...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Marrëveshja” Kosovë...e Uashingtonit: juridikisht e pavlefshme; politikisht në dobi të Serbisë

“Marrëveshja” nuk është as bilaterale, as trilaterale, as multilaterale, por është “unilaterale”, që shkenca juridike nuk njeh të tilla

Adil Fetahu

15/09/2020 - 16:16

Pas disa shtyrjeve, më në fund më 4 shttor u mbajt takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, në të cilën “u arrit një marrëveshje” e çuditshme, e emërtuar “Normalizimi i marrëdhënieve ekonomike".

Delegacionin tetëanëtarësh të Qeverisë së Kosovës e kryesoi kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa në përbërje të Delegacionit ishin edhe dy nënkryetarët e tij: Dritan Semanaj dhe Albulena Balaj-Halimaj si dhe Meliza Haradinaj-Stublla, ministre e punëve të jashtme dhe diasporës, Arban Abrashi, ministër i infrastrukturës, Skender  Hyseni, koordinator për dialogun, dhe Ardita Dushi, shefe e kabinetit të kryeministrit.

Delegacioni i Serbisë, i kryesuar nga kryetari i shtetit, Aleksandar Vuçiç, ishte përgjysëm më pak (4 veta), ku përveç Vuçiçit ishin edhe Sinisha Mali, ministër i financave, Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë-Metohi, dhe Mirko Çadezh, kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë.

Nga ana amerikane që udhëhiqnin bisedimet ishin Riçard Grenel, emisar special për bisedimet mes Kosovës e Serbisë, Jared Kushner, këshilltar dhe dhëndër i presidentit Tramp…ndërsa  fazën finale të nënshkrimit të dokumentit e udhëhoqi vet presidenti i SHBA-ve, Donald Tramp.

Tekstin e  “Marrëveshjes”  e  nënshkruan veçmas — në njërin ekzemplar nënshkroi kryeministri Hoti, ndërsa në tjetrin kryetri Vuçiç. Ata nuk kanë nënshkruar në të njëjtën letër, por secili në dokumentin e vet që i është dhënë për nënshkrim, në fund të harmonizimit të qëndrimeve. Dokumenti është shkruar në dy faqe. Përmbajtja e faqes së parë është e njëjtë, si në atë që ka nënshkruar Hoti, edhe në atë që ka nënshkruar Vuçiçi. Faqja e dytë, në të cilën kanë vënë nënshkrimet veç e veç, ka  disa ndryshime sidomos në paragrafin e fundit, që është i 16-ti me radhë.

Nga administrata amerikane askush nuk e ka nënshkruar dokumentin, sepse ajo nuk ishte pala e  tretë në “marrëveshje”.  Pasi me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e bisedimeve nga Grenelli, deri tek arritja e pëlqimit të të dy palëve, Presidenti Tramp iu ka shkruar nga një letër kryeministrit Hoti dhe kryetarit Vuçiç. Përmbajtja e Letrës së Trampit dërguar Hotit është si vijon:

“Shetet e Bashuara të Amerikës shprehin kënaqësinë për rastin që këtë javë jeni mysafirë në Shtëpinë e Bardhë. Përshëndes guximin që keni treguar, duke bërë hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës. SHBA-të ishin partner i besueshëm i Kosovës që prej fillimit dhe besojmë se këto bisedime në Shtëpinë e Bardhë paraqesin hap historik diplomatik. Pas më se 20 vjet të përparimit të kufizuar, besojmë se normalizimi ekonomik që arritët këtu, do të jetë kyç për sigurimin e paqes afatgjatë dhe stabilitetit të Ballkanit.

Krahas kësaj, përshëndesim vendimin tuaj të guximshëm që të normalizoni marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Ky është hap i rëndësishëm për lidhshmërinë e Kosovës me Lindjen e Mesme dhe i gëzohem partneritetit të krijuar me ju”. (Pason nënshkrimi “magjik “ i Trampit).

Për ta parë përmbajtjen e “marrëveshjes” dhe ndryshimin në variantin e nënshkruar nga Hoti, dhe atë të nënshkkruar nga Vuçiçi, në vazhdim po parashtroj tekstin e plotë, të të dy faqeve të dokumentit

1. Të dy palët do të zbatojnë Marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020;

2. Të dy palët do të zbatojnë Marrëveshjen për hekurudhën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020;

3.  Përveç kësaj, të dy palët do të angazhohen për të bërë një studim të përbashkët të fizibilitetit për lidhjen e Beogradit dhe Prishtinës me infrastrukturë hekurudhore e cila do të çojë drejt një porti në Adriatik;

4. Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të bashkëpunojnë me Korporatën Amerikane për Financim Ndërkombëtar dhe me EXIM-bankën për të realizuar memorandume mirëkuptimi që të ofrojnë:

-  Autostradën e Paqes,

-  Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare,

-  Lidhjen hekurudhore midis Nishit e Prishtinës,

- Sigurimin e financave për të mbështetur huatë e nevojshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme,

-  Projekte të tjera dypalëshe,

-  Praninë permanente të Agjencisë Amerikane të Zhvllimit, në Beograd, Serbi.   

5.  Të dy palët do të hapin dhe ta operacionalizojnë objektin në pikën e kalimit të përbashkët në    

               Merdar

6.  Të dy palët do t’i bashkohën “Zonës së Mini-shengenit”, të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe t’i shfrytëzojnë plotësisht benefitet e saj;

7. Të dy palët do t’i njohin diplomat dhe çertifikatat profesionale të njëra-tjetrës;

      8. Të dy palët do të pranojnë të bashkëpunojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe me  subjekte të tjera përkatëse juridike të qeverisë amerikane në studimin e fizibilitetit në lidhje me ndarjen mes tyre të Liqenit të Ujmanit/Gazivoda, si burim i besueshëm për furnizim me ujë dhe me energji;

     9. Të dy palët do të larmojnë burimet e veta të energjisë;

   10. Të dy palët do të ndalojnë përdorimin e rrjetit 5G nga shitës të pabesueshëm. Atje ku janë të pranishme pajisje të tilla, të dy palët detyrohen që me kohë t’i largojnë.

    11. Të dy palët do të shtojnë kontrollin e udhëtarëve me avionë, shkëmbimin reciprok të informacioneve dhe në kuadër të një bashkëpunimi më të gjërë të SHBA-ve në Ballkan dhe detyrohen të përmirësojnë teknologjinë për të luftuar veprimtaritë e paligjshme, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemin e verifikimit të informacioneve të cilat i sigurojnë SHBA-të, si PSAIES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

    12. Të dy palët detyrohen të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë ripërtrirjen e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e zonave fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse Serbe dhe vazhdimin e kthimit të pronave të hebrejve të periudhës së Holokaustit, të mbetura pa trashëgimtarë dhe të pa kërkuara.

13. Të dy palët detyrohen të përshpejtojnë përpjekjet për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur. Të dy palët detyrohen të identifikojnë dhe zbatojnë zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe të shpërngulurit e brendshëm; Të dy palët detyrohen të identifikojnë personin konktaktues i cili do të udhëheqë përpjekjet brenda ministrive përkatëse të qeverive dhe të bashkërendojë midis Beogradit e Prishtinës, si dhe të ofrojë përditësim vjetor të shifrave për rastet e zgjidhura dhe ato të pazgjidhura.

14. Të dy palët do të bashkëpunojnë me 69 shtetet të cilat e kriminalizojnë homoseksualitetin, dhe të nxisin dekriminalizimn e tij.

15. Të dy palët angazhohen ta trajtojnë Hezbullahun si organizatë terroriste dhe të marrin masa për të  kufizuar veprimet dhe aktivitetet financiare të Hesbullahut në jurisdiksionin e tyre.

16. Kosova (Prishtina) pajtohet se zbatojë moratoriumin njëvjeçar të kërkimit për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) pajtohet për moratorium njëvjeçar të fushatës për tërheqjen e njohjeve dhe se do të përmbahet nga kërkesa formale apo joformale ndaj cilitdo komb ose organizate ndërkombëtare për të mos e njohur Kosovën (Prishtinën) si shtet i pavarur. Të dy (këto) marrëveshje hyjnë në fuqi menjëherë.

Dy pikat e fundit janë të ndryshme në variantin e “Marrëveshjes” së Serbisë, nga ajo e Kosovës. Në variantin e Serbisë pika e fundit e “Marrëveshjes” ka këtë përmbajtje:

• Serbia (Beogradi) pajtohet të hapë përfaqësinë e Odës Ekonomike të Serbisë dhe Zyrës shtetërore në Jerusalem deri më 20 shtator 2020, dhe ambasadën e vet ta transferojë në Jerusalem deri më 1 korrik 2021.

Në variantin e Kosovës, të “Marrëveshjes”, pika e fundit ka këtë përmbajtje:

• Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen për njohjen reciproke.




Analizë juridike dhe politike tekstit të “Marrëveshjes”

Lexuesi i vëmendshëm do ta vërejë se emërtimin ‘marrëveshje’ e kam vendosur në thojza, që do të thotë se nga aspekti  i perfeksionit juridik nuk e konsideroj marrëveshje në plotëkuptimin e fjalës. Ai dokument më tepër i përngjet një letre të synimeve të mira për arritjen e qëllimeve të caktuara të dy shteteve, ndonëse askund nuk i emërton si shtete, por vetëm si “palë”, ndërsa palë mund të jenë edhe dy persona fizik, edhe dy subjekte juridike të llojeve dhe niveleve të ndryshme të një vendi, apo edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryetari i Serbisë, sapo u kthye nga Uashingtoni, me tërë zërin e tij të shpërndarë nëpër media, pohoi se duke e injoruar dhe mosnjohur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ka lidhur marrëveshje bilateriale me SHBA-të, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën! Kjo është një gënjeshtër e kulluar, sepse SHBA-të as nuk ishin palë, as nuk janë nënshkruese të “marrëveshjes” që thotë Vuçiçi. Ajo “marrëveshje” nuk është as bilaterale, as trilaterale, as multilaterale, por është “unilaterale”, që shkenca juridike nuk njeh të tilla.

Nga aspekti juridik, “marrëveshja” e arritur për normalizimin ekonomik midis Kosovës e Serbisë, ka të meta, të cilat e vënë në pikëpyetje, se nëse është vërtetë një marrëveshje ndërshetërore apo jo. E para është se tekstin e “marrëveshjes” nuk e kanë nënshkruar përfaqësuesit e të dy palëve në të njëjtin ekzemplar, por secili në ekzemplarin e vet që ua ka dhënë ndërmjetësi. E dyta, vetëm 10 pikat e para, të faqes së parë të “marrëveshjes” janë të njëjta; pika 16 (në faqen e dytë ku është dhënë nënshkrimi), është e ndryshme në ekzemplarin e njërës palë nga ajo e palës tjetër. E treta, për çështjet që është arritur pajtimi dhe është nënshkruar “marrëveshja”, nuk ka afate të zbatimit, as nuk ka sanksione për moszbatimin, as nuk parashihet kompetenca e ndonjë organi apo institucioni për zgjidhjen e kontestit midis palëve.

Kjo do të thotë se për moszbatimin e “marrëveshjes”, asnjëra palë nuk mund të ngrejë padi në ndonjë gjykatë apo arbitrazh kombëtar apo ndërkombëtar.

Megjithatë, për realizimin e një marrëveshje është më e rëndësishme përmbajtja dhe qëllimi, se sa forma dhe elementet formale. Një nga rregullat themelore të interpretimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është se ato duhet të interpretohen “bona fide” (me mirëbesim, si  qëllimmira), dhe kur marrëveshja është e tillë, atëherë “pacta sunt servanda” (kontrata, marrëveshja është e detyrueshme). Nga aspekti juridik-kushtetues, edhe të ishte marrëveshje e përsosur nga ana formale, pa u ratifikuar nga kuvendi i shtetit palë, juridikisht nuk është e vlefshme as e zbatueshme (shih: nenin 18  dhe 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës). Është çështje tjetër që pas kësaj “Marrëveshje” qëndron  një fuqi e cila mund t’i detyrojë palët  ta zbatojnë duke i kërcënuar me masa e sanksione të ndryshme. Dhe, nëse presidenti Tramp i fiton zgjedhjet e 3 nëntorit edhe për një mandat, gjasat për zbatimin e pikave të “Marrëveshjes” janë reale. Por, nëse në këto zgjedhje fiton Bajdeni, është për të besuar se kjo e ashtuquajtur “Marrëveshje” do të mbetet një letër e pa vlerë.

Formulimi i disa paragrafeve të “Marrëveshjes” ka implikime si për shembull: hapja e vendkalimit në Merdare; pranimi reciprok i diplomave dhe çertifikatave; ndalimi i përdorimit të teknologjisë 5G; hetimi dhe gjetja e personave të zhdukur;  caktimi i personit dhe zyrës për kontakt dhe raportim vjetor; mbrojtja e zonave të kishës ortodokse serbe; kthimi i pronave të hebrejve; ndalimi i fushatës së çnjohjeve dhe ndalimi i kërkesës për anëtarësim në organizma ndërkombëtare.

Ndërsa “marrëveshjen” e Kosovës e ka nënshkruar kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa atë të Serbisë e ka nënshkruar kryetari Aleksandar Vuçiç, në asnjenën nuk është nënshkruar presidenti Tramp, as ndonjë person tjetër nga pala amerikane (Grenell apo Kushner), por me një  letër përcjellëse tekstit të “marrëveshjes”, të nënshkruar nga presidenti Tramp, njoftohen palët për marrëveshjen e arritur.

Është e pazakontë që në një “marrëveshje” ekonomike të përfshihet një gamë kaq e gjërë e çështjeve të ndryshme, të cilat nuk kanë kurrëfar lidhje logjike me njëra-tjetrën as me një “marrëveshje” ekoomike, sikurse janë: njohja e diplomave dhe çertifikatave profesionale (paragrafi 7); liria e besimeve fetare (par.12);  gjetja e personave të zhdukur (par.13); mbështetja e lirive të homoseksualëve (par.14); shpallja dhe trajtimi i Hezbullahut si organizatë terroriste (par.15); moratorumi njëvjeçar i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në organizma ndërkombëtare  dhe  i fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve (par.16), si dhe dy paragrafet e fundit: ai për zhvendosjen e Ambasadës së Serbisë në Jerusalem, dhe ai për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Izraelit! Kur të gjitha këto i përfshinë në një “marrëveshje”, kjo i ngjanë një “strajce të magjupes”, në të cilën futë drith e miell, buke e bylmet…

Paragrafët as alinetë e tekstit të “marrëveshjes” nuk janë shënuar me numra as me germa, por me disa pika të trasha para secilit paragraf. Unë këtu i shënova me numra, në mënyrë që në analizë t’iu referohem më lehtë secilit paragraf.

Kjo “marrëveshje”, që s’është ‘as mish as peshk’, për Kosovën është e dobishme vetëm për sa i përket njohjes nga ana e Izraelit, por e dëmshme për keqësimin e marrëdhënieve me shtetet e tjera myslimane të cilat na e kanë njohur, sidomos me Turqinë. Është e dëmshme veçmas sa i përket Liqenit të Ujmanit, në të cilin Serbia bëhet hisenike, por edhe sa i përket infrastrukturës rrugore  dhe hekurudhore, të cilat janë vetëm në dobi të Serbisë, që është realizim i synimeve të moçme të saj për dalje në bregdetin shqiptar!

Moratoriumi njëvjeçar, për mosaplikim të anëtarësimit në organizma ndërkombëtare, respektivisht për ndaljen e fushatës serbe kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës, është një pikë e kotë, sepse Kosova edhe ashtu nuk po mund të depërtojë në ato organizma, kurse Serbia fushatën kundër njohjeve e vazhdon, veçse në mënyrë më të fshehtë.

Një e mirë në këtë të ashtuquajtur “marrëveshje” është se askund nuk është përmendur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, as emri i Kosovës nuk është shënuar (damkosur) me asteriks.

Thuhet se “marrëveshja” është më e dobishe për presidentin Tramp, në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që me këtë ka siguruar përkrahjen e plotë të lobit hebre në Amerikë. Jehona e “Marrëveshjes” së Uashingtonit, bëri që një deputet i Parlamentit të Suedisë (Magnus Jacobson) të bëjë propozim që Trampit, Hotit dhe Vuçiçit t’iu ndahet Çmimi Nobel për Paqe në Vitin 2020! Por “marrëveshja” ka shkatuar një përçarje në raportet midis Bashkimit Europian dhe Amerikës, sa i përket arritjes së marrëveshjes përfundimtare gjithëpërfshirëse, që BE pretendon të jetë aktori kryesor, por që deri më tash nuk është treguar efikase.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në Uashinton e lavdërojnë dhe e quajnë historike “marrëveshjen” e arritur atje. Në Kosovë dhe në Serbi, varësisht nga forcat politike, pro ose kundër qeverive, e lavdërojnë si “marrëveshje” shumë të dobishme, respektivisht e kritikojnë si “marrëveshje” shumë të dëmshme, duke spikatur argumentet e tyre për secilën pikë.

Unë shpresoj (dhe i lutem Zotit) që presidenti Tramp të mos i fitojë zgjedhjet e 3 nëntorit për një mandat të dytë dhe që “marrëveshja” e Uashintonit të mbetet vetëm si një letër e pavlerë!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA