...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mitrovica, toka shqiptare e lakmuar nga të huajt po i dhurohet Serbisë

Në tollovitë që ndodhën më 17 mars 2004, kur u vranë 11 shqiptarë e 8 serbë, u dogjën e rrënuan ca shtëpi e kisha serbe, disa serbë nga pjesët qendrore të Kosovës ikën dhe shkuan u vendosën në pjesën veriore të Mitrovicës, në shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve të përzënë prej andej. Kështu, në atë pjesë u përqendruan rreth 25,000 serbë, më ekstremistë e kriminelë, në mesin e të cilëve ishin e janë edhe shumë ish-policë dhe ushtarë të forcave serbe. Si pasojë, atje lulëzoi kontrabanda dhe krimi i organizuar, i ndihmuar nga strukturat e pushtetit të Serbisë.

Adil Fetahu

09/02/2019 - 18:24

Historia e qytetit dhe e ngjarjeve të Mitrovicës

Dardania (Kosova) ka dy porta kryesore që e lidhin me botën: Kaçanikun në Jug, dhe Mitrovicën në veri. Dhe nuk është çudi që për t’i lidhur këto dy porta (hyrje-dalje) të Kosovës, Perandoria Osmane në vitin 1873-78 e kishte ndërtuar hekurudhën Mitrovicë – Hani Elezit.

Mitrovica është një nga vendbanimet e hershme të Dardanisë shqiptare; gjatë historisë e pushtuar nga pushtues të ndryshëm: romakë, bizantinë (bullgarë e serbë), otomanë, gjermanë. Megjithatë, gjatë tërë kohës e ka ruajtur karakterin etnik dominues nga popullsia shqiptare, sado që një kohë, gjatë pushtimit serb (në kohën e Nemanjiqëve) shumë shqiptarë u detyruan të kovertohen nga besimi katolik në atë ortodoks dhe të asimilohen në serbë.

Përveç rëndësisë strategjike, si portë hyrëse nga veriu për në rrafshin e Kosovës, Mitrovica shtrihet në një hapësirë të pasur me minerale të begatshme me metale të plumbit, zinkut, argjendit, arit dhe të tjera, të njohura prej kohës së neolitit. Në shekullin VI, Perandori Justiniani I e kishte ndërtuar kalanë e Zveçanit, ndërsa në afërsi të Minierës Staritërg gjenden mbeturinat e kalasë së quajtur – Qyteti, që besohet se është ndërtuar në shekullin XIII. Në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve në rrethinën e Mitrovicës kanë punuar edhe Sasët e njohur për këto punë.

Mitrovica dhe gjithë Kosova e Maqedonia u pushtuan nga Serbia në vitin 1912, në Luftën Ballkanike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), Kosova ­—që ishte e ndarë në tri zona pushtuese midis Italisë, Gjermanisë dhe Bullgarisë— Mitrovica me rrethinë ishte mbajtur zonë nën pushtimin gjerman, për shkak të pozitës strategjike  dhe pasurive minerale që dispononte.

Deri në vitin 1988,  komuna e Mitrovicës kishte 336 km², më se 120.000 banorë, më se 77% shqiptarë, 10% Serbë, dhe të tjerët Boshnjakë, Romë, Turq; me 46 fshatra, duke përfshirë  edhe Zveçanin, Zubinpotokun e Leposaviçin, të cilat më vonë u themeluan si komuna politike më vete, me përbërje të pastër etnike serbe.

Pas Luftës 1999, rajoni i Mitrovicës ishte lënë disi pasdore nga kujdesi i strukturave udhëheqëse shqiptare, dhe për shkak të afërsisë me Serbinë, atje ishin grumbulluar kriminelë serbë të ardhur nga Serbia, Bosnja e Kroacia. Më 4 shkurt 2000, në qytetin e Mitrovicës ndodhi “Nata e Bartolomeot”, kur bandat kriminale serbe sulmuan shqiptarët e pjesës veriore të qytetit, vranë 10 e plagosën 25 tjerë; burra, gra e fëmijë; dhe përzunë prej shtëpive e banesave 1564 familje, me 11,364 anëtarë, duke bërë kështu spastrimin etnik të pjesës veriore të qytetit. Nën pretekstin e ruajtjes së qetësisë, forcat e KFOR-it (francez), u vendosën tek Ura e Ibrit, duke ndarë komunikimin e qytetarëve dhe praktikisht e ndau qytetin, që edhe sot e kësaj dite qëndron ashtu i ndarë.

Në tollovitë që ndodhën më 17 mars 2004, kur u vranë 11 shqiptarë e 8 serbë, u dogjën e rrënuan ca shtëpi e kisha serbe, disa serbë nga pjesët qendrore të Kosovës ikën dhe shkuan u vendosën në pjesën veriore të Mitrovicës, në shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve të përzënë prej andej. Kështu, në atë pjesë u përqendruan rreth 25,000 serbë, më ekstremistë e kriminelë, në mesin e të cilëve ishin e janë edhe shumë ish-policë dhe ushtarë të forcave serbe. Si pasojë, atje lulëzoi kontrabanda dhe krimi i organizuar, i ndihmuar nga strukturat e pushtetit të Serbisë. Vet kryetari aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një takim me punëtorët serbë të Trepçës iu dha mesazh kurajimi: “Sa të jetë Serbia, “Trepçën” askush nuk do t’ua grabisë”!

Mitrovica dhe bisedimet Kosovë – Serbi

Bisedimet midis Kosovës e Serbisë, që filluan gjoja si për zgjidhjen e problemeve “teknike”, me lëshimet dhe mungesën e dijes dhe përvojës së palës shqiptare, dalëngadalë “degjeneruan” dhe u shndërruan në negociata politike e statutore, me pretendime për ndarjen e Kosovës, sipas ambicjeve të Serbisë për të marrë pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës me rrethinë, dhe natyrisht komunat e tjera serbe: Zveçanin, Leposaviçin e Zubinpotokun, për t’ia bashkangjitur Serbisë, dhe me garanci shtesë për serbët që mbetën në Kosovë dhe eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse.  Në bisedimet e zhvilluara deri më tash, që janë nënshkruar afro 30 marrëveshje në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, Serbia nuk ka përmbushur asnjë detyrim prej atyre marrëveshjeve ndërsa tërë kohën kakaritë se përse nuk është ende realizuar marrëveshja për formimin e Bashkësisë (së 10) komunave serbe, me të cilën synon të krijojë një pykë në Kosovë, si e ashtuquajtura Republika Serpska, në Bosnje, me qëllim të destabilizimit dhe pengimit të funksionimit të shtetit të Kosovës! Angazhimet e tjera të politikës së shtetit dhe diplomacisë së Serbisë, për ta izoluar e penguar Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare, janë kapitull i veçantë i mospërmbushjes së detyrimeve ndaj marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Pretendimet e Serbisë, në bisedimet me Kosovën nuk kanë të sosur dhe janë një absurd sui generis. Serbia tërë kohën vërteton se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që nënkupton se Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë, të cilën një ditë, në rrethana të favorshme ndërkombëtare, do ta kthejë nën sovranitetin e vet. Nga ana tjetër, në bisedime kërkon pjesën veriore të Kosovës, bashkë me gjysmën e Mitrovicës. Atë pjesë e kërkon për shkaqe strategjike dhe ekonomike. Strategjike është për shkak të pozitës dhe lidhjeve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor me Serbinë. Lakmia ekonomike përqëndrohet në minierat dhe kapacitetet e “Trepçës” dhe të Liqenit të Ujmanit (“Gazivoda”), liqen ky që shtrihet rreth 10-15% në territor të Serbisë, por pjesa tjetër është në territor (aktualisht) të Kosovës, dhe që është i ndërtuar nga Kosova, me investime e hua prej Bankës Botërore, për nevoja të Elektroekonomisë dhe të Bujqësisë së Kosovës (72,000 ha tokë pjellore të Kosovës ujiten nga uji i atij liqeni).

Pala kosovare në bisedime si gjithmonë shqiptarët që nuk kanë qenë unikë kur kanë pasur bisedime me ndërkombëtarët, dalin me qëndrime të ndryshme, me përfaqësime të ndryshme. Kryetari Hashim Thaçi flet për “korrigjim të kufijve”, “ndërrim të territoreve” e përralla tjera. Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës janë kundër ndryshimit të kufijve, siç ka qenë deri më tash më kategorike Gjermania. Arsyetimet e Thaçit, që të marrë Luginën e Preshevës për Veriun e Kosovës, janë krejtësisht të pabaza, sepse Serbia nuk e jepë atë “korridor” përmes të cilit ka daljen në Selanik dhe Egje. Mund të japë disa fshatra pranë kufirit me Kosovën, por jo edhe ato që shtrihen pranë ose matanë rrugës dhe hekurudhës që shkon për Selanik.

Kosova është e njohur në kufijtë që kishte sa ishte në kuadër të Jugosllavisë dhe nuk duhet biseduar për ndryshim kufijsh. Fundja, kufijtë e Kosovës janë çështje gjithkombëtare shqiptare dhe nuk janë vetëm çështje e Kosovës e aq më pak çështje e Hashim Thaçit. Sepse për kufijtë etnikë shqiptarë kanë luftuar të gjithë shqiptarët prej kohësh, veçanërisht pas Lidhjes së Prizrenit.

Sido që të zhvillohen bisedimet, Mitrovica si qytet, me rrethinën e saj me fshatrat etnike shqiptare, me pasuritë e saj minerale të “Trepçës”, Staritërgun,  Ujmanin/Gazivoda,  apo çfarëdo pjese tjetër e Kosovës, nuk duhet të jenë fare temë bisedimesh as marrëveshje me Serbinë. “Kurrigjim kufiri” mund të bëhet për disa fshatra serbe të komunës aktuale të Leposaviçit, të cilat në vitin 1959, me njëfarë riorganizimi territorial të Serbisë, i janë dhënë Kosovës, për qëllime politike, në mënyrë që brenda Kosovës të ketë paksa më shumë serbë!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA