Minimi e republikës parlamentare nga Meta dhe shkarkimi i tij
Që partitë toksike të 30 viteve të fundit e kanë mbushur kupën dhe duhet të largohen nga pushteti politik i vendit, të gjithë njerëzit e ndershëm (në raport të vërtetën) pajtohen.
Ylli Përmeti
13/06/2019 - 14:54
Në kushtet aktuale, kur qeveria “Rama3” ka marrë mandat ‘demokratik’ nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe përbën shumicën në parlament dhe kur opozita e dalë nga po të njëjtat zgjedhje braktisi kuvendin, në emër të korruptimit të zgjedhjeve nga qeveria “Rama” dhe korruptimit të qeverisë gjatë qeverisjes, dhe aktit të presidentit Meta për zhdekretimin e zgjedhjeve, mirë do të ishte të gjykonim drejtë “kundërsulmin” e qeverisë “Rama” për shkarkimin e tij: se nëse është i drejtë apo jo apo se nëse qeveria i përgjigjet me drejtësi ‘padrejtësisë’ së presidentit. Për të gjykuar drejtë veprimin e presidentit ne duhet të kemi në mendje figurën e tij i cili vjen nga një parti politike me plotë krime politike—jo më pak se PD-ja dhe PS-ja.
Por le të shqyrtojmë si fillim argumentet që përdori pas vendimit të tij presidenti për të zhdekretuar zgjedhjet e dekretuara nga po ai.
Ditën e parë përdori nenin 92 të Kushtetutës sipas të cilit “presidenti është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, për organet e pushtetit vendor, si dhe për zhvillimin e referendumeve”. Më sakt, “presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. Kuptimi i presidentit ‘shkëputet’ nga institucionet e tjerë: sepse vërtet presidenti ‘cakton’ datën e zgjedhjeve por në bazë të kodit zgjedhor që administron KQZ-ja. Domethënë, ligjit për zgjedhjet që është miratuar nga kuvendi dhe që administrohet nga KQZ-ja. Fjala ‘caktim’ këtu nënkupton veprim në përputhje me kodin zgjedhor. Fjala ‘caktoj’ ka katër kuptime në fjalor dhe në këtë rast, ka kuptimin e dytë të tij: “2. E vë në një detyrë, e ngarkoj me një punë; e emëroj; i jap a i ngarkoj (një punë, një detyrë etj.). E caktuan përgjegjës (brigadier, komisar). Caktoj në një detyrë. I caktoj një punë (një detyrë).”
Qartësisht, kuptimi përkatës lidhet me “ngarkimin”...e komisionit për të zhvilluar zgjedhje në përputhje me kodin zgjedhor. Kështu ‘caktimi’ i zgjedhjeve vërtet është i ‘pavarur’ nga KQZ-ja por ai është gjithnjë në përputhje me kodin zgjedhor që administron KQZ-ja. Kuptimin e ‘shkëptur’ nga kodi zgjedhor Meta e theksoi edhe në konferencën e dytë kur tha se “zgjedhje në republikën e Shqipërisë nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e presidentit”. Dhe kjo është vetëm njëra anë e problematikës; tjetra, është se ai përmbys konceptin e republikës parlamentare, një fakt që nuk u përmend as nga sekretari i PS-së në kuvend, Balla.
Kështu, vendimi i presidentit Meta për zhdekretimin e zgjedhjeve së pari nuk ka bazë ligjore: si në Kushtetutë ashtu dhe në Kodin Zgjedhor nuk citohet gjëkundi zhdekretimi i dekretimit të zgjedhjeve nga presidenti. Domethënë, kur dhe pse zhdekretohen zgjedhjet. Kujtoj se presidenti i republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij (Neni 90 i Kushtetutës)! Çka nënkupton se edhe nëse ka vepruar gabim ai nuk dënohet!
Vendimi i tij, së dyti, krijon premisa të rrezikshme juridike.
Në Amerikë ku pushteti politik administrohet nga presidenti, urdhëri i këtij të fundit mund të tërhiqet nga vetë ai (ka ndodhur rrallë herëdhe lidhur me zgjedhjet) por përpara se të marrë karakter ligjor ai shqyrtohet ose nga Kongresi ose nga gjykatat. Në rastin tonë, ku pushtetin politik e administron kryeministri, tërheqja e udhërit të presidentit kalon ose nga kuvendi ose nga gjykata kushtetuese dhe administrative që të marrë karakter ligjor. Në shumicën e rasteve ne Amerikë, kur është tërhequr dekreti i presidentit nga vetë ai, gjykatat kanë mbështetur vendimin e presidentit. Por ne nuk jemi republikë presidenciale: në vendin tonë pushteti politik administrohet nga kryeministri—që nënkupton se ai administron pushtetin e deleguar nga shumica e votuesve ndërsa në Amerikë administrohet nga presidenti sipas të njëjtës logjikë.
Nga kjo lidhje—mes shumicës së votuesve dhe kryeministrit për një republikë parlamentare si Shqipëria dhe presidentit për një republikë federale si Amerika—buron pushteti politik. Kështuqë, në Amerikë presidenti ka të drejtë (pavarësisht se nuk citohet në ligjin për presidentin) të zhdekretojë një dekret të lëshuar nga ai pikërisht për shkak të karakterit që ka pushteti i tij.
Në Shqipëri, nuk ka të drejtë jo vetëm sepse nuk citohet në kushtetutë por (dhe për të njëjtën arsye) sepse presidenti ka rol dekretues dhe jodekretues për ligjet që miratohen nga legjislativi. Në këtë kuptim, ai nuk mund të krijojë ligje. Nuk është njëlloj kur ai zhdekreton një ligj të dekretuar (që hamendësohet se i ka ardhur nga legjislativi) dhe kur nuk dekreton një ligj të dekretuar nga ai. Në rastin e parë ai miraton një ligj (i jep fuqi ligjore); në të dytin, ai krijon një ligj! Për të njëjtën arsye, nëse zhdekretimi i Metës merrte karakter ligjor ose pranohësh nga qeveria “Rama”, përmbyset logjika juridike e sistemit dhe krijohen premisat për një republikë presidenciale ku presidenti miraton ligjet që krijon legjislativi por paralelisht krijon ligje që efektivisht mund të zhvendosin rolin e legjislativit në duart e tij!
Zhvendosjen në fjalë e dëshiron dhe Meta, sidomos në kushtet aktuale kur dihet se edhe ai kërcënohet me hetim: sepse përmes zhvendosjes në fjalë ai ka mundësi të kontrollojë institucionet e rinj të drejtësisë—përmes ndryshimeve kushtetuese. Kjo ‘zhvendosje’ ka dhe një efekt tjetër të karakterit ‘puçist’: sepse pushtetin që ka fituar e ashtuquajtura e “majtë” e Ramës përgjatë zgjedhjeve – do të mund ta administrojë presidenti! Kështuqë, nëse vendimi i Metës merr karakter juridik përmes pranimit nga qeveria aktuale të vendimit përkatës, krijohen kushtet për zhvendosjen e pushtetit politik nga kryeministri te presidenca, minohet përpjekja e reformës në drejtësi dhe shpëton klasa politike nga hetimi dhe dënimi!
Pyetjes se kush e gjykon vendimin e presidentit, gjykata kushtetuese apo gjykata administrative, për të cilën presidenti thotë se mund ta gjykojë “vetëm gjykata kushtetuese” ndërsa disa “ekspertë” të establishmentit thonë, gjykata administrative, mund t`i përgjigjemi duke kuptuar natyrën e vendimit përkatës: ai lidhet edhe me kushtetutën edhe me kodin zgjedhor dhe si i tillë, ai mund të gjykohet nga të dyja gjykatat bashkë dhe jo veçmas—sepse gjykata kushtetuese gjykon veprimet e presidentit në raport me ligjet e kushtetutës ndërsa gjykata administrative gjykon ligjet administrative në raport me kodin zgjedhor që është i karakterit administrativ.
Për më shumë, opozita e dalë nga zgjedhjet e fundit dhe kasnecët e saj të establishmentit, gazetarë e të tjerë, ka propaganduar mungesën e gjykatës kushtetuese si pengesë për vendimin e presidentit me qëllim që të tregojë karakterin shkatërrues të qeverisë “Rama” — një propagandë që i ka dhënë efektet e saj në popull dhe ky i fundit beson se pa gjykatën kushtetuese s`ka zgjidhje duke mos kundruar fare se gjykatat përbëhen nga njerëz dhe njerëzit përkatës do të mbështeten në disa parime juridike për të gjykuar se nëse vendimi i presidentit është i drejtë apo jo. Për shembull, arsyja se pse kushtetuta nuk e citon të drejtën e zhdekretimit të zgjedhjeve, është një parim që duhet të jenë në dijeni gjykatësit e gjykatës kushtetuese dhe pse jo, dhe populli. Paralelisht, qeveria “Rama” për të kundërshtuar presidentin përdori argumentin se ‘zhdekretimi’ është i panjohur në botë dhe veçanërisht në botën perëndimore! Nëse gjykojmë nga zhdekretimet e presidentëve amerikanë pretendimi i “socialistëve” është i padrejtë por ai është i drejtë vetëm për llojin e zhdekretimit: ky është zhdekretim zgjedhjesh.
‘Minohet’ nuk ‘cënohet’, siç argumentoi qeveria, sepse kuptimi i tretë i fjalës ‘cënoj’ nga katër kuptime, është ky: “3. fig. Prek diçka ose dikë për t'i shkaktuar një dëm, shkel diçka që është e paprekshme për dikë; dhunoj. Cenoj lirinë (pavarësinë). Cenoj demokracinë. Cenoj jetën. Cenoj nderin. Cenoj të drejtat (interesat). Cenoj kufijtë. Cenoj me fjalë.” Qartësisht, fjala ‘cënim’ ose ‘dhunim’ është ekzagjerim dhe nuk konsideron qëllimin e Metës: minimin e republikës paralementare për të mbijetuar politikisht. Dhe është ‘minim’ sepse Meta vendos një “minë” në kushtetutën aktuale me qëllim që ta “shpërthejë” kur të krijohen kushtet; dhe ‘shpërthejë’ në kuptimin e kalmit të prerogativës së krijimit të ligjeve nga parlamenti tek presidenti.
Dhe vijmë tek argumenti i dytë i Metës se “ky vendim është marrë me përgjegjshmëri të plotë dhe në vlerësim të të gjithë rrethanave, fakteve, dhe të informacioneve të siguruara në cilësinë e Kreut të Shtetit se, më datë 8 qershor mund të provokohej një konflikt destabilizues me pasoja për jetën, dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend.” Nëse e marrim si të mirëqenë, ky argument nënkupton një sërë të vërtetash: se PD-ja dhe LSI-ja paska në gjirin e saj persona të rrezikshëm për paqen sociale dhe presidenti në vend të njoftonte policinë...pezulloi zgjedhjet; dhe nënkupton se qeveria “Rama” nuk ka mundësi të kontrollojë pretestat e opozitës dhe të arrestojë keqbërësit!
Të gjitha këto kur dihet se presidenti i ka mbështetur protestat e opozitës (jo në parim, si e drejtë e opozitës për të protestuar) por me veprime konkrete, si gjatë protestave me qendrime publike ashtu dhe duke bashkëpunuar në prapaskenë me krerët e saj, njëri është gruaja e tij, për natyrën e protestave. Duke shpërnjohur të gjithë këta fakte dhe të tjerë të papërmendur këtu, shumë pështjellohen nga demagogët duke na thënë se Rama po vendos diktaturën...komuniste! Por e vërteta është ndryshe: se Rama nuk asnjë mundësi (edhe nëse do ta dëshironte) të vendosë diktaturën (e çdo lloj forme) pas shkarkimit të presidentit.
Meta, shkurt, nuk duhet të ishte bërë president, jo vetëm për shkak të korrupsionit të tij gjatë kohës kur administronte ofiqe por edhe për shkak se nuk ka virtytet e nevojshme për administrimin e tyre. Në fakt, është mungesa e virtyteve që e bënë një njeri të korruptuar. Pyetja, rrjedhimisht, nuk shtrohet se nëse Meta shkarkohet në padrejtësi por se ai nuk duhet të ishte bërë fare president...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 37 reads