...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Letër e hapur për ambasadorët

Viktor Malaj (Dita)

08/05/2017 - 09:27

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Siç e dini, po bëhen gati tri dekada që Shqipëria ka ndërruar sistemin politik nga njëpartiak në pluralist dhe demokratik. Një kohë kaq e gjatë nuk ka qenë e mjaftueshme për konsolidimin e shtetit ligjor dhe, rrjedhimisht, as të sistemit demokratik.

Si shtetas i RSH nuk jam vetëm i pakënaqur dhe i shqetësuar, por edhe i çuditur nga gjendja politike kaotike që vazhdon të përjetojë populli shqiptar. Nëse, për arsye historike, kulturore dhe gjeostrategjike vendi im nuk ka mundur të jetë në të njëjtin nivel ekonomik me vendet më të zhvilluara perëndimore, paqëndrueshmëria politike dhe demokratike e shfaqur pareshtur përgjatë gati 30 vjetëve është e pajustifikueshme dhe, sipas meje, iu detyrohet dy faktorëve bazë: Padenjësisë së elitës politike vendase dhe mendjelehtësisë së politikës perëndimore në trajtimin e problemeve të zhvillimit demokratik të Shqipërisë dhe marrëdhënieve të papeshuara me politikanët tanë.

Nëse në fillim të viteve ’90 përkrahja pakufi dhe pa kushte që politika dhe diplomacia perëndimore i bënë opozitës së regjimit komunist justifikohen me domosdoshmërinë e largimit të klasës së vjetër dhe të diskredituar politike shqiptare, si dhe me mosnjohjen sa duhet të nivelit dhe moralit të elitës së re politike, qëndrimet e shumicës së qeverive tuaja pas vitit 1996 kanë qenë jo vetëm të pavendosura, por edhe inkurajuese për lulëzimin dhe mbijetesën e gangsterëve politikë në vendin tim.

Për ata që i njohin mirë zhvillimet politike të pas 1990 në Shqipëri, ajo që po ndodh sot këtu nuk duhet të jetë as e papritur dhe as e çuditshme. Për fatin e keq të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ajo parti dhe ajo kastë politike që mori përsipër drejtimin e vendit në rrugën perëndimore të zhvillimit rezultoi të ishte, kryesisht, një bandë ordinero-politike e cila antikomunizmin ekstrem, të shprehur më së shumti me propagandë bajate, e ka përdorur si maskë për të fshehur synimet e saj për pushtet të përjetshëm dhe të meçdokushtshëm duke e shndërruar pluralizmin politik në një fasadë dhe mundësinë e popullit për ndërrim paqësor dhe me votë të qeverisjes e ka zëvendësuar me imponim të dhunshëm institucional me mbështetjen e kontingjentit të rrugës.

Duke qenë një nga shumë shtetasit shqiptar që e vë vendin mbi partitë dhe individët politikë dhe duke qenë jo fort i kënaqur me qeverisjen aktuale, unë ruaj bindjen se qeveria Rama nuk është më e mira që iu nevojitet shqiptarëve, por jam po kaq i bindur se ajo qeveri, si çdo qeveri tjetër, duhet rrëzuar apo mbajtur vetëm me votime të lira e të drejta dhe nuk duhet lejuar kurrsesi zëvendësimi i saj nëpërmjet dhunës verbale dhe fizike që ka ushtruar dhe ushtron prej kohësh një bandë gangsterësh që kanë monopolizuar padrejtësisht opozitën politike kryesore shqiptare.

Si shqiptar, unë ndihem i turpëruar, por, për hir të së vërtetës, ndihem edhe i detyruar, të pohoj se në krye të banditizmit politik shqiptar qëndron njeriu që ka qenë për shumë kohë edhe kryetar shteti, edhe kryeministër i vendit. Është e dhimbshme që një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtar i BE-së të tërhiqet zvarrë nëpërmjet ankthit, kaosit dhe anormalitetit demokratik të shkaktuar nga një individ që ka kryer dhjetëra krime të llahtarshme, në pushtet dhe në opozitë, ndaj popullit dhe vendit të vet.

Si mundet që vendet perëndimore të pranojnë si interlokutor dhe të vazhdojnë t’i luten një njeriu që ka djegur vendin e vet për pushtet (1990-1992, janar- shkurt 1998), ka dhunuar zgjedhje në vitin 1996 dhe falsifikuar të tjera zgjedhje (2009 dhe 2011), që ka çuar vendin e vet në prag të luftës civile duke detyruar forcat ushtarake perëndimore të ndërhyjnë (1997), ka sulmuar dhe pushtuar me armë institucionet qendrore shtetërore dhe është larguar prej aty vetëm pas paralajmërimeve euro-atlantike (1998), ka rrahur e burgosur kundërshtarë politikë, ka djegur redaksi gazetash dhe rrahur gazetarë dhe është shpallur “armik i shtypit të lirë” nga organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit (1997), që ka vrarë kundërshtarë politikë (2011), ka tjetërsuar territorin e vendit të tij dhe shpërdoruar miliarda euro gjatë qeverisjeve të tij etj.?

Dhe, të gjitha këto janë të mirënjohura nga diplomacia dhe shtabet politike të vendeve tuaja. Vendet tuaja e konsideruan qeverisjen e tij të parë si “regjim gangsterësh” (The Independent- mars 1997), sjelljen e tij në opozitë si “një ordiner i rrezikshëm” (Suddeutsche Zeitung- 26.02.1998) dhe rolin e tij në proceset zgjedhore si “kreu i trukimit të zgjedhjeve” (korrespondenca diplomatike amerikane- 2009). A do të kishin lejuar qeveritë tuaja dhe populli juaj që një njeri i tillë të vazhdonte veprimtarinë politike dhe, madje, të ishte aktori dhe regjisori kryesor i anormalitetit demokratik dhe paqëndrueshmërisë politike dhe të bëhej shkaktari kryesor i vonesës apo pengimit të vendit në rrugën drejt shtetit ligjor dhe anëtarësimit në BE? Çfarë kuptimi ka që SHBA dhe BE të “shpenzojnë qindra miliona euro për zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri”, siç u shpreh një kolege e juaja pak ditë më parë dhe, nga ana tjetër të qëndrojnë indiferentë apo të moderuar ndaj sjelljeve dhe veprimeve antidemokratike dhe kriminale të banditit Sali Berisha?

Sali Berisha e ka kthyer partinë e tij në një gardë mbrojtëse për të gjithë të shkuarën e vet kriminale dhe sistemin e drejtësisë shqiptare në një siguri për pandëshkueshmërinë e tij ligjore. Kjo është arsyeja e vërtetë e manovrave, trukeve dhe rezistencës që ata bënë gjatë përgatitjes dhe miratimit të legjislacionit të Reformës në Drejtësi dhe kjo është arsyeja e vetme e asaj çfarë po bëjnë prej tre muajsh. Ju e dini shumë mirë se situata aktuale e krijuar nën drejtimin e tij është tërësisht artificiale dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me lirinë apo drejtësinë. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e njerëzimit që dhunuesit më të mëdhenj të lirisë dhe shkelësit e shumëhershëm të së drejtës të bëhen kalorës dhe gjeneralë të rivendosjes së tyre. Ka ndodhur, madje shpesh, që banditë dhe sharlatanë të paskrupullt të shfaqen si të tillë për të mashtruar popujt në mënyrë që t’i sundojnë më lehtë dhe më gjatë dhe popujt e kanë pësuar prej tyre.

Të nderuar zotërinj,

Sot, populli shqiptar ka nevojë urgjente për ndihmën aktive dhe të vendosur të qeverive tuaja. Sot ka ardhur koha të ndahet shapi nga sheqeri, e zeza nga e bardha, shkaku nga pasoja, fajtori nga viktima. Nëse qeveritë tuaja të nderuara pohojnë se “Askush nuk e kupton në Gjermani dhe në Evropë pse pak para zgjedhjeve kërkohet qeveri teknike” (Sigmar Gabriel) dhe “Qeveria teknike nuk është e nevojshme në Shqipëri” (Knut Fleckenstein), atëherë popullit shqiptar i duhet thënë hapur, qartë dhe prerë se cili është qëllimi i atyre që e kërkojnë këtë lloj qeverie. Nëse ju thoni se “Thelbi është që të respektohet Kushtetuta edhe kur jemi pakicë. Është e paimagjinueshme që një pakicë nuk e ndryshon gjendjen me zgjedhje, por nëpërmjet bojkotit” (Sigmar Gabriel) dhe se “Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht” (Bernd Borchard) atëherë nevojitet një qëndrim i qartë, i shpejtë dhe demaskues ndaj atyre që shpallin se “Do të marshojmë në kryeqytet javën tjetër” (Lulzim Basha), siç shpallte dikur Musolini marshimin mbi Romë apo se “Populli do të marrë kontrollin e territorit” (L.Basha), njëlloj siç shprehen drejtuesit e karteleve të drogës në Kolumbi apo drejtuesit e organizatave terroriste Al Kaeda dhe ISIS.

Si mund të tolerohen prej qeverive tuaja thirrje të tilla dhe përgatitjet serioze për pengimin e zgjedhjeve në Kavajë apo kërcënimet e përsëritura të banditit Berisha drejtuar një kryeministri  legjitim se “e pret fataliteti” ashtu siç e kërcënoi në 2011, pasi kishte vrarë katër protestues paqësorë, se “do të të ekzekutoj si një bandit nëse iu afrohesh zyrave të mija”?

Situatën e sotme nuk e dëshiron shumica dërmuese e popullit shqiptar dhe një numër i madh i anëtarësisë dhe votuesve të opozitës. Ajo është krijuar për t’i shërbyer një klike kriminale, të drejtuar në prapaskenë nga Sali Berisha dhe të interpretuar në mënyrën më të turpshme nga biri i tij moral, shpirtëror dhe politik Lulzim Basha. Të dy mëkatarë dhe autorë krimesh kur ishin në pushtet dhe interpretuesit kryesorë të farsës politike që po luhet sot. Një situatë e tillë iu volit edhe disa banditëve mediatikë e politikë të cilët bëjnë thirrje për djegie ndërtesash dhe përdorim dhune, të gatshëm të djegin vendin e tyre për pushtet, privilegje dhe tendera fitimprurës.

Zgjidhja e situatës aktuale nuk mund të vijë më me takime të pafundme boshe me këta sharlatanë dhe as me thirrje “të paanshme”, të tilla si: “Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisin dhunë…Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës…”. Jo! Thirrjet për ndalim dhune iu duhen drejtuar nominalisht nxitësve dhe ushtruesve të saj dhe jo vetëm kaq. Atyre iu duhen bërë të qarta edhe pasojat e ushtrimit të dhunës.

Qeveritë e BE-së dhe SHBA-së duhet të kuptojnë përfundimisht disa gjëra thelbësore: Ata që u detyruan të votojnë legjislacionin e Reformës në Drejtësi me kërcënim duhen detyruar me kërcënim dhe, madje, me masa të tjera të rrepta politiko- ligjore që të heqin dorë nga dhuna dhe të mos pengojnë popullin shqiptar në realizimin e të drejtave të tij për të votuar lirisht. Së dyti, për aq kohë sa Sali Berisha dhe një grusht banditësh politikë rreth tij nuk do të vihen përpara ligjit për krimet që kanë kryer, Shqipëria do të bëjë vendnumëro dhe ata do të tallen me popullin shqiptar, do ta nëpërkëmbin atë dhe zgjidhja e vetme për shumicën e shqiptarëve do të mbesë emigrimi në vendet tuaja. Së treti, nëse kjo bandë tolerohet më tej, atëherë përpjekjet dhe investimet e qeverive tuaja për Reformën në Drejtësi do të shkojnë praktikisht kot.

Unë jam i sigurt se ju i dini të gjitha sa thashë më sipër dhe se i pohoni ato në takimet tuaja konfidenciale apo në korrespondencën tuaj diplomatike, por nëse mendimet dhe bindjet tuaja nuk shndërrohen në veprime aktive atëherë edhe populli shqiptar do të dështojë në rrugëtimin e vet drejt jush dhe misioni juaj do të vlerësohet i dështuar. Ju i keni të gjitha mundësitë ta parandaloni këtë.

Nëse qeveritë tuaja përkatëse do të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim as mish as peshk; do të vazhdojnë t’iu luten autorëve të strategjisë së kaosit pa hedhur hapat e nevojshëm shtrëngues ndaj tyre është e sigurt se reputacioni i shteteve që përfaqësoni do të bjerë ndjeshëm tek shqiptarët, investimet dhe ndihmat tuaja për vendin dhe popullin tonë do të zhvlerësohen dhe parimet e sistemit politik që ju keni ofruar dhe propagandoni do të komprometohen rëndshëm, jo prej banditëve tanë politik, por nga qëndrimet tuaja praktike ndaj këtyre banditëve, dhunues të sistemit dhe parimeve të tij. Është çasti që ose duhet dhënë mësimi i duhur ose duhet shpallur kapitullimi përballë një bande gangsterësh dhe kriminelësh politikë në mes të Evropës. Shqipëria dhe populli i saj nuk duhen lënë më tutje peng i tyre.

Me konsideratë

Viktor Malaj   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA