...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përse devijojnë marrëveshjet tona hidrokarbure prej thelbit të tyre?

Vlash Laçka* (Dita)

25/02/2017 - 16:05

Deri tani nga nëntoka e vendit tonë janë nxjerrë në total rreth 60 milion ton naftë, por gjatë 10 viteve të fundit, vetëm nga kompanitë që janë të licensuara (për 25 + 5 vjet) për të zhvilluar dhe prodhuar këto rezerva nga vendurimet ekzistuese, janë nxjerrë dhe tregtuar rreth 7.5 milion tonë naftë bruto, që kanë gjeneruar mbi 2.5 miliardë USD të ardhura. Por shteti ynë sa ka  gjeneruar prej tyre të ardhura të mjaftueshme që të kompensojnë vendin për vlerën e pasurisë së shteruar?!

Më datën 29 gusht, nga Calgary e Kanadasë, Bankers Petroleum anonçoi se raporti auditues i palës së tretë për detyrimet e vitit 2011, ka vendosur në favor të Bankers dhe tatimet duhet të kthejnë shumën prej 37 milionë USD që shteti ka marrë deri tani. Në raste të tilla (që me siguri do të përflitet edhe në këtë rast) ca që hiqen si të mençur do të thonë frazën: “E kemi thënë që kot hahemi me të huajt, sa për të paguar edhe paratë e gjyqit”.

Për ta kuptuar se pse po dështojmë, është mirë t’i referohemi Prof. Thomas W. Wälde (në vitin 1990 – Këshilltar ndër-rajonal për Legjislacionin e Zhvillimeve minerare, burimet natyrore dhe Energjinë në OKB) – i ardhur nëpërmjet Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë – i cili bëri përzgjedhjen dhe formulimin e marrëveshjeve hidrokarbure (MH) e të legjislacionit përkatës për vendin tonë. (Kam patur rastin ta njoh dhe të jem pjesë e procesit në atë kohë).

Ishte personaliteti më autoritar në botë në këtë fushë. Insistimi i tij i përsëritur vazhdimisht ishte krijimi i njësisë së varur drejpërdrejt nga ministri, shumë e kualifikuar për të mbuluar aspektet teknike (me specialistë të mirëfilltë gjeologë e sizmikë nafte dhe teknologë të zhvillimit të vendburimeve, ku ai vlerësonte aftësinë profesionale të specialistëve tanë) dhe ato financiare e juridike të specializuar për MH-të, që mungonin tek ne. Ndërsa ajo që të binte në sy ishte porosia që, jo vetëm të tërhiqeshin kompani nafte të mirëfillta me background në këtë fushë, por të ngulitej në kokat tona se nuk ka kompani “të ndershme”. Madje solli edhe shembuj nga vetja për auditimin që kish bërë në Argjentinë në atë kohë.

Shqetësimi për problemin në fjalë zë fill qysh në vitin 2006 me miratimin e Planit të Zhvillimit (PoD) të vb. të naftës Patos-Marinëz, mbi bazën e të cilit u licensua Bankers për zhvillimin dhe prodhimin e naftës për një periudhë 25+ 5 vjeçare dhe ku fillojnë problemet e efektivitetit dhe monitorimit të kësaj Marrëveshjeje, por edhe të marrëveshjeve të tjera që pasuan ato.

Deri tani nga nëntoka e vendit tonë janë nxjerrë në total rreth 60 milion ton naftë, por gjatë 10 viteve të fundit, vetëm nga kompanitë që janë të licensuara (për 25 + 5 vjet) për të zhvilluar dhe prodhuar këto rezerva nga vendurimet ekzistuese, janë nxjerrë dhe tregtuar rreth 7.5 milion tonë naftë bruto, që kanë gjeneruar mbi 2.5 miliardë USD të ardhura. Por shteti ynë sa ka  gjeneruar prej tyre të ardhura të mjaftueshme që të kompensojnë vendin për vlerën e pasurisë së shteruar?!

Po rendis ato aspekte thelbësore ku kompanitë e licensuara në PSA-të (ose PSC–të) për zhvillimin e vendburimeve tona ekzistuese kanë penalizuar shtetin tonë.

Së pari, asnjëherë tek ne njësia që menaxhon marrëveshjet hidrokarbure nuk arriti të kompletohet me ekspertizën e duhur, sidomos për aspektet fiskale e juridike specifikisht për MH-të, as pati ndonjë fuqizim (as edhe me specialistë të fushave teknike) këto 10 vitet e fundit për marrëveshjet e lidhura për ri-zhvillimin e vendburimeve ekzistuese. Për më tepër që edhe Komitetin Këshillimor që shqyrton e miraton Programet dhe Buxhetet vjetore sipas Planit të Zhvillimit (PoD) e kryeson kompania. Në PSA-të në botë, qeveria kontrollon aktivitetet e kompanisë, vendimmarrjet e saj dhe shtetet e tjerë kanë Komitet të Menaxhimit të tyre që kryesohet nga përfaqësuesi i qeverisë. Prandaj mënyra se si janë licensuar kompanitë në këto MH dhe si janë monitoruar ato, është në fakt një dështim i paralajmëruar. Pandaj ndodhi edhe kjo përmbysje e ankesës së qeverisë.

Efektiviteti i një PSA-je varet se sa qeveria i njeh kostot e kompanisë për nxjerrjen e naftës, pasi mekanizmi i mbulimit të kostos rrit stimulin e firmës për të mbiçmuar kostot e saj. Nga kjo gjë në praktikën e PSA-ve (që përbëjnë gjysmën e marrëveshjeve të naftës në botë) është vërtetuar se për një çmim dhe efektivitet të caktuar, në qoftë se qeveria nuk i di kostot e operacioneve hidrokarbure të firmës, ajo mund të kapë vetëm një të katërtën e naftës fitim që i takon. Kjo ndodh për shkak të asimetrisë së informacionit. Madje rekomandohet që, kur informacioni asimetrik është i lartë, qeveria duhet të përjashtojë firmat joefikase. Dhe kjo thuhet për vendet që kanë struktura miratimi, vlerësimi dhe monitorimi tepër të specializuara dhe me kompetencën e duhur të vendimmarrjes për marrëveshjet hidrokarbure, të tipit me ndarje prodhimi (PSA). Po tek ne që nuk i afrohemi nivelit të tyre, çfarë ndodh?! Për ne bëhet fjalë për qindra milion USD.

Një element i dyshimtë është fakti që ndryshe nga tipi i marrëveshjes PSA të miratuar, Bankers dhe kompanitë e tjera deklarojnë se kanë marrëveshje të tipit të konçesionit (“Bankers Petroleum renegotiated and signed a concession agreement” -Corporate Presentation April 2016). Thelbi i Marrëveshjes me Ndarje Prodhimi (PSA), është se pronësia dhe kontrolli i burimeve kombëtare janë të drejta të shtetit, në dallim thelbësor nga Konçesioni që i jep kompanisë të drejtën e pronësisë mbi burimet (rezervat). Prandaj rezervat e naftës si pronë e shtetit shqiptar nuk mund të kuotohen në Bursë nga kompanitë me marrëveshje të tipit PSA.

Mundet të ketë ndikuar edhe kjo që, këto kompani me bilanc asnjëherë pozitiv dalin me vlerë aksionesh të dyfishuar (sikurse i shiti Bankers tek kompania kineze apo edhe shitjet e kompanive të tjera). Si një subjekt për qëllime të veçanta, kompania e “Projektit” nuk ka asete të tjera përveç “Projektit” (d.m.th. Planit të Zhvillimit). Të lejosh kontraktorin të manipulojë me ABC-në e tipeve të marrëveshjeve hidrokarbure, të cilët diferencohen si sisteme fiskale më vete, është e palejueshme. Nga kjo del se qeveritë tona i kanë lënë kompanive hapësirë për t’iu shmangur regjimit fiskal që dallon PSA-në nga Koncesioni.

Në një farë mase, me mungesën e monitorimit të specializuar për auditimin e kompanive dhe me favorizimin e tyre nga Dekreti i Presidentit Nr.782, datë 22.2.1994 (dhe i ndryshuar), për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kontraktuesi dhe nënkontraktuesit e tyre përjashtohen nga detyrimet doganore për pajisjet, makineritë, materialet etj, përfshirë dhe karburantet), këto kompani kanë patur rrugën e hapur të lundrojnë në fitimet e tyre. Realisht  shteti thuajse nuk ka fituar gjë nga “vlera” e tregut e rezervave të naftës e gazit, që kanë shfrytëzuar e shitur kompanitë, përveç disa taksave të cunguara, sikurse nga kompanitë që prodhojnë me lëndën e parë të  tyre.

Problemi thelbësor në PSA-të janë rezervat që i jep kontraktorit (kompanisë) të përdorë (kompania ligjërisht vepron vetëm si kontraktor).

Tek ne ka një mish-mash në referimin e vlerave dhe sistemeve të klasifikimit të rezervave të naftës e gazit, ndërsa për resurset (rezervat perspektive) as që bëhet fjalë.

Përveç se vendi ka nevojë për një pamje të vërtetë të rezervave, edhe investitorët dhe bankierët globalë kërkojnë të përdorin të dhënat më të mira për të krahasuar mundësitë e investimeve dhe projekteve të financimit. Kjo kërkesë është themelore për një vend prodhues të naftës.

Nuk gjen një bilanc të saktë as edhe në Raportimet zyrtare të Extractive Industries Transparency Initiative in Albania (Iniciativa e Transparencës së Industrive Nxjerrëse në Shqipëri, Raporti 2013 dhe 2014 -December 2015”, etj.), pasi bilanci i dhënë aty është i deformuar në sensin e zvogëlimit të vlerave reale, sheh raportime krejt të ndryshme prej strukturave shtetërore e publike (përfshirë INSTAT) krahasuar me ato të kompanive (më saktë nga Bankers, se të tjerat nuk raportojnë!!!).

Çfarë kuptimi ka sanksionimi me ligj, përfshi dhe Ligjin Themelor, se rezervat e naftës dhe gazit janë pasuri kombëtare, ndërsa nga ana tjetër asnjë qeveri nuk ka marrë mundimin të saktësojë vlerën e vërtetë të këtyre rezervave të certifikuara nga ekspertë të kualifikuar sipas standarteve të mirëpranuara në botë? Për 10-11 vite qeveritë kanë bërë sehir për dinamikën e bilancit të rezervave të naftës e gazit. Kjo nuk është serioze për një shtet që ka afro 100 vjet që ka zbuluar dhe zhvillon industrinë e naftës dhe gazit

Rezerva nafte që mund të nxirren nga nëntoka e vendburimeve ekzistuese me teknologjinë e sotme dhe brenda leverdisë ekonomike, janë jo më shumë se dyfishi i sasisë së nxjerrë këto 10 vitet e fundit. Nuk dihet se kur do t’u vijë radha atyre burimeve që mbeten në nëntokë të fjetura, pasi duhet të zbulohet e zhvillohet një teknologji më e avancuar që mund t’i nxjerrë ato  ekonomikisht me leverdi, të cilën sot nuk e dimë.

******

*Kontribuues 42 vjet me studime në sektor, k/gjeolog në Dr. Përgj.N. Patos, në Komitetin e Shkencës dhe Teknologjisë, drejtues i sek. politikave të zhvillimit të hidrokarbureve në Ministrinë Energjetikës & Industrisë, etj. Sot në pension.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA