Federata ballkanike, avantazhet serbe në tregun e rajonit dhe diplomacia e turpshme shqiptare
Efektet afatgjata në politikën tonë do të jenë katastrofike: në njërën anë zgjerohet kapitali serb në Shqipëri, bashkë me të cilin mund të minohet pushteti politik ose të diktohen politikat vendore dhe në tjetrën vetë Serbia mund të kthehet në pol tërheqës në rajon për punëtorët shqiptarë meqënse atje rrogat janë më të larta dhe kostua e energjisë dhe e mallrave më e ulët. Në këtë mënyrë boshatiset dhe më shumë Shqipëria. Pushteti politik i Beogradit, në të vërtetë, po ndjek strategjinë e Greqisë me Shqipërinë.
Ylli Përmeti
23/12/2019 - 10:43
Për përparimin e federatës ballkanike përdoret më shumë se gjithçka tjetër argumenti ekonomik si nga Rama ashtu nga shtypi: se federata do të sjellë rritje ekonomike për të gjithë! Për argumentin e fundit përdoren faktet e krijuar që kur kjo nismë filloi: se eksportet janë rritur nga 5.7 për qind në vitin 2006 në 13.2 për qind në fund të vitit 2016-të — rreth dyfishin e eksporteve të një dekade më parë. Aktualisht, shkruante shtypi, duke u bazuar në statistikat e INSTAT-it, Shqipëria ka një bilanc tregtar ku për çdo 100 lekë importe, shet 47 lekë eksporte. Në rajon ky bilanc është për çdo 100 lekë importe, Shqipëria i shet rajonit 84 lekë eksporte. Domethënë, ndërsa vazhdojnë të dominojnë importet në ekonominë tonë – ekportet tona dominojnë në rajon. Dhe me marrëveshjen e re, na thotë masmedia kombëtare, Shqipërisë (dhe jo vetëm), do t’i rriten eksportet! Dhe ja si e paraqesin projektin:
Komisioni europian sqaron se Zona do të bazohet në katër shtylla që janë tregtia, investimet, lëvizja e lirë dhe tregu dixhital. Në lidhje me tregtinë, Zona e Përbashkët ekonomike, parashikon zgjerimin e marrëveshjes CEFTA [kjo e fundit në krye të 10 vjetëve, 2009-2016 rriti shkëmbimet tregëtare me 4.9 herë][1] duke përfshirë edhe tregtinë e shërbimeve. Kjo nënkupton që kompanitë e shërbimeve si bankat, shoqëritë e sigurimeve apo ato të transportit të mund të lëvizin dhe ofrojnë shërbimet e tyre lirshëm në çdo vend të rajonit. Pas tregtisë, kolona e dytë e zonës ekonomike do të jenë investimet. Gjashtë shtetet e ballkanit perëndimor do të pajtohen të krijojnë një axhendë të përbashkët investimesh, ku përfshihet shkëmbimi i informacionit dhe harmonizimi i politikave investuese. Pika e tretë, ajo që parashikon lëvizjen e lirë prek drejtëpërdrejtë qytetarët. Vendet do të pajtohen të heqin çdo barrierë për lëvizjen e lirë të profesionistëve, përmes njohjes së përbashkët të kualifikimeve profesionale. Kjo nënkupton se një dentist shqiptar mund të ofrojë shërbimet në Beograd dhe anasjelltas. Dimensioni i fundit i projektit është ‘elektronifikimi’ [dixhitalizimi siç e quan establi...]. Ky dimension përfshin marrëveshje për shërbimet “roaming” dhe ato të ofrimit të internetit. Ai parashikon protokolle për sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave dhe do të adresojë nevojat që kanë vendet e rajonit për aftësi në fushën e elektronikës. Sipas Komisionit Europian Zona e përbashkët do të krijojë 80 mijë vende të reja pune në rajon dhe do të nxisë rritjen ekonomike...Civici thotë se projekti për zonën e përbashkët ekonomike është një zhvillim pozitiv që do të nxisë ekonomitë e vendeve të rajonit [ndërsa] Arben Malaj thotë se fokusi i Shqipërisë duhet të jetë integrimi në BE.
Pyetjes lidhur me ndikimet e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe se sa do të ndikojë marrëveshja “që Kosova të ketë një performancë [ose rendiment] më të mirë në zhvillim sidomos lidhur me eksportet dhe bizneset me vendet e rajonit, 41 për qind e ndërmarrjeve besojnë po; 33 për qind ndoshta; 16 për qind nuk do të ketë ndikim kjo marrëveshje...ndërsa 41.6 për qind se do [të] rriten eksportet; 33 për qind përgjigjen me ndoshta...[dhe] 66 për qind besojnë se do të ulen kostot e transportit për shkak të barrierave që janë të njohura apo pengesat që i ka bërë Serbia për tranzitin”...pyetjes se sa ka ndikuar negativisht Serbia në zhvillimin e bizneseve të Kosovës, 75 për qind e bizneseve besojnë se ka pasur ndikim negativ”.[2]
Por eksportet jo detyrimisht përkthehen në mirëqenie brenda vendit ndërsa dihet se kur rriten eksportet, rritet lëvizshmëria e automjeteve, rritet ndotja e ekosistemit dhe rritet shkatërrimi i jetës që na rrethon në kohën kur përqindja më e madhe e ekosistemit është shkatërruar dhe kërcënon jetën e planetit! Ndërsa ky efekt shpërnjihet nga elitat dhe akademikët përkatës (Banka Botërore, në fakt, me përmirësimin e infrastrukturës në dogana synon të kontribuojë në zvogëlimin e ndotjes që shkaktojnë automjetet por është e qartë se kontributi është tejet i vogël), theksoj se Serbia mund ta dominojë tregun e rajonit në afatshkurtër dhe afatgjatë meqënse si vend është më i madh (kapitalistët zgjedhin vendet e mëdhenj për investime) dhe ka marrëdhënie të mira me Rusinë përmes së cilës mund të sigurojë burime energjitike (gaz dhe naftë) më të lira. Linja e gazit “turkstream”, e cila përshkon horizontalisht Bullgarinë dhe nga jugu në veri Serbinë, tashmë ka mbaruar ndërsa shpërdarja e gazit fillon përpara prillit të vitit tjetër (2020). Por qoftë edhe në mungesë të kësaj linje energjia në Serbi është më e lirë. Në vitin 2019, për shembull, Serbia kishte kosto më të ulët të energjisë elektrike se Shqipëria: 0.09 dhe 0.10 dollarë, përkatësisht. Nafta, gjithashtu, është më e shtrenjtë në Shqipëri: 1.54 dhe 1.60 dollarë, përkatësisht. Vetëm në çmimin e gazit (LPG) Shqipëria është më e lirë: 0.56 dhe 0.77 përkatësisht.[3]
Kujtoj se çmimi i naftës dhe gazit përcaktohet nga tregu ndërkombëtar i marketingut. Por janë taksat ose akciza që ndryshon çmimin e tyre në raport me vendet e rajonit. Kujtoj, gjithashtu, se Shqipëria prodhon naftë dhe gas ndërsa Serbia jo! Por pavarësisht këtij fakti, Serbia ka përgjithësisht çmime më të lirë të energjisë motorrike, kryesisht sepse jemi integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut dhe shkatërruam sektorin e energjisë.[4]Kjo kosto në vetvete kontribuon në rritjen e kursimeve të qytetarëve dhe fuqinë blerëse të tyre më shumë se në Shqipëri. Por ajo është vendimtare në koston e prodhimit: në Serbi kostua e prodhimit është më e ulët sepse është kostua e energjisë më e ulët dhe për pasojë kur kostua e prodhimit është më e ulët, ashtu do të jetë dhe çmimi i mallrave në treg: më i ulët. Pasoja e mëtejshme e këtij procesi është se Serbia aktualisht dominon tregun kryesisht si pasojë e kostos së ulët të energjisë. Krahas këtij avantazhi, Serbia ka krijuar një tjetër avatazh për ndërmarrjet private atje – vendore dhe të huaja: shpërndan subvencione vjetore — një politikë që është përdorur që në vitin 2006 në shkëmbim të krijimit të vendeve të punës. Gjatë dhjetëvjeçarit 2006 dhe 2016, për shembull, Serbia dha 501.8 milion euro në subvencione nga të cilat 90 për qind i morën ndërmarrjet e huaja — në shkëmbim të 82,015 vende pune.
Janë pikërisht këta tre avantazhe —vend më i madh, me kosto energjie më të ulët dhe subvencionet për ndërmarrjet private— që e bëjnë Serbinë dominante në rajon — avantazhe të cilët nuk i ka kuptuar as establishmenti politik, as ai akademik (më lartë kam përfshirë qendrimet e dy akademikëve tanë, Civici dhe Malaj, të cilët, si gjithë të tjerët, nuk i përmendin avantazhet përkatëse asgjëkundi—përkundrazi, na thonë siç na kanë thënë prej vitesh...përpara, drejt shkatërrimit të plotë!) as edhe ai mediatik! Vetëm subvencionet përmenden nga disa veprimtarë por edhe ata janë të pjesshëm në kuptimin e politikës përkatëse (deklaratat e veprimtarëve të Vetëvendosjes në Tiranë gjatë protestës kundër ardhjes së Vuçiçit e bënë të qartë kuptimin e tyre të pjesshëm) ndërsa Prishtina refuzon nismën por nuk tregon as avantazhet aktuale as edhe të ardhmen! Përgjithësisht mbizotëron pështjellimi: sepse të përmedësh ‘avantazhet’ pa përmendur se cilët janë ata - nuk mund të jetë arsyetim i drejtë në ekonomi. Dhe siç paraqiten në ekonomi ashtu paraqiten dhe në diplomaci. Për shembull, Agim Nesho, ish-ambasador në OKB, thotë “min-shengeni ballkanik...veprime të pamenduara që forcojnë serbët”. Ky në një fjali të vetme shtrembëron karakterin e nismës përkatëse —e quan “mini-shengen”— ndërsa nuk përmend rrugën se si ‘forcohen’ serbët! Apo Shaban Murati, “eksperti” i marrëdhënieve ndërkombëtare i gazetës “Dita”, i cili nuk e shikon përpjekjen e Ramës nga perspektiva evropiane (se çfarë synon Evropa me këtë nisëm dhe pse) dhe nga perspektiva e popullit tonë (shumica e tij kërkon të integrohet në BE) dhe nga padija e Ramës por dhe nga dëshira e këtij të fundit për të sjellë milionat e eurove nga Brukseli, fakt që tregon edhe një herë se është një kryeministër ‘pragmatist’ dhe jo ‘idealist’, nëse me ‘idealizëm’ kuptojmë përdorimin e drejtësisë në raport me Serbinë, por se diplomacia jonë është “naive”![5]
Pas mbledhjes në Durrës për përparimin e “federatës ballkanike” shpërthyen akuzat se Rama është ‘tradhëtar’! Këtë akuzë e përdori kryesisht opozita e PD-së e cila e ilustroi akuzën e saj jo vetëm me mbledhjen e radhës (sikur të ishte e para!) por dhe me një intervistë të Vuçiçit në “Politico”.[6] Këtë të fundit, opozita e paraqet sipas propagandës së saj: se Vuçiçi kërkon të rikrijojë Jugosllavinë pjesë e së cilës do të jetë dhe Shqipëria! Përmes kësaj propagande “opozita” e udhëhequr nga Basha ka krijuar idenë se projekti nuk vjen nga Brukseli por nga Beogradi - duke nënkuptuar se ajo do të vepronte ndryshe po të ishte në vend të Ramës! Por kjo akuzë është e padrejtë sepse shpërnjeh faktin se nismën përkatëse nuk e ka ‘ngjizur’ Rama; shpërnjeh, gjithashtu, faktin tjetër, vendimtar, se veprimet e Ramës burojnë nga dëshira e popullit shqiptar (dhe jo vetëm) për t`u integruar në BE. Nëse është për t`u akuzuar Rama në këtë nismë, ai mund të akuzohet vetëm për veprime të ‘nxituara’. Por edhe kjo s`mjafton nëse nuk i tregojmë Ramës se pse veprimet e tij janë të ‘nxituara’. Akuzat e padrejta vazhduan dhe nga Prishtina: Haradinaj, për shembull, akuzoi se “mini-shengeni” ka si qëllim heqjen e taksës ndaj Serbisë. Domethënë, taksën që vendosi ai! Ky qendrim është i padrejtë sepse nuk lidhet me efektin që ka orientimi ynë —për t`u integruar në BE— as lidhet me faktin se taksa e tij do të hiqet nga Kurti. Në këtë dinamikë nuk vonoi përgjigjja e Ramës ndaj mospjesëmarrjes së Prishtinës në mbledhjen e Durrësit: se ajo po ecën në një rrugë ‘qorre’!
Nga Prishtina pati shumë reagime: ish-kryenegociatoria e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, për shembull, në kritikën e saj kundër Ramës, tha se “minishengeni krijon bërthamën ekonomike për Serbinë e Madhe”...por pa treguar se si krijohet “bërthama ekonomike”! Qëndrimi i PD-së së Bashës ndërkohë ishte “po për afrimin e shteteve dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre por jo pa Republikën e Kosovës”. Ky qendrim përputhet me qendrimin e Metës sipas të cilit “çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirëse, është e mirëpritur”. Qartësisht, përballemi me qendrime që nuk mbështeten në dije sistemike dhe arsyetim të drejtë. Si të tilla, ato janë të turpshme!
Në të njëjtën linjë —joshkencore— paraqitet dhe “Akademia e Shkencave të Kosovës”: ajo mban një qendrim të papërputhshëm me të vërtetat e Federatës Ballkanike të Brukselit! Së pari e konsideron atë “mini-shengen” duke ndjekur karakterizimin e Ramës; së dyti e tepëron kur thotë se nisma shkaktoi dëm në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri dhe lëndoi ndjeshmërinë e marrëdhënies duke e quajtur sjelljen e Ramës “hakmarrje të parsyeshme”, sepse marrëdhëniet mund të vazhdojnë nëse synohet qartësimi i problematikës; së treti beson se “nisma e propozuar nga Serbia ka prapavijë të qartë subversive dhe synon rrënimin e përspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit duke krijuar alternativë minuese dhe defaktorizim të potencialit politik shqiptar në këtë process”—kur nisma nuk është propozuar nga Serbia; dhe së fundmi, se nisma nuk është e mundur për sa kohë që ekziston ‘asimetri politike’ mes Kosovës dhe Serbisë, meqënse kjo e fundit nuk njeh “Kosovën dhe çdo ditë minon dhe shantazhon progresin e saj, synon ndarjen dhe copëtimin e saj, mohon krimet dhe nuk respekton marrëveshjet e arritura dhe që është e angazhuar gjerësisht në pengimin e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe duke ndërmarrë sulme të vazhdueshme diplomatike për të zvogëluar numrin e njohjeve”…kur dihet se asimetria kryesore mes vendeve tona, Serbisë dhe Shqipërisë —në këtë përfshij dhe Kosovën— është ekonomike!
Gjykuar nga padija e klasës politike në Tiranë dhe Prishtinë lidhur me avantazhet përkatëse, por dhe nga karakteri i rezistencës popullore —ajo është e vogël dhe ka qendrime që nuk burojnë nga kuptimi i drejtë nismës jo vetëm në terma ekonomikë por dhe në terma zanafille, se kush e ngjizi idenë e ‘federatës’ dhe përse— mund të nxjerrim përfundime për të ardhmen se nëse do të përparojë apo do të pezullohet nisma: me siguri do të përparojë dhe bashkë me të do të përparojë dhe kapitali serb në Shqipëri dhe Kosovë dhe bashkë me kapitalin serb, do të përparojnë dhe synimet afatgjata të Beogradit për të cilët ka shkruajtur vitet e fundit Adil Fetahu në “Shqipëriajonë.org” dhe asnjë media, universitet dhe organizatë politike nuk e vuri “ujin në zjarr”! Efektet afatgjata në politikën tonë do të jenë katastrofike: në njërën anë zgjerohet kapitali serb në Shqipëri, bashkë me të cilin mund të minohet pushteti politik ose të diktohen politikat vendore dhe në tjetrën vetë Serbia mund të kthehet në pol tërheqës në rajon për punëtorët shqiptarë meqënse atje rrogat janë më të larta dhe kostua e energjisë dhe e mallrave më e ulët. Në këtë mënyrë boshatiset dhe më shumë Shqipëria. Pushteti politik i Beogradit, në të vërtetë, po ndjek strategjinë e Greqisë me Shqipërinë.[7]Nxitimi i Ramës mund të frenohet vetëm nëse kontribuojnë njerëzit në dije—domethënë, studimet lexohen, shqyrtohen dhe kuptohen dhe të gjithë bashkë krijojnë një qendrim të qartë ndërsa mobilizohen në protesta duke kërkuar pezullimin e nismës dhe duke kërkuar krijimin e kushteve të barabarta social-ekonomike në mos më të mira meqë nuk na mungojnë burimet ekonomike. Për të krijuar një tablo më të plotë për nismën përkatëse, në vijim do të shqyrtoj zanafillën e federatës ballkanike dhe arsyet se pse krijohet ajo nga perspektiva europiane—punë që duhet ta kishin bërë pedagogët e Universiteteve (publike dhe private) dhe masmedia kombëtare.
Lexo dhe këtë: Marrëveshja Serbi-Kosovë e Uashingtonit dhe të pathënat e dhimbshme të saj
[1]Shqipëria në CEFTA, Ekonomi: Më pak barriera e më shumë lehtësi do rrisin tregëtinë, Monitor, 12/12/2016.
[2]OEK: Marrëveshja Kosovë – Serbi do të rriste investimet, Voa, 18 nëntor 2019.
[3]Electricity prices for households, GlobalPetrolPrices.com, June 2019.
[4]Shih, për më shumë, Ekonomia eksptroverte falimentoi Greqinë dhe Shqipërinë.
[5]Memo nga historia/ Për ata që duan Serbinë më shumë se Kosovën, Dita, 21 dhjetor 2019.
[6]Serbia`s plan to bring back (best of) Yugoslavia, Politico, 4/6/17.
[7]Kam treguar se si po vepron Greqia në një studim.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 646 reads