljet’ nga ‘shkeljet e rënda’. Njësoj mund të thuhet për qeverinë “Rama” dhe “ekspertët” e tij. Por në këtë rast, përgjegjësia është më madhe: sepse është qeveri dhe supozohet se pajiset me njerëz të aftë juridikisht. Nëse gjykojmë nga këto dy raste dhe më kryesorja, nga rasti i gjykatave të arbitrazhit, me më flagrantin, humbjen kundrejt Begetit, bëhet e qartë se Rama ka krijuar një qeveri jo me “ekspertë” siç na e paraqet por me idiotë—në kuptimin e plotë të fjalës.
Në rafshin juridik, shfajësimi i Metës nga Gjykata Kushtetuese, do të krijonte pa dyshim një shembull (precedent) juridik: se presidenti shkarkohet vetëm kur shkel kushtetutën me akte juridike dhe jo kur mban qendrime politike. Ky shembull do të shtronte udhën për një president jokonformist me politikat e qeverisë. Ky rezultat është i dëshirueshëm kur qeveria imponon ligje të padrejtë ose kur ajo është e padrejtë. Por në rastin e Metës, i cili vjen nga një parti politike, nuk është dhe aq i dëshirueshëm meqë ai do ta shfrytëzojë në dobi të partisë së tij. Ndaj dhe presidenti, në një republikë parlamentare, ku pushtetin e kanë partitë dhe ato pëgjithësisht krijohen nga njerëz të padrejtë, duhet të zgjidhet nga populli.
Lidhur me votimin për shkarkimin e Metës nga Kuvendi kuptojmë edhe një herë se çfarë niveli juridik kanë deputetët: sepse nëse do të kishin aftësi juridike nuk do të votonin një “shkarkim” që është i destinuar të mos miratohet nga Gjykata Kushtetuese. Në fakt, nuk do të përpiqeshin fare për ta shkarkuar nëse do të kishin dije dhe kështu nuk do të na lodhnin kot me përpjekjet e tyre idiote. Meta, në fakt, nuk meritonte të ishte president: sepse nuk ka aftësi juridike pavarësisht “triumfeve” të tij. Këta lloj “triumfesh” janë rezultat kryesisht e padijes së qeverisë “Rama” se sa e dijes së Metës.
Nuk është e vështirë, fundja, të kuptohet se nëse “bën” apo “s`bën” një njeri për të drejtuar intitucionet apo ndërmarrjet e një shoqërie: sepse nuk duhet të gjykojmë vetëm nga aftësia teorike por dhe nga aftësia praktike meqë disa janë të paaftë në teori por të aftë në praktikë. Për drejtimin e presidencës (dhe institucioneve të tjerë të shtetit) nevojitet pikë së pari virtyti i drejtësisë: aftësi hetimore dhe gjykim i drejtë i punës së nëpunësve dhe punëtorëve.
Institucionet dhe ndërmarrjet (publike) pajisen dhe me ligje me qëllim që të mos dalin nga binarët. Domethënë, individët që i drejtojnë ato duhet të zbatojnë ligjin dhe jo të “bëjnë ligjin”. Qeveritë e kohëve tona mbështeten kryesisht tek ligjet se sa tek virtytet: sepse nuk dinë t`i zhvillojnë ata pavarësisht se i përmendin në publik. Me qeveri që shkelin të parat ligjet që hartojnë dhe miratojnë vetë dhe me institucione dhe ndërmarrje ku nuk mishërohen virtytet, nuk do të ishte e çuditshme të dëshmojmë korrupsion dhe krime politike që kanë korruptuar dhe kriminalizuar thuajse gjithë shoqërinë.
Meta virtytin e drejtësisë nuk e kishte në nivelin e domosdoshëm as kur hyri në politikën e partive as e ka tani që po kërcënohet me shkarkim. Për të njëjtën arsye nuk do ta votoja kurrë për drejtimin e institucionit përkatës pavarësisht se pushteti i presidentit është tejet i kufizuar. Por në kushtet kur kryeministrinë e drejton një kryeministër tejet i rrezikshëm për shoqërinë, dhe duke ditur se Meta nuk mund të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk i shpëton dot hetimit dhe dënimit, dhe përpara tij qendron Berisha, meqë është shpallur nga amerikanët si i padëshirueshëm, dhe për të s`kanë filluar ende hetimet, dhe Metës në presidencë i kanë mbetur dhe 2 vjet, unë nuk do të votoja shkarkimin e Metës.
Veprimet e Metës lidhur me ligjet që i ka çuar qeveria “Rama” për dekretim kanë qenë të drejta përgjithësisht pavarësisht se ato kanë “doza” hakmarrjeje. Për të njëjtën arsye, ai do të vazhdojë të ushtrojë një lloj kundërpushteti kundrejt Ramës siç ushtroi gjatë tre viteve të parë dhe siç synon kushtetuta. Shkarkimi i tij do të krijonte kushtet për emërimin e një presidenti tjetër: këtë herë të përzgjedhur kryesisht nga Rama. Ky fakt do ta bënte Ramën të papërmbajtshëm në krime politike. Domethënë, ai do të ndryshonte nga një kryeministër “tejet i rrezikshëm” për shoqërinë në “kryekëput të rrezikshëm”.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 169 reads



