...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga kaosi i masmedias dhe pushtetit politik në ligjin “Rama-kundërshpifjes”

Masmedia është krijuar nga pushtetet politike dhe ekonomike, për interest e ngushta të tyre dhe jo për interesat e gjera të popullit— masmedia është në kaos: në kuptimin e rekrutimit të gazetarëve që s`kanë mësuar as deontologjinë gazetareske, as si shkruhet dhe paraqitet realiteti i një ngjarjeje, dhe as kanë kuptuar dallimin mes “lajmit” dhe “informacionit”: për pasojë i quajnë ‘lajmet’ - ‘informacione’

Ylli Përmeti

20/12/2019 - 09:10

Sulmet kundër shtypit nga Rama kanë qenë thuajse të përditshme veçanërisht gjatë mandatit të dytë: kryesisht sepse nuk ia ka nevojën siç ia kishte në mandatin e parë ­— sidomos kur donte të ngjitësh në pushtet. Vazhdoi më pas kur u ngjit në pushtet kur kishte nevojë për të kryesisht për mirëparaqitjen e “politikës” së tij. Kur pa se e humbi këtë objektiv —mirëparaqitjen e “politikës” së tij nga masmedia—dhe paralelisht pa sulmet e Trampit ndaj masmedias në Amerikë, filloi sulmet edhe Rama duke përdorur “lajmet e rreme” që vinin kryesisht nga masmedia e krijuar dhe kontrolluar nga opozita.

Keqparaqitja e realitetit politik dhe shoqëror nga masmedia përkatëse kulmoi gjatë tërmetit të shtatorit dhe dhjetorit. Për të njëjtën arsye Rama përparoi synimin e tij për të “disiplinuar” masmedian përkatëse me një ligj pavarësisht se ligji përfshin dhe masmedian e kontrolluar nga ai tërthorazi. Duhet thënë edhe një herë se masmedia në Shqipëri është e tëra e kapur nga pushteti politik dhe ekonomik dhe për të njëjtën arsye ajo nuk i shërben të vërtetës dhe popullit por vetëm interesave të ngushta të pushteteve përkatëse. Pikërisht për këtë arsye —se masmedia është krijuar nga pushtetet politike dhe ekonomike, për interest e ngushta të tyre dhe jo për interesat e gjera të popullit— masmedia është në kaos: në kuptimin e rekrutimit të gazetarëve që s`kanë mësuar as deontologjinë gazetareske, as si shkruhet dhe paraqitet realiteti i një ngjarjeje, dhe as kanë kuptuar dallimin mes “lajmit” dhe “informacionit”: për pasojë i quajnë ‘lajmet’ - ‘informacione’!

Masmedia shqiptare reflekton pikërisht karakterin e tregut dhe shoqërisë: sepse si tregu ashtu dhe shoqëria, janë në kaos. Përveç kaosit me “gazetarët” e rekrutuar nga pushtetet përkatëse dhe padijen lidhur me konceptet kryesore të gazetarisë —lajmet dhe të dhënat (ose informacionet) që krijojnë një lajm— një kaos tjetër zhvillohet në gjirin e saj: shtrembërimi i gjuhës shqipe jo thjesht në drejtëshkrim dhe në sintaksë por nuk lakojnë as emrat e përveçëm ndërsa shqipja flitet me një tonacion të huaj, kryesisht nga gazetarët sportit, dhe me zëra çjerrës. Edhe në këtë kaos gazetaria reflekton kaosin e gjuhës së politikanëve profesionistë: ata shtrembërojnë dhe “qelbin” gjuhën shqipe çdo ditë me fjalë të huaja dhe qendrime kontradiktore. Këtë kaos e udhëheq Berisha, Meta dhe Rama, të cilët pasohen nga gjithë të tjerët. Kaosi tjetër lidhet me quajtjen e programeve në radio-televizion: thuajse gjithë programet quhen me fjalë të gjuhës angleze (wake up; euronews…now; topnews etj.).

Pa u çuditur, kaosin e drejtëshkrimit dhe sintaksës në shtyp, mungesën e lakimit të emrave dhe quajtjen e programeve me fjalë të huaja, ligji përkatës nuk e konsideroi fare: ai u përqendrua vetëm tek ‘shpifja’! Arsyeja kuptohet: sepse një mendje e keqedukuar nuk shqetësohet nga kaosi përkatës por shqetësohet vetëm nga shpifja, jo sepse dëmtohet qeveria, argumentoi Rama, por sepse qeverisë i “dhimbsen” qytetarët! Në fakt, nëse konsiderojmë për një çast se për cilët shpifet dhe për cilat arsye, kuptojmë se ligji përkatës nuk është për të mbrojtur popullin por qeverinë! Dhe nëse konsiderojmë faktin se pse shpifësit nuk mjaftohen me politikat e padrejta të qeverisë por shtojnë dhe shpifjet, kuptojmë dhe arsyen kryesore: sepse nuk janë të aftë të gjykojnë drejtë politikat e padrejta të qeverisë dhe për të njëjtën arsye, shpifin me shpresën se dëmtojnë figurën e qeverisë ndërsa paralelisht përpiqen të paraqiten në sytë e popullit më të drejtë. Por është edhe një arsye tjetër: sepse është një krijuar një konsesus —i padeklaruar— mes dy partive kryesore që mos të përqendrohen te politikat e padrejta të qeverisë - me qëllim që të çorientojnë popullin! Për shembull, për politikat konçesionare, nuk kritikohen politikat përkatëse por “zgjedhjet” e kontraktorëve nga qeveria! Janë pikërisht këto dy arsye —mungesa e gjykimit të drejtë dhe konsesusi i heshtur— që detyron partitë të shpifin për njëra tjetrën.

Dëftues është fakti se kur replikohësh në Kuvend për ligjin përkatës, Rama përmendi disa vende perëndimore ku i njëjti ligj është miratuar, në përpjekjen e tij për të kundërshtuar argumentin që përdorte opozita dhe gazetarët pranë saj, se ky ligj nuk është miratuar në asnjë vend të botës dhe “opozitarja” e re, Hajdari, mohoi —aty për aty dhe gojë për gojë— se ligji është i panjohur për botën perëndimore: fakt që dëshmoi edhe një herë se politikanët profesionistë mbajnë qendrime publike për hir të kundërshtimit dhe jo për hir të të vërtetës! Nuk mungonte dhe argumenti se ligji nuk mbështetet nga OSBE-ja kur “DW” kishte publikuar mbështetjen e kësaj të fundit: “Varianti përfundimtar i paketës i ndryshuar gjatë ditës së djeshme është në përputhje me standardet ndërkombëtare”, citon lajmi. Domethënë, “regjistrimi i mediave online; afatet kohore për rrëzimin e përmbajtjes; kompetencat e AKEP-it; dhe e drejta e përgjigjes në publikimet elektronike”, ishin pjesë e ligjit.[1] Autoriteti Mbikëqyrës i Mediave (AMA) me ligjin e ri ka të drejtë të ndërhyjë në rast se shpifet dhe të kërkojë heqjen e saj nga portalet. Duhet thënë se ndryshimet në ligj u bënë minutat e fundit përpara se të shkonte në kuvend—­fakt që tregon se ligji nuk është kundruar por është shkruar nxitimthi. Nuk do të ishte e çuditshme që ligji të ishte i keqformualuar dhe të ndryshonte edhe një herë në Kuvend lidhur me gjobat etj. Në fakt OSBE-ja kishte muaj që jepte këshillat e saj për draftet e ligjit përkatës. Por opozita dhe gazetarët flinin gjumë ndërsa shpërthyen ditën e miratimit me protesta!

Duhet thënë se edhe “Shqipëriajonë.org” është qendër studimore dhe mediatike dhe nuk u shqetësua fare lidhur me ligjin përkatës dhe çjerrjet e opozitës dhe gazetarëve sepse dinte se kur një vend është i varuar nga të huajt, veçanërisht nga perëndimi dhe institucionet e tij me karakter ndërkombëtar, qeveria s`ka asnjë mundësi të veprojë në kokë të vetë edhe nëse drafti fillestar kishte grimca “diktature” apo qëllime për të diktuar masmedian. Por po i kthehem edhe një herë kompetencave të reja të AMA-s me ligjin e ri dhe le të supozojmë se ligji dekretohet nga presidenti: sa mundësi ka AMA të diktojë shtypin? Nëse punonjësit përkatës emërohen nga qeveria, ka shumë mundësi të diktojë shtypin; nëse jo, sërish ekziston rreziku se shtypi do të diktohet nëse punonjësit nuk janë të aftë të dallojnë mes shpifjes dhe faktit. Ndaj pyetja që shtrohet këtu nuk është se sa do të diktohet shtypi me ligjin e ri por se sa ngrihet kostua për qytetarët. Në rastin konkret, koston e ngrenë gazetarët kur dihet se gazetarët janë ‘vegla politike’ të ‘pushteteve politike dhe ekonomike’. Kështu në vend të synohet rikonceptimi i gazetarisë në tërësi dhe të kërkohet nga çdo media pavarësi ekonomike (ky është parakushti kryesor për media në shërbim të të vërtetës) lihen pushtetet përkatëse të veprojnë me median e tyre dhe meqënse pushtetet përkatëse krijojnë kaos, krijohen institucione mbikëqyrës që ngarkojnë me kosto dhe qytetarët e thjeshtë!

Qartësisht, ligji i ri nuk e zgjidh problemin e shtypit por krijon problem sidomos kur dihet se ligjet në Shqipëri nuk zbatohen pikë së pari nga pushteti politik e jo më nga institucionet që krijon ai. Për të rikonceptuar shtypin nevojitet dije dhe pushteti politik dhe mediatik nuk e ka dijen e nevojshme për ta rikonceptuar atë pavarësisht se unë kam vite që kam publikuar një studim përmes të cilit tregoj gjithë problematikat e tij dhe rikonceptimin e tij, të cilin, pa u çuditur, gazetarët përkatës, kolegët e mi, nuk e kanë konsideruar për shqyrtim siç nuk kanë konsideruar shumë studime të tjerë. Kuptohet pse: pjesërisht sepse nuk lejohen nga pronarët dhe pjesërisht sepse kuptimi i tyre lidhur me problematikën është i pjesshëm!     



[1]OSBE pranoi paketën antishpifje, DW, 18.12.2019.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA