...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Marrëveshja Serbi-Kosovë e Uashingtonit dhe të pathënat e dhimbshme të saj

Nga marrëveshja fiton më shumë Serbia: sepse dobitë e saj janë disafish krahasuar me dobitë e Kosovës dhe kanë karakter sistemik dhe të përhershëm—domethënë, lidhen me avantazhet e saj në rajon. Ndërsa dobitë e Kosovës janë shumë më të pakta dhe kanë karakter të përkohshëm. Nga 16 marrëveshje, 13 janë të dobishme për Serbinë ndërsa për Kosovën janë vetëm 3

Ylli Përmeti

06/09/2020 - 17:43

Takimi në Uashington ishte me pritshmëri modeste nga pala amerikane duke theksuar se marrëveshja do të përqëndrohësh në aspektet ekonomike dhe jo politike. Ndryshe ishin pritshmëritë e Beogradit: qeveria serbe mobilizoi gjithë arsenalin e lobit të saj në Uashington për të realizuar synimet e saja. Por ditën e parë të bisedimeve pala serbe ishte e shqetësuar: sipas saj, përmbajtja e marrëveshjes ishte kryekëput politike dhe jo ekonomike aq sa të jepte përshtypjen se Vuçiçi shkoi “për lesh dhe u kthye i qethur”. Pala jonë, ndërkohë, shkoi me pritshmëri të pakta për mos të thënë me frikën se do të humbiste shumë.

Sidoqoftë, bisedimet nuk zgjatën shumë —dy ditë— dhe marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit Tramp. Për këtë të fundit thuhet se donte një marrëveshje për të rritur besueshmërinë e qytetarëve amerikanë përpara zgjedhjeve me qëllim që të fitonte vota! Ky argument është problematik si për Trampin —nëse ai e beson— ashtu dhe për ata që e besojnë: sepse shumica e qytetarëve amerikanë nuk dinë se ku ndodhet Kosova dhe Serbia në hartë e jo më të ndihen mirë për arritjet e presidentit në politikën e jashtme, sidomos kur dihet se ndjesia e qytetarëve nuk ndryshon përmes politikës së jashtme por përmes politikës së brendshme: domethënë, kur ata prekin ‘sigurinë’ për jetën se sa kur nuk e prekin. Siguria e tyre, dhe jo vetëm e atyre, dihet se aktualisht lidhet kryesisht me punësimin, epideminë dhe drejtësinë. Punësimin Trampi mund ta zgjidhë (aktualisht po rritet pas një rënie të mprehtë); epideminë dhe drejtësinë lidhur me diskriminimet raciale (që po përdoret nga opozita e globalistëve neoliberalë në SHBA) nuk mund ta zgjidhë por mund ta zbusë nëse pajiset me dije sistemike.

Më konkretisht, efektet e epidemisë mund t`i zbusë nëse përdor masa parandaluese në tre nivele: në nivel sistemik—domethënë, pakëson ndërveprimin tregëtar me botën e jashtme dhe kontrollon hyrjet; në nivel social—domethënë, përdor masat që ka këshilluar OBSH-ja pavarësisht të metave të tyre (për këto masa do t`i duhet të ndryshojnë kompetencat: sipas ligjit masat janë në duart e drejtuesve të shteteve dhe jo qeverisë federale. Kjo është arsyeja kryesore se pse qeveria “Tramp” ka dështuar në luftimin e epidemisë); dhe në nivel edukativ dhe arsimor—domethënë, në sistemin arsimor integrohen lëndë mësimore ku fëmijët zhvillojnë mes shumë virtytesh dhe virtytin e pastërtisë. Diskriminimet raciale mund të zbuten nëse shoqëria zhvillon barazi, njerëzit zhvillojnë virtytin e drejtësisë dhe institucionet drejtohen nga njerëz të drejtë dhe jo të padrejtë dhe emotivë. 

Kështuqë, megjithëse politika e jashtme ka një lloj efeketi në politikën e brendshme, pak janë ata që preken nga efekti përkatës dhe bëjnë lidhjen mes politikës së jashtme dhe të brendshme, sidomos në kushtet kur veprimtaria ekonomike dhe ushtarake amerikane është përhapur thuajse në gjithë planetin.

Megjithatë, pas negociatave, qendrimet e Trampit (në Karolinën e veriut etj.) treguan se ai donte ta përdorte marrëveshjen kundrejt qytetarëve amerikanë por nga një qasje më bindëse për ta: duke treguar rëndësinë e saj dhe duke sugjeruar se marrëveshja meritonte çmim Nobel për Paqe. Pak ditë përpara këtyre qendrimeve një deputet norvegjez propozoi se Trampi meritonte të ishte kandidat për çmim Nobel të Paqes për vitin 2021 për ndihmën e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjes mes Izraelit dhe Emiratave të Bashkuara Arabe ndërsa vetë presidenti një vit më parë gjykonte se ai meritonte t`i jepej i njëjti Çmimi për punën e tij lidhur me Korenë e Veriut dhe Sirinë ndërsa u ankua se ndoshta nuk do ta merrte kurrë atë. Por gjykuar nga fakti se marrëveshja nuk pati karakter juridik (shih për më shumë, Adil Fetahu: “Marrëveshja” Kosovë…e Uashingtonit: juridikisht e pavlefshme; politikisht në dobi të Serbisë, Shqipëriajonë.org) dhe nuk ishte gjithëpërfshirëse,vazhdon në Bruksel dhe çmimet jepen vitin tjetër, por kryesisht nga fakti se qytetarët amerikanë ndikohen më shumë nga politika e brendshme, Trampi nuk do të mund ta përdorë “marrëveshjen” me mbrothësi brenda vendit.  

Duhet thënë se përpjekja amerikane për zhvillimin e dialogut mes dy vendeve lidhet me një qasje diplomatike që quhet “politikë kulaçi” por me doza “kërbaçi” meqë Serbia ka bërë naze duke luajtur me Rusinë dhe ndjesitë anti-amerikane në popull janë të gjalla. Kjo politikë njihet ndryshe si “pushtet i butë” (“soft power”) dhe përdoret kryesisht për të integruar një vend në sferën e influencës së një vendi më të madh. Përdoret, në fjalë të tjera, pushteti ekonomik për të realizuar një qëllim të mëtejshëm. Kështuqë argumenti i Grenellit, se Trampi këshilloi përdorimin e ‘ekonomisë’ për zhvillimin e dialogut, duhet parë nga këndvështrimi i politikës përkatëse: “politikës së kulaçit” dhe efektit të saj. 

Federata ballkanike, avantazhet serbe në tregun e rajonit dhe diplomacia e turpshme shqiptare

Por le t`i kthehemi përmbjatjes së marrëveshjes: siç raportohet, në variantin e parë të përmbajtjes së marrëveshjes ishte përfshirë liqeni i Ujmanit — se do ta ndanin të dyja palët. Por ishte kërcënimi i Haradinajt, pjesë e koalicionit të qeverisë “Hoti”, se do të linte qeverinë, që detyroi hartuesit e marrëveshjes ta hiqnin nga përmbajtja. Kjo pikë u zëvendësua me studimin që pritet të zhvillojë Departamenti i Energjisë së SHBA-së për liqenin përkatës. Në fakt, Haradinaj veproi pa e kuptuar efektin e marrëveshjes: sepse u nënshkrua shumëfishimi i energjisë për të dy vendet (shih në vijim)! Për të njëjtën arsye kërcënimi i tij ishte një blof. Njëlloj vepruan me togfjalshin e “njohjes së ndërsjellë”: ajo u hoq pas protestës së serbëve.

Por le t`i shqyrtojmë pikat e marrëveshjes në bazë të përmbajtjes përfundimtare: ajo përmban 16 marrëveshje me 6 nënmarrëveshje.

Pika e parë është kërkimi i zbatimit të marrëveshjes për autostradën Beograd-Prishtinë të nënshkruar në 14 shkurt 2020. Kjo autostradë ndihmon më shumë Serbinë meqë ajo gëzon avantazhe ekonomike krahasuar me Shqipërinë dhe Kosovën. Domethënë, ajo do të përdoret më shumë nga ndërmarrjet eksportuese serbe se sa nga eksportuesit shqiptarë dhe qytetarët e thjeshtë. Ajo do të kontribojë, gjithashtu, në ndotjen dhe shkatërrimin e ekosistemit dhe do të shkatërrojë më shumë jetën e kafshëve të egra në pyje nëse nuk krijohen vendkalime për to.

Marrëveshja e hekurudhave Prishtinë-Beograd e nënshkruar në të njëjtën ditë, 14 shkurt, 2020, është thuajse me të njëjtin efekt për serbët: me të vetmin ndryshim se hekurudhat janë më pak ndotëse krahasuar me autostradat. Kështuqë, edhe nga kjo marrëveshje fiton më shumë Serbia, e cila do të ulë edhe më shumë koston e prodhimit me koston e ulët të transportit që siguron hekurudha dhe do të konkurrojë më fortë prodhimet shqiptare. Në këtë marrëveshje është përfshirë dhe një studim paraprak për mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port…në Adriatik. Porti nuk përmendet por dihet se bëhet fjalë për portin e Durrësit!

Kështuqë Serbia siguron njëherësh dalje në Adriatik dhe kosto të ulët transporti dhe më tej prodhimi, i cili, me radhë, do të konkurrojë me prodhimin tonë që ka kosto më të lartë! Në fjalë të tjera, ajo zgjeron veprimtarinë e saj ekonomike në Kosovë dhe Shqipëri ndërsa ne e tkurrim; ajo pasurohet më shumë ndërsa ne varfërohemi më shumë; dhe ajo dikton politikat vendore ndërsa nënshtrohemi më shumë.

Marrëveshja për të punuar me Korporatën Ndërkombëtare Zhvillimore Financiare të SHBA-së (DFC) dhe bankën EXIM (export-import) për të vënë në punë autostradën e paqes; lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare; lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë; dhe sigurimin e financave për mbështetjen me kredi të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndihmon më shumë Serbinë se sa Kosovën: sepse së pari këto dy institucione do të veprojnë në Beograd (përjashto mundësinë e hapjes së një filiali në Prishtinë) ku do të shkojnë ndërmarrësit dhe qeveritë për të gjeneruar kreditë; dhe së dyti, SHBA-ja siguron dy shtete si kredimarrës.

Nga kjo marrëveshje, rrjedhimisht, fiton më shumë SHBA-ja dhe pastaj dhe Serbia meqë Beogradi do të shndërrohet në qendër kredidhënëse për ndërmarrjet shtetërore që pritet të zhvillohen mes dy vendeve (autostradat, hekurudhat et.) dhe aspak Kosova, përjashto mundësinë se Kosova nuk kishte rrugë tjetër kreditore dhe zhvillimore (që me siguri ka).

Nënshkrimi i bashkimit në zonën e “mini-shengenit” është thjesht pasojë e orientimit zhvillimor të vendeve të rajonit, BE-së dhe perëndimit në përgjithësi: ai thjesht institucionalizon katër liritë sistemike (kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe punës) dhe përgatit kushtet për integrim të Ballkanit Perëndimor në BE ku vendet drejtohen kryesisht nga Brukseli se sa nga qeveritë e vendeve të Unionit. Ky është objektivi final i këtij mini-unioni në Ballkan: të përgatisë kushtet sistemike dhe sociale (të binden qytetarët se rrugë tjetër zhvillimore nuk kanë) për integrim në BE dhe globalizmin neoliberal ku sundojnë korporatat dhe bankat shumë-komshe, institucionet ndërkombëtare dhe elitat (kryesisht G7) se sa institucionet shtetërore.

Njohja e ndërsjellë e diplomave dhe çertifikateve profesionale lidhet me lirinë e punës: domethënë, kur një shqiptar i kualifikuar me kursimet e popullit të cilit i përket gjen punë në Beograd apo një serb në Prishtinë, me pagë më të mirë, ai do të mund të shkojë. Edhe në këtë rast, fiton Beogradi meqë atje janë rrogat më të larta. Marrëveshja për shumëfishimin e energjisë —përmes financimit amerikan—nënkupton përdorimin e liqenit të Ujmanit për të dy vendet. Nënkupton, gjithashtu, katastrofë të mëtjeshme ekologjike. Ja pse Haradinaj blofoi!

Ndalimi i pajisjeve 5G thjesht synon ndalimin e tekonologjisë kineze dhe zëvendësimin e saj —në afatgjatë— me teknologji amerikane, meqë nuk e ka zhvilluar ende. Ngjashëm, nënshkrimi i marrëveshjes për kontrollin e udhëtarëve ajrorë, ndarjen e të dhënave mes palëve dhe me shërbimet amerikane në rajon, synon luftimin e veprimtarive keqdashëse dhe —në këto kushte— si marrëveshje është në dobi të të treja palëve: SHBA-së, Serbisë, Kosovës dhe përtej.

Nënshkrimi i marrëveshjes për mbrojtjen e lirive fetare, vendeve fetare dhe vendimeve gjyqësore që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe, është në dobi të Serbisë meqë ajo pretendon se monumentet fetare janë krijesë e fesë së saj dhe jo e periudhës bizantine kur shqiptarët ishin në shumicën e tyre ortodoksë gjithashtu. Vazhdimi i kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit synon zhdëmtimin e hebrejëve dhe nuk dëmton ndonjë vend përjashto mundësinë kur pretendohet ndonjë sipërfaqe e madhe tokësore.

Vazhdimi i përpjekjeve për gjetjen e personave të humbur gjatë luftës është në dobi të Kosovës por ndërsa mund të gjenden disa, disa mijëra të tjetër do të ikin. Zotimi për zgjidhjen afatgjatë dhe të qendrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit është në dobi të vendeve por më mirë do të ishte të luftoheshin shkaqet e zhvendosjes së njerëzve si në rastin e Luginës së Preshevës. Zotimi për dekriminalizimin e homoseksualitetit është i dobishëm për të dy vendet por ai procedon pa kuptim të drejtë të problematikës dhe edukim të popullatës. Shpallja e Hezbollahut si organizatë terroriste nga të dy vendet lidhet me politikën e jashtme amerikane e cila mund të ndryshojë në të ardhmen nëse Izraeli përshkallëzon ofensivën e tij në rajon kundër Palestinës. Lidhur me këtë marrëveshje, SHBA-ja kërkon mbështetje ndërkombëtare për qendrimet e saj në kuadër të ‘ndihmës’ që po u jepë dy vendeve.

Ndalimi i Kosovës për mos t`u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare për një vit ndërsa ndalohet po aq Serbia për fushatën e saj kundër njohjes së Kosovës, nuk është në dobi të asnjërit meqë Kosova është njohur nga shumica e vendeve të planetit tonë dhe njohja nga të gjithë vendet kurrë s`ka për ndodhur meqë ata që s`e njohin kanë krijuar shtete me popuj të tjerë dhe kanë frikën e ndonjë ndarjeje në vendin e tyre. Dhe në fund, njohja mes Izraelit dhe Kosovës nuk duhet të ishte fare në marrëveshje meqë lidhet me një shtet të katërt. Por është përfshirë në kuadër të mbështetjes amerikane të dialogut mes dy vendeve dhe si shpërblim ndaj mbështetjes së saj. 

Përfundime

Qartësisht, nga marrëveshja fiton më shumë Serbia: sepse dobitë e saj janë disafish krahasuar me dobitë e Kosovës dhe kanë karakter sistemik dhe të përhershëm—domethënë, lidhen me avantazhet e saj në rajon. Ndërsa dobitë e Kosovës janë shumë më të pakta dhe kanë karakter të përkohshëm. Nga 16 marrëveshje, 13 janë të dobishme për Serbinë ndërsa për Kosovën janë vetëm 3! Nga kjo marrëveshje fiton shumë dhe SHBA-ja meqë shumë ndërmarrje do të financohen nga kapitali amerikan dhe financimet kanë karakter afat-gjatë dhe të sigurtë. Kujtoj se marrëveshjen për “mini-shengenin”, të cilën e përparoi Rama, Vuçiçi dhe Zaevi, qeveria “Hoti” e kundërshtoi kur ishte në opozitë me argumentin se ishte projek “euroaziatik” i dominuar nga Rusia! Shtrembëroi, në fjalë të tjera, jo vetëm të vërtetën, se projekti ishte evropian, (përjashto mundësinë që s`ka kuptuar asgjë nga realiteti gjeopolitikë) por për hir të pushtetit “lëpiu pështymën” e saj! Tregoi, edhe një herë, se pushteti përpara interesave kombëtare, është më i rëndësishëm. Opozita e VV nuk ndryshon shumë nga qeveria “Hoti” meqë nuk tregon as realitetin e plotë ku jetojmë, as ka zhvilluar ndonjë strategji pedagogjike dhe juridike kundrejt Serbisë as ka treguar gjithë efeket e marrëveshjes. Në fund, argumenti i Vuçiçit —se marrëveshja ishte me SHBA-në dhe jo me Kosovën pas nënshkrimit të saj— tregon një të vërtetë të madhe, nëse gjykojmë nga dobitë e palëve: kështuqë argumenti i tij lidhet si me dobitë përkatëse ashtu dhe me përdorimin e argumentit brenda Serbisë për përfitime politike.

Kishte mundësi Kosova të realizonte një marrëveshje më të mirë? Sigurisht që kishte! Por klasa politike në Prishtinë nuk ka zhvilluar ndonjë strategji të bazuar në drejtësi dhe pedagogji. Kështuqë, me një klasë politike të përçarë, pa dije dhe me epshin e pushtetit, nuk mund të pritet ndonjë marrëveshje në dobi të Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi. Por kjo s`do të thotë se ne duhet të heqim dorë nga përmbysja e dobive serbe në rajon.      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA