Përçartjet e Konferencës së Beogradit dhe Mustafa Nanos për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve

Me inisiativën e agjensisë “Tanjug” dhe ATSH-së, më 10 korri 2018, u mbajt në Beograd Konferenca Ndërkombëtare “Serbët dhe Shqiptarët – në cilën rrugë do të ecim?”, në të cilën, folën për marrëdhëniet midis dy popujve, rrethanat historike, politike e ndërkombëtare që përcaktojnë tash këto marrëdhënie, dhe në ç’drejtim mund të zhvillohen ato në të ardhmën,- ku folën njohës të këtyre marrëdhënieve nga të dy palët.
Adil Fetahu
15/07/2018 - 21:05
Në Konferencë, përveç shqiptarëve e serbëve, morën pjesë edhe Eduard Kukan, deputet në Parlamentin e Europës, dhe Bodo Veber, nga Këshilli i Bërlinit për Politikë dhe Demokraci, ambasadori i Italisë në Beograd, Karlo Lo Kasho etj. Hapjen e Konferencës, me fjalët e tyre përshëndetëse e bënë drejtoresha e agjensisë “Tanjug”, Branka Gjokiç, dhe drejtoresha e ATSH-së, Armela Krasniqi, ndërsa fjalën e hyrjes e paraqiti ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç. Konferenca u zhvillua në dy panele, para dhe pasdreke, në të cilën folën shumë pjesëmarrës.
Qedrimi i Armela Krasniqit
Drejtoresha e Agjensisë së Lajmeve të Shqipërisë (ATSH), Armela Krasniqi, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi rolin e rëndësishëm të agjensive dhe mediave të të dy shteteve që kanë sot për përhapjen e të vërtetës në marredhëniet mes dy popujve dhe dy vendeve. Janë krijuar kushtet që Serbia dhe Shqipëria të bisedojnë për të gjitha çështjet që i ndajnë dhe ato që pritën nga procesi i Berlinit, tha zonja Krasniqi. Përkundër rritjes së këmbimit tregtar dhe turizmit, mes dy vendeve edhe më tutje ka shumë paragjykime e bariera në të dy anët. Roli i mediave është që barierat dhe paragjykimet t’i thyejmë një nga një, duke treguar të vërtetën e cila mund të verifikohet lehtë. Këta dy popuj kanë të ngjajshme shumë tradita dhe mikpritje të njëjtë.
Duke përgatitur fjalën time të përshëndetjes, kam hasur në një shkrim të gazetave shqiptare të vitit 2012, në të cilin ishte një vlerësim i gabuar, përse në Tiranë i është lejuar një serbi të shesë bërxolla dhe qebapë. Sot është një ndjenjë, sikur ka kaluar një shekull prej atij shkrimi, që tash është zëvendësuar me shkrimet për atraksionet turistike, artin, kulturën dhe investimet e shumta, të cilat kanë të ardhme në të dy vendet. Sot në Shqipëri veprojnë 100 afaristë serbë, ndërsa shumë afaristë shqiptarë vijnë në Serbi për të gjetur partnerë. Prandaj, të dy vendet nuk duhet t’i ndajnë problemet e ditës, por t’i bashkojë perspektiva evropiane. Të bëjmë që fëmijët tanë të mos i ndajnë kufijtë dhe kujtimet; nuk them ta harrojmë historinë, veçse ardhmëria është në paqe, në bashkëpunim dhe në gjeneratën e re, për të cilën kam besim se do të punojë më mirë. Gjithçka që bëjmë tash, duhet të shikojë drejt të ardhmes, e jo drejt së kaluarës, përfundoi fjalën e saj përshëndetëse, znj. Armela Krasniqi, të cilën e përshëndeti dhe Daçiçi dorëpërdore, me një përulje karakteristike të një lakeji, sa nuk ra në gjunjë para saj.
Qendrimi i Daçiçit
Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, pioneri i devotshëm i kryekriminelit S. Millosheviç, Ivica Daçiç, mbjati fjalën e hapjes së Konferencës. Në fjalën e tij, ai zbrazi gjithë arsenalin e miteve dhe gënjeshtrave e gjysëm të vërtetave të historisë dhe aktualitetit të politikës dhe diplomacisë serbe për Kosovën. Ai tha se marrëdhëniet ndërkombëtare sot janë të ngarkuara me temën e Kosovës. Secili prej nesh [serbëve] në një mënyrë është i lidhur me Kosovën; unë jam lindur në Prizren, ku dikur ka qenë selia e shtetit serb, ndërsa tash atje jetojnë vetëm disa dhjetra serbë. Për të eliminuar shkaqet e problemeve në marrëdhëniet mes Serbëve e Shqiptarëve, Serbia konsideron se dialogu është imperativi i zgjidhjes së problemeve. Daçiçi foli gjerë e gjatë për dialogun e brendshëm në Serbi, për bisedimet në Bruksel, për kompromiset që duhet të arrihen, për rrugën e integrimit në BE, për nevojën e marrëveshjes me “Bashkësinë e Shqiptarëve” (me këtë terminologji Daçiçi mohon shtetin e Kosovës kur Kosovën e sheh si një “bashkësi e vogël” e shqiptarëve, me të cilët duhet të arrijë një farë marrëveshje, siç i përshtatet Serbisë!). Për dallim prej disa partnerëve tanë në Perëndim, ne nuk nuk e kosniderojmë Kosovën e Metohinë si çështje të përfunduar, por se vetëm përmes dialogut mund të arrihet zgjidhja, prandaj procesi i bisedimeve nuk ka alternativë. Prishtina po mendon se gjithçka është zgjidhur dhe nuk po tregon impulse për kompromis, theksoi Daçiçi. Por ne besojmë se mund të arrijmë kompromis, pa akte të njëanshme. Rreth Kosovës janë dy qëndrime: njëri, se Kosova është e pavarur, dhe tjetri, se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa jeta është diku në mes. Çështja e Kosovës është çështje territori, e jo çështje e të drejtave demokratike, tha Daçiçi, duke vlerësuar se Kosovën e karakterizon jostabiliteti politik.
Qendrimet e të tjerëve dhe Nanos
Deputeti i Parlamentit Europian, Eduard Kukan, në fjalën e tij theksoi se marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë e Serbisë, ndikojnë pozitivisht në tërë Ballkanin, kurse problemet midis këtyre dy vendeve shkaktojnë probleme në tërë rajonin. Prandaj ne në Bruksel marrëdhëniet midis Serbisë e Shqipërisë i përceptojmë në kontekst rajonal.
Më i drejtëpërdrejtë për sa i përket çështjes së Kosovës ishte Bodo Veber, nga Këshilli i Bërlinit për Politikën e Demokratizimit. Ai tha, mjerisht, ka kaluar koha për zgjidhjen e normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës përmes kompromisit. Theksoi se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës, midis Shqiptarëve dhe Serbëve, nuk do të shkojë përmes përballimit të shoqërisë serbe me të kaluarën, por me realitetin. Kosova ka ikur nga Serbia dhe në dialog nuk do të zgjidhet me kompromis, duke shtuar se në bisedimet e mëhershme Serbia e ka lëshuar mundësinë për të arritur zgjidhje me kompromis, që ishte e mundur në vitin 2011 apo 2013. Ai kritikoi politikën serbe që tre dekada e ka instrumentalizuar çështjen e Kosovës dhe tash po e mashtron opinionin se mund ta kthejë procesin në rrugën e kompromisit. Duke pranuar realitetin, Serbia nuk mund ta fitojë Kosovën, por mund të fitojë që të mos mbetet edhe më tutje shtet i papërfunduar, konsideron Veber. Tregimi për pajtimin historik midis (këtyre) dy popujve, paraqet (vetëm) keqpërdorim, me qëllim të ndarjes së Kosovës. Sipas Veberit, zgjidhja e marrëdhënieve serbo-shqiptare nuk bëhet përmes rrugës Tiranë – Beograd, por në pjesën më të madhe përmes zgjidhjes së marrëdhënieve Beograd - Prishtinë. Veber vlerësoi se duhet të bëhet një kthesë lidhur me Bashkësinë e Komunave Serbe, jo për atë se kush do ta qeverisë territorin, por si do ta qeverisë. Pa një kthesë në të menduar, duhet thënë se me dialogun e derikëtushëm Shqiptarët e Kosovës kanë fituar më pak ndërsa Serbia më shumë dhe Serbët e Kosovës thuajse asgjë, konsideron Bodo Veber. Çështja e autonomisë po shtrohet gabimisht dhe autonomia e Republika Sërpska ka treguar se nuk u ka sjellë asgjë Serbëve në Bosnje-Hercegovinë, pasi atje kemi një gjendje kur të rinjtë e Foçës nuk mund ta kalojnë kufirin me Serbinë, jo se e kanë të ndaluar por për shkaqe ekonomike dhe sociale. Veber kritikoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, që po aktron babain e kombit shqiptar. Rama duhet të ketë nxjerrë mësim nga historia e afërme e Serbisë, se të aktrosh rolin e babait të kombit është një koncept i keq, kur në fund-fundit, babai nuk do ta pësojë por fëmijët. Duhet të respektohen kufijtë dhe brënda atyre kufijve duhet të ndihmohen njerëzit. Heqja si babai i të gjithë Shqiptarëve është e dëmshme për vet popullin Shqiptar. Veber, gjithashtu, e vlerësoi të dhimbshëm vendimin e BE-së për shtyrjen e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë, dhe tha se BE-ja nuk do të zhbëhet, veç se do të ndryshhojë, ndërsa procesi i zgjërimit është i pandalshëm.
Ambasadori i Italisë në Beograd, Karlo Lo Kasho, theksoi rolin vendimtar që kanë Shqipëria dhe Serbia për stabilitetin e rajonit.
Në panelin e pasdrekës folën edhe shumë pjesëmarrës të Konferencës: Ardian Haçkaj nga Instituti i Tiranës për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Stefan Surliç nga Fakulteti i Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit, Momçillo Pavlloviç, nga Instituti i Beogradit për Historinë Bashkëkohore, Komisarja e Serbisë për Barazi, Brankica Jankoviç, Rigels Halili, nga Instituti i Historisë, në Universitetin e Varshavës; Dushan Janjiç, kryetar i Fondit për Marrëdhënie Etnike, Beograd, Piro Misha, nga Instituti për Dialog dhe Komunikim, nga Tirana, Sonja Liht, nga Fondi i Beogradit për Ekskluzivitet Politik; Mustafa Nano, gazetar nga Shqipëria etj.
Nga të gjitha fjalimet, fjala e Mustafa Nanos ishte më e paskrupullt dhe më komprometuese për Kosovën dhe Shqiptarët këndej kufirit të shtetit shqiptar. Madje ishte më e paskrupullt edhe se fjala e Daçiqit. Për t’u bindur lexues të nderuar, këtu po e reprodhojmë në tërësi fjalën e tij, siç e ka paraqitur Tanjugu në komunikatën e gjërë nga puna e Konferencës.
Mustafa Nano: Serbët dhe Shqiptarët të mos flasin vetëm për Kosovën
Mustafa Nano, i njohur për diskutimet e tij destruktive, si një mondialist e internacionalist planetar, ishte shtrirë në një kolltuk dhe bënte me duar sikur po i jepte tonin Konferencës dhe zgjidhjen çështjes së Kosovës, apo të marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe, në dobi të palës serbe. Ai që në fillim të fjalës së tij kishte një porosi dhe u shpreh se biseda mes Serbëve e Shqiptarëve (ai Serbët i përmendë para Shqiptarëve!), duhet të kthehet e riorientohet nga Kosova, në tema tjera, sepse ky është çelësi i bashkëpunimit të dy popujve shumë të ngjajshëm (!), për të ardhmën e tyre. Duke u përqendruar vetëm te Kosova do të mbetemi të lidhur me zinxhir e sferë që na mbanë në vend. Ajo që më bënë optimist është që ta kthejmë diskutimin në drejtim tjetër. E dimë se ekziston problemi lidhur me Kosovën dhe se ai duhet të zgjidhet, por nëse përqendrohemi së tepërmi në te, do të mbetemi peng i diskutimit dhe asgjë nuk do të arrijmë. Nano tha se nuk pajtohet me mendimin e disa panelistëve, të cilët theksuan se ekzistojnë mjaft dallime midis dy popujve, duke shtuar se ai në Beograd ndihet si në shtëpi të vet. Mirë ndihem, nëse e harrojmë çështjen e Kosovës. Zoti Bodo Veber dhe unë kemi diçka të përbashkët: të dy e duam Serbinë, dhe kjo nuk është shaka. Konsideroj se mënyra si i mendon Serbia është shumë e afërt me mua dhe asgjë nuk është aq e ndryshme në pikëpamjen e shikimit serb dhe shqiptar ndaj botës. Në këtë do duhej të përqendrohemi, theksoi Nano. Ai shtoi se një emision që drejton e ka emërtuar ”Provokacija”, që është fjalë serbe, dhe me këtë kërkon të përcjellë porosinë, se asnjë serb nuk është i huaj në Shqipëri por se ekzistojnë marrëdhënie miqësore. Shumëkush ka bërë pyetje se si kam mundur ta zgjedh atë fjalë. Por aprë në përgjithësi ajo është pranuar dhe nuk ka shkaktuar ndonjë gjë të madhe. Nano tha se ka përvoja të mira edhe me gazetarët serbë, siç është Zoran Panoviç nga gazeta “Danas”, me të cilin ka disa muaj që po këmben shkrime, qëndrime të popullit Shqiptar dhe atij Serbë, ndonëse disa prej kolegëve i kanë thënë se kjo është e pamundur. Ajo që na ndanë është çështja e Kosovës dhe asgjë tjetër, komunikimet tona po zhvillohen shkëlqyeshëm dhe jemi të vendosur të përqendrohemi jo vetëm në çështjen e Kosovës por dhe të kritikojmë gjërat e këqija në të dy shtetet. Nano kritikoi qëndrimet e njerëzve të cilët konsiderojnë se bashkëpunimi mes gazetarëve të të dy vendeve nuk është i mirë dhe argumentoi t’i hapim mendjet tona dhe të jemi shpirtëgjërë ndërsa kryetari i Serbisë, Vuçiçi, dhe kryeministri shqiptar, Rama, duhet t’i përkrahin pakicat kombëtare në Serbi e në Shqipëri, që ato të ndjehen si pjesë e shtetit në të cilin jetojnë, edhe duke ruajtur identitetin e vet. Rama duhet t’iu thotë: Ju jeni pjesë e Serbisë, integrohuni sepse jeni pjesë e botës serbe,- argumentoi dhe u tregoi shqiptarëve Nano, me gjithë zërin e tij, në Konferencën Ndërkombëtare “Serbët dhe Shqiptarët – në cilën rrugë më tutje”.
Se si mund të dialogohet kur një popull i tërë nuk reflekton për krimet që ka kryer kundër një populli tjetër dhe nuk bën “mea culpa”, vetëm serbët dhe Mustafa Nano e dinë: sepse ky duhet të ishte orientimi i konferencës: sepse dhimbjet e popullit shqiptar janë të mëdha dhe zbutja e tyre kalon nga drejtësia dhe drejtësia fillon me reflektimin (se çfarë shkaktoi shteti serb dhe pse), pranimin e krimit shtetëror dhe ndjesës...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 65 reads



