...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

‘Kërcënimi’ ruso-kinez dhe “federata ballkanike” e Brukselit, Ramës, Vuçiçit, Zaevit...

Duhet thënë se është në interes të elitave perëndimore dhe rajonale ta përdorin “kërcënimin” rus dhe kinez edhe nëse ai nuk ekziston ose ekziston në nivel propagande nga proponentë të establishmentit rus siç është Aleksandër Dugin

Ylli Përmeti

12/11/2019 - 13:58

 

Duhet thënë se është në interes të elitave perëndimore dhe rajonale ta përdorin “kërcënimin” rus dhe kinez edhe nëse ai nuk ekziston ose ekziston në nivel propagande nga proponentë të establishmentit rus siç është Aleksandër Dugin: sepse shpresojnë se përmes ‘kërcënimeve nga jashtë’ dhe integrimit do të përmirësojnë kushtet e jetesës në vendet e tyre. Pas publikimit të strategjisë së Ballkanit perëndimor dhe për t’i treguar popullit realizime të aspiratave të tij — të anëtarësohet në BE pavarësisht se asnjë herë nuk është zhvilluar ndonjë debat publik për dobitë dhe jodobitë që do të vijnë nga ky lloj anëtarësimi, as në Universitete e as në masmedia, hamendësisht sepse s’kanë krijuar ndonjë mendim dhe bindje përsa kohë që nuk studiojnë ndërsa tregojnë hipokrizi për faktin se ka studime rreth tyre që tregojnë se peshorja anon nga jodobitë — Rama shtrëngonte Brukselin për të filluar bisedimet për t’u integruar duke përdorur, mes të tjerash, kartën ruse: “se nëse ju nuk na anëtarësoni - Rusia është gati të na përpijë. Ata (Moska) kurrë nuk hoqi dorë nga rëndësia gjeopolitike e rajonit — që nuk shikohet nga shumë në BE, duke përjashtuar Merkelin” (FT)! Të njëjtin shtrëngim vazhdoi edhe pas refuzimit të fillimit të bisedimeve...se “Maqedonia e V. dhe Shqipëria rrezikojnë nga nacionalizmi i tërbuar dhe zhbërja e reformave ekonomike”: Zaevi i frikësohet kthimit të vitit 2001 kur vendi u përfshi në tensione etnike ndërsa Shqipëria, sipas Ramës, rrezikon të kthehet në “dëm kolateral” nga mosmarrëveshjet e BE-së lidhur me zgjerimin. Refuzimi për fillimin e bisedimeve, sipas tij, “la një tronditje të rëndë psikologjike” dhe dëmtoi besueshmërinë e bllokut në rajon, duke shtuar se “ne u shkëputëm nga Evropa dy herë brutalisht, një herë për pesë shekuj nën Perandorinë Otomane dhe më pas për një gjysëm shekulli nën regjimin më brutal komunist. Asnjëri nuk mund të jetojë me idenë se do të ketë një herë të tretë dhe se këtë herë mund të jetë Evropa që na shkëput brutalisht nga vetja”! Të dy kryeministrat pajtohen se çdo anëtarësim i mundshëm do të jetë të paktën një dekadë larg dhe se rajoni tani kërcënohet nga Rusia dhe Kina, meqë mungon Evropa![1]

Kujtoj se Rama njësoj gjykonte përpara se të vinte në pushtet — në vitin 2013-të, se Shqipëria do të anëtarësohësh në fund të mandatit të dytë të tij! Gjykimi i tij, rrjedhimisht, ishte, është dhe do të jetë, spontan si çdo gjykim tjetër dhe as bart ndonjë grimcë studimi dhe kundrimi dhe as do të bartë ndonjëherë: sepse s`ka mësuar të studiojë dhe kundrojë. Krahas këtij argumenti Rama po përdor “luftën” e qeverisë “Rama” kundër drogës dhe korrupsionit juridik (KÇK/kap çfarë të kapësh). Debati vazhdoi me projekt-rezolutën e mazhorancës së Ramës lidhur me ‘ndërhyrjet’ ruse në proceset zgjedhore, e cila u nxit nga një studim të fondit “Marshall” gjerman[2] meqë ky i fundit sipas tij ishte miratuar nga Parlamenti evropian...ku argumentet dhe kundër-argumentet ishin, të thuash të drejtën, fëmijërore: Balla, për shembull, mbronte faktin se Shqipëria nuk është e mbrojtur nga influenca ruse...e lajmeve të rreme. Por nuk paraqiti ndonjë fakt; thjesht përmendi studimin përkatës dhe asgjë më tepër! Keqdijësimi (ose ‘dezinformimi’ sipas papagallëve të elitës sonë) i popujve nuk lidhet detyrimisht me një dukuri kryefundore (top-down—dukuri që shkaktohet nga lartë-poshtë, nga elitat drejt popujve); nuk lidhet gjithnjë me gënjeshtrat por me gjysmë të vërteta ose një zëvendësim sistematik i fakteve me opinione, argumenton autorja e studimit.[3]

BE-ja shpalli zyrtarisht “luftë kundër keqdijësimit” të Kremlinit në vitin 2018-të me qëllim që të mbronte zgjedhjet evropiane parlamentare të vitit 2019-të. Komisioni evropian e konsideron Rusinë si burimin kryesor të keqdijësimit në Evropë duke e parë atë si “pjesë e doktrinës ushtarake ruse dhe strategjisë së përçarjes dhe dobësimit të Perëndimit”. Rusia gërsheton mbështetjen e partive dhe lëvizjeve politike të spektrit të skajit të djathtë dhe të majtë me fonde dhe programe mediatike dhe lidhje me aktorë politikë dhe ekonomikë lokalë me këndvështrime të kundërta [ndaj BE-së]. Ajo mbështetet në median shtetërore si “Sputnik” dhe “RT” gjithashtu dhe në median lokale aleate shtetërore për të shpërndarë të dhëna të keqorientuara duke ndikuar në sjelljen e popullatave të synuara ndaj Perëndimit. Më tej studimi tregon fakte me karakter politik (që burojnë kryesisht nga qendrimet politike të ministrisë së jashtme) dhe me karakter subversiv (që burojnë kryesisht nga media) dhe anashkalon shkakun kryesor se pse Rusia vepron ashtu: qendrimin e BE-së në Ukrainë! Për pasojë, Rusia ka krijuar katër rrëfenja kryesore në tre raste lidhur me mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë; me referendumin në Maqedoni; dhe me zgjedhjet në Bosnje-Herzegovinë: se NATO-ja është një agresor; BE-ja është e dobët institucionalisht dhe politikisht; USA kërkon të krijojë një Shqipëri më të madhe ndërsa Rusia është një krahazues i përgjegjshëm.

Dhe është e vërtetë se Rusia ka financuar partitë ‘populiste’ siç quhen nga kundërshtarët dhe kritikët e tyre (sipas FT, ajo ka financuar shtatë parti: në Austri, partinë e “Lirisë”; në Hungari, partinë “Fidesz” të Orbanit; në Itali, partinë e Legës të Salvinit; në Gjermani partinë e “Alternativa për Gjermaninë”; në Francë partinë “Kombëtare” të Lepenit; në Hungari partinë “Jobbik”; në Britani partinë e Brexit-it të Farazhit[4] dhe siç tregon BBC,[5] dhe partinë konservatore dhe me siguri parti të tjera në vende të tjerë). Por ajo filloi veprimtarinë e saj ‘subversive’ për shkak të sjelljes perëndimore në Ukrainë dhe më pas për shkak të sanksioneve.           

Gjykuar nga kushtet social-ekonomike të vendeve të Ballkanit, vetëm Maqedonia e V. dhe veçanërisht bullgarofolësit, mund të ndikohen (ose pështjellohen) nga Rusia (me projektin e saj euraziatik)[6] meqë historikisht kanë patur lidhje të ngushta. Por edhe atje, Rusia do të ketë efekt minimal meqë projekti euraziatik ka karakter kryesisht pragmatist se sa idealist siç është dhe qasja kineze në rajon ndërsa dihet se popujt e rajonit tashmë janë më shumë pragmatistë se sa idealistë. Përjashtohet nga ky efekt Serbia: sepse ajo është me një këmbë në Moskë dhe me tjerën në Bruskel duke reflektuar dëshirën e shumicës së popullit serb. Por edhe për Serbinë, peshorja anon nga Evropa se sa nga Rusia: sepse pushteti ekonomik është më i rëndësishëm se pushteti ushtarak, të cilin e mbështet me ndiiìhmën ruse — sepse pa pushtet ekonomik nuk mund të ketë pushtet ushtarak, për rëndësinë e të cilit eurostrumbullarët janë në dijeni meqë po përdorin pushtetin ekonomik për të krijuar bllokun dhe jo pushtetin ushtarak. Për të njëjtën arsye, mes projektit të Moskës dhe Evropës, popujt e rajonit do të zgjedhin Evropën meqë kjo e fundit premton më shumë. Studimi përkatës anashkalon gjithashtu faktin se gjithçka që shfrytëzon Rusia brenda BE-së dhe në Ballkanin Perëndimor, është pasojë e sistemit të BE-së —“demokracive” përfaqësuese dhe tregut të markentingut të cilin e kontrollojnë kryesisht institucionet e BE-së— dhe politikave që ai gjeneron, të cilat janë kaotike dhe të dëmshme si për popujt, kryesisht për popujt e Evropës Jugore, ashtu dhe për ekosistemin në tërësi.

Dhe në fund, studimi “harron” të përmend faktin se gjysëm të vërtetat e propagandës ruse nuk burojnë vetëm nga qendrimi evropian lidhur me krizën në Ukrainë (shkaku kryesor) por dhe nga gjysëm të vërtetat e propagandës perëndimore. Për shembull, DW tregoi së fundmi një gjysëm të vërtetë —të vërtetën që beson shumica e popullit gjerman— domethënë, se BQE-ja dëmton gjermanët duke i shpronësuar ata dhe duke rishpërndarë pasurinë e tyre në Evropë, një e vërtetë që lidhet vetëm me njërën anë të saj dhe nuk përmend anën tjetër: se pse Gjermania ka ekonominë më të fuqishme në Evropë dhe si gjermanët përfitojnë nga BE-ja, Eurozona dhe BQE-ja![7] Kjo gjysëm e vërtetë është krijuar nga establishmenti atje dhe nuk u krijua vetvetiu nga populli që e beson. Si kjo e ‘vërtetë’ qarkullojnë qindra nga estableshmentet dhe masmedia, kryesisht sepse demagogët dhe “ekspertët” nuk kanë fituar dije për sistemin në të cilin jetojnë: nuk kanë zhvilluar, në fjalë të tjera, arsyetim të drejtë. Një tjetër ‘gjysëm-e-vërtetë’ që lidhet me popujt e Ballkanit në përgjithësi dhe veçanërisht me popullin shqiptar, është propaganda e elitave se është në dobi të popujve përkatës integrimi i tyre në BE-Eurozonë...ndërsa nuk përmendin jodobitë, pjesërisht sepse s`kanë dije sistemike dhe pjesërisht sepse janë pragmatistë!     

Duke shpërnjohur këta fakte dhe të tjerë, disa prej tyre do t`i tregoj në vijim, Rama, Vuçiçi dhe Zaevi përparuan bashkimin ekonomik ose krijimin e zonës së re ballkanike (ku kontrollet kufitare si për mallrat ashtu dhe për njerëzit do të hiqen brenda vitit 2021 — dy liritë nga katër liri që janë themeluar në BE dhe globalizmin neoliberal) të cilin Prishtina e refuzoi me të drejtë kryesisht sepse Beogradi ka avantazhe ekonomike krahasuar me Prishtinën dhe për pasojë “bashkime” të tilla dëmtojnë gjendjen social-ekonomike atje ndërsa Rama as që i konsideroi avantazhet serbe si në raport me Kosovën ashtu dhe në raport me vendin tonë, duke treguar edhe një herë karakterin e tij reaksionar dhe idiot.

Kështu, përpara se të shqyrtoj strategjinë e Brukselit lidhur me Ballkanin mirë do të ishte të tregohen arsyet pse elitat ballkanike e mbështesin projektin e tij —“Federatën e re ballkanike”— meqë “dijetarët” e shtypit të përditshëm, “ekspertët” e establishmentit dhe demagogët e partive, s`kanë kuptuar asgjë! Dy janë arsyet kryesore pse Rama, Vuçiçi dhe Zaevi krijojnë hapësirën tregëtare të “Shengenit” siç e quajti Rama…përpara se të integrohen në BE —arsye të cilat as Bedri Islami i “Dita-s” dhe shumë si ai në anët tona, nuk i kanë kuptuar ende,[8] si duket s`kanë kuptuar se ç`është BE-ja dhe globalizmi neoliberal…si do ta kuptojnë fundja kur gazeta ku shkruajnë dhe gjithë shtypi i përditshëm çensuron pikërisht studimet që synojnë zhvillimin e kuptimit lidhur me realitetin e ri që është krijuar?!— se integrim në BE do të thotë të zbatosh së pari katër liritë (të cilat i ka përmendur si Rama ashtu dhe Zaevi por nga Vuçiçi s`i kam dëgjuar, si duket ka frikë nga nacionalistët e tij!) dhe të përafrohet legjislacioni i shteteve me ‘direktivat’ ose ligjet e BE-së.

Më konkretisht, liria e kapitalit, mallrave, njerëzve dhe shërbimeve. Këto janë katër ‘liri’ që janë themeluar dhe mes disa blloqesh ekonomikë të cilat i kërkojnë korporatat dhe bankat tregëtare për të investuar - ndryshe nuk investojnë. Nga kjo arsye buron dhe arsyeja e dytë se pse Rama bashkëkrijon hapësirën e re tregëtare në Ballkan: sepse pa investime të huaja nuk ka zhvillim ekonomik! Domethënë, së pari, është çështje strukturore (katër liritë dhe ligjet futen në këtë çështje) dhe së dyti çështje pragmatiste (në këtë çështje futen investimet e huaja). Si çështja ‘pragmatiste’ ashtu dhe “liritë” përkatëse burojnë nga orientimi ynë si vend për t`u “zhvilluar” — duke u integruar në BE dhe globalizmin neoliberal — të cilin, kujtoj edhe një herë, Trampi kërkon ta ‘shkatërrojë’, kryesisht sepse dëmton klasën punëtore në Amerikë nga e cila ai ka marrë mbështetje të gjerë në zgjedhjen e tij dhe për shkak se mbështetet nga bilionerët atje —amerikanët që parapëlqejnë të quhen ‘patriotë’ dhe që quhen ‘nacionalistë-populistë’ nga globalistët— dhe jo nga oligarkia ekonomike që mbështet globalizmin neoliberal dhe qeverinë botërore që nënkupton globalizmi në fjalë.

 



[1]Balkan leaders warn that EU accession delay risks stoking tensions, FT, 04 Nov 2019.

[2]GMF study: Western Balkans is a fertile ground for Russian disinformation, EWB, 19.06/2019.

[3]Russian narrative proxies in the western Balkans, policy paper, Asya Metodieva, The German Marshall Fund of the United States, June 2019, No.16.

[4]Russia`s long arm reaches to the right in Europe, FT, May 23 2019.

[5]General election 2019: The mystery of the Russia report, BBC, 10 Nov 2019.

[6]Shih, për më shumë, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavarësia e popujve.

[7]Shih, për më shumë, Demokraci apo barbarizëm?

[8]Deliri ballkanik i Ramës, Dita, 10 nëntor 2019.

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA