...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Efektet katastrofike të politikave neoliberale në Uni. Publik: nga Amerika dhe Britania në Shqipëri

Me dobi do të ishte të shqyrtojmë në vijim padrejtësitë e qeverive tona lidhur me arsimin e lartë: gjykimi i drejtë i dëmit që është shkaktuar në arsim dhe veçanërisht në arsimin e lartë nga PD-ja dhe PS-ja dhe të tjerë, është i vyer meqë ‘opozita’ kërkoi të përfitonte nga gjendja e krijuar nga studentët, qeveria ngulmon se ‘reforma’ është e mirë por nuk është zbatuar dhe “kërpudhat” në masmedia u shfaqën edhe një herë

Ylli Përmeti

23/12/2018 - 13:18

Me dobi do të ishte të shqyrtojmë në vijim padrejtësitë e qeverive tona lidhur me arsimin e lartë: gjykimi i drejtë i dëmit që është shkaktuar në arsim dhe veçanërisht në arsimin e lartë nga PD-ja dhe PS-ja dhe të tjerë, është i vyer meqë ‘opozita’ kërkoi të përfitonte nga gjendja e krijuar nga studentët, qeveria ngulmon se ‘reforma’ është e mirë por nuk është zbatuar dhe “kërpudhat” në masmedia u shfaqën edhe një herë. Për të njëjtën arsye mirë është të përmenden padrejtësitë kryesore, sepse nga këto krijohen gjithë të tjerat që përmenden në masmedia (korrupsioni etj.). Kështu, së pari, qeveritë kanë vepruar njëlloj sa u përket rektorëve—ata janë emëruar nga partitë në pushtet, tërthorazi dhe drejtëpërdrejtë[1] (në vazhdim sqaroj më shumë këtë problematikë); së dyti, kanë krijuar universitete për klasën e mesme të lartë, private, dhe lanë, qëllimshëm, universitetin publik të rrënohësh, ku studion kryesisht klasa e varfër dhe e mesme; dhe së fundmi, kanë shkatërruar mendimin shkencor në universitet dhe rrjedhimisht në shoqëri. Kjo e fundit buron nga padrejtësia e parë—emërimi i rektorëve—sepse janë rektorët që drejtojnë universitetet dhe kontrollojnë pedagogët — se cilët hyjnë dhe japin mësim. Këtyre padrejtësive qeveria “Rama” u shtoi një tjetër: liberalizoi universitetin publik — efektet e të cilit janë katastrofike dhe për vendet perëndimore. Kështu, për shembull, Amerika dhe Britania, si pasojë e politikave neoliberale (të cilat janë një tërësi politikash që i kam treguar në vend tjetër,[2] ndryshe nga politikat e periudhës social-demokrate), gjendet në realitetin që përshkruan FT në një analizë:       

...besëplotë, me vetësiguri dhe plot afsh të ushtrojnë pushtet të butë, vendet e Golfit kanë derdhur qindra miliona dollarë në institucionet kryesorë akademike në Britani dhe Amerikë për vite me radhë. Mes tyre gjashtë shtetet e Golfit ­­— Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuar, Katari, Kuvajti, Bahreni dhe Omani— kanë dhënë 2.2 miliard dollarë në universitetet amerikane që në fillim të vitit 2012 deri në korrik të këtij viti [2018]…totali i Golfit paraqet vetëm një të katërtën e gjithë dhuratave të huaja dhe kontratave përgjatë asaj periudhe. Katari, shteti më i pasur i botës në terma frymësh, udhëhoqi me 1.3 bilion dollarë, duke u ndjekur nga Arabia Saudite me 580.5 milion dollarë dhe Emiratet me 213 milionë dollarë. Këto shifra përfshijnë fondet nga ndërmarrje shtetërore të naftës, si Saudi Aramco dhe Katar Petrolum, universitete të Golfit dhe misione. Shumë nga paratë shkojnë për tarifa studentore — Riadi financoi rreth 110,000 bursa në Amerikë për Sauditët mes vitit 2005 dhe vitit 2015. Atje ka më pak transparencë për financimet e huaja në institucionet e Britanisë. Por entitetet e Golfit kanë dhuruar dhjetra miliona paund në institucionet udhëheqëse vendore, kryesisht në qendrat e tyre të Lindjes së Mesme. Studime akademike…vlerësojnë se entitetet e Golfit kanë dhënë të paktën 70 milion stërlina në insticionet Britanike mes vitit 1997 dhe vitit 2007…universiteti i Oksfordit tha se ka marrë 17.7 milionë nga shtetet e Golfit që nga viti 2000, duke përjashtuar donacionet e dhënë në kolegjet individuale, me më shumë se 6 milionë stërlina çdo njëri nga Arabia Saudite dhe Katari. Rreth një për qind e donacioneve tërësore erdhën nga Lindja e Mesme. Por kjo përqindje gjithashtu përjashton financimet e Qendrës së Oksfordit për studime islamike, i cili përshkruhet si një universitet “qendror i njohur i pavarur” i ndërtuar nga një donacion prej 20 milion stërlina nga mbreti Fahd, monarku i vonë saudit. Universiteti Cambridge mori 8 milion stërlina nga bilioneri saudit princi Alwaleed bin Talal në vitin 2008 për të themeluar një qendër për studime islamike, dhe dhurata që shkojnë në rreth 7 milion stërlina nga Sultan Qaboos bin Said al-Said, sunduesi i Omanit, për thememlimin e dy profesorateve…[3]

Përtej kësaj shitjeje të arsimit disa akademikë ngrenë pyetje se deri ku kanë shkuar financimet e Golfit dhe sa mund të ndikojnë kërkimin në Lindjen e Mesme, një rajon ku disa çështje janë tabu dhe kritikët dhe kundërshtarët burgosen… Pas 11 shtatorit të vitit 2001, sulmeve në Amerikë, Rihadi rriti bursat e huaja me qëllim rritjen e edukimit të të rinjve sauditë duke i ekspozuar në kultura të ndryshme. Ky synim u konsiderua një pjesë e rëndësishme e përpjekjes së mbretërisë për të rehabilituar reputacionin e saj përmes ndërveprimit studentor me shoqëritë perëndimore ndërsa donatorët kanë krijuar një sferë influence në universitetet perëndimore, më shumë të tërthortë se sa të drejtëpërdrejtë. Atje ka patur pak kërkim se nëse financa e huaj influencon universitetet britanike…klima financuese ka ndryshuar kaq shumë përgjatë 10-15 viteve të fundit saqë ata janë thuajse të detyruar të kërkojnë pará në vend tjetër. Dhe Golfi ka vendosur përparësi pushtetin e butë — edukimin dhe sportin…në vitet e fundit, shumë institucione [perëndimore] kanë themeluar gjithashtu kampuse satelite në Emirate dhe Katar. Universitetet amerikane, Texas A & M dhe Northwestern, paralel me uni.“ UCL” të Britanisë, janë mes atyre që kanë prani në Doha. Universiteti i New York-ut dhe Sorbonne kanë kampuse në Abu Dhabi. Por jo të gjithë akademikët janë të lumtur me gjendjen e krijuar. Pas burgosjes së Hedges (një student britanik) personeli në universitetin Birmingham mbështeti një mocion urgjent bashkimi për të braktisur një kampus të ri që u hapë në Dubai këtë vit. Ky vendim u mor pas shqetësimeve për sigurinë e personelit dhe dështimit të universitetit të garantojë liri akademike në kampus. Raportet rrezikojnë të implikohen më tej nga një përçarje rajonale më e ashpër që nxit Arabinë Saudite dhe Emiratet kundër Katarit, me të gjitha palët të nënshtruara të përdorin pushtetin e tyre të butë për të përkrahur kumtin e tyre. Rreziku për akademikët është, përfundon analiza, studimet dhe lidhjet e tyre politizohen.[4]

Për shkak të liberalizimit të universiteteve publike (vendosjes së tyre në kthetrat e tregut) dhe përdorimit të politikave monetare të qeverive neoliberale —emetimit të bondeve 40-60 vjeçare— ata tashmë janë zhytur edhe në borxhe: në Britani, për shembull, borxhi i Uni është në shkallë të hatashme saqë e ardhmja e tyre konsiderohet e “pashembullt” ndërsa të tjerë pritet të përballen me rrënim krediti. Kriza financiare e Univesiteteve atje ka filluar që në verën e vitit 2018. Si rezultat, disa prej tyre kanë filluar të mbyllin filialet në vendet e huaj. University debt: credit crunch looms as debt spirals, The Times, January 3 2019.

Qartësisht, Uni. perëndimore, brenda dhe jashtë vendit, përballen me shumë implikime. Por ne, ndryshe nga objektivi i Uni. perëndimore—orientimin ekstorvert të tyre dhe integrimin e tyre më shumë në tregun botëror të marketingut—jemi pasivë. Domethënë, nuk mund, për shembull, të shkojmë në Greqi, Itali dhe vende të tjerë fqinjë për të përdorur pushtetin e butë…edhe nëse do të dëshironim: sepse s`kemi mundësi. Cilët kanë mundësi dhe e kanë objektiv këtë politikë, janë vendet e pasur duke përfshirë veçanërisht vendet fqinje, Greqinë dhe Turqinë. Ata tashmë janë mirë-themeluar me kolegjet e tyre (përmes kolegjeve të Gylenit, psh.) dhe kanë themeluar dhe disa Uni private. Implikimet për ne, rrjedhimisht, janë me kosto më të madhe. Ndryshimi tjetër është se vendet perëndimore kanë mundësi gjithnjë të përballen me implikimet që janë krijuar pavarësisht dëmeve kolaterale (çensurës etj.). Qeveria “Rama” rrjedhimisht mundësoi minimin e pavarësisë së Uni. Publik me liberalizimin e tij. Efekti i kësaj politike është se Uni. Publik mund të ‘kapet’ me pushtetin e butë (ekonomik) edhe nga të huajt ku mund të përmbysen të vërtetat siç janë përmbysur dekadat e fundit në nivel politik nga partitë. Efekti i mëtejshëm i këtij minimi është fashistizimi i shoqërisë sonë në dy nivelet: politikë dhe arsimor.

Përpjekja e PS-së për t`i dhënë një karakter demokratik Uni (ku rektorët zgjidhen nga trupa pedagogjike dhe studentët), me rregulloren e vitit 2016, është jo vetëm tejet e pjesshme por edhe rruga tjetër e kapjes së Uni, sepse një ndër kriteret kryesore të kandidatëve është se ata ‘jo domosdoshmërisht duhet të jenë pjesë e personelit të brendshëm’—një kriter që nënkupton se kandidat për rektor apo dekan mund të jetë dhe ndonjë “ekspert” partie apo tregu! Kështu pavarësia e Uni. publik minohet si përgjatë zgjedhjeve në Uni. ashtu dhe përgjatë kohës kur ai gjeneron ‘dije’ përmes hapjes së tij kundrejt sponsorëve të tregut. Por të gjitha këto janë pasojë e orientimit tonë për t`u integruar në globalizmin neoliberal. Shkaku përfundimtar, rrjedhimisht, është orientimi ynë. Përkundër kësaj lidhjeje shkakiste, në vendin tonë shtypi i përditshëm promovon qasje tejet të ngushta dhe krijon iluzionet përkatëse. Gazeta “Dita” është promotroja kryesore e këtyre qasjeve. Kështu, për shembull, një autor i shikon sistemin arsimor të shkëputur nga tërësia e sistemit — “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut dhe tregon edhe një herë degjenerimin e krerëve të arsimit por nuk tregon shkaqet.[5] Njëlloj vepron një autore tjetër kur tregon llojet e gënjeshtrave të politikanëve por nuk tregon shkaqet pse gënjejnë.[6] Efekti tjetër që kanë këto qasje joshkencore në publik është se ata paraqiten si “më të mirë” se “të tjerët” për të administruar institucionet përkatëse.

Përmblethtas mund thuhet se arsimin e kanë shkatërruar thuajse njëlloj të dyja partitë me të vetmin ndryshim se qeveria “Rama” bëri sikur e “drejtoi” dhe i shtoi liberalizmin Uni. publik, të cilin mund ta shtonte edhe PD-ja apo ndonjë parti tjetër përsa kohë që si vend jemi të orientuar drejt politikave neoliberale të variantit më ekstrem dhe nuk janë treguar asnjë herë shkaqet e vërtetë të krizave social-ekonomike.      



[1]Rregullorja për universitetet, si zgjidhen rektorët e dekanët, Panorma, Mars 8, 2016.

[2]Nga kaosi i shkencave moderne në plaçkitjen dhe robërimin e popujve.

[3]Universities challenged: scrutiny over Gulf money, FT, Dec 12, 2018.

[4]Po aty.

[5]Servum Pecus/ Për ata që e kthyen Universitetin në rrjepor gjigande, Dita, 19 dhjetor, 2018.

[6]A ka gënjeshtër më të madhe kulisash dhe të pastër njëkohësisht, Dita, 23 dhjetor 2018.                               

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA