...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mjerimi intelektual i të “majtës”...italiane, koalicionet qeverisëse dhe diktati i korporatave dhe bankave

Me “demokraci direkte” ato kuptojnë ose procesin parazgjedhor (ose betejat parazgjedhore) për të zgjedhur “më të mirët” dhe për të shkuar në parlament ose votimet dhe “komunikimet” në internet dhe jo zhvillimin e një kuadri tjetër institucional përmes të cilit popujt do të vetëvendosnin drejtëpërdrejt ndërsa ndërveprojnë fizikisht, mendërisht dhe shpërtërisht (me një fjalë, ontologjikisht) për çdo çështje të rëndësishme social-ekonomike që prek jetët e tyre

Ylli Përmeti

11/09/2019 - 12:04

Qoftë lëvizjet “occupy” që filluan të shpërthenin kryesisht në Perëndim katër-pesë vitet e fundit, qoftë lëvizja e Beppes, e cila pretendon ‘demokraci në veprim’ dhe ‘direkte’ dhe qoftë lëvizjet e anëve tona...kërkojnë të bashkë-jetojnë me “demokracinë” parlametare dhe tregun e marketingut, që është armikja e demokracisë politike dhe të operojnë në kuadrin institucional të G/N! Lëvizjet në fjalë shtrembërojnë konceptin dhe praktikën e ‘demokracisë së drejtëpërdrejtë’: sepse me “demokraci direkte” ato kuptojnë ose procesin parazgjedhor (ose betejat parazgjedhore) për të zgjedhur “më të mirët” dhe për të shkuar në parlament ose votimet dhe “komunikimet” në internet dhe jo zhvillimin e një kuadri tjetër institucional përmes të cilit popujt do të vetëvendosnin drejtëpërdrejt ndërsa ndërveprojnë fizikisht, mendërisht dhe shpërtërisht (me një fjalë, ontologjikisht) për çdo çështje të rëndësishme social-ekonomike që prek jetët e tyre. Nuk është e rastit që lëvizjet në fjalë përmendin politikat neoliberale por nuk përmendin mekanizmat dhe kuadrin institucional që mundësojnë këto politika! Për shembull, lëvizja e “Beppes” nuk mund të pretendojë në njërën anë zhvillimin social-ekonomik të një vendi tjetër (Suedisë) dhe në anën tjetër të mos kuptojë kuadrin institucional në të cilin ai zhvillohet!  

Italia: “bomba me sahat” e BE-Eurozonës — nga social-demokracia në globalizmin neoliberal

Gjykuar dhe nga sistemi politik italian, dallimet mes partive të koalicionit mes të “majtëve” dhe të djathtëve për euron, politikën fiskale, rregullat bankare, tregun, emigracionin dhe politikën e jashtme,[1] lëvizjet që kanë ndërmarrë krerët e “yjeve” për nxjerrjen e vendit nga eurozona,[2] dhe premtimin kryesor...se do të detyrojnë Brukselin të ndryshojë politikat e kursimit me politika jokursimtare,[3] siç premtoi Siriza e Greqisë me këshilltar Zizekun e të tjerë si ai, mund të nxjerrim përfundime se qeveria e re do të shtojë krizën qoftë brenda vendit qoftë në BE-eurozonë: sepse, edhe një herë, atyre u mungojnë parakushtet (ose premisat) për të ndryshuar rrjedhën e dinamikës që ka përfshirë vendin — dija teorike dhe empirike. Dhe kështu, në fakt, ndodhi, përgjatë koalicionit të parë mes të “majtëve” dhe të djathtëve. Më konkretisht, “britanicizimin” e Italisë u përpoqën ta përparonin gjatë bisedimeve për krijimin e qeverisë së koalicionit kur një dokument “rrodhi” në shtyp (“Huffington Post Italy”) ku argumentohej se palët duan të kthehen në epokën para-Maastricht-e — domethënë, kërkuan procese teknike specifike për të lejuar vendet të braktisin euron: “struktura e qeverisjes ekonomike europiane, bazuar në dominancën e tregut dhe respektimin e ligjeve që janë të rreptë dhe të pathemeluar nga një këndvështrim social dhe ekonomik, kërkon rimendim me partnerët tanë europianë...shpirti duhet të jetë kthimi në kushtet para-Maastricht-e në të cilët shtetet europiane vepronin me qëllime të sinqerta paqeje, vëllazërie, bashkëpunimi dhe solidariteti”, citonte dokumenti.

Koalicioni kërkoi nga BQE-ja të anulojë borxhin italian prej 250 miliard euro përmes programit të blerjes së bondeve - një propozim që mund të jetë në konflikt me një traktat të BE-së që ndalon financimin monetar të vendeve. Sipas tyre, ky anulim do të rezultonte në një reduktim prej 10 për qind të borxhit italian. Kërkuan, për më shumë, një rishikim të buxhetit të BE-së duke ndarë veprimtaritë tradicionale të huadhënies me veprimtaritë financiare spekulative dhe të mbrojnë bizneset e vogla nga “liberalizimi i orëve të punës, ekspansioni i shpejtë i tregëtarëve me pakicë dhe rishikimin e zbatimit të direktivës së Bolkenstein-it mbi liberalizimin e ekonomive të BE-së, sepse ka efekte të dëmshëm për interesat kombëtare...duke konfirmuar një të ardhur të garantuar për të varfërit italianë gjithashtu dhe shkurtime në taksat e të ardhurave dhe planet për të kthyer pas reformën e pensioneve të vitit 2011-të. Në politikën e jashtme kërkuan një tërheqje të menjëhershme nga sanksionet europiane kundër Rusisë. Kundërshtimin e gjithë aspekteve të marrëveshjeve tregëtare si Ceta dhe TTIP të cilat përfshijnë dobësim të tepërt të mbrojtjes së qytetarëve dhe dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe të qendrueshme. Si rezultat i kësaj “rrjedhje”, bondet italiane me maturi 10 vjeçare pësuan një goditje serioze: rendimenti i tyre u rritë 17 pikë krahasuar me bundin gjerman. Kundrejt këtij efekti demagogët e rinj argumentuan se ata [eurokratët] po mundohen t’i ndalojnë duke i shantazhuar me rritjen e diferencës së bondeve (spread-in), rënien e aksioneve në bursa dhe kërcënimet europiane! Ndryshimi i politikës europiane duke rinegociuar traktatet e BE-së përpara se ata të ndërmarrnin hapa më radikalë, ishte objektivi i tyre.

Sidoqoftë, me deklaratën demagogët e rinj treguan se s’kanë kuptuar jo vetëm faktin se deklarata të tilla kanë efekt të drejtëpërdrejtë në tregjet financiare (bonde, aksione etj.) por dhe faktin se atyre u mungon strategjia. Në fakt, strategjia buron nga kuptimi i gjendjes së krijuar (dija sistemike). Kështu në vend të kuptonin faktin e mirëditur tashmë, se tregjet tronditen kur deklarata “radikale” paraprijnë, dhe për të njëjtën arsye ato përdoren kur të jenë krijuar kushtet objektive dhe subjektive...deklaruan qëllimin e tyre pa krijuar ende qeverinë e re! Nuk nxorrën mësime as nga pësimi i “strategjisë” së Siriza-s (Varufakit etj.) në raport me eurokratët, siç nuk kishte nxjerrë kjo e fundit mësime nga Miterani dhe Lafonteni shekullin e kaluar![4]

Sidoqoftë, nga të gjitha këto, në marrëveshjen e tyre përfundimtare mbeti vetëm e ardhura bazë prej 780 euro e cila do të financohet pjesërisht nga BE-ja. Përmendja e referendumit —për euro-n apo për anëtarësinë në BE— u fshi. Në vend të saj u shtua zotimi për të realizuar objektivat e Traktatit të Maastricht-it. Plani për të anuluar borxhin nga BQE-ja u hoq dhe u pranua taksa e sheshtë dhe një kontribut më i madh në politikën e emigracionit të BE-së — një rishikim i misioneve të BE-së në Mesdhe për të parandaluar ardhjet e emigrantëve në brigjet italiane pa përgjegjësi të ndarë me vende e tjerë! Për ta realizuar këtë objektiv, kërkojnë të reformojnë traktatin e Dublinit me qëllim që të fuqizojnë “rivedosjen automatike dhe të detyrueshme të azilkërkuesve përgjatë anëtarëve të BE-së”. Themelimi i shërbimeve të përkohshme në çdo rajon për të strehuar më shumë se 500,000 emigrantë të caktuar për dëbim brenda 18 muajve. Rritjen e kontrolleve dhe mbylljen e shoqatave radikale islamike, xhamive dhe vendeve të adhurimit përmes krijimit të një ligji të veçantë. Krahas këtyre politikave, qeveria e koalicionit krijoi komitetin e bashkërendimit i cili përfshinë kryeministrin dhe udhëheqësit e dy partive dhe synon të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe të hartojë politikë të re nëse nuk përfshihet në marrëveshje. Në komitet përfshihen individë me influencë në të dyja partitë: Beppe Grillo dhe Davide Casaleggio nga “yjet” dhe Berluskoni nga Lega e të djathtëve. Komiteti i konsiderua nga kritikët me të drejtë “qeveri hije”, sepse supozohet se ka përvojën që s’kanë demagogët e rinj. Sidoqoftë, se çfarë mund të ndryshonte qeveria e re ishte vendosja e taksës së sheshtë për nxitjen e investimeve, nga taksa progresive që ishte me Rencin, dhe luftën kundër varfërisë duke ofruar të ardhura më shumë se 780 euro në muaj për të gjithë ata që kërkojnë punë.

Një politikë tjetër që mund ta realizojnë është “goditja” e privilegjeve të establishmentit politik: ata kërkojnë të rikonceptojnë pensionet e majme që marrin deputetët italianë — 2,600 deputetë që dolën në pension në vitin 2012-të, për shembull, marrin më shumë se 10,000 euro në muaj. Një deputet i partisë radikale të Luca Boneschi-t ishte vetëm një ditë deputet në vitin 1982 dhe merrte pension më shumë se 3,000 euro në muaj derisa vdiq në vitin 2016-të. Si pasojë e ligjit të padrejtë që ka miratuar klasa politike italiane, klasa e re kërkoi të përdorte konceptin e kontributit edhe për deputetët. Përmes kësaj mase ata parashikojnë se do të kursejnë 207 milion euro në vit. Në referendumin e vitit 2016-të, Renzi kërkoi të përgjysmonte numrin e anëtarëve të senatorëve të parlamentit por dështoi. Në atë kohë “yjet” votuan kundër![5] Por ndërsa në raport me Brukselin klasa e re politike mund të jetë më agresive —lidhur me kërkesën e tyre për politika jokursimtare (në fakt Brukseli po përdor që nga viti 2012 politika jokursimtare por demagogët e rinj ose e përdorin se s’kanë dije ose se s’kanë ç’të përdorin!)— dhe s’do të mund të ndryshojnë asgjë, për bankat e saj të brishta do të përfitojë nga nisma e re e Francës dhe Gjermanisë për të krijuar një fond parandalues krizash.[6] Kështu kriza do të “zbutet” edhe më shumë dhe klasa e re politike do të (vetë)paraqitet si “shpëtimtare”. Por koalicioni nuk zgjati shumë për shkak se Salvini kërkoi të sfidonte Konten, kriministrin, me një votë besimi: qëllimi ishte zëvendësimi i tij me veten. Por dështoi: sepse “yjet” krijuan koalicion pikërisht me partinë që kishin kritikuar e mallkuar aq shumë përgjatë kohës kur ishin në opozitë—partinë e qendrës së majtë të Rencit! Në këtë mënyrë, ata mënjanuan “kërcënimin” salvinist dhe vazhduan politikat e Rencit me kostum tjetër. Nuk është e rastit që elita ekonomike italiane (korporatistët dhe bankierët) u ndienë të çliruar kur u krijua koalicioni pavarësisht pritshmërive të ulëta. Siç argumenton FT:

“Çlirimi kolektiv ishte i dukshëm këtë javë në Forumin Ambrosseti në Liqenin Como, një mbledhje vjetore e elitës korporative dhe financaire që, sidoqoftë, nuk përfshin ndërmarrësit e vegjël që formojnë shtyllën e mbështetjes së Ligës…luftime të përsëritshme me Brukselin mbi shkeljet e kufijëve të deficidit dhe bisedat për krijimin e një lloj devize paralele ose qoftë edhe dalja e plotë nga euro-ja shtyu lartë kostot e huamarrjes italiane. Një kryebankier [në mbledhjen përkatëse] fajësoi politikanët e Ligës për shkaktimin e depresionit mbi çmimin e aksioneve të bankës së tij me një të tretën përgjatë vitit të kaluar, ndërsa vlera e borxhit sovran italian ra ndërsa përqindjet e bondeve u ngritën…Drejtuesit e biznesit në Forumin Ambrosetti e mirëpritën premtimin e ri të qeverisë për të ndrequr raportet me Brukselin dhe kryeqytete të tjerë të BE-së dhe për të rimarrë rolin e saj tradicional si një mbrojtëse e integrimit më të ngushtë evropian. Për shumë, kjo ishte një garanci se politikat e saj do të ndjekin një drejtim të rrjedhës kryesore pro-biznesit, pavarësisht armiqësisë së shumë politikanëve të Pesë Yjeve kundrejt biznesit të madh… ‘si një investitor afatgjatë ne kërkojmë qendrueshmëri afat-gjatë…një politikë të përgjithshme që angazhohet më shumë në pjesën tjetër të Evropës do të na ndihmojë përgjithësisht të vazhdojmë të investojmë’ [citoi një drejtor i korporatës së Edison-it dhe një grupi energjitik]…por atje ka pak besim se koalicioni i ri — i cili bashkon dy parti që ishin krye-armiq vetëm një muaj më parë — do të zgjasë për një kohë të gjatë ose të përballet me probleme të thellë që qeveritë pararendëse lanë pas dore”.[7]    

Duhet thënë se lëvizja e “yjeve” zhvilloi “demokracinë e drejtëpërdrejtë” siç e quan ajo — një platformë private në internet që pronësohet dhe kontrollohet nga Davide Casaleggio, ku çdo veprimtar (rreth 115 mijë) votuan (“po” ose “jo”) për vendimet që merr kryesia. Për vendimin e saj për të krijuar koalicion me kundërshtarët e saj - 79 për qind votuan “po”. Në këtë mënyrë, “yjet” i japin karakter ‘demokratik’ vendimeve të tyre dhe ndajnë përgjegjësitë me mbështetësit. Mirëpo, kriza thellohet dhe pa kuptim të shkaqeve të saj, nuk do të ketë kurrë dalje nga ajo. Përkundrazi, kriza do të thellohet!  



[1]Populist beliefs: where Italy’s League and Five Star stand, FT, 11 May 2018. Italy’s coalition: the main policy pledges, FT, May 19, 2018.

[2]Italy is storing up troble for the eurozone, Wolfgang Munchau, FT, March 11, 2018.

[3]Financial markets fail to reflect the eurozone time-bomb in Italy, Wolfgang Munchau, FT, March 25, 2018.

[4]Shih, Pushteti i kaosit dhe globalizmi neoliberal.

[5]Italy’s populists take aim at pensions of former MPs, FT, Apr 9, 2018.

[6]Shih, Demokraci apo barbarizëm?

[7]Italian business hopes for return to stability under new coalition, FT, 08 Sep 2019.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA