...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pasojat ekonomike nga lufta e Izraelit kundër Hamasit*

Pesëdhjetë vitet e fundit bota ka përjetuar pesë goditje të mëdha ekonomike të shkaktuara nga luftrat e Lindjes së Mesme dhe rritja e çmimit të naftës

Ylli Përmeti

05/11/2023 - 11:51

Për efektin e luftës në ekonominë botërore FMN-ja dhe Banka Botërore njoftoi parashikimin e saj në një mbledhje me disa ministra që u zhvillua në Marok gjatë javës së parë kur Izraeli bombardonte Gazën; sipas saj, “e ardhmja afatmesmë e ekonomisë botërore është e vakët”, me qeveritë të humbasin besueshmërinë e popujve ndërsa të tjerë e parashikojnë si “kohën më të rrezikshme që bota ka parë në dekada” në kohën kur “më shumë se 80 për qind e ekonomive botërore po përballen me të ardhme më të keqe se 15 vite më parë”. Shqetësimi tjetër lidhet me huatë e shteteve, sepse ato po arrijnë nivele rekord: sipas tyre “huaja publike botërore arrin 100 për qind të PPB-së deri në fund të kësaj dekade”!

Në një raport tjetër ―tre javë pas shpërthimit të konfliktit në Palestinë― mbi pasojat e mundshme të konfliktit në Lindjen e Mesme, Banka Botërore citon se “numëri i njerëzve që vuajti nga pasiguria ushqimore shkoi në 900 milionë në vitin 2022”, kryesisht për shkak të konflikteve. Pesëdhjetë vitet e fundit bota ka përjetuar pesë goditje të mëdha ekonomike të shkaktuara nga luftrat e Lindjes së Mesme dhe rritja e çmimit të naftës. Filloi me embargon pesë mujore të naftës arabe (1973-74); më pas me revolucionin iranian dhe luftën Iran-Irak (1980-1988); u përsërit një dekadë më pas me pushtimin e Kuvajtit (1990); dhe vazhdoi me luftën në Irak duke kulmuar në vitin 2008. Që nga lufta e fundit çmimi i naftës s`ka gjetur qetësi: 

Ngaqë dëmi që shkaktoi embargoja e naftës në vitin 1973 nuk ishte rezultat i drejtpërdrejtë i luftës por një përgjigje politike e prodhuesve arabë të naftës, perëndimorët i frikësohen të njëjtës përgjigje pavarësisht se rajoni përmban 48 për qind të rezervave të vërtetuara botërore dhe prodhoi 33 për qind të naftës botërore në vitin 2022 ndërsa një e pesta e naftës botërore kaloi përmes Ngushticës së Hormuzit në vitin 2018, të cilën e mbikëqyr Irani, dhe pavarësisht se vendet kanë larmuar burimet energjitike dhe kanë rritur rezervat strategjike, janë zhvilluar tregjet kontraktuese të naftës në SHBA dhe Kinë dhe krijimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ka përmirësuar bashkërendimin. Siç citon Martin Wolf, analisti ekonomik i Financial Times, skenarët e Bankës Botërore:

Nafta mbetet lëndë jetike. Gazi i lëngshëm natyral nga Golfi është një pjesë e rëndësishme e furnizimit botëror të gazit natyral. Prishje të mëdha të këtyre furnizimeve do të kenë një ndikim të fuqishëm mbi çmimet e energjisë, prodhimin botëror dhe nivelin e çmimit tërësor ndaj ushqimeve. Banka paraqet tre skenarë me prishje të vogël, të mesme dhe të madhe: skenari` parë, do të pakësojë furnizimin me 2 milionë fuçi në ditë (rreth 2 për qind të furnizimit botëror); i dyti 3.5 milionë fuçi në ditë (afërsisht 3-5 për qind të vitit 2023); dhe i treti 6-8 milionë fuçi në ditë (ose gati 7.5 për qind). Bazuar në këto ulje, çmimet e naftës parashikohen të shkojnë 93-102, 109-121, dhe 141-157 dollarë përkatësisht.     

Banka Botërore parashikon rritje të çmimit të naftës me 3-13 për qind për skenarin e parë; 21-35 për qind për skenarin e dytë; dhe 56-78 për qind për skenarin e tretë, ndërsa “çmimi` fundit”, citon më tej Uolfi, duke ndjekur përfundimet e BB, “do të kapte kulmin historik dhe nëse Ngushtica mbyllësh, shton ai, ndikimi do të ishte shumë më keq. Ne jetojmë ende në epokën e fosileve dhe një konflik në rajonin-furnitor më të madh të botës, do të ishte shumë i dëmshëm...Gjasa e madhe është se konflikti do të përmbahet. Nëse ndodh kështu, efektet ekonomike do të jenë parëndësi. Por është e mundur që ai të përhapet dhe të bëhet shumë më serioz”.

Ndërsa unë anoj nga e kundëta e ‘gjasës’ së tij, kryesisht sepse vendet arabe janë zhgënjyer me ndërhyrjet amerikane, prishja e tregjeve të naftës do të shkaktojë efekt domino duke rritur çmimet e plehrave kimike dhe rrjedhimisht koston e prodhimit në bujqësi dhe rritjen e çmimeve të ushqimit; dhe në industrinë e gjerë duke rritur çmimet e xeherorëve, kryesisht të hekurit dhe arit dhe kryesisht në Evropë, sepse kjo e fundit është importuese neto e energjisë së rajonit, ndryshe nga Kina, e cila importon nga Rusia dhe shijon çmime “konkurruese” në treg. Efektin e fundit nuk e përmend as BB në raportin e saj dhe as analisti i Financial Times!  

Por kriza ekonomike do të godasë më shumë Izraelin dhe vendet fqinje rreth tij. Kostot e huave për Jordaninë, Egjiptin, Izraelin dhe Bahreinin u rritën menjëherë pas sulmit të Hamasit. Bashkë me to, shtohen dhe kostot e luftës, si në armë dhe municione ashtu dhe në njerëz dhe kafshë. Për ekonominë izraelite parashikohet tkurrje e mprehtë ndërsa qeveria do të rrisë deficitin për të financuar luftën. Tregu atje ngriu menjëherë në javën e dytë të kundërsulmit. Ekonomia izraelite ishte e mbrothët pavarësisht konfliktit të gjatë me plestinezët ndërsa Bregu Perëndimor dhe Gaza janë zhytur në varfëri dhe papunësi.

Tregu u godit që me sulmin e Hamasit me mbylljen e bareve dhe restoranteve dhe anulimin e fluturimeve ndërsa u mobilizua një numër rekord rezervistësh: rreth 360,000. Bursa izraelite (TA-35) ra me 9 për qind ndërsa shekeli (kartëmonedha) ra poshtë 4 kundrejt dollarit, sepse investitorët bastuan për një konflikt të gjatë me kosto të mëdha ekonomike. Si pasojë, çmimi i huasë për qeverinë izraelite ―për të financuar luftën dhe ndihmuar bizneset― u rrit. Banka qendrore filloi të shiste rezervat e saj në dollarë për të mbështetur shekelin.

Huaja e Izraelit në prag të luftës ishte rreth 60 për qind ndërsa banka qendrore kishte rezerva në valutë rreth 200 miliradë dollarë. Krahasuar me luftrat e kaluara Izreali është në gjendje më të mirë ekonomike ndërsa shpenzimet ushtarake kanë rënë dekadat e fundit: ato janë përputhur me zhvillimet rajonale.

Por efekti kryesor, gjatë dhe pas luftës, do të jetë izolimi i Izraelit dhe SHBA-së. Madje shkeljen e të drejtës ndërkombëtare të luftës do ta shfrytëzojë më shumë se çdo shtet tjetër Rusia dhe Kina. Moska, në fakt, filloi menjëherë “sulmin” e saj ndaj SHBA-së: ajo thekson karakterin barbar të luftës së Izraelit dhe rolin e SHBA-së në të ndërsa tregon karakterin e ‘drejtë’ të luftës ruse në Ukrainë por pa mbuluar gabimet e ushtrisë ruse atje.

Nga lufta, Shqipëria dhe Kosova do të dëmtohen shumë si nga kriza e energjisë, sepse klasa jonë politike shkatërroi pavarësinë e sektorit energjitik që kishte krijuar Enver Hoxha shekullin e kaluar, ashtu dhe ―madje më shumë― nga izolimi i Izraelit dhe SHBA-së si në OKB ashtu dhe në tregun ndërkombëtar.     

*Shkëputur nga studimi vijues:

Pushtimi i Gazës nga Izraeli dhe pasojat gjëmëzeza për Lindjen e Mesme dhe botën

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA