...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga Rama dhe këneta e tij morale te kolaboracionistët dhe avokatët e tij

Madje, edhe në traktin e parë të lëshuar nga BK pas pak muajve, as nuk përmendet pushtuesi dhe as flitet për luftë kundër tij. Ajo që nuk mungon është ftesa për “pritje”. Në të thuhej: “Sot nuk na mbetet veçse nji gja me ba, me u armatosë dhe me pritë me kthjelltësi mbarimin e luftës, me pritë që të shihet qartë e mandej me veprue kundër çdokujt që kishte me dashtë me shkelë besimin tonë”. Përmbajtja e këtij trakti i thotë thuajse të gjitha: “Me u armatosë”, por me çfarë qëllimi? Dhe përgjigjja është po aty “Për me pritë mbarimin e luftës”.

Viktor Malaj

27/11/2018 - 06:57

Sjellja në Shqipëri e eshtrave të Mit’hat Frashërit dhe ceremonia shtetërore në nderim të tij sollën në skenën politike dhe mediatike shqiptare edhe një herë tjetër polemikën rreth teatrit politik shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe roleve të individëve dhe forcave politike gjatë asaj periudhe dhe pas saj. Prej gati tri dekadash vazhdojnë përpjekje të mëdha e të pandalshme për të vlerësuar e rivlerësuar, mohuar e tjetërsuar ngjarje, individë dhe forca politike që kanë qenë të pranishme apo vepruar prej rreth një shekulli në Shqipëri.

Nuk ka asnjë dyshim se jo pak ngjarje dhe individë duheshin riparë nën dritën e të dhënave të reja por nuk ka arsye njerëzore që të pranojë se rënia e sistemit politik në vitin 1990 duhej të sillte përmbysjen njëqind për qind të çdo trajtimi apo vlerësimi të bërë deri atëherë për ngjarjet dhe njerëzit e veçantë. Skifterët e kësaj kryqëzate kundër së kaluarës kanë shkuar aq larg në fluturimet e tyre të marrëzishme saqë, bashkë me ngjarjet dhe njerëzit, besojnë dhe përpiqen të ndryshojnë edhe parimet universale të vlerësimit të së mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës, atdhetares dhe antikombëtares dhe e bëjnë këtë sa herë ndodhen përballë malit të pakalueshëm të fakteve dhe provave që dëshmojnë të kundërtën e atyre që dëshirojnë ata.

Në këtë kuadër ata kërkojnë të rivlerësojnë të gjithë të damkosurit e mëparshëm, ta kthejnë tradhtarin në hero, spiunin e të huajit në shërbëtor të atdheut, sakrifikuesin e interesave popullore në mbrojtës të shqiptarizmës, terroristin e pashpirt në humanistin më të madh dhe, më në fund, të shpallin, siç kanë bërë deri tani, një ushtri të tërë gjenish duke nisur me ndonjë mësues katundi që ka shkruar disa poezi e deri tek individë vërtetë të kulturuar ku bën pjesë edhe Mit’hat Frashëri. Kanë shpallur deri tani aq shumë gjeni sa që njeriu i gjorë habitet dhe pyet veten se si është e mundur që një popull i vogël në një cep të Evropës ka pasur kaq shumë gjeni dhe ka mbetur i fundit në zhvillimin kulturor, ekonomik dhe shoqëror ku vazhdon të jetë edhe sot i prapambetur. Një nga taktikat e tyre djallëzore për të zvogëluar apo shkualifikuar veprimtarinë antikombëtare të individëve të veçantë është vënia në dukje dhe hiperbolizimi i kontributeve të tyre në fushat e letërsisë, gjuhësisë, publicistikës apo momenteve të ndryshme historike dhe heshtja ose, akoma më keq, justifikimi i akteve të tyre kombëtarisht të dëmshëm dhe universalisht të dënueshëm.

Besoj fort se në jetën shoqërore duhet të gjejë zbatim thënia e Biblës “Jepi Zotit çfarë është e Zotit dhe jepi Cezarit çfarë i takon Cezarit”. Në këtë mënyrë duhet vlerësuar jo vetëm normale, por edhe e nevojshme që të vihen në dukje kontributet dhe meritat e cilitdo individ shqiptar dhe, nga ana tjetër, të mos mohohen apo justifikohen gabimet, fajet apo krimet e kryera. Përpjekjet për t’i paraqitur individë të ndryshëm si tërësisht të mirë e të pagabueshëm janë edhe më të padenja se ato të vlerësimeve të bëra para 1990 për ta kur viheshin në dukje gabimet dhe fajet dhe liheshin në heshtje vlerat dhe meritat.

Mit’hat Frashëri ka qenë pasardhës i njërës nga familjet më të vlefshme shqiptare dhe duket qartë që ai, si individ, ka pasur një kulturë të admirueshme dhe ka spikatur me rolin e tij në disa momente të rëndësishme kulturore e kombëtare, por shpallja e tij “gjeni kombëtar” dhe mohimi apo justifikimi i fajeve të tij politike as nuk i qëndrojnë të vërtetës dhe as i shërbejnë popullit në perspektivë. Prehja e tij në Shqipëri është legjitime. Vlerësimet e kontributeve të tij deri në vitin 1939 duhen bërë kryesisht nga njerëzit e fushave ku ai ka kontribuar, ndërsa shfajësimi dhe glorifikimi i qëndrimeve dhe veprimeve të tij pas atij viti është një ndërmarrje sa e turpshme aq edhe e pathemeltë. Fjala gjeni, përgjithësisht, dëshmon ekzistencën e një njeriu që zotëron shkallën më të lartë të fuqisë dhe mprehtësisë mendore, aftësisë dhe talentit në një fushë të veprimtarisë krijuese kulturore apo shkencore. Megjithëse unë nuk arrij ta shquaj gjëkundi këtë nivel gjenial të pretenduar, njerëzit e dijeve dhe fushave të veçanta do të mund të jenë më të përshtatshëm për të na bindur rreth këtij fakti. Sa i përket individit politik, konsiderohen gjeni individë të cilët, në momente të ndryshme historike, kanë qenë në gjendje jo vetëm të orientohen drejt në problemet kombëtare e ndërkombëtare, por edhe kanë pasur një ndikim vendimtar në pozitën dhe zhvillimin e vendit të tyre. Mjerisht, këtu Mit’hat Frashëri jo vetëm nuk shkëlqen, por me sjelljet dhe qëndrimet e tij e ka vënë veten në listën e njerëzve që historia dhe kodi moral i ndëshkon.

Avokatët dhe lustraxhinjtë e veprimeve të tij na ftojnë ta vëmë veten në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore dhe në fakt ashtu duhet bërë. Frashëri ka qenë kryetar i Ballit Kombëtar të krijuar në nëntor 1942. Programi politik i kësaj organizate politike (dekalogu me dhjetë pika) i ngjan më shumë një udhëzuesi të përgjithshëm, është krejt i paqartë dhe, megjithëse vendi ndodhej nën pushtimin fashist, aty nuk përmendet askund pushtuesi. Përveç kësaj, aty nuk përmenden as forca apo aktorë të tjerë politikë, as qëndrimi i BK ndaj tyre dhe as kurrfarë ftese për bashkim kundër pushtuesve. Madje, edhe në traktin e parë të lëshuar nga BK pas pak muajve, as nuk përmendet pushtuesi dhe as flitet për luftë kundër tij. Ajo që nuk mungon është ftesa për “pritje”. Në të thuhej: “Sot nuk na mbetet veçse nji gja me ba, me u armatosë dhe me pritë me kthjelltësi mbarimin e luftës, me pritë që të shihet qartë e mandej me veprue kundër çdokujt që kishte me dashtë me shkelë besimin tonë”. Përmbajtja e këtij trakti i thotë thuajse të gjitha: “Me u armatosë”, por me çfarë qëllimi? Dhe përgjigjja është po aty “Për me pritë mbarimin e luftës”. Gjithë njerëzimi armatoset për të bërë luftën kurse ballistët tanë do të armatoseshin për mbas luftës, çka do të thotë se do të armatoseshin për luftë për pushtet ose “luftë civile”, meqë disave u pëlqen ta cilësojnë me këto fjalë Luftën Çlirimtare. Trakti tregon se në planet e tyre nuk ishte lufta kundër pushtuesve, por lufta kundër atyre që “do të shkelin besimin tonë”. Pra, qëllimi i armatosjes është për të luftuar ata që do të tentojnë të na marrin pushtetin.

Disa çeta të BK zhvilluan disa aksione të armatosura kundër italianëve, por disa eksponentë kryesorë të kësaj organizate politike u bënë ministra në qeveritë pushtuese, prefektë etj. dhe kontribuuan në spiunimet, arrestimet, vrasjet dhe internimet e atyre që luftonin pushtuesit. Madje, Ali Bej Këlcyra nënshkroi në mars 1943 një marrëveshje me komandantin e forcave italiane të pushtimit, gjeneralin Dalmaco me të cilën merrte përsipër t’i ndihmonte forcat pushtuese duke vendosur forca balliste në ruajtjen e rrugëve apo të shërbenin si pararojë e marshimeve të ushtrisë pushtuese. Në mënyrë të veçantë, forcat e Ballit u vunë në shërbim të ushtrisë gjermane duke spiunuar, arrestuar, vrarë njerëz e djegur fshatra sipas porosive dhe me ndihmën gjermane. Në përfundim të luftës figurat kryesore balliste, duke përfshirë edhe Frashërin, ikën së bashku me gjermanët ose në të njëjtën kohë me ta.

Thuajse të gjithë dokumentet gjermane si dhe ato të përfaqësuesve anglezë dhe amerikanë në Shqipëri e provojnë pa mëdyshje rënien e BK në pozita kolaboracioniste dhe kryerjen prej tyre të akteve kriminale ndaj popullit të vet dhe në shërbim të pushtuesve. Propaganda mashtruese e pas 1990 ka bërë çmos që BK ta paraqesë si një tufë pëllumbash, atdhetarë dhe paqësorë, si të sulmuar dhe asnjëherë sulmues, të larë nga mëkatet dhe të denjë për piedestal. Nga dhjetëra dëshmi e dokumente, po citoj ç’porosi u jep Mit’hat Frashërit me 7 tetor 1943 forcave të armatosura të BK: “Të sulmohen forcat partizane dhe të bëhet propagandë kundër FNÇL” (Fondi 270, dosja 11 AQP). Figura e dytë politike e BK, Abaz Ermenji thoshte: “Balli Kombëtar, që kishte shumicën në numër, çoi në këmbë fuqitë e veta të qarqeve të Beratit, Elbasanit dhe Korçës dhe nga gjysma e dhjetorit 1943 u hodh në sulm të përgjithshëm kundër komunistëve në një vijë që shkonte prej Mallakastrës në të gjitha pikat dhe u tërhoqëm në malësi të Përmetit dhe në Kurvelesh”. Dëshmia e Ermenjit provon jo vetëm qenien e Ballit aktiv me armë (jo në pozita mbrojtëse, siç mashtrohet), por vendosjen e tij në hapësirë dhe në kohë në shërbim të Operacionit të Dimrit të ndërmarrë nga ushtria gjermane ndaj FNÇL. Jo më kot historiani Berndt Fisher ka arritur në përfundimin se kolaboracionizmi ka qene tipari kryesor dallues i Ballit gjatë luftës.

Tani, Mit’hat Frashërin po na e shesin edhe si gjeni i politikës. Përpara se të shpreh mendimin tim rreth kolaboracionizmit, besoj se lindin disa pyetje legjitime: Ku ishte dhe çfarë bëri gjeniu Mit’hat Frashëri ditën e pushtimit të vendit nga Italia fashiste? Çfarë mendonte ai rreth ndryshimit “me një të rënë të lapsit” të formës së regjimit në Shqipëri nga republikë në mbretëri në vitin 1928? Cili ishte mendimi dhe qëndrimi i tij ndaj largimit nga atdheu të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, mbretit Zog një ditë përpara pushtimit të vendit? Çfarë mendonte dhe si reagoi Frashëri ndaj pritjes ceremoniale që iu bë ushtrisë pushtuese në Tiranë si dhe ndaj dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut tek mbreti i Italisë duke e pranuar dhe shpallur kështu sundimtar të Shqipërisë? Si “demokrat liberal” cili ka qenë qëndrimi i tij ndaj burgosjeve, internimeve dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë nga regjimi monarkist i Zogut? Pse Mit’hat Frashëri dhe shokët e tij nuk e krijuan organizatën e tyre politike dhe formacionet e duhura ushtarake qysh në 1939, por në nëntor 1942, dy muaj pasi tri fuqitë e mëdha aleate (SHBA, Angli, BRSS) njohën luftën partizane në Shqipëri dhe kështu u krijua mundësia që ky Front të merrte edhe pushtetin pas luftës dhe të njihej si i tillë nga aleatët? Pse nuk mori pjesë Mit’hat Frashëri në Konferencën e Pezës? Cili ishte mendimi dhe qëndrimi i tij ndaj masakrës së 4 shkurtit 1944 në Tiranë dhe ndaj raprezaljeve dhe krimeve që kryenin qeveritë shqiptare nën pushtim kundër atyre që luftonin pushtuesit?

Në propagandën e pas vitit 1990 herë thuhet se BK ka luftuar dhe herë të tjera pohohet se ka qenë mosveprues dhe për këtë sillen, sipas rastit, tre pretekste. Preteksti i parë thotë se ne ishim një vend i vogël dhe nuk mund të bënim gjë kundër një fuqie si Italia prandaj lufta do të ishte gabim. Në këtë mënyrë zhvlerësohen si të kota dhe të gabuara të gjitha luftërat e popullit shqiptar, të paktën qysh nga koha e Skënderbeut e më pas, duke përfshirë edhe rezistencën dhe flijimin e Mujo Ulqinakut me shokë në 7 prill 1939, si dhe disa luftime të forcave balliste më vonë. Për zgjimin e popullit shqiptar dhe futjen e tij në rrugën e mëvetësisë dhe zhvillimit rilindësit shqiptarë, duke përfshirë edhe vëllezërit Frashëri, e vunë theksin tek lartësimi dhe dashuria për vendin dhe tek vlerësimi i figurës së Skënderbeut duke nxitur luftën kundër pushtuesit. Mirëpo, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte dhe mbetet mishërim dhe simbol i luftës dhe sakrificës për atdheun, madje i kryeluftëtarit kundër superfuqisë së kohës dhe jo i “të armatosurit që pret”. Në këtë kuptim, avokatët e Ballit duhet ta ndajnë një herë e mirë mendjen dhe të na tregojnë nëse duhej luftuar apo jo kundër pushtuesve italo-gjermanë.

Preteksti i dytë që përdoret për të justifikuar bashkëpunimin e “nacionalistëve” me pushtuesit është dëshira e krijimit të Shqipërisë Etnike që nënkupton bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet shqiptar. Lufta e Dytë Botërore kishte krijuar dy fronte: atë të forcave pushtuese të Boshtit dhe, nga ana tjetër, aleancën e madhe të shteteve që luftonin për çlirim kombëtar. Krerët kryesorë të Ballit e kishin aq nivel dhe ishin të mirinformuar për Traktatin e Atlantikut të gushtit 1941 të nënshkruar nga SHBA e Anglia dhe më vonë edhe BRSS dhe Franca etj. i cili e bënte të qartë se ndryshimet e kufijve që bëhen gjatë luftës nuk do të njihen kur të mbarojë lufta. Nëse të vetëquajturit nacionalistë shqiptarë i pranuan pushtimet dhe bashkëpunuan me fuqitë nazifashiste për këtë qëllim, atëherë kjo do të thotë se ata jo vetëm ishin dakord me ideologjinë e pushtuesit, por edhe besonin se sistemi i tyre politik do të bëhej mbarë botëror dhe do të ishte jetëgjatë. Si të tillë, ata ishin dakord që “Shqipëria Etnike” të ekzistonte edhe në formën e një territori të pushtuar dhe pa sovranitet kombëtar. Përndryshe, nëse ata e konsideronin pushtuesin si kalimtar, siç na thonë sot, atëherë alibia e “bashkimit kombëtar” nga një fuqi kalimtare bie vetvetiu dhe bëhet copë e thërrime.

Justifikimi i tretë që gjen edhe sot përkrahës, diku pa mend dhe jo rrallë pa moral, është se nacionalistët bashkëpunuan me pushtuesit për shkak të rrezikut të ardhjes së sistemit komunist. Ky lloj mashtrimi rreket të na bind se ushtria laramane e nacionalistëve tanë ishte kaq demokratike dhe parimore saqë po sakrifikonte atdheun për parime. Për cilat parime? Që ata u bënë vegla kriminale të pushtuesve për të mos lejuar ardhjen në pushtet të komunistëve, kjo është pjesërisht e vërtetë, por jo për shkak të parimeve dhe pikëpamjeve demokratike që përfaqësonin por për shkak të rrezikimit të pozitave të veta politike, ekonomike dhe sociale. Shumë prej tyre iu bashkuan pushtuesve italianë kur komunistët s’dukeshin askund në horizont, shpallën bashkimin e vendit me Italinë, e quajtën pushtimin “çlirim” ndonëse Ministri i Jashtëm Italian, Çiano, e quante “operacioni i tredhjes së pacientit pa bujë”, krijuan parti dhe rini fashiste dhe e propaganduan sistemin fashist si Rendi i Ri Botëror. Motivi kryesor i bashkëpunimit të tyre me pushtuesit nuk ishte lufta për parime demokratike, pasi ata e bënë vendin pjesë të shtetit diktatorial dhe ishin kështu të gatshëm të viheshin njëkohësisht edhe nën pushtimin e huaj, por edhe nën sundimin e një diktature, mjafton që kjo diktaturë t’i mbante ata në pushtete kukulla dhe të mos iu cenonte pozitat e tyre pasurore dhe sunduese. Si të tillë, ata nuk ishin as atdhetarë (nacionalistë) dhe as demokratë. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes nuk ishte shkak për të mos luftuar pushtuesin sepse, përndryshe, do të ishte arsye legjitime edhe për Frontin t’i ndërpriste luftimet dhe t’i përdorte të gjitha forcat dhe energjitë vetëm ndaj kundërshtarëve politikë dhe ushtarakë të brendshëm por ata s’e bënë këtë.

Meqë kolaboracionizmi tek ne ka ende ithtarë dhe avokatë duhet kujtuar se ky fenomen ka ekzistuar qysh në lashtësi edhe pse me këtë emër nisi të etiketohet kryesisht pas vitit 1945, por gjithmonë është përçmuar dhe dënuar nga shumica e njerëzimit. Gjithashtu, është e qartë se atdhetarizmi dhe ndjenjat e lirisë së vendit (antipushtuese) nuk kanë qenë dhe as janë atribute vetëm të majta, por janë cilësi të individëve pavarësisht pozitave ekonomike, sociale apo politike. Edhe historia e vendit tonë e vërteton këtë pa asnjë mëdyshje. Edhe në LNÇL morën pjesë njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore. Balli Kombëtar kishte në përbërje të tij njerëz që e donin atdheun po aq sa edhe komunistët dhe populli që luftoi me armë pushtuesit, por kjo organizatë politike pati në drejtim njerëz që nuk ishin të gatshëm të sakrifikonin as rehatin e jo më jetën për çlirim kombëtar. Nuk ishin thjesht politikisht dritëshkurtër, por, para së gjithash, njerëz që ndiheshin më keq në një Shqipëri të lirë që s’iu ofronte pushtet. Ata ndiheshin mirë në Shqipërinë e pushtuar se nuk iu cenoheshin pozitat dhe, siç i qesëndiste populli, silleshin rreth hoteleve dhe klubeve për të pirë “verën e dyqanit”, pra në të njëjtat mjedise ku pushonte dhe dëfrente hierarkia e pushtuesve.

Këto të vërteta i konfirmojnë edhe oficerët anglezë dhe amerikanë misionarë gjatë luftës në Shqipëri. Oficeri anglez Rexhinald Hibert, në librin e tij “Fitorja e Hidhur” thotë: “Ata (nacionalistët-V.M.) ishin kokëngjeshur ndaj çdo përpjekjeje për t’ua shpjeguar lojën e forcave më të mëdha botërore, nga e cila do të vendosej fati i Shqipërisë… Ndër ta nuk doli asnjë udhëheqës me vizionin për të parë se, për shkak të dhunës së egër që kishte shpërthyer në të gjithë Evropën, nga Italia e Gjermania, shqiptarëve dhe Shqipërisë do t’u duhej të kalonin përmes gjakut e zjarrit, që të fitonin të drejtën për një pozitë më të mirë kur të vinte paqja… Mosdëshira e krerëve nacionalistë për të luftuar ishte e kuptueshme. Në luftime do të shkatërroheshin bota e tyre, shoqëria e tyre, mënyra e jetesës së tyre dhe e pasuesve të tyre…” (faqe169). Dhe më poshtë:

“Në këtë pikë të luftës, kur dita e fitores së plotë ishte akoma disa muaj larg dhe kur komandantët aleatë kërkonin një sulm të përgjithshëm mbi gjermanët kudo ku mund të goditeshin, partizanët në Shqipëri ndërmorën atë veprim që kërkohej. Duke bërë këtë, ata e konsoliduan dorën e tyre mbi vendin dhe i goditën ashpër të gjithë ata që u zinin rrugën… “Nacionalistët” i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, madje as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve. Ky ishte një gjykim i gabuar, i trishtueshëm e vdekjeprurës nga ana e tyre, që mund të shpjegohet me shkallën e lartë të verbimit… Enver Hoxha dhe kolegët e tij kishin gjithashtu një damar të fortë nacionalist por ata, ose të paktën Hoxha, asnjëherë nuk e kishin vënë në dyshim se u duhej të luftonin me armë në dorë për çdo gjë që kërkonin”. (f. 293-294).

Ndërsa agjenti amerikan i OSS-it, Piter Stefens citohet të ketë thënë: “Radikalët e rinj (FNÇL- V.M.) bënin sakrifica sepse ata ishin trima dhe të guximshëm, sepse ata kishin aftësi të mira organizuese, sepse ata ishin të vendosur që idetë e tyre radikale t’i vinin në praktikë. Ballit Kombëtar i mungonte një udhëheqje e krahasueshme, i mungonin parimet themelore, i mungonte kurajoja për të sakrifikuar” ( Piter Lukas, “Misioni Amerikan në Shqipëri”, f. 230).

Prandaj çështja e kolaboracionizmit dhe dënimi i tij i kalon caqet e një individi si Mit’hat Frashëri dhe të forcave politike si komuniste apo antikomuniste. Ajo është një çështje shumë më e hershme në kohë e hapësirë dhe që do të ekzistojë edhe kur këto forca apo ideologji të mos ekzistojnë sepse mbi to ka ekzistuar dhe ekziston një ideologji më e vjetër dhe më jetëgjatë; ideologjia kombëtare, liria e Shqipërisë, sovraniteti kombëtar.

Ne sot çuditemi dhe ndiejmë keqardhje që midis nesh ka kaq shumë dalëzotës të kolaboracionizmit. Duket që edhe kjo është shenjë e kalbëzimit moral të shoqërisë shqiptare. Histeria antikomuniste ka sjellë një çmenduri morale duke rrëzuar çdo parim etik, kombëtar dhe shoqëror, duke i shndërruar shqiptarët, në një masë të madhe në tufa çakejsh që duan të shqyejnë të gjallë njëri-tjetrin, ku grabitësi më pak i dëmshëm është ai i rrugës, pasi të mëdhenjtë i gjen në politikë, gjykata, mjekësi apo administratën shtetërore. Humbja e çdo parimi dhe orientimi moral, nëpërkëmbja e çdo të drejte dhe të vërtete për të arritur pasurimin material kanë nxitur veset dhe shtrembëruar rëndë realitetin e sotëm, të djeshëm e të pardjeshëm. Në ballë të fushatës për shtrembërimin e së vërtetës duke propaganduar dhe glorifikuar të pavërtetat janë një pjesë e ish-të goditurve nga regjimi i para 1990, por sidomos një tufë ish-komunistësh dhe bij të elitës komuniste pa kurrfarë idealesh të cilët na e shitën antikomunizmin si ideal. Frymëzimi dhe histeria e tyre nuk buron nga idealet. Ai është produkt i dëshirave për të mbushur xhepat dhe për të siguruar një jetë vetjake luksoze në kurriz të popullit. Dhe, ia kanë arritur me sukses.

Kjo elitë ekonomike, politike dhe mediatike po na mëson çdo ditë se prona është “e shenjtë” dhe jo atdheu, as familja dhe as morali; po na mëson se puna për shoqërinë është skllavëri, ndërsa pasurimi vetjak me çdo kusht e mjet është zotësi; se familja s’ka ndonjë rëndësi kushedi çfarë, prandaj është më mirë të bashkëjetosh (nënkupto çfarë të duash kur s’ka familje); se përgatitja e dikurshme ushtarake ishte një çmenduri dhe jetë e shkuar dëm, qejfet dhe shthurjet janë ato që duhet të synojmë; se atdheu, flamuri, himni kombëtar janë nocione pa ndonjë domethënie të madhe në kohën që jetojmë etj. Po t’iu thuash gjë, të përgjigjen: Oh, akoma me parime ti! Juve u verbon liria dhe kërkoni të ktheni komunizmin! etj.   

Këta janë farëhedhësit dhe kultivuesit e këtij morali dhe duke qenë derra të kënaqur, derra që vishen shik, udhëtojnë me makina të shtrenjta dhe jetojnë në vila luksoze, e gjejnë veten të realizuar në këtë kënetë morale. Në këtë moçal moral rriten krimba që zvarriten dhe mund të shtypen me lehtësi nga çizmja e kapitalit, ndërsa në një fushë ku lulëzojnë parimet morale do të kullosnin bletë e grerëza dhe pickimeve të tyre nuk do iu bënte derman kurrfarë ilaçi pseudodemokratik.

Sundimi politik, ekonomik dhe mediatik gati tridhjetëvjeçar i kultivuesve të këtij morali ka sjellë thuajse përgjysmimin e popullsisë së Shqipërisë, dëshirën e gjysmës së të mbeturve në vend për të ikur nga sytë-këmbët, 56 % e popullit analfabetë funksionalë, njëqind mijë të droguar, mbi 200 mijë të rinj që as punojnë dhe as shkojnë në shkollë, mbi dhjetë mijë prostituta brenda e jashtë vendit, mbi njëzet mijë të burgosur në Shqipëri dhe Evropë, me mijëra vila, restorante e hotele të ndërtuar me paratë e krimit etj. Goxha arritje, apo jo? Pasi na kanë sjellë në këtë gjendje, thërrasin: Rroftë liria! Ç’doni tjetër?!

Kjo është liria që iu ka mundësuar atyre sundimin tonë dhe shfrytëzimin tonë, arritjen dhe mbajtjen e pozitave të tyre, pandëshkueshmërinë për ato që bëjnë dhe pamundësinë tonë për t’iu treguar vendin që meritojnë. Këto janë të korrat e moralit të tyre sundues. Kur tashmë e dimë se të paktën 80% e pasurive janë vënë me vjedhje mund të arrijmë në përfundim se morali sundues është morali i klasës sunduese ose morali i vjedhësve. Gjurmët e këtij morali i gjejmë qysh në përmbajtjen e teksteve shkollore për fëmijët e fillores e deri tek sjelljet dhe deklamimet e politikanëve tanë në Parlament, rrugë dhe tribuna zhurmëmëdha. E ç’mund të presësh? A mund të presim gjykime dhe vlerësime të drejta historike? Kurrsesi. Vlerësimet për historinë shkojnë paralel me moralin e gjykimeve dhe shërbimeve në të gjitha fushat e tjera të jetës dhe janë po aq të drejta dhe të moralshme sa ç’janë gjykimet juridike në sistemin e korruptuar të drejtësisë, sa ç’janë humane shërbimet gjobëvënës në sistemin e mjekësisë dhe sa ç’janë të drejtë e të ligjshëm transferimet me tendera korruptivë të miliona eurove nga paratë e popullit në xhepat e gangsterëve të biznesit dhe politikës. Kjo kategori morale mund të përcaktojë “diagnozat” historike me aq vërtetësi sa mundet një mjek i droguar të përcaktojë diagnozat shëndetësore.

Kolaboracionizmi dhe tradhtia kanë nevojë për alibira, pretekste, keqinterpretime dhe justifikime, ndërsa atdhetarizmit i mjafton ndjenja e dashurisë për atdheun dhe njerëzit për të bërë për të, pa u druajtur nga sakrificat. Modernizimi i shoqërisë perëndimore dhe modernizmi kanë rrëzuar shumë tabu, mite dhe rregulla, por nuk i kanë prekur kriteret e dallimit midis luftëtarëve kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve me pushtuesin. Edhe sot, në kohë paqeje, SHBA iu jep dënime maksimale individëve që bashkëpunojnë me shtete të tjera (ndonëse në kohë paqeje) në dëm të vendit.

Gjykuesit dhe mësuesit tanë të sotëm të historisë hiqen si perëndimorë por, atje ku nuk iu intereson nuk pajtohen me kriteret dhe vlerësimet e perëndimorëve. Perëndimi i cilësoi kolaboracionistë formacionet balliste dhe disa të tjera, ndërsa “mësimdhënësit” tanë e mohojnë këtë; anglo-amerikanët e pranishëm në Shqipëri i quajtën miopë drejtuesit e atyre formacioneve kurse “gjyqtarët” tanë të historisë i kanë shpallur gjeni politikë; perëndimorët i cilësuan ata si konservatorë dhe reaksionarë, por “edukatorët” tanë i klasifikojnë si liberalë dhe progresistë; perëndimorët i dënuan pa mëshirë kolaboracionistët e tyre por, sipas “gjykatësve” tanë të historisë, shteti shqiptar gaboi që i dënoi ata. Sipas këtyre “gjykatësve” pa integritet moral, kolaboracionistët tanë ishin më të mirë se ata të huaj, kurse komunistët tanë ishin më të këqij se ata të vendeve të tjera.

Avokatët e sotëm të kolaboracionizmit i gjen që nga ata që përpiqen ta relativizojnë tradhtinë e deri tek ata që i miratojnë dhe brohorasin autorët e tij. Ajo që i bashkon shumicën e tyre është përdorimi i krimeve që kryen më vonë kundërshtarët e Ballit si mjet justifikimi dhe miratimi të bashkëpunimit me pushtuesin. I gënjen mendja të gjithë ata që besojnë se fajet apo krimet e dikujt mund të shfajësojnë të tjerët për krime të kryera në një kohë tjetër. Ndërgjegjja njerëzore duhet t’i njohë dhe dënojë të gjithë fajet dhe krimet, si ato të ballistëve ashtu edhe të komunistëve, por pohimi dhe ndëshkimi i krimeve të njërës palë nuk mund të legjitimojë krimet e palës tjetër. Është e ulët moralisht dhe e papranueshme intelektualisht që jo pak avokatë të kolaboracionizmit, megjithëse njerëz të ditur, përpiqen të njëjtësojnë bashkëpunimin me pushtuesit gjatë luftës me marrëdhëniet diplomatike, politike dhe ekonomike midis shteteve në kohë paqeje duke u rrekur kështu të trullosin kë munden, duke pohuar se ” edhe komunistët bashkëpunuan me jugosllavët, rusët, kinezët etj.”.

Publicisti i nderuar M. Nano, megjithëse e pranon kolaboracionizmin shqiptar dhe nuk i nxjerr të larë autorët e tij, pohon se ata u nisën nga motive patriotike, se nuk duhen konsideruar tradhtarë, se, madje, duhen mirëkuptuar dhe e quan atë “kolaboracionizëm në mirëbesim”. Nano pohon se komunistët dhe Fronti kanë më shumë merita, por edhe kolaboracionistët bënë “njërën nga zgjedhjet që mund të bëhej në atë kohë”. Nuk kisha lexuar dhe as dëgjuar ndonjëherë për kolaboracionizëm patriotik, por ne shqiptarët jemi të thekur për t’iu gjetur pretekste fajeve tona. Po të shkonim me këtë logjikë i bije që për hir të besnikërisë bashkëshortore të kemi edhe kurvërim në mirëbesim. Po të pranonim relativizimin e z. Nano i bije që ne të lavdërojmë rojën e bankës (normalisht, çdo shqiptar duhet të jetë rojtar i atdheut të vet) që jep jetën në përleshje me grabitësit, por ne duhet të mirëkuptojmë edhe rojet e tjera që bashkëpunojnë me grabitësit dhe vrasin kolegun e tyre me qëllim që të marrin pjesën nga akti i grabitjes.

Arsyeja e shëndosh më mëson të mos e mirëkuptoj kolaboracionizmin dhe as krimet e kryer prej tij gjatë luftës apo spiunimet dhe aktet terroriste të kryer prej tyre pas luftës. E njëjta arsye nuk më lejon të mirëkuptoj as internimet, burgosjet për shkak të pikëpamjeve politike, vrasjet pa gjyq dhe me gjyqe të parregullt gjatë regjimit monarkist. Po kjo arsye nuk lejon të pranojmë dënimet për agjitacion e propagandë, vrasjet pa gjyq apo me gjyqe anormalë (si ai i vitit 1951 për bombën në ambasadën sovjetike), internimet e familjeve të të dënuarve politikë apo ndalimin e riteve fetare dhe mbylljen e institucioneve fetare nga regjimi i pas 1945.

Blendi Fevziu, i ekzaltuar nga nderimet qeveritare për M. Frashërin, pasi thotë se Frashëri u njollos “sepse në më pak se dy vjet drejtoi një organizatë që kishte bindje të kundërta politike me komunizmin”, vazhdon: “E vërteta mbase vonon por nuk humbet kurrë”. Mit’hat Frashëri nuk është njollosur pse ai dhe organizata që drejtonte nuk mendonin si komunistët por sepse nën drejtimin e tij pjesa më e madhe e kësaj organizate u bë vegël e pushtuesve, me fjalë dhe me vepra, dhe kreu krime në shërbim të pushtuesve dhe u cilësua kolaboracioniste nga përfaqësuesit e të gjitha shteteve të pranishëm në teatrin shqiptar të luftës. Gazmendi i Fevziut të kujton besimin e të pandehurit se do të marrë pafajësinë vetëm pse në gjyq paraqitet një dëshmitar i rremë që flet në favor të tij. Gjyqi i historisë është shumë i gjatë dhe i pamëshirshëm për cilindo.

Një individ tjetër politik dhe publik, z. Visar Zhiti, jo vetëm pajtohet me kolaboracionizmin por e konsideron atë “përherë të pashmangshëm” dhe pohon se kolaboracionistët shqiptarë ishin të ndryshëm nga sivëllezërit e tyre në Evropë dhe ishin triumfatorë moralë dje dhe sot. Njeriu normal ndjen keqardhje kur lexon të pavërteta historike me ngarkesa amorale të kësaj shkalle të cilat e zbehin keqardhjen për vuajtjen e dikurshme politike të autorit.

Një trajtim interesant i bën kolaboracionizmit shqiptar studiuesi Ardian Ndreca. Ai jo vetëm është avokat i kolaboracionistëve, por shprehet se “Mit’hati me shokë vijojnë me qenë nderi ynë…”. Askush nuk ka të drejtë me ia cenua kujt nderin, por druaj se përqindja e shqiptarëve që besojnë dhe pranojnë të jenë pjesë e pronorit “ynë” është fare e vogël. Nga ana tjetër, z. Ndreca, në përpjekje për të shfajësuar bashkëpunëtorët e pushtuesve, pohon se “Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë kundër totalitarizmit…”. E vërteta historike është se ajo luftë, para së gjithash, ka qenë luftë për çlirim kombëtar, luftë midis ushtrive pushtuese (ato të Boshtit) dhe atyre mbrojtëse. Shpallja e luftës nga Aleanca Anglo-Sovjeto-Amerikane dhe pastaj vendet e tjera nuk u bë se nuk mund të pranonin që popujt gjerman, italian dhe japonez të vuanin nën shtypjen e diktaturave të vendeve të tyre, por sepse këto shtete diktatoriale synuan, vendosën dhe sulmuan shtetet e tjera për t’i pushtuar, sunduar dhe grabitur (“nevoja për hapësirë jetike”) dhe, rrjedhimisht, për të vendosur atje qeveri kukulla të pushtuesit. Në aleancën botërore antifashiste kishte gjithfarë lloj regjimesh duke përfshirë edhe ato totalitare. Me këtë pohim z. Ndreca i nxjerr zbuluar edhe idhujt e tij, sepse ata bashkëpunuan pikërisht me këto shtete totalitariste dhe si të tillë, përveç se nuk mund të trajtohen si çlirimtarë të vendit të vet nuk mund të klasifikohen as si demokratë “me bindje liberale”.

Studiuesi Afrim Krasniqi na ofron të dëgjojmë një fjalim të M.Frashërit në Radio Londra ku, sipas Krasniqit, ai i ka thënë të tëra. Mirëpo kur e dëgjon këtë fjalim nuk ka si të mos çuditesh nga fakti se “gjeniu” Mit’hat Frashëri e paraqit veten në një nivel që të kujton Flamur Nokën e sotëm. Pasi pohon se “Vija jonë do të jetë gjithmonë e drejtë” (ashtu si gjatë luftës), nis dhe flet për “pushtim komunist të Shqipërisë”. Ai që nuk kishte përmendur me emër fashistët italianë dhe nazistët gjermanë si pushtues, konsideron të tillë vëllezërit e tij shqiptarë të cilët, të mirë apo të këqij, erdhën në pushtet nëpërmjet luftës kundër pushtuesve, luftë që ua njohën edhe perëndimorët por edhe populli shqiptar që i konfirmoi në pushtet nëpërmjet votimeve të 2 dhjetorit 1945 të certifikuara edhe nga të huajt.

Më poshtë Frashëri pohon se në Shqipëri komunistët e morën pushtetin me ndihmën e Rusisë, një e pavërtetë e madhe historike të cilën e njohin edhe mendjet mesatare. Kontributi i rusëve në çlirimin e Shqipërisë dhe ardhjen në pushtet të komunistëve ka qenë thuajse zero. Më shumë i ka kontribuar ardhjes së tyre në pushtet BK dhe M. Frashëri me qasjen ndaj luftës dhe aleatëve sesa rusët. Ndërsa disa vite më parë kishte pohuar se nga lufta ishin vrarë rreth 30 mijë shqiptarë dhe djegur rreth 400 fshatra, tani vajton se “popullit po i priten ilaçet dhe buka e gojës, me mijëra kalamaj janë bërë tuberkulozë dhe vdekjet janë trefishuar”. Vështirë se do ta besonin sot edhe shumica e ballistëve një pohim të tillë. Më poshtë ai thotë se “Sundimtarëve të Tiranës po i pakësohet anëtarësia…”. Me sa duket ai pohonte çfarë dëshironte vetë dhe kërkonte të rriste besimin tek përkrahësit e tij me gënjeshtra qesharake. Frashëri thotë se “Programi ynë është të fitojë indipendencë…”, por nuk sqaron për pavarësinë e kujt e ka fjalën dhe nga kush do ta pavarësojë.

Pas incidentit në kanalin e Korfuzit, në vend që të protestonte për cenimin e integritetit territorial të Shqipërisë nga flota luftarake angleze, Frashëri vajton humbjet që pësuan anglezët mospërfillës dhe shkelës të së Drejtës Ndërkombëtare, një shtet që kishte kontribuar shumë në copëtimin e tokave shqiptare në të kaluarën dhe që në vitin 1942 shpallte se, menjëherë pas luftës, do të rishikonte kufijtë e Shqipërisë me Greqinë, sigurisht në favor të së dytës. Qenia pasardhës i një familjeje të pasur dhe të nderuar nuk mund të shërbejë as si vaksinë imuniteti për gabime e faje ndaj popullit e vendit dhe as mund t’i amnistojë ato pasi t’i kesh kryer.

Gatishmëria për të luftuar, gjatë L2B dhe pas saj, kundër vëllezërve të tu, vetëm për hir të pushtetit dhe ngurrimi për ta luftuar pushtuesin apo, akoma më keq, bashkimi me pushtuesin kundër bashkatdhetarëve që të rivalizojnë për pushtet, nuk flet për atdhetarizëm. Mbështetja (e pretenduar sepse deri tani nuk kemi parë ndonjë marrëveshje ku pushtuesi angazhohet me shkrim) tek diktaturat pushtuese të vendit tënd për të realizuar “Shqipërinë Etnike” dhe jo tek demokracitë perëndimore si dhe përpjekjet gjatë 1944-1946 për të bërë marrëveshje për shtet të përbashkët herë me ekstremistët e djathtë grekë dhe pastaj ata të majtë (komunistët) jugosllavë, sipas kushteve të djajve të huaj, nuk flasin as për “pikëpamje liberale e demokratike perëndimore” dhe as për atdhetarizëm të spikatur. Përkundrazi, flasin për gatishmëri bashkëpunimi edhe me djallin për hir të rikthimit në pushtet.

Më ka mahnitur gjithmonë guximi për të justifikuar dhe mbrojtur qëndrimet e nacionalistëve gjatë luftës, sidomos me pretekstin e qenies antikomunistë. Ata që bëhen aleatë, madje vegla të shtypësve të lirisë kombëtare e kanë humbur të drejtën morale dhe historike për t’u shitur si luftëtarë të lirive individuale dhe shoqërore. Nuk është mentaliteti komunist që nuk i pranon dhe i dënon këta bashkëpunëtorë të pushtuesve të vendit të tyre, por parimësia universale e vlerësimit të qëndrimeve patriotike apo tradhtare, vlerësimet e Evropës Perëndimore, morali dhe tradita shqiptare, gjaku dhe dhimbjet e mijëra shqiptarëve që dhanë jetën në luftë, morali dhe ardhmëria e kombit që nuk pajtohen me ta. Ose do të jemi një komb vital, i papërkulur e dinjitoz ose do të shndërrohemi në një tufë qeniesh pa identitet, që i nënshtrohet cilitdo kërcënuesi e sulmuesi, që i puth dorën dhe i lëpin çizmen cilitdo të forti të globit që dëshiron sundimin dhe shtypjen e të tjerëve. Mos duhet të besojmë predikimet që frymëzohen nga morali fatkeqësisht sundues se do të jenë të përjetshme këto raporte politike ndërkombëtare dhe do të na mbrojnë nëna Amerikë dhe halla NATO, ndërsa ne mund ta kalojmë jetën të qetë e të zdërhallur nëpër kafenetë e dembelizmit dhe kabaretë e shthurjes? Apo duhet të besojmë se kur legalizohen droga, bixhozi, korrupsioni, prostitucioni dhe martesat midis homoseksualëve përse të mos legalizojmë edhe kolaboracionizmin si martesë me pushtuesin e vendit?!

Nëse shumica e shqiptarëve do të bënin çfarë bënë e këshilluan BK dhe M.Frashëri do të ndodhte njëra nga të dyja: 1. Po të fitonin fuqitë e Boshtit mund të kishim (jo e sigurt) një “Shqipëri Etnike” dhe krejt kjo Shqipëri do të ishte një shtet i pushtuar nga diktatura e huaj dhe pa sovranitet kombëtar. 2. Nëse do të fitonte Blloku Antifashist, siç ndodhi, do të kishim një Shqipëri të padenjë midis kombeve dhe, rrjedhimisht, si pjesë e humbësve të luftës do t’i nënshtrohej orekseve shoviniste të fqinjëve që bënin pjesë në aleancën fituese dhe do të përfundonte, ndoshta në as gjysmën e sipërfaqes aktuale. Secili është i lirë të zgjedhë e të marrë nga kjo “meny nacionaliste” e kryekuzhinierit politik Mit’hat Frashëri. Por, shqiptarët e vërtetë e braktisin këtë lloj “restoranti politik”.

Me veprimet e tyre BK dhe M. Frashëri e humbën edhe të drejtën për të kërkuar pushtet pas luftës. Profetët e pretendimeve rreth ” mirësisë ” që do të kishte vendi po të vinin në pushtet kjo kategori politike e shoqërore duhet të dinë se sjellja e tyre gjatë luftës ishte parathënie e një sjelljeje në qeverisje, ndoshta më e vrazhdë se ajo e komunistëve, ashtu siç ndodhi me analogët e tyre në Greqi që nuk lanë krim dhe masakër pa kryer ndaj të majtëve.

Është mirë që antikomunistët e çartur të bëhen sadopak fisnikë, aq sa të mos i thonë të zezës e bardhë dhe anasjelltas. Komunistët radikalë i vlerësuan lart momentet kulmore historike të rezistencës së popullit shqiptar si: Kuvendin e Lezhës dhe Epopenë e Skënderbeut, Lidhjen e Prizrenit, luftërat e 1910-1912 në veri dhe shpalljen e Pavarësisë, Luftën e Vlorës të 1920, Kongresin e Lushnjës dhe Revolucionin e Qershorit të 1924 pavarësisht se Gjergj Kastrioti, Abdyl Frashëri, Isa Boletini, Dedë Gjo Luli, Sali Butka, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Bajo e Çerçiz Topulli, Themistokli Gërmenji etj. nuk ishin as komunistë dhe as të majtë. Madje, megjithëse komunistët sunduan gjatë, titullin “Hero i Popullit” nuk ua dhanë më së shumti anëtarëve të Partisë së tyre. 70 % e atyre që u vlerësuan me këtë titull të lartë nuk kishin qenë komunistë.

Në kuadrin e qëndrimit ndaj kolaboracionizmit Qeveria aktuale shqiptare është bërë pjesë e avokaturës së tij. Ajo do të kishte bërë një veprim të denjë deri në ndihmesën për sjelljen e eshtrave të tij në atdhe dhe në vlerësimin verbal të veprimtarisë së Frashërit deri në 1939, ndërsa ceremonitë përkatëse t’ua linte institucioneve të atyre fushave ku ai ka kontribuar përpara Luftës.

Fyerjet e Kryeministrit ndaj atyre që “pasi e kanë baltosur për shtatë dekada, sot mbajnë në injorancë buzët rrudhur… sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propagandë karikaturizuese për M. Frashërin…”, janë të papranueshme për një kryeqeveritar edhe sikur ashtu të kishte qenë e vërteta.

Por, e vërteta e madhe është se Mit’hat Frashëri vlerësohet kolaboraconist sipas të gjithë parametrave botërorë me Perëndimin në krye dhe është e sigurt se po të kishte qenë shtetas francez, anglez, norvegjez etj. pas luftës do të kishte pësuar fatin e Kuislingut. Për ata që thonë se po të ishte i tillë do ta dënonte Amerika duhet të pohoj se qindra dokumente të deklasifikuar të CIA-s si dhe dhjetëra libra të botuar në SHBA ( duke përfshirë edhe librin e ish – Presidentit Klinton ) provojnë se për interesat e saj Amerika ka pranuar dhe përdorur edhe nazistë gjermanë, kriminelë ordinerë dhe gjithfarë banditësh të tjerë.

Këtu nuk mund ta shpëtojë as pohimi i z. Rama se “M. Frashëri ishte mishërim i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij…”. Shërbimi ndaj atdheut nuk matet me kokën dhe kriteret e gjithsecilit, sepse kështu do të justifikohej çfarëdo akti, edhe kriminal ndaj vendit dhe popullit me argumentin se “kështu e mati koka ime”. Për matjen e së mirës dhe të keqes, atdhetares dhe antikombëtares ka kritere universale përndryshe këto nocione nuk do të kishin fare kuptim.

Kryeministri na thotë se z. Frashëri gaboi, pa përmendur ndonjë gabim të tijin. Kolaboracionizmi nuk është gabim por faj i kryer kundër vendit pavarësisht preteksteve. Propaganda 70 vjeçare nuk e ka shpallur injorant, as hajdut, por thjesht dhe vetëm kolaboracionist, çka edhe ishte me të vërtetë.

Kryeministri pohon se Frashëri nuk nxiti “me gojën apo me pendën e tij një krim”. Kjo nuk është fare e vërtetë. Mit’hat Frashëri ka pranuar që forcat e tij të bashkëpunojnë me pushtuesin, të bëhen pjesë e spiunimeve, arrestimeve, rreshtimeve ushtarake dhe vrasjeve të kryera kundër shqiptarëve që luftonin atë pushtues. Në kushtet që ai, siç kam cituar më sipër, urdhëroi një sulm kundër forcave partizane kjo do të thotë se urdhëroi përgjakjen e shqiptarëve, sepse sulmi nuk do të bëhej me bilbila por me armë zjarri.

Nëse ai u vu në krye të Komitetit Shqipëria e Lirë që synonte përmbysjen me dhunë të regjimit shqiptar të kohës, ai, sigurisht, që ka pranuar përgjakjen dhe krimet. Është e vërtetë që historinë pas luftës e shkruan fitimtarët, siç ndodh gjithkund e ngaherë, por asnjë fakt apo trajtim i bërë pas rënies së fitimtarëve nuk ka mundur të rrëzojë themelet e vlerësimeve të veprimtarisë së Frashërit dhe organizatës politike që ai drejtonte gjatë luftës. “Historia tjetër e Lumo Skëndos” e nderon figurën e tij por nuk e shfajëson atë për gjysmën tjetër.

Pohimi i Kryeministrit se “Mit’hat Frashëri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë shqiptare e ngritur sipas parimeve themelore të së drejtës…”, nuk e shpëton atë nga vlerësimi moral, politik dhe shoqëror për ato që ka bërë gjatë luftës. As Hitlerin nuk e pati dënuar ndonjë gjykatë, por është shpallur unanimisht nga bota e qytetëruar si krimineli më i madh i shekullit të 20-të. Më kot përpiqet Kryeministri të bëjë paralele midis fatit të Frashërit dhe atij të mareshalit Filip Pëten të Francës.

Me gjithë shërbimet shumë herë më të mëdhenj ndaj vendit të tij se sa Frashëri ndaj Shqipërisë, edhe pse nuk kishte formacione të vetat të rreshtuar me ushtrinë pushtuese gjermane, Franca e pas L2B e dënoi me vdekje Pëtenin. Fakti që më vonë, meqë ishte rreth 90 vjeç, ia shndërruan dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm nuk do të thotë se e reabilituan dhe as e shpallën të pafajshëm për shkak “të gjysmës tjetër të jetës së tij”. Franca as i ngriti përmendore, as e shpalli gjeni kombëtare dhe as e nderoi me ceremonira shtetërore. Për Francën ai mbeti kolaboracionist dhe shembull që nuk duhet ndjekur.

Citimi i M. Frashërit nga Kryeministri sikur ai paska thënë në ikje e sipër se “Ne humbëm luftën por jo shpresën” e rëndon akoma më tepër pozitën e tij sepse Shqipëria u radhit në anën e vendeve fituese dhe luftën e kishin humbur pushtuesit dhe ai e vendos kështu veten në radhën e tyre dhe, siç thoshte F. Noli “përfunduan në varrin e fashizmës”. Vetë fakti që ikën i akuzon pa mëdyshje për mëkate, jo pse ishin antikomunistë, por pse i shërbyen pushtuesit nazifashist. Gjyshi im nuk ka qenë as partizan, as komunist dhe madje as i majtë fare, por nuk iku gjëkundi dhe jetoi i qetë, ndonëse në varfëri, edhe dyzet vjet të tjera.

Gjithashtu, z. Rama citon Frashërin të ketë thënë se ” BK e kreu misionin e vet historik…”. A mund ta dimë ne dhe brezat e rinj se cili ishte misioni historik i Ballit që e paska kryer me “nder”?

Rama, si qytetar shqiptar mund edhe të ishte bërë anëtar i BK dhe nuk do të kishte vend për ta gjykuar pasi do të ishte zgjedhja e tij, por si Kryeministër i vendit dhe si kryetar i PS ai duhet t’i gjykojë ngjarjet dhe njerëzit me një peshore tjetër, me peshoren kombëtare. As kuti komunist dhe as ai antikomunist nuk janë njësia kryesore matëse e të drejtës dhe të padrejtës.

Për të gjithë ata që me mendjelehtësi besojnë dhe ata që me djallëzi propagandojnë vlerat superiore dhe “fatin e madh” që, në mënyrë hipotetike, do të kishim pasur po të vinin në pushtet nacionalistët në vitin 1944, po citoj këtu vlerësimet e Hari Fulcit, ish- kuadër i lartë i zbulimit amerikan i cili ka kaluar gati 15 vjet në Shqipëri. Në raportin që i dërgon Uashingtonit në shtator 1944 ai shkruan: “…duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e tyre i përziejnë ato me metodat fashiste dhe nazizmin gjerman… Këto gërshetohen mirë prandaj nuk është e rastit që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet fashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë, ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant dhe primitiv, ndërsa në të njëjtën kohë adaptojnë masa të cilat e mbajnë në kushte injorance, varfërie dhe primitiviteti… Ata preferojnë që njerëzit të jenë të nënshtruar… ata nuk kanë hezituar dhe nuk hezitojnë të përdorin mjetet më vicioze dhe më të ashpra për ta mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës. Anëtarët e këtij grupi me pozita shtetërore, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komuniste, çdo shfaqjeje të pakënaqësisë, apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira, elementë të këtij grupi janë:

a.Bejlerët, pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme dhe të jugut: Vërlacët, Vlorat, Libohovat, Vrionët etj.

b.Bajraktarët, dhe kapedanët mysliman të Matit, Dibrës, Lumës: Dinet, Elezët.

c.Katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës, Dukagjinit: Markagjonajt, Krujat, Bushatët, Çobat, Harapët.

d.Elementët ballistë, shumica e të cilëve, ka dalë nga grupet e mësipërme dhe shtresa e bejlerëve të mesëm e të vegjël, kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë dhe xhandarmërisë, zyrtarët profesionistë dhe tregtarët e pasur, doktorët dhe gjykatësit e privilegjuar, me ndonjë përjashtim të vogël shumica janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike të vendit”. (Dokumenti origjinal në arkivin e DASH: A. M 1211/16/875.01/9-2244).

Përtej diskutimeve si ky, e sotmja dhe e ardhmja e vendit ka nevojë për të shikuar përpara dhe do të ishte në favor të përparimit kombëtar pranimi i fajeve dhe ndjesa nga të gjitha palët, si “nacionalistët” ashtu edhe komunistët. Të gjithë jemi shqiptarë dhe askush nuk është i imunizuar nga gabimet dhe fajet. Por të këmbëngulësh në mbrojtjen e tyre nuk është në nderin as të sundimtarëve të 1944-1990 dhe as të kundërshtarëve të tyre politikë.

Sa i përket periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të gjithë ata që morën pjesë dhe ndihmuan në forma të ndryshme kundër pushtuesve, duke përfshirë këtu edhe elementë apo formacione të veçanta balliste, duhen nderuar dhe pasardhësit e tyre duhet ta mbajnë kokën lart sot e përherë. Kokën duhet ta ulin, dhe madje fort, të gjithë bashkëpunëtorët dhe ndihmësit e pushtuesve ashtu si edhe pasardhësit e tyre biologjikë, shpirtëror dhe ndihmësit e tyre koniunkturalë.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA