Mësime nga rrëfenja e mjekut vetjak të Enverit: pse dështoi Enveri me fëmijët e tij?

Kjo është një dëshmi e mjekut vetjak të Enverit dhe shërben për të nxjerrë disa mësime të vyera për cilindo që kërkon të edukojë fëmijët e tij.
Ylli Përmeti
21/12/2017 - 10:27
Mjeku vetjak i Enverit, Isuf Kalo, tregon dështimin e Enverit me fëmijët e tij, dhe jo, sigurisht, shkaqet pse dështoi, në përgjigjen e tij kundrejt akuzave dhe shpifjeve të kolegut të tij, Hektor Peçit (Dita). Dihet se zakonisht mjekët nuk shqetësohen për shkaqet e dështimit të edukimit të fëmijëve: sepse ata përqendrohen kryesisht te shkaqet e sëmundjeve fizike: sepse nuk marrin dije të plota nga shkencat sociale. Ja si rrëfehet ai për dështimin e Enverit me fëmijët e tij:
Ato çka [Enveri] dëshironte që të mos vdisnin, që të vazhdonin e të mbeteshin brez pas brezi të përjetshme ishin kauza, ideologjia, etika, parimet, modeli i “njeriut të ri” dhe figura e tij. Ai synonte që ato të ruheshin e mbroheshin si të përjetshme. Për fat te keq Enveri i pa ato sa qe gjallë që të dështonin para syve të tij nga brenda familjes më së pari nga ndonjë nga të TIJËT.
Ata që e kanë përjetuar atë kohë e dinë mirë se cili nga ta mori flamurin e ekstravagancës dhe veshjes firmato ndërkohë që Enveri predikonte thjeshtësinë proletare; cili a cila mbushi e para duart me unaza e byzylykë në vend të kallove dhe grasos të klasës punëtore; cili a cila lakmoi e zuri poste e zyra luksoze me makinë e shofer në dispozicon kur Enveri predikonte “njeriun e ri” [që] shkonte në frontin e vështirë në miniera a kooperativa bujqësore; cili a cila nga ta ndryshe nga sa predikonte dhe bënte vet Enveri në vend t’i zgjidhte problemet shëndëtesore me mjekët e vendit insistonin të fluturonin në Paris a gjetkë; cili a cila nga ata i vinin në sirtar të biblotekës luksoze të tyre veprat e shkruara e dhuruara nga Enveri pa ia hapur atyre as fletët ndërkohë që Enveri dëshironte t’i edukonte si marksist siç bënin punonjësit e komunistët e tjerë anë e mban vendit.
Enveri e donte familjen e tij të mbetej e shëndoshë, modeste dhe e bashkuar, si model i unitetit të popullit e të gjithë shoqërisë. Cili a cila përkundrazi ia bënë atë familje përshesh e nxorën pa skrupull në pazar me akuza agjenturale, zënka, ambicie, rivalitete, intriga, për sa më shumë privilegje dhe influencë e gara për përfitime.
Enveri përmbysi aristokracinë, por ajo i mbiu se pari para syve brenda një apartamenti të shtëpisë së tij. Enveri u helmua jo në trup por në shpirt; iu helmuan ëndrrat, shpresat që pat besuar dhe ato për të cilat ishte përpjekur më kot për 40 vjet si idealist utopist [...]. Njeriu i ri i tij lindi si ide në Bllok dhe falimentoi se pari po aty. Këto “helme” Enveri i mori më vete në varr, së bashku me iluzionet e dështuara të kauzës e ideologjisë dhe përjetësisë së tij. Ato vërtetë janë helme që nuk dektohen me analiza kimike. Autorët prandaj bëjnë sikur po kërkojnë helme në barna apo të tjera. (Theksi u shtua)
Kjo është një dëshmi e mjekut vetjak të Enverit dhe shërben për të nxjerrë disa mësime të vyera për cilindo që kërkon të edukojë fëmijët e tij. Mjeku dëshmonte dhimbjen e Enverit lidhur me sjelljen e fëmijëve të tij. Këtë dhimbje e kanë përjetuar thuajse të gjithë prindërit dhe veçanërisht prindërit me pushtet. Kjo dhimbje na vjen edhe nga bota e antikitetit dhe e mësuesve të mëdhenj dhe absolut siç është Aristoteli.
Kur shqyrton ky i fundit pse degjeneruan fëmijët e familjeve të filozofëve të kohës, pararendës të tij, dhe veçanërisht fëmijët e Sokratit, tregon shkaqet: për Sokratin, sipas tij, shkaku kryesor ishte përqendrimi i Sokratit në edukimin e popullit të Athinës klasike se sa në edukimin e fëmijëve të tij. Shkaku dytësor, sipas tij, ishte pakuptimësia e Sokratit lidhur me edukimin dhe çështje të tjera sociale. Për të njëjtën arsye, Aristoteli kryen një punë të vyer për të qartësuar aspektet e edukimit të fëmijës, në teori dhe praktikë. Dihet se Aristoteli nga marksistët si Enveri nuk u lexua; dhe ai nuk lexohet as nga të ashtuquajturit “marksitë” të kohëve tona! Jam i bindur se vetë Marksi, po ta kishte të përkthyer Aristotelin, do ta lexonte dhe do të rishikonte qasjet e tij.
Sidoqoftë, parimet e Enverit lidhur me “njeriun e ri” nuk ishin të padrejta. Përkundrazi, ato ishin absolutisht të drejta. Tek Enveri ato burojnë jo vetëm nga qasja e përgjithme e Marksit, proletare, por dhe nga jeta e tij: dihet se ai kaloi një fëmijëri plotë dhimbje dhe një rini në luftë. Dhe në edukim themi se ‘dhimbja’ është nëna e edukimit. Pse e themi dhe e pranojmë këtë parim bëhet e qartë nëse kundrojmë rreth natyrës së fëmijës dhe kuptimit: dihet se natyra e fëmijës është ‘kuptimore’ por jo në nivel të lartë: sepse dominohet nga spontaniteti (ky me rradhë buron nga shkaqe të tjerë fiziologjikë) dhe virtyti intelekual (arsyetimi) është i pazhvilluar. Niveli i “lartë” kuptimor i fëmijës realizohet me edukim, kryesisht duke kryer veprime të mira. Veprimet e mira nënkuptojnë një farë dhimbje; sepse veprimet e mirë bëhen për hir të mirësisë së tjetrit (njeriut; shoqerisë; shtetit; kafshës; bimës) dhe që të veprosh mirë në moshë të vogël kur virtytet nuk janë rrënjosur ende mirë në karakter një farë mundi kërkohet.
Kështu kur rritet fëmija, dhe ka zhvilluar virtytin intelektual, ai nuk është e nevojshme të kalojë nga dhimbja fizike (ose nevoja e saj reduktohet): sepse kupton dhimbjen në nivel teorik. Kështu në vend të dhimbjes fizike ai do të ndjejë kënaqësi intelektuale (sepse e tillë është) dhe do ta kërkojë atë për gjithë jetën. Edukimi i socializmit marksist procedonte në vija të përgjithshme përmes procesit që përshkrova: domethënë, fëmija orientohësh më shumë drejt praktikës ose punëve praktike kolektive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë (që nënkuptonte një farë dhimbje) më qëllim që të rrënjoseshin virtytet.
Ndryshe nga fëmijët e familjeve të zakonshme socialiste, fëmijët e pushtetarëve të kohës as nuk proceduan as procedojnë aktualisht nga ky proces edukimi: jo sepse prindërit nuk duan apo sepse fëmijët nuk u binden prindërve, por sepse ‘edukimi’ nuk është kuptuar drejtë as nga socialistët marksistë, të cilët nuk i ndihmoi as Marksi me dije teorike, sepse ky i fundit besonte se me ‘ideologjinë’ e tij njeriu i ri do të ishte ndryshe, siç vazhdojnë të besojnë shumë marksitë në kohët tona, dhe në mungesë të dijes shoqëruan “dijen” leniniste, e cila, me rradhë, ishte plotë kontradikta, as nga elitat borgjeze të tipit PS/PD/LSI e shumë simotra si këto të kohëve tona. Fëmijët e elitës politike të kohës kishin dhe një shtysë tjetër, shkatërrimtare për edukimin e tyre: mendësinë se prindërit e tyre kishin pushtetin dhe ata do ta trashëgonin.
Kështu, fëmijët e Enverit dhe thuajse gjithë fëmijët e elitës së dikurshme, ndryshe nga fëmijët e tjerë të klasës puntore, degjeneruan në fëmijë borgjezë që kënaqësinë e gjenin te pushteti dhe bota materiale. Nuk është e rastit që pas kaq vitesh nuk po shohim asnjë kontribut nga fëmijët e elitës socialiste. Përveç, sigurisht, mllefeve dhe sharjeve kundrejt njëri-tjetrit.
Lexo, për më shumë, Nga keqedukim në arsim demokratik, Ylli Përmeti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 250 reads



