Fullani, gazetat dhe “më të mirët”

Ylli Përmeti
10/03/2017 - 10:01
Që të vërtetohet se Fullani është ‘fajtor’ lidhur me vjedhjen e bankës, prokurorët duhet të vërtetojnë ose se ai ka qenë në djeni të saj (mens rea) ose se ai qenë neglizhent (në këtë rast duhet të vërtetohet mundësia e parashikueshmërisë, afërsisë së mjaftueshme midis aktorëve dhe të konsiderohet politika publike...).
Së fundmi Fullani u dëmshpërblye për shkarkimin nga detyra si governator pas vjedhjes së bankës kombëtare nga vartësit e tij. Gazetat po kërkojnë gjykatësin ndërsa veprimtarët politikë, hamendësisht më të mirë se gjykatësit dhe klasa aktuale, politike, vazhdojnë ta përdorin si rast për të përshkruar mynxyrën e klasës politike dhe gjyqësorit. Mirëpo, siç kam treguar pas ngjarjes në fjalë, Fullani është përgjegjës jo fajtor për vjedhjen në fjalë. ‘Përgjegjësia’ e tij, për me shumë, përcaktohet nga kuadri ligjor në të cilin supozohet se operon çdo governator i bankës qendrore. Hamendësisht, ajo mund të jetë e ‘kufizuar’ dhe i takon prokurorisë ta hetojë. Fakti që kjo e fundit e arrestoi dhe më vonë u pushua, dhe këto ditë u dëmshpërblye, tregon se shkalla e ‘përgjegjësisë’ nuk është hetuar nga prokuroria. Gjykuar nga një këndvështrim juridik, domethënë, nga kuadri ligjor përmes të cilit operonte governatori, përgjegjësia e tij duhet të jetë e ‘kufizuar’ për vetë faktin se asnjë governator nuk mund të monitorojë operacionin e brendshëm të bankës kombëtare. Operacioni mund të monitorohet nga vartësit e tij por jo nga governatori. Sepse governatorët supozohet se mbikqyrin aspekte të tjerë monetarë dhe s’kanë kohë të merren më këtë operacion. Për të njëjtën arsye, përgjegjësia e tij është e ‘kufizuar’. Është pikërisht ky ‘kufizim’ që e ‘dëmshpërblen’ atë. Mirëpo, gazetarët dhe veprimtarët politikë, s’e kanë kuptuar natyrën e këtij koncepti juridik. Ndaj, në vend të përpiqen të ‘edukohen’ dhe të kuptojnë natyrën e ligjit, ose natyrën e konceptit përkatës, dhe të akuzojnë prokurorinë, e cila supozohet se e njeh më mirë ligjin, kërkojnë gjykatësin dhe damkosin drejtësinë!
Ja se ç’shkruaja dy vjet e gjysmë më parë për të parandaluar dëmshpërblimin e Fullanit:
A është vërtet problemi kryesor Fullani?
Ylli Përmeti, Dita, Shtator, 17, 2014 14:17
Kur avokatët e drejtësisë, klientët e përhershem të massmedias alternative, nuk përmendin në publik principet bazë të krimit ata tregojnë dy mendësi: ose nuk i dinë ose çorientojnë qëllimshëm, publikun dhe shkollarët, meqënse japin mësim gjithandej. Dhe ‘çorientojnë’ në kuptimin që nuk i mësojnë publikut…arsyetimin silogjistik të ngjarjeve. Në rastin e “skandalit Fullani”, ata, jo vetëm që nuk i përmendin principet, për të cilët do të flasim më poshtë, por, pa ndroje, shpalosen në publik si “ekonomistë” ortodoks, si në rastin e avokat Ngjelës, i cili, ndërsa propagandon nga mëngjezi deri në darkë orientimin tonë drejt perëdimit, argumenton në një nga daljet e tij publike të fundit se banka qendrore kapitullon, sikur atje qeveri nuk ekziston! Për mos të folur këtu për “avokatët” e tjerë të tipit “opinionistë” dhe “ekspertë”, të cilët thjesht mbushin panelet e televizioneve dhe nuk dinë se nga t’a kapin (problematikën) dhe nga t’a lëshojnë. Dhe le të flasim më konkretisht:
Krimet ndahen në dy kategori të përgjithshme: në krime që burojnë nga papërgjegjësia ose pakujdesia dhe në krime që burojnë nga ndërgjegjia/vetëdija e dikujt (mens rea). Zakonisht krimet e parë konsiderohen dëmtime ndërsa të dytët, nëse dëmi është i madh, mbetet krim, dhe për më tepër, krim penal ose i dënueshëm. Rasti i Fullanit mbetet te kategoria e parë. Sepse ai nuk ka bërë një krim me ndërgjegjje (dolus eventualis ose mens rea). Kjo është arsyeja që në vend tjetër them se Fullani duhet…vetëm të shkarkohet. Shkarkimi në vetë-vete është dënim. Ky lloj dënimi mund të rritet me ndalimin e tij për t’u punësuar në institucionet shtetërore për një kohë të caktuar. Dhe kjo është arsyeja që ai nuk mund të dënohet me burg.
Thjesht për krahasim: kur Berisha urdhëroi policët (nëse vërtetohet nga policët, porcesverbalet etj., se ai urdhëroi!) të qëllonin mbi protestuesit në 21 janar, ai e bëri këtë me ndërgjegjje. Rrjedhimisht, në këtë rast kemi “mens rea” dhe Berisha mund të dënohet me burg. Njëlloj mund të dënohen edhe policët: sepse ata kanë mundësi të mos ekzekutojnë urdhëra të eprorëve. Por, sidoqoftë, policët duhet të dënohen më pak se urdhëruesi, ose shkaku fillestar.
Tani, kthehemi te vjedhja e Bankës: ajo është vjedhur nga punëtorët, jo nga Fullani. Në këtë rast ka vetëm “mens rea” për punëtorët dhe përgjegjësi të deleguar nga Fullani. Problemi për mua nuk është vjedhja apo Fullani, as edhe zëvendësimi i tij me një administrator më të aftë (aftësia është koherente kur dikush me të vërtetë njeh pasojat e ndonjë gabimi të mundshëm në punën e tij, d.m.th kur shkencërisht është i plotë) por vjedhja që ushtrojnë bankat e huaja, të cilat vjedhin përmes politikave që kanë imponuar në vend, duke i rikapitalizuar për kreditë e këqija që kanë krijuar dhe duke mos i dënuar, nga parátë publike. Sepse nuk është hera e parë që rikapitalizojmë këto banka as hera e fundit: ne do t’i rikapitalizojmë ato përsa kohë që ato do të operojnë në treg, nën rendin ekzistues. Problemi ynë, gjithashtu, është vjedhja tjetër, që ushtrohet përmes kamatës: sepse bankat, fitojnë kryesisht nga përqindjet e kredive sesa nga investimet. Të dyja këto vjedhje janë “ligjësuar” nga klasa jonë politike. Madje, përmes rendit ekzistues ushtrohet edhe një vjedhje tjetër e “ligjësuar”: përfitimet e bankave private (të huaja dhe vendore) transferohen në kohë reale jashtë vendit. Ky proces shkakton një seri dëmesh në ekonominë tonë: zhvlerësim të devizës etj.
Problemi që shtrohet këtu, rrjedhimisht, nuk është Fullani, por sistemi bankar dhe modeli zhvillimor që ka krijuar klasa politike shqiptare dy dekadat e fundit. Kështu në vend që ndrikullat të kuptojnë efektet e sintezës ekzistuese — tashmë flasin për governator të huaj (Ylli Manjani, Sherafedin Shehu etj.). Por kjo do të ketë pasoja tragjike për vendin tonë: sepse në një vend ku dominojnë bankat e huaja, ose parája e një populli zotërohet kryesisht nga të njëjtat banka dhe Banka Qendrore drejtohet nga një i huaj, atëherë flasim për minim të plotë të pavarësisë ekonomike (dhe rrjedhimisht politike), meqënse rendi ekonomik është përmbysur dhe diktohet nga bankat sesa nga ndërgjegjja e një populli. Këtë ‘minim’ e kemi përjetuar përgjatë viteve të fundit të mbretesisë së Mbretit të vetë-shpallur Zog: në atë kohë, bordi i bankës qendrore, i cili kontrollohësh nga italianët, në bashkëpunim të ngushtë me bankën qendrore të Romës dhe bankat private në treg, pajambante investitorët e huaj, kryesisht italianë, duke u dhënë kredi me interes të ulët, me qëllim që perandoria italiane të ekspansionohësh dhe kapitali vendor të tkurrësh, me gjithë pasojat e tjera që e shoqërojnë këtë proces. Në kuadër të BE/Eurozonës dhe globalizmit neoliberal ku bankat e huaja private dominojnë, me një governator të huaj, ato ndihmohen më shumë dhe kësaj dinamike nuk i shmangemi dot.
Shkurt, në Shqipëri, duket qartë se ka mungesë të theksuar kognitive të politikave monetare dhe ekonomike; dhe ka mungesë të theksuar silogjistike lidhur me drejtësinë…
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 30 reads



