...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mësime nga “pakti ballkanik” i viteve `30 për ‘bashkimet’ ballkanike

Pakti Ballkanik (Antanta Ballkanike) ishte një koktej dëshirash dhe entusiazmi për paqe dhe integrim, të cilat edhe sot janë joshëse dhe kanë ithtarë, por nuk kishte bazë në politikën reale dhe në interesat e veçanta nacionale të popujve dhe të shteteve të Ballkanit

Adil Fetahu

10/05/2019 - 08:05

Pakti Ballkanik (Antanta Ballkanike) ishte një lidhje ushtarako-politike e disa shteteve të Ballkanit dhe Turqisë që kishte për qëllim ruajtjen e status-quo-s mbi territoret (e pushtuara) të shteteve të caktuara dhe mbrojtjen nga aspiratat e Bullgarisë dhe Italisë në Ballkan dhe në Azinë e Vogël. Me Paktin Ballkanik, Jugosllavia, Greqia, Rumania dhe Turqia garantonin reciprokisht status-quo-në e territorit dhe kufijve të tyre ballkanikë. Ishin marrë vesh dhe detyruar për masat që do të merrnin për çdo rast eventual që do të preknin interesat e tyre. Poashtu ishin detyruar se nuk do të ndërmerrnin kurrëfarë aksioni politik ndaj cilitdo shteti ballkanik i cili nuk ishte nënshkrues i Paktit, pa informimin reciprok të palëve të Paktit, as nuk do të merrnin kurrëfarë detyrimi politik ndaj asnjë shteti ballkanik pa pëlqimin e anëtareve të tjerë të Paktit.

Pakti Ballkanik ishte krijuar sipas një ideje të kahershme, me synime që të shndërrohej në një bashkësi politike dhe union ekonomik, të hapur edhe për vendet e tjera, si një federatë apo konfederatë e gjashtë shteteve ballkanike: Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Jugosllavia, Rumunia dhe Turqia. Bartëse të inisiativës për lidhjen e Paktit dhe krijimin e bashkësisë përkatëse ishin Greqia dhe Jugosllavia, që mbanin të pushtuara toka shqiptare.

Krijimit të Antantës Ballkanike i kanë paraprirë disa konferenca, të cilat kishin karakter gjysëmzyrtar, që kishin hartuar e miratuar rezoluta, marrëveshje e pakte dypalëshe e trepalëshe të miqësisë dhe zgjidhjes paqësore të kundërshtimeve, sipas parimeve dhe politikës së Shoqërisë së Kombeve. Konferencat e paktet kishin filluar dhe u zhvilluan në periudhën  1930 – 1933, deri sa më në fund u bashkuan në një lidhje dhe nënshkruan Paktin e Përbashkët  Ballkanik, më 9 shkurt 1934, në Athinë, por jo të gjitha shtetet ballkanike, sepse Shqipëria dhe Bullgaria nuk ishin pajtuar me status-quo-në territoriale dhe kufijtë e Jugosllavisë e Greqisë.  As me trajtimin e minoriteteve në këto shtete. Kundër Paktit Ballkanik, për interesat e tyre, ishin edhe Italia, Hungaria, madje edhe Bashkimi Sovjetik.

Konferenca e Parë Ballkanikeështë mbajtur në Athinë, më 5-12 tetor 1930, në të cilën kanë marrë pjesë 99 delegatë të gjashtë shteteve ballkanike. Në atë Konferencë ishin miratuar rezoluta ambicioze për punën e mëtejshme në afrimin e popujve dhe shteteve të Ballkanit. Në kumtin që Konferenca u dërgonte qeverive dhe shtypit në Ballkan, duke lavdëruar punën e Konferencës, theksohej: “Kontaktet  tona të drejtpërdrejta dhe bashkëpunimi midis nesh kanë treguar në mënyrë të shkëlqyer se jemi popuj vëllëzër dhe se me marrëveshje e në mënyrë paqësore mund t’i zgjidhim kundërshtitë që na ndajnë”. Konferenca kishte miratuar rezolutë për afrimin në fushën ekonomike, për masat politike dhe  bazat në të cilat do të mbëshetetej Lidhja Ballkanike. Kishte miratuar edhe Statutin, me të cilin, sipas shembullit të Shoqërisë së Kombeve, ishte përcaktuar formimi i organeve të Konferencës: Kuvendi kryesor; Këshilli; Byroja; Sekretariati dhe Grupet Nacionale.

Konferenca e Dytë Ballkanikeështë mbajtur në Stamboll dhe në Ankara, më 20 deri 25 tetor 1931, në të cilën kanë marrë pjesë rreth 300 delegatë. Konferencën e kishte përshëndetuar kryetari i Republikës së Turqisë,  Mustafa Kemal (Ataturku). Puna e Konferencës së Dytë është zhvilluar  në gjashtë komisione  të formuara sipas  Statutit të miratuar nga Konferenca e Parë. Konferencës i ishin dërguar dyzet propozime e promemorje, për tema të ndryshme, ndërsa delegacioni i Greqisë kishte propozuar formimin e Paktit Ballkanik me qëllim që të pamundësohet luftë e re midis vendeve të Ballkanit. Konferenca e Dytë kishte formuar oda, unione e federata të ndryshme ndërballkanike: për tregti dhe industri, për postat, për turizmin, dhe ishin propozuar edhe shumë organe e forma të tjera të bashkëpunimit ndërsa u kërkua heqja e vizave për qytetarët e vendeve ballkanike.

Konferenca e tretë Balklkanikeështë mbajtur në Bukuesht më 22 deri 27 tetor 1932. Konferenca e miratoi projektin e Paktit Ballkanik, të cilin e kishte propozuar Greqia. Projekti i miratuar kishte shkaktuar kundërshtu e mospajtime serioze të delegacionit të Shqipërisë dhe Bullgarisë, nga njëra anë, dhe delegacioneve të vendeve tjera, nga ana tjetër.  Delegacionet e Shqipërisë dhe Bullgarisë ishin të pakënaqura sa i përket çështjes së minoriteteve dhe caktimit të kufijve të Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore. Ato nuk ishin pajtuar me garantimin e status-quo-s së kufijve që parashihte Pakti.  Dhe me qenë se ishin mbivotuar në dy pikat kundërshtuese, të dy delegacionet e kishin pezulluar përkohësisht pjesëmarrjen në Konferencë. Në vazhdim Konferenca  e Tretë miratoi projektin e Konventës për statusin e shtetasve të vendeve ballkanike dhe kishte bërë propozime të ndryshme për afrimin në lëmin e kulturës, shëndetësisë dhe  drejtësisë.

Pas shumë shtyrjeve të kushteve, Konferenca e Katërt Ballkanike është mbajtur në Selanik, më 4 deri më 11 nëntor 1933. Në atë Konferencë janë miratuar projekti i Marrëveshjes Rajonale Ekonomike të sheteve të Ballkanit; projekti Drejtorisë kooperativiste; Statuti i Seksionit Detar të Odës tregtare dhe industriale ndërballkanike, si dhe caktimi i prioriteteve të rrjetit të transportit në infrastrukturën e Ballkanit. Konferenca e Katërt Ballkanike ishte dhe e fundit, pasi që Shqipëria dhe Bullgaria kishin refuzuar nënshkrimin e Paktit, me të cilin garantohej status-quo-ja e territoreve dhe kufijëve të Jugosllavisë dhe Greqisë.

Jashtë suazave të Konferencës, Greqia, Jugosllavia, Rumania dhe Turqia, më 9 shkurt 1934, kishin nëshkruar paktin katërpalësh, me të cilin formuan të ashtuquajturën Antanta Ballkanike. Pakti i Antantës Ballkanike përmbanë gjithsej 3 nene dhe ka këtë përmbatje:

 

“PAKTI I MARRËVESHJES BALLKANIKE

midis Jugosllavisë, Greqisë, Rumanisë dhe Turqisë

                                                            Athinë, 9 shkurt 1934

 

Lartmadhëria e tij Mbreti i Jugosllavisë; Kryetari i Republikës së Greqisë; Lartmadhëria e tij Mbreti i Rumanisë; dhe Kryetari i Republikës së Turqisë:

 

Me dëshirën që t’i kontribuojnë forcimit të paqes në Ballkan;

Të frymëzuar nga fryma e marrëveshjes dhe pajtimit që ishte me rëndësi vendimtare për hartimin e Paktit të Brian-Kologovit  dhe nga vendimet e Kuvendit të Shoqërisë së Kombeve që kanë të bëjnë me të;

Të vendosur fuqimisht për të respektuar detyrimet e kontraktuara të cilat tanimë ekzistojnë dhe për mbrojtjen e rendit territorial që tash ekziston në Ballkan,-

Morëm vendim të lidhin një

PAKT TË MARRËVESHJES BALLKANIKE

 

dhe për këtë qëllim i caktuam të autorizuarit përkatës, si vijon:

 

Lartmadhëria e tij Mbreti i Jugosllavisë:

  • Ekselencën e tij  zotri Bogolub Jevtiqin, ministër i punëve të jashtme;

Kryetari i Republikës së Greqisë:

  • Ekselencën e tij zotri Dimitrios Maksimos-in ministër i punëve të jashtme;

     Lartmdhëria e tij Mbreti i Rumanisë:

  • Ekselencën e tij zotri Nikolla Titulesku-n, ministër i punëve të jashtme; dhe

Kryetari i Republikës së Turqisë:

  • Ekselencën e tij zotri Ruzhdi Beu-n, ministër i punëve të jashtme,-

 

Të cilët, pasi këmbyen autorizimet e tyre në formën e rregullt,- u pajtuan për këto dispozita

 

Neni 1

Jugosllavia, Greqia, Rumania dhe Turqia garantojnë sigurinë reciproke të kufijëve të veta ballkanikë.

 

Neni 2

Palët e larta kontraktuese detyrohen se do të merrën vesh për masat që do të ndërmarrin kur paraqitet  ndonjë rast eventual që mund të prekë interesat e përcaktura me këtë Marrëveshje. Ato detyrohen se nuk do të ndërmarrin kurrëfarë aksioni politik ndaj cilitdo vend ballkanik i cili nuk është nënshkrues i kësaj Marrëveshje, pa informimin paraprak reciprok dhe nuk do të marrin mbi vete kurrëfarë obligimi politik ndaj asnjë vendi tjetër ballkanik, pa pasur pëlqimin e Palëve të tjera kontraktuese.

Neni 3

Kjo Marrëveshje hyn në fuqi sapo të jetë nënshkruar nga të gjitha Palët kontraktuese  dhe do të ratifikohet në afatin më të shkurtër të mundshëm. Kjo do të jetë e hapur për secilin vend ballkanik, qasja e të cilit do të shqyrtohet me kohë nga Palët kontraktuese dhe do të realizohet sapo vendet nënshkruese ta notifikojnë pajtimin e tyre.

Për vërtetimin e kësaj, të autorizuarit e përmendur nënshkruan këtë Pakt.

Punuar në Athinë, më nëntë shkurt të vitit njëmijenëntëqintetridhjetekatër, në katër kopje, prej të cilave  nga një për secilën Palë të lartë kontraktuese.

 

(V,V.) B.D.Jevtiq, d.v.

(V.V.) D.Maksimos, d.v.

(V.V.) N.Titulsku, d.v.

(V.V.) Dr.Ruzhdi Bej, d.v.”.

                                                             * * *

Ambiciet e Antantës Ballkanike ishin të mëdha, që gradualisht me harmonizimin dhe unifikimin e veprimtarive në sektorë të ndryshëm, më në fund të krijohej një union doganor e monetar dhe përgjithsësisht një union ekonomik, politik dhe ushtarak. Kjo po ndodhte në kohën e shfaqjes së nazizmit dhe ardhjes së Hitlerit në pushtet në Gjermani,  e disa shtete ballkanike friksoheshin nga revizionimi i kufijëve të caktuar pas Luftës së Parë Botërore.

Pakti Ballkanik (Antanta Ballkanike) ishte një koktej dëshirash dhe entusiazmi për paqe dhe integrim, të cilat edhe sot janë joshëse dhe kanë ithtarë,  por nuk kishte bazë në politikën reale dhe në interesat e veçanta nacionale të popujve dhe të shteteve të Ballkanit. Nuk pati  jetë të gjatë; “jetoi” me ca aktivitete organizative e propagandistike rreth dy vjet. Në një mbledhje të Paktit, të mbajtur në Beograd (1936), ishte vendosur që bashkëpunimi i mëtejshëm midis shteteve nënshkruese të zhvillohej vetëm në planin politik por jo edhe në atë ushtarak, sepse frikësoheshin se ndonjëra prej anëtareve do t’i fuste të tjerët në konflikt ushtarak me shtete të tjera. Ashtu, i tërhequr “zvarrë”, Pakti është mbajtur në letër deri në vitin 1940, kur Rumania zyrtarisht ishte tërhequr, dhe iu bashkua Paktit Trepalësh: Romë-Berlin-Tokio, ndërsa Italia  fashiste e sulmoi Greqinë dhe për këtë sulm nuk pati kurrëfarë reagimi ushtarak nga anëtaret e tjerë të Paktit. Antantës Ballkanike “nuk iu dëgjua” zëri pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore as pas sulmit të Gjermanisë mbi Jugosllavinë.  Pas asaj lufte, ka pasur edhe përpjekje të tjera (në vitin 1953)  për të ringjallur idenë  e  ndonjë forme të bashkimit të shteteve të Ballkanit, por duke ditur ambiciet e Jugosllavisë për të dominuar në Ballkan, “çorbën” nuk e gëlltitën të tjerët dhe ideja bashkë me Antantën Ballkanike – dështoi.

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA