...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kanuni, Kushtetuta dhe sharlatanët mediatikë dhe akademikë (Tarifa etj.)

Duke anashkaluar faktin se për të kundërshtuar të tjerët Tarfia përdor argumentet e shkrimtarëve të huaj, është e qartë se ai nuk e ka të qartë as demokracinë, si koncept dhe praktikë (se çfarë nënkupton ajo) as pushtetin (si koncept dhe dinamikë). Kur mbështet, për shembull, konceptin e ‘racionalizimit’ të shoqërisë urbane përmes dhunës policore si alternativë më e mirë se Kanunistët, nuk tregon avantazhet e njërës praktikë apo të tjerës por thjesht përdor argumentet e tipave si Weber-i! Në fakt, qoftë Kanuni, qoftë Kushtetuta e “demokracive” përfaqësuese janë të padrejtë në raport me shumë aspekte thelbësorë të shoqërive.

Ylli Përmeti

02/06/2019 - 09:20

Sociologu Tarifa për të përgënjeshtruar një mbështetës të Kanunit...dhe elementët e tij ngjizës me më esencialët, besën dhe gjakmarrjen, përdor shkrimtarë të huaj ose vlerësimet dhe gjykimet e tyre. Për vetë Kanunin Tarifa citon:

Shqipërinë e veriut në fund të shekullit e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, kur malësitë e veriut të Shqipërisë, banorët dhe doket e tyre kishin, siç shkruante më 1894 William Cozens-Hardy, “çdo element romantik për ta mrekulluar udhëtarin e huaj”. Ky pohim ilustron atë që historiani amerikan Paul Fussell e cilëson si një “modë borgjeze perëndimore, ose primitivizëm romantik”, qëndrim i cili karakterizonte mënyrën se si vlerësoheshin vendet dhe popujt folklorikë të Ballkanit në fillim të shekullit të 20-të dhe në periudhën mes dy luftërave botërore.

Në fjalë të tjera, Kanuni përmban elementë romantikë për të mrekulluar udhëtarin e huaj dhe përbënte modë borgjeze perëndimore, ose primitivizëm romantik shekullin e kaluar.

Më tej, meqënse pushtetarët e sotëm janë të pamoralshëm dhe mbështetësi i Kanunit, Ndue Dedaj, propozon si alternativë “burrat e Kanunit” ose pushtetin e parisë së krahinës apo pleqësisë së fshatit, Tarifa i kundërgjigjet se “mënyra demokratike e organizmit dhe e drejtimit të shoqërisë lidhet jo me fshatin, ose me jetën rurale, por me qytetin, me jetën urbane, me industrializimin, arsimimin dhe racionalizmin e shoqërisë!

Për të mbështetur argumentin e tij Tarifa përdor Max Weber-in: sipas tij,

shkaku më i thellë që çoi në diferencimin e shoqërive të ndryshme dhe që përcaktoi rrugët e tyre të ndryshme të zhvillimit ka qenë pikërisht racionalizimi i shoqërisë. Nëse me racionalizim kuptojmë atë çka kishte parasysh Weber-i, pra zëvendësimin e traditave, të vlerave e të emocioneve (si forca motivuese të sjelljes njerëzore), me motive racionalë, të kalkuluar mirë, atëherë kuptohet pse ai tregoi një interesim kaq të madh për studimin e së drejtës zakonore dhe të gjakmarrjes si dukuri sociologjike.Për Weber-in, gjakmarrja është një institucion universal. Ajo ka ekzistuar te të gjithë popujt dhe në të gjitha kulturat, ndërsa ruajtja e rendit përmes institucionit të policisë është një dukuri kryesisht moderne dhe perëndimore. Sipas tij, me përjashtim të qyteteve, Orienti kurrë nuk e ka njohur sa duhet këtë institucion. Edhe pse qyteti oriental, i cili u krijua kryesisht për qëllime administrative, ka pasur një lloj organizimi të ngjashëm me policinë, “pushteti i saj mbaronte fare pak përtej mureve të qytetit”. Në dallim nga qyteti, banorët e fshatit, kur vinte puna për të mbrojtur sigurinë e tyre dhe rendin, në vend të policisë mbështeteshin te gjakmarrja. Me fjalë të tjera, përveç racionalizimit ekonomik, juridik dhe politik, kultura perëndimore karakterizohet edhe nga ruajtja e rendit përmes forcës policore. Shoqëritë perëndimore, argumenton Weber-i, kanë kaluar nga gjakmarrja te pushteti policor. Sipas Weber-it, “të gjitha strukturat politike bazohen në përdorimin e dhunës”. Edhe pse politika dhe dhuna nuk janë e njëjta gjë, ato lidhen shumë me njëra-tjetrën. Sipas tij, një “komunitet politik” mund të përkufizohet si “një komunitet, veprimi shoqëror i të cilit synon nënshtrimin e banorëve të një ‘territori’ ndaj sundimit të ligjit dhe sjelljen e tyre në atë mënyrë që e pranon si të mirëqenë forcën fizike, përfshirë edhe forcën e armëve”. Në këtë kuptim, pushteti politik mund të thuhet se ka ekzistuar në të gjitha format e organizimeve shoqërore, madje, sipas Weber-it, në shoqëritë paramoderne, edhe familja, ose fisi, s’kanë qenë gjë tjetër veçse një formë komuniteti politik. Stabiliteti i strukturave fisnore (pothuajse kudo), argumenton Weber-i, garantohej nga gjakmarrja. Funksioni i gjakmarrjes, si forca fizike e një komuniteti politik primitiv, sipas tij, është një dukuri universale, e pranishme në të gjitha shoqëritë në fazat e hershme të zhvillimit të tyre kulturor. Përfundimi në të cilin erdhi Weber-i ishte se gjakmarrja mbetet e vetmja mënyrë për mbrojtjen e sigurisë personale në ato shoqëri, të cilat nuk kanë një aparat të integruar për administrimin e legjitimuar të forcës. Në dallim nga shoqëritë orientale, p.sh. Kina ose India, në të cilat gjakmarrja mbeti për një kohë të gjatë mjeti kryesor i ushtrimit të forcës fizike, në Perëndim, forca publike u racionalizua dhe, hap pas hapi, u zhvilluan shoqëri të tilla, në të cilat, pushteti publik ekzekutohej jo më nga gjakmarrja, por nga organe të specializuar të ushtrimit të ligjit.

Në fjalë të tjera, Tarifa pohon se në fshat ku mbizotëronte dikur Kanuni, nuk mund të zhvillohet demokracia. Por vetëm në qytet, atje ku mbizotëron jeta urbane, industrializimi, arsimimi dhe racionalizimi i shoqërisë!

Duke anashkaluar faktin se për të kundërshtuar të tjerët Tarfia përdor argumentet e shkrimtarëve të huaj, është e qartë se ai nuk e ka të qartë as demokracinë, si koncept dhe praktikë (se çfarë nënkupton ajo) as pushtetin (si koncept dhe dinamikë). Kur mbështet, për shembull, konceptin e ‘racionalizimit’ të shoqërisë urbane përmes dhunës policore si alternativë më e mirë se Kanunistët, nuk tregon avantazhet e njërës praktikë apo të tjerës por thjesht përdor argumentet e tipave si Weber-i! Në fakt, qoftë Kanuni, qoftë Kushtetuta e “demokracive” përfaqësuese janë të padrejtë në raport me shumë aspekte thelbësorë të shoqërive. Së pari, pushteti përqendrohet në të dyja format juridike te pak njerëz: në “demokracinë” përfaqësuese në duart e partive dhe qeverive dhe oligarkive ekonomike — që të gjithë bashkë përbëjnë oligarkinë politiko-ekonomike të vendit; në të dytën përqendrohet në duart e pleqësisë. Por në rastin e parë, krijohet një lloj iluzioni se ka ‘demokraci’, sepse zhvillohen votime dhe qeveritë ndryshojnë një herë në katër vjet ndërsa në rastin e dytë nuk ka ‘demokraci’ të këtij lloji por ka ‘demokraci’ të një lloji tjetër: kuvend burash ku shqyrtohen çështjet e shoqërisë. Por është e qartë se në kuvendin e burrave të Logjeve përjashtohen gratë dhe nuk zhvillohen zgjedhje demokratike për të zgjedhur pushtetarë. Në këtë lloj demokracie mbivendoset ‘prijësi’—domethënë, ai administron pushtetin politik (krahasuar me pushtetin politik që administrojnë qeveritë përfaqësuese prijësit zotërojnë shumë më pak pushtet politik për sa kohë që janë kuvendet e burrave ata që administrojnë çështjet juridike) dhe ushtarak por jo pushtetin ekonomik.

Është e qartë se pushteti politik, ushtarak, juridik dhe ekonomik është i ndarë ndryshe në shoqëritë Kanunore dhe ndryshe në shoqëritë ku është institucionalizuar qeveria përfaqësuese.

Së dyti, shoqëritë Kanunore janë zhvilluar kryesisht kur mungonte shteti modern dhe si nevojë për të administruar shoqëritë kur prona private dhe publike administrohësh përmes ligjeve kanunorë dhe kur mungonte industrializimi. Por është e qartë se të dyja format organizative janë të padrejta në aspekte të ndryshme. Padrejtësia më e madhe lidhet me faktin se pushteti përqendrohet në dyja format dhe më shumë në formën e “demokracisë” përfaqësuese. Për mos t`u zgjatur në më shumë hollësi, të dyja këto forma qeverisëse kanë një dizavantazh të përbashkët: pretendojnë pushtet të ‘moralshëm’ vetëm duke përdorur ligjet! Në fakt, konunorët përdorin kryesisht parimet të cilëve u japin karakter ligjor. Ndërsa qeveritë përfaqësusese përdorin ligjet e shkruar dhe të pashkruar. Por konunorët kanë një ‘avantazh’ të madh krahasuar me qeveritë përfaqësuese: janë lehtësisht të kontrollueshëm nga Logu i burrave ndërsa qeveritë përfaqësuese me të fituar pushtetin me...vota, nuk mund t`i kontrollojë asnjë popull e shoqëri. Kështu ndërsa “demokracia” e kanunorëve zhvillohet në kuadër të një fshati dhe administron kryesisht pushtetin juridik, “demokracia” parlamentare zhvillohet larg fshatrave dhe njerëzve dhe administron gjithë pushtetet: politik, ekonomik, juridik dhe shoqëror...    

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA