...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mashtrimi i punëtorëve me sindikatat (çfarë s`tregoi “top story”?)

Sindikatat e punëtorëve kanë filluar veprimtarinë e tyre politike kryesisht në fillim të shekullit 20-të dhe janë frymëzuar nga Bakunini dhe jo nga Marksi dhe Engëlsi: i pari mbështeste krijimin e unioneve të punëtorisë si nevojë për të luftuar kundër klasës kapitaliste dhe për një rend të ri...ndërsa të dytët mbronin krijimin e partive socialiste pa të cilat klasa punëtore s`kishte asnjë shpresë për të mbijetuar

Ylli Përmeti

02/05/2019 - 10:01

...‘në Britani që nga viti 1995...shohim një eunukizëm të sindikatave, sikurse një president i një ndërmarrjeje private të ujit u thotë menaxherëve të hekurudhave britanike: e vetmja metodë për një privatizim të suksesshëm është zhdukja ose eunukizmi i sindikatave’![1] Kujtoj se sindikatat e punëtorëve kanë filluar veprimtarinë e tyre politike kryesisht në fillim të shekullit 20-të dhe janë frymëzuar nga Bakunini dhe jo nga Marksi dhe Engëlsi: i pari mbështeste krijimin e unioneve të punëtorisë si nevojë për të luftuar kundër klasës kapitaliste dhe për një rend të ri...ndërsa të dytët mbronin krijimin e partive socialiste pa të cilat klasa punëtore s`kishte asnjë shpresë për të mbijetuar.[2]

Revolucioni bolshevik në Rusi përqafoi qasjen e Marksit —partia komuniste si udhëheqëse e klasës punëtore— ndërsa në perëndim mbizotëroi qasja e Bakuninit —se unionet ose sindikatat do të zhvillonin betejën kundër klasës sunduese. Me mbarimin e luftës së dytë botërore, beteja e unioneve të punëtorëve në perëndim u bë pjesë e partive politike kryesisht si pasojë e fuqizimit të klasës punëtore në Bashkimin Sovjektik. Rezultati i kësaj politike ishte se unionet e punëtorëve u fuqizuan shumë dhe për pasojë kërkonin për herë dhe më shumë të drejta nga klasa kapitaliste. Pasoja e mëtejshme e fuqizimit të klasës punëtore ishte se ato u perceptuan si kërcënim nga klasa kapitaliste dhe për të njëjtën arsye ato filluan ta minonin pushtetin e unioneve duke shpikur doktinën e re të globalizmit neoliberal përmes të cilës partitë politike nuk do të angazhoheshin për punësim të plotë me qëllim që të krijohësh një klasë e “re” mes punëtorëve —e papunë— me qëllim të mëtejshëm, që të kërcënonente punëtorët e punësuar. Domethënë, në vend që punëtorët të kërcënonin klasën kapitaliste, të kërcënonte klasa kapitaliste punëtorët me...papunësi, sepse partitë do të krijonin ‘ofertën’ e përhershme (papunësinë e një pjese të mirë të klasës punëtore) në sistem.

Krijimi i bashkimeve profesionale në socializmin marksist në Shqipëri, për shembull, nuk kishte ndonjë bazë teorike marksiste. Por ishin “sajesa” të nevojshme të sistemit që Marksi nuk mund t`i parashikonte siç nuk parashikoi dot shumë pasoja të tjera. Për shembull, socializmi marksist i Enverit krijoi vërtet klasën punëtore por ishte e njëjta klasë që i vuri —në padije— shkelmin Enverit duke shkelmuar në të vërtetë veten: krijimi i sindikatave në vitet e para të ndryshimit të sistemit ishte pikërisht fillimi i shkatërrimit të klasës punëtore ose shkatërrimit të vetes. Nismëtarët e sindikatave s`kishin as bazën teorike që përmenda më lartë as kishin zhvilluar virtytin e drejtësisë për të gjykuar drejtë kontributin e partisë komuniste se ajo —klasa punëtore— ishte rezultat i partisë dhe jo anasjelltas: sepse partia komuniste marksiste përfaqësonte në ideologji klasën punëtore ose të drejtat e saj.

Duke mos patur as bazën teorike e as virtytin e drejtësisë nuk do të ishte e çuditshme që klasa punëtore të shkatërronte veten dhe të shpaloste mosmirënjohjen e saj kundrejt krijuesve (arkitektëve) të saj. As do të ishte i çuditshëm akaparimi i sindikatës post-komuniste nga partia demokratike e Berishës (kreyreaksionarja e popullit e cila ndiqet nga gjithë partitë e tjera) dhe të kthehësh nga udhëheqëse e punëtorëve në përvetësimin e pasurisë së punëtorëve ose të jetë pjesë e oligarkisë politike dhe ekonomike të vendit për të cilën foli dhe një hetim gazetaresk së fundmi por që stregoi as shkaqet e rrënimit të klasës punëtore, as dallimin mes Marksit dhe Bakuninit, as tregoi shkakun pse klasa punëtore është minuar nga rendi aktual dhe as tregoi ndonjë rrugëdalje për të![3]

Dhimbshëm, pas konceptit ‘sindikalist’ të Bakuninit (në emër të ‘anarkizmit’ sigurisht) rendin plotë organizata politike të kohëve tona: sepse, sipas tyre, pa sindikata nuk mund të pretendojë klasa punëtore të drejta...duke shpërnjohur faktin—një qind e ca vjeçar— se unionet e punëtorëve në perëndim jo vetëm që kanë mbetur duke luftuar për të drejta por kanë humbur dhe të drejtat që fituan shekullin e kaluar (p.sh. të jenë pjesë e bordeve vendim-marrëse në ndërmarrjet private!). Në këtë pështjellim nuk mungojnë dhe zërat për vetë-administrimin e ndërmarrjeve nga punëtorët ndërsa nuk përmendin faktin se vetë-administrimi i ndërmarrjeve bëhet i pamundur përsa kohë që paralel me ndërmarrjet shtetërore zhvillohen ndërmarrje private me karakter hierarkik...dhe për sa kohë që vetë-administrimi nënkupton dije teorike nga vetë punëtorët—domethënë, se ata kanë përvetësuar teorikisht dhe praktikisht procesin e vendim-marrjes dhe zbatimin e saj dhe përsa kohë që çdo ndërmarrje është pjesë e një shoqërie dhe fjalën e fundit për to duhet ta ketë ajo...



[1]ΕΛΛΑΔΑ ΩΣ ΠΡΟΤΕΚΤΟΡΑΤΟ ΤΗΣ ΥΠΕΡΕΘΝΙΚΗΣ ΕΛΙΤ, T. Fotopoulos, f, 228. (Theksi u shtua)

[2]Syndicalism, Anarchism and Marxism, Iain McKay, Anarchist studies, AS Volume 20 No. 1 Spring 2012.

[3]Topchannel, topstory, 1 maj 2019.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA