...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Implikimet e prishjes së traktatit të armëve bërthamore mes Amerikës dhe Rusisë

Kjo përplasje mund të çojë ose në realizimin e një traktati të ri mes superfuqive ose në luftë!

Ylli Përmeti

17/01/2019 - 12:51

Në kohën kur Britania zhvillonte provat më të mëdha ushtarake të 17 viteve të fundit për t`u përballur me agresionin e supozuar ushtarak rus,[1] prova që kishin një armik në mendjen e tyre, Rusinë,[2] dhe shtypi perëndimor ziente lidhur me vrasjen e gazetarit arab, Khashoggi, në konsullatën arabe në Turqi, i cili ishte vetë-mërguar në Amerikë vitin e fundit të jetës së tij sepse ishte kritik e qeverisë saudite si korrespondent i “Uashington Post”[3]... Rusia përgatitet për çdo kundërpërgjigje kundrejt kërcënimeve nga perëndimi. Ministri i jashtëm rus, Lavrovi, në një intervistë për televizionin rus “RT” citoi se “ne do të jemi gati për provokacione të shkallës së madhe gjithashtu. Por përgjigjja jonë është shumë e thjeshtë―nëse ata na flasin përmes medias, ne do të përgjigjemi përmes saj gjithashtu, por specifikisht dhe në mënyrë korrekte”. Një luftë e tretë botërore është një skenar i paimagjinueshëm dhe çdonjëri do të ishte mjaft i arsyetueshëm për mos ta lënë atë të ndodhë [kur] një faktor përkeqësues [i gjendjes] është mungesa e çdo dialogu mes Rusisë dhe NATO-s dhe tensioni është ende i lartë duke citur një incident ajror të fundit në të cilin aeroplanë luftarak spanjoll lëshuan gabimisht një raketë ajrore përgjatë një misioni në qiejt e Estonisë: “falë zotit, s`pati viktima, por çfarë do të ndodhte, pyet Lavrovi, nëse ajo do të kishte përfunduar në tokën ruse? Çdogjë është shumë afër atje”...në kohën kur Amerika po përditëson doktrinën bërthamore: ajo po krijon armë bërthamore me fuqi të ulët me një synim të qartë për t`i përdorur ato në rast lufte. Klima toksike politike në kryeqytetet europiane dhe në Uashington i bënë ndreqjet e lidhjeve tejet të vështira ndërsa Komisioni Europian mbetet “i kurthuar” nga vendet që kundërshtojnë pajtimin me Rusinë ndërsa elita amerikane fuqizon tensionet: “mendoj se është marrëzi të mbetemi peng i tekave të ligjvënësve amerikanë”, citon Lavrovi. Por ndërsa perëndimi vazhdon të godasë Moskën me sanksione marrëdhëniet e Rusisë me Kinën dhe fuqi të tjera aziatike po rriten: “ne kemi nevojë të kompensojmë nivelin e ulët ekonomik me Evropën...dhe ne pamë mundësi në rritje për këtë në Kinë, Indi, Japoni, Kore”. Kina, në fund të fundit, është bashkëpuntorja ndërkombëtare më e madhe e Rusisë: “ne kurrë nuk kishim një raport të tillë me Kinën si kjo që kemi tani”, përfundon Lavrovi.

Pak ditë më vonë, Putini shtoi në një mbledhje se “çdo agresor duhet ta dijë se ndëshkimi do të jetë i pashmangshëm dhe ai do të shkatërrohet. Dhe meqë ne do të jemi viktimat e agresionit të tij, ne do të shkojmë në qiell si martirë [ndërsa] ata thjesht do të vdesin, s`do të kenë kohë as të pendohen”, duke shtuar se forcat bërthamore ruse nuk janë krijuar për një sulm parandalues dhe ekzistojnë si një aftësi për sulm dytësor që nënkupton përfrikësimin e një sulmi nga një fuqi e huaj. Doktrina bërthamore ruse lejon përdorimin e kësaj arme në një konflikt konvencional por vetëm kur ekzistenca e Rusisë rrezikohet. Kjo hamendësisht i jepë ushtrisë ruse një shteg për përdorimin e armëve bërthamore taktike në rastin e ndërhyrjes së shkallës së gjerë. Vetë-kufizimet e imponuara janë më pak të ashpra se sa një peng tërësor ‘për përdorim jo të parë’, të cilët u braktisën nga Moska në vitin 1993, argumentoi Putini.

Një ditë pas njoftimit të “The Guardian” se John Bolton, këshilltari i tretë i Trampit mbi sigurinë kombëtare, shtyu Trampin të tërhiqet nga traktati bërthamor i nënshkruar në fund të viteve `80 mes Amerikës dhe Rusisë, pavarësisht rezistencës së administratës së tij dhe aleatëve të Amerikës për mostërheqje, Trampi njoftoi dy ditë më pas se Amerika do të tërhiqet nga traktati. Siç citon e njëjta gazetë, Bolton kërkon të kthehet nga këshilltar mbi sigurinë kombëtare në sekser politikë mes agjencive dhe një udhërrëfyes për ndryshim radikal nga brenda Shtëpisë së Bardhë: “Bolton ka bllokuar bisedimet mbi zgjatjen e traktatit për një fillim të ri me Rusinë duke kufizuar zbarkimin e armëve strategjike bërthamore dhe sistemet e tyre shpërndarëse. Traktatit i mbaron afati në vitin 2021 dhe Moska ka njoftuar interesin e saj për një zgjatje por Bolton e kundërshton rifillimin e një dialogu strategjik të qendrueshëm për të biseduar të ardhmen e kontrollit të armëve mes dy vendeve”. Përgjatë të njëjtës fazë Amerika kishte njoftuar aleaten e saj, Britaninë, për synimin e saj: kjo e fundit e alarmuar e pa traktatin si një shtyllë të rëndësishme për kontrollin e armatimeve. Por më pas ndryshoi qendrim: Gavin Williamson, ministri i mbrojtjes britanike, fajësoi Rusinë. Amerika pretendoi se Rusia ka shkelur traktatin me zhvillimin dhe zbarkimin e një rakete tokësore të njohur si 9M729. Por Rusia këmbngul se raketa nuk e shkel kufizimin e rrezes dhe pretendon se është Amerika ajo që ka shkelur traktatin me zbarkimin e sistemit të mbrojtjes me aftësi lëshuese universale në lindje të Evropës.[4]

Pas deklaratës së Trampit, Moska tha se tërheqja nga traktati do të çonte në ‘kaos tërësor’ armët bërthamore dhe do të sillte luftën bërthamore më afër. Zyrtarë të ministrisë së jashtme ruse besojnë se Uashingtoni kërkon të realizojë ëndërrën e tij për “një botë unipolare” dhe “dominim tërësor në sferën ushtarake”. Gorbaçovi, nënshkruesi i traktatit për palën sovjete (për palën amerikane ishte Regani), e konsideroi tërheqjen gabim. NATO-ja, ndërkohë, bëri përgjegjëse Rusinë duke përsëritur qendrimin e saj zyrtar edhe më pas i cili nuk ndryshoi nga qendrimi fillestar amerikan. Në qendrimin e tij Pompeu, sekretari i jashtëm amerikan, pas mbledhjes së NATO-s, paralajmëroi Rusinë se kishte 60 ditë afat që të përputhësh me traktatin.[5] Mirëpo Rusia e kuptoi qendrimin amerikan si ‘përfundimtar’: domethënë, se nuk ishte një përpjekje për të nxitur dialog mes palëve. Kështu ajo paralajmëroi se nëse Uashingtoni instalon raketa me rreze të shkurtër dhe të ndërmjetme në Evropë, Moska do të përgjigjet. Kujtoj se Boltoni takoi Putinin një javë pas deklaratës së parë. Ofertës ruse për të shpëtuar traktatin, me një takim dypalësh në Gjenevë, në janar 2019, Amerika iu përgjigjë me kundërshtim, sepse Moska refuzon inspektimin e një sistemi të ri raktor për të cilin Uashingtoni pretendon se shkelë traktatin. Në këto kushte, instalimi i raketave bërthamore amerikane në Evropë bëhet i pashmangshëm. Pikërisht për këtë arsye, aleatët europianë të Uashingtonit shqetësohen lidhur me vendosjen e raketave amerikane në Evropë: sepse instalimi i tyre, sipas tyre, nuk do të shkaktonte vetëm një garë të re, siç ndodhi në vitet `80,  por edhe do ta kthente Evropën në fushëbetejë mes Uashingtonit dhe Moskës.

Por pak ditë më vonë, Moska, në një përpjekje për të shpëtuar traktatin dhe si kundërpërgjigje e një thirrje nga Gjeneva e ambasadorit amerikan të çarmatimit, Robert Wood, se Rusia duhet të shkatërrojë vërtetueshëm gjithë raketat SSC-8, lëshuesit e tyre dhe pajisjet shoqëruese që të shpëtojë traktatin, ftoi amerikanët për një inspektim të hollësishëm të raketave ruse (9M729) duke nxitur amerikanët që të ndërmarrin hapa praktikë dhe të largojnë shqetësimet ruse lidhur me sistemet amerikane (Aegis Ashore) të instaluar në Rumani dhe të planifikuar në Poloni. Rusia, gjithashtu, tha se ajo nuk njeh vendimin unilateral të Amerikës për të pezulluar traktatin. Pak ditë më vonë, tërheqjes amerikane nga traktati Rusia iu përgjigjë me tërheqje dhe pezullim të të gjitha përpjekjeve për realizimin e një traktati ndërsa miratoi propozimin e ministrisë së mbrojtjes për masa reciproke­—fillimin e zhvillimit të raketave detare “kalibr” dhe tokësore hipersonike “cruise” me rreze të mesme veprimi. Një ditë më pas Rusia paralajmëroi Amerikën dhe NATO-n se nëse zbarkojnë në Poloni me raketa dhe lëshuesit e tyre…do ta kthejë me siguri Evropën një arenë konfrontimi! 

Është e qartë se Trampi dhe NATO-ja po e përdor tërheqjen amerikane si taktikë për të përfrikësuar Rusinë për ndonjë zhvillim të mundshëm të armëve përkatëse: sepse gjykuar nga qëllimi i Amerikës―se ajo vërtet synon të jetë dominante në pushtetin ushtarak dhe jo vetëm― Rusia nuk do të tërhiqet nga qendrimi i saj pavarësisht se Boltoni zbuti qendrimin e tij pas takimit me Putinin dhe mbështeti takimin e radhës mes Trampit dhe Putinit. Duhet thënë se Kina nuk është nënshkruese e Traktatit përkatës dhe e lë Amerikën të ekspozuar kundrejt raketave përkatëse. Për të njëjtën arsye Trampi synon të përfshijë dhe Kinën në traktat dhe çdo vend tjetër që besohet se mund të zhvillojë raketat përkatëse. Kjo përplasje mund të çojë ose në realizimin e një traktati të ri mes superfuqive ose në luftë!                   


[1]UK war-games cyber attack on Moscow, The Times, Oct 7, 2018.

[2]In the biggest war games for 17 years troops have one enemy in mind: Russia, The Times, Oct 7, 2018.

[3]Saudi Arabia: a kingdom in the dock, FT, 12 Oct, 2018.

[4]John Bolton pushing Trump to withdraw from Russian nuclear arms treaty, The Guardian, 19 Oct, 2018.

[5]Nato accuses Russia of breaking nuclear missile treaty, BBC, 4 Dec 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA