...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përçudnime partiake, lëvizjesh politike dhe gazetash: pse Shqipëria është në kaos?

Fjala ‘drejtim’ është dhe duhet të jetë e shenjtë: sepse lidhet kryekëput me drejtësinë ose virtytin e drejtësisë. Pa të, nuk mund të ‘drejtohet’ (drejtë) asnjë parti, institucion publik dhe ndërmarrje private apo publike.

Ylli Përmeti

01/09/2019 - 11:07

Kaq vjet mashtrim, demagogët e klasës politike janë bërë mjeshtra të mashtrimit dhe shtrembërimit të ligjeve dhe fakteve. Djegia e materialeve zgjedhore në Shkodër, për shembull, është padyshim krim: sepse jo vetëm që është shkelur ligji por janë paguar shtrenjtë dhe janë kosto për të gjithë ne. Krimi i parë —në këtë rast— fillon me kryebashkiaken e cila qëllimshëm (megjithëse mund të jetë dhe padije meqënse çyrykë të partive kriminale janë) ngatërron ligjet dhe institucionet me karakter kombëtar (që drejtohen nga qeveria) dhe ata me karakter bashkiak (që drejtohen nga bashkia). Krimi i dytë, është propaganda e PD-së, e cila po na tregon shit-blerjen e votës nga qeveria kur është ajo që e ka institucionalizuar si praktikë që kur u shfaq në `92! Pas këtij krimi rendin dhe demagogët e PS-së. Kështu në vend të kërkojnë ndjesë dhe të presin të gjykohen dhe dënohen përpiqen të mbivendosin krimet: PD-ja thotë se ‘përgjimet’ janë të parët ndërsa PS-ja thotë se ‘hetimi’ i Bashës është i pari. Por PD-ja sërish do të përdorë kundër-sulmin: nuk do ta lërë ‘opinionin’ e përgjithshëm të gjykojë krimin e saj por do të përdorë krimin e qeverisë. Kjo e fundit, nuk ndalon me krimet politike: sa shkakton njërin – përgatit tjetrin. Kështu prokuroria dhe populli pështjellohet.

Lidhur me përgjimet e publikuara nga “Bild-i” krye... paditi ­gazetarët që vërtet paguhen nga partitë dhe publikojnë krime të qeverive—por nuk shkelin asnjë ligj përveç deontologjisë gazetareske: në kuptimin që gazetari nuk pranon të bëhet palë me një apo një tjetër parti por heton. Për padinë përkatëse angazhoi një avokat gjerman që me siguri të “këput në mes” me pagën e tij për çdo orë. Shpresoj që të paguhet nga kasaforta e PS-së se sa nga kursimet e popullit në të cilat bëj pjesë dhe unë megjithëse edhe kasaforta e PS-së mbushet nga kursimet e popullit. Kështu në vend të dënojë prokurorët që i dhanë Bashës ose Bild-it përgjimet, meqënse kanë shkelur ligjin, merret me shtypin! Dhe në vend të gjykojë drejtë rastet përkatëse dhe t`i kritikojë, merret me gazetarët! Krye-idioti në veprim!

Paralelisht me këto përçudnime qarkullojnë lëvizje politike më të “përparuara” se partitë e establishmentit, që na thonë se kur të vijnë në pushtet do të përdorin edhe “demokracinë” përfaqësuse dhe demokracinë e drejtëpërdrejtë. Mirëpo, këtë fundit e kuptojnë të lidhur vetëm me referendumet! Ndryshimi mes referendumeve dhe zgjedhjeve është se në të parët votohet për një ‘çështje’ të paracaktuar ndërsa në të dytat për një ‘njeri’ mes shumë të tjerëve. Por ‘çështjen’ përkatëse e administron njeriu që zgjidhet dhe jo populli. Kështuqë, teza që përdorin disa të “majtë” se referendumet janë “demokraci e drejtëpërdrejtë” krahas “demokracisë” përfaqësuese, me qëllim që të na bindin se një lloj ‘demokracie’ e drejtëpërdrejtë do të ushtrohet me ta, është mashtrim: sepse një arsye sapo u përmend—‘çështja’ administrohet nga përfaqësuesit dhe nuk mund të kontrollohet nga populli; dhe një arsye tjetër është se në referendume popujt nuk i shqyrtojnë çështjet vetë në kuvende popullore por ftohen për të votuar nga elitat. Si të tillë, ata mashtrohen gjatë procesit të shqyrtimit në nivel elitar (nga “ekspertët” etj.). Procesit të krijimit të konsesusit nga elitat, në fjalë të tjera, nuk i shmangen dot as të ashtuquajturit të “majtë”. Ja pse sinteza “demokraci” përfaqësuese dhe referendumet, të cilët konsiderohen “demokraci e drejtëpërdrejtë” që përdoret nga të “majtët” e kohëve tona (në anët tona është “Vetëvendosja dhe OP-ja), është një tjetër mashtrim—përjashto mundësinë që nuk e kanë kuptuar dallimin mes demokracisë së drejtëpërdrejtë dhe përfaqësueses…domethënë, se çfarë nënkuptojnë ato.

Zgjedhjet vendore të vitit 2019 ishin një shuplakë e kaluar shuplakës për establishmentin politik: sepse morën pjesë 771. 863 votues ose 21.6% nga 46, 77% ose 1.613.960 votues! Por cila palë hëngri shuplakë më të madhe? Nëse e marrin si të vërtetë faktin që pohoi Rama se Basha i kërkoi pushtet në tavolinë, është pikërisht Basha që e dorëzoi pushtetin në tavolinë pavarësisht se bëhet fjalë për pushtet periferik. Shuplakën më të madhe, rrjedhimisht, e hëngri PD-ja dhe LSI-ja. Por shuplakë hëngri dhe PS-ja, sepse është e qartë se e kanë bojkotuar. Gjykuar nga ky fakt, kanë të drejtë palët të shpallin fitore të cilitdo kuptimi? PD-ja absolutisht jo! Ndërsa PS-ja deri diku, meqënse iu përmbajtë ligjit dhe zhvilloi zgjedhje në kushte kur “kërcënohësh” “rendi” me kaos dhe dhunë!

Debatet televizive janë një tjetër maskaradë e kohëve tona: sepse drejtuesit nuk synojnë dëftimin e shkaqeve të dukurive por “debatin” (zhurmën). Nga një “debat” i opinionistëve në “Opinion”, për shembull, më mbetën në mendje disa marrëzi që përsëriten nga çaprazët e opozitës së dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Kështu njëri nga opinionistët tha…se “është racionale të gjejmë një rrugë që opozita [e tij’] të hyjë në ‘zgjedhje’ që t`i quajmë ‘zgjedhje’ dhe jo ‘votime’! Por dimë se opozita nuk mori pjesë në zgjedhje sepse kërkonte qiqra në hell. Dimë, gjithashtu, se në `zgjedhjet` bashkiake të cilat ata i quajnë `votime`, shumica e bashkive kishte më shumë se një kandidat—fakt që tregon karakterin e tyre: 34 bashki kishin më shumë se një kandidat ndërsa 27 kishin vetëm një kandidat. Mirëpo, ata s`e shohin këtë fakt! As bëjnë lidhjen me veprimet e tyre! Por edhe sikur mos të ishte kështu karakteri i zgjedhjeve dhe të kishte në të gjitha bashkitë vetëm një kandidat, sërish, fakti që opozita në fjalë veproi ashtu siç veproi, për synimet e saja, nuk është aspak e drejtë ta përdorësh karakterin në fjalë kur dihet se ti vetë hoqe dorë nga zgjedhjet. Kështu ajo bëhet edhe një herë e padrejtë dhe pastaj kërkon respekt dhe të drejtojë vendin!  

Nuk do të ndaloj së përsërituri faktin se qeveritë e përbëra nga njerëz të padrejtë shkaktojnë aq shumë padrejtësi politike saqë mjafton gjykimi i drejtë dhe ke fituar pushtetin e të vërtetës. ‘Padrejtësitë politike’ nuk ndryshojnë shumë nga ‘padrejtësitë juridike’ për sa kohë që bëhet fjalë për padrejtësi: i vetmi ndryshim është se ato burojnë nga pushtete të ndryshme por të ndërvarur nga njëri-tjetri. Për shembull, kur shkakton Rama një padrejtësi politike —meqë administron pushtetin politik— përmes vendimeve të qeverisë së tij, me të vërtetë ai e shkakton atë nga pozicioni i pushteti politik por vendimet lidhen me ligjet dhe ligjet me drejtësinë: nëse vendimet janë të padrejtë ashtu është dhe pushteti politik. Thuajse të gjithë e pranojnë faktin se Shqipëria vuan jo për shkak të mungesës së ligjeve por për shkak të mungesës së zbatimit të tyre. Por se çfarë “fsheh” ky argument që përdoret nga të gjithë (Berisha, Rama etj.) është fakti tjetër, se qeveritë nuk dinë t`i shkruajnë ligjet as në mendjen e popullit dhe as në mendjen e ekzekutorëve të ligjeve: administrata publike që të zbatohen. Si mund të dijnë të ‘shkruajnë’ ligje në mendje (pa përmendur shkrimin e tyre në shpirtin dhe zemrën e popullit) kur dihet se kryetarët e partive (Berisha, Rama etj.) nuk kanë treguar në teori (parakusht juridik dhe pedagogjik) se si ‘shkruhen’ ligjet në mendjen e administratës dhe popullit dhe kur vetë ata janë të parët që shkelin ligjet që ‘hartojnë’ dhe votojnë në kuvend! Në fakt, Shqipëria vuan edhe për shkak të mungesës të ligjeve: por të mungesës së ligjeve të drejtë. Domethënë, shumë ligje shkaktojnë probleme në vend të zgjidhin probleme. Por këtu nuk do të zgjatem se cilët ligje shkaktojnë probleme dhe pse por do të përqendrohem në karakterin e padrejtë të partive dhe qeverive që ‘drejtojnë’ vendin.

Fjala ‘drejtim’ është dhe duhet të jetë e shenjtë: sepse lidhet kryekëput me drejtësinë ose virtytin e drejtësisë. Pa të, nuk mund të ‘drejtohet’ (drejtë) asnjë parti, institucion publik dhe ndërmarrje private apo publike. Partitë dihet se krijohen nga njerëz dhe dihet se nga cilët janë krijuar partitë e anëve tona: nga njerëz që vetëm në virtytin e drejtesisë nuk shquhen. Kështu ato themelohen në padrejtësi dhe drejtohen nga njerëz të padrejtë dhe nga këta lloj njerëzish kërkohet drejtësi! Për shembull, kur pranojnë faktin se është kryetari i partisë që miraton kandidatët për zgjedhje dhe nuk pranojnë faktin tjetër, se kandidatët duhet të miratohen nga tërësia e partisë pasi të shqyrtohen kontributet dhe virtytet e tyre në shoqëri dhe parti. Fakti që si kryetarët ashtu dhe militantët e partive pranojnë këtë lloj “zgjedhjeje” tregon pikërisht karakterin e tyre: në këtë rast karakteri i tyre është jodemokratik dhe jovirtuoz kryesisht sepse kështu kanë mësuar nga pararendësit. Nuk është zhvilluar, në fjalë të tjera, kuptimi i drejtë i demokracisë dhe kuptimi i drejtësisë.    

Një tjetër hipokrizi përsëritet nga shtypi i përditshëm dhe idiotët që atashojnë në të, lidhur me ikjen e shqiptarëve, duke paraqitur të huajt dhe shqiptarët që dëshirojnë të jetojnë në vendin tonë, si shembuj: sepse ‘shembulli’ nuk mund ta luftojë shkakun kryesor të ikjes së shqiptarëve—në njërën anë iluzionin që krijohet në mendjet e tyre nga ata që kanë ikur dhe të tjerë që i rrethojnë dhe në anën tjetër mungesa e shpresës në vendin e lindjes—një mungesë që krijohet nga qeveritë kriminale por dhe vetë njerëzit të cilët nuk përpiqen të vetë-organizohen dhe të bashkë-edukohen për shkaqet e mungesës së shpresës dhe dashurisë mes njerëzish: sepse është më e dëshirueshme ta krijosh vetë shpresën sesa ta presësh nga të tjerët! Përdorimi i ‘shembullit’ është përdorur dhe nga elitat komuniste shekullin e kaluar. Por ‘shembulli’ nuk është dije. Për problemin e ikjes së shqiptarëve, rrjedhimisht, duhet të lufton shkaqet që sapo përmenda.

Si mund të luftohet iluzioni, për shembull? Së pari, ai luftohet nga sistemi arsimor! Por që ta luftojë sistemi arsimor iluzionin përkatës do të duhet të ketë studime që të tregojnë realitetin e plotë jashtë vendit. Nëse gjykojmë nga shtypi dhe pedagogët anjëri nuk përpiqet ta tregojë atë: sepse së pari nevojitet shumë punë dhe së dyti të huajt janë sponsorët e tyre dhe kanë frikë se mos i lëndojnë! Edhe nëse ka ndonjë autor apo qendër mediatike si “shqipëriajonë.org” që e synon objektivin e tregimit të realitetit të plotë jashtë vendit dhe jo vetëm, shtypi dhe universitetet i çensurojnë! Pse? Sepse janë gjysmakë! Së dyti, iluzioni luftohet përmes masmedias. Dhe së treti, përmes qeverisë…sepse kur luftohet iluzioni përkatës krijohet dhe shpresa: sepse njeriu që lufton iluzionet me të vërteta tregon se është punëtor dhe kërkon vërtet të kontribuojë në shoqërinë e tij.

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA