...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përfshirja e gjeneralëve në luftën gjeopolitike mes Amerikës dhe Rusisë dhe ‘ndërhyrja’ ruse në Shqipëri

Opozita shqiptare (PD+LSI), në fakt, mund të ketë kërkuar ndihmë nga elita ruse meqënse kërcënohet nga elitat perëndimore dhe mund të ketë siguruar ndonjë mbështetje financiare meqënse Moska mund të ketë adoptuar qasjen e bashkëpunimit me armiqt e armiqëve të saj. Por këto janë hamendësime që mund të vërtetohen ose nga shërbimet tona ose nga koha...

Ylli Përmeti

12/03/2019 - 13:48

Në kulmin e “luftës” ekonomike që intesifikoi Trampi­—kryesisht me sanksione— dhe përshkallëzimit të tensioneve mes Rusisë dhe Amerikës, rol ‘politik’ morën gjeneralët ushtarakë të superfuqive përkatëse: rol ‘politik’ sepse përdorin argumente me karakter kryesisht ‘politik’ se sa ‘juridik’. Kështu ata përputhen me ‘propagandën’ gri të elitave politike. Pushteti ushtarak, fundja, është pjesë e pushtetit politik dhe jo anasjelltas dhe s`ka se si të mos përputhet me të. Si i tillë, ai luan rol vendimtar në vendimet (gjeo)politike: sepse njerëzit që administrojnë pushtetin politik ndikohen nga njerëzit që administrojnë pushtetin ushtarak dhe anasjelltas. Pushteti ushtarak, sidoqoftë, është gjithnjë “vegël” e pushtetit politik — në kuptimin që përdoret nga pushteti politik për realizimin e synimeve (gjeo)politike. Si pushteti politik ashtu dhe pushteti ushtarak përdorin shërbimet inteligjente për realizimin e synimeve politike. Në këtë kuadër institucional, gjenerali rus, Valery Gerasimov, argumentoi se “Amerika po komploton të na gjymtojë”…“Rusia duhet të kërcënojë gjithnjë dhe më shumë armiqt e saj në perëndim ose rrezikon të sulmohet nga Amerika”. Ai akuzoi Amerikën për shestimin e një strategjie për të destabilizuar armikun e saj [Venezuelën] duke shkaktuar protesta rruge përpara se të sulmojë ushtarakisht ndaj infrastrukturës kyçe. Për pasojë, Rusia u detyrua t’i “përgjigjësh kërcënimit duke krijuar një kërcënim”. Ky synim [amerikan] përfshin përdorimin e kiberluftës, e cila siguron “influencën nga largë dhe të fshehtë”…ndërkohë “teknologjitë e të dhënave (informacionit) po bëhen disa nga armët më premtuese”.[1]

Qendrimet politike të gjeneralit rus morën një vëmendje të veçantë në vitin 2013 kur ai argumentoi se “roli i mjeteve jo-ushtarake për të realizuar synime politike dhe strategjike është rritur”. Ky qendrim u përdor nga perëndimi si ‘doktrinë ushtarake’ se Rusia po orientohësh drejt një forme të re “lufte hibride” pavarësisht se gjenerali fliste për perëndimin. Njëlloj u konceptuan qendrimet e fundit të tij: si “ndryshim doktrine”. Nuk mungojnë ‘lidhjet’ mes qendrimeve të gjeneralit rus dhe ‘fakteve’ që përsëriten kudo me më kryesorin ‘ndërhyrjen’ ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane për të ndihmuar në zgjedhjen e Trampit[2] — një lidhje që anashkalon faktin e rëndësishëm se shkaku kryesor se pse fitoi Trampi ishte zemërimi i të braktisurve nga globalizmi neoliberal, kryesisht klasa punëtore, dhe jo sepse u ekspozua Hilari në politikën e saj të jashtme.

Tashmë mendohet se një fabrikë furacakësh në Shën Petersburg ka paguar dhe koordinuar protesta në Amerikë duke përdorur qindra faqe në Facebook që synojnë ndarjen e shoqërisë ndërsa “doktrina” e vitit 2013 e Gerasimovit, duhet kuptuar, këshillojnë “ekspertët” britanik, si një përpjekje e gjeneralit për të bindur Kremlinin se ushtria duhet të qendrojë në krye më qëllim që të përfrikësojë perëndimin ndërkohë që argumenti se Amerika ka shestuar një plan...lidhet me Venezuelën: sepse Moska sheh se Amerika po përdor teknika hibride për të manipuluar ngjarjet në terren, qofshin ato cicërime të Trampit apo dërgimet e ndihmave të cilat janë prelud për ndërhyrje ushtarake.[3] Në fakt, gjenerali rus foli dhe për çështje të tjera të karakterit gjeopolitik, duke përfshirë krizën në Siri ku përfshirjen amerikane e quan “kal troje”, krizën në Venezuelë dhe Indi. Por raporti rus, i cili nuk mjaftohet me qendrimet e gjeneralit rus dhe shton çështje të tjera me karakter gjeopolitik, që sipas tij, bazohet në burimet e qarqeve politike amerikane, argumenton se Uashingtoni ka hartuar një nismë për të krijuar një sistem botëror për të kundërshtuar inflencën ruse të informacionit jashtë vendit gjatë viteve 2019-20. Ky pretendim lidhet më shumë me një raport të një gazete të përditshme ruse, Izvestia, sipas së cilës, Uashingtoni planifikon të krijojë një rrjet me qendra kombëtare me mbikqyrës elektronikë dhe me pjesëmarrjen e medias lokale dhe OJQ-ve. Për këtë plan, tre projekte pilotë do të fillojnë në Gjeorgji, në vendet Balltike dhe Ballkan. Qëllimi kryesor i këtyre qendrave është të dëftojnë dhe pengojnë influencën e Moskës në opinionin publik në këto vende. Krahas këtij synimi, qendrat do të kenë misione mbikqyrëse për të nuhatur ndërhyrjet ruse në zgjedhje. Ky synim do të provohet gjatë zgjedhjeve në Ukrainë (31 mars) dhe Parlamentin Europian për të cilin do të përdoren dhe ndërmarrjet e mëdha të informaciont si Facebook-u, Twitter-i dhe Google.[4]

Një ditë më pas, gjenerali amerikan, Curtis Scaparoti, në vazhdën e qendrimeve të viteve pararendëse, dhe në emër të USEUCOM (Komandës Amerikane dhe Europiane, një nga dhjetë komandat ushtarake të Amerikës), argumentoi se Rusia është kërcënimi kryesor për sigurinë euro-atlantike duke cituar ‘faktet’ e mirënjohur: ndërhyrjet në zgjedhjet presidenciale amerikane etj. Rusia, sipas tij, ka ambicie gjeopolitike dhe për pasojë ajo kërcënon interesat amerikane. Për të realizuar objektivin e saj Rusia përdor një qasje tërësore-shoqërore përmes një game të gjerë veglash duke përfshirë provokatorë politikë, operacione informacioni, përfrikësim ekonomik, operacione kibernetike, pushtet fetar, ndërmjetës, operacione speciale, fuqi ushtarake konvencionale dhe fuqi bërthamore. Rusia ndjek objektivat e saj strategjik në Evropë, ndërsa shmang konfliktin ushtarak me Amerikën dhe NATO-n duke shënjestruar vendet me veprim të tërthortë — të mbështetur me kërcënim shtrëngues me fuqitë e saj konvencionale dhe bërthamore. Këto veprime përfshijnë dyshimin e ligjshmërisë së një qeverie, duke kërcënuar interesat ekonomike të një vendi, duke mobilizuar grupe mbështetëse opozitare dhe duke përdorur ndërmjetës ose civilë të armatosur, si ndërmarrjet private ushtarake të kontraktuara me lidhje të errëta me shtetin. Pasi paraqet zhvillimet ushtarake ruse, të cilat sipas tij kërcënojnë sipërinë ushtarake amerikane, gjenerali amerikan flet për çdo rajon dhe vend veçmas, duke konsideruar si fillim Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Ballkanin, vendet e Balltikut, Poloninë dhe Turqinë, rrjetet ekstremiste siç është ISIS-i dhe duke përfunduar me Izraelin. Sipas tij, veçanërisht Ukraina, Gjeorgjia, Ballkani dhe vendet e Balltikut përballen me kërcënimin rus. Për të njëjtën arsye aleanca vazhdon të mbështesë angazhimin në këto vende. Dhe për të njëjtën arsye “USEUCOM” do të ndihmojë që Amerika të konkurrojë me sukses Rusinë, të pengojë agresionin e saj, dhe nëse është e nevojshme, të mbizotërojë në përplasje...ndërkohë që do të konkurrojë poshtë nivelit të përplasjes me armë përmes Grupit Rus të influencës në Evropë për t`u përballur me përpjekjet dashakeqe ruse.[5]

Kështu, megjithëse të dyja palët përdorin ‘prova’ kundër njëra-tjetrës ato mbështeten kryesisht në ‘indikacione’. Një provë që përdor gjenerali rus janë qendrat amerikane në Evropë të cilat i pranon gjenerali amerikan. Ndërsa ky i fundit paraqet si provë “agresionin” rus në Ukrainë dhe Krime. Sidoqoftë, është e qartë se të dyja palët mund të përdorin luftën hibride sidomos në kushte kur Rusia kërcënohet në kufijtë e saj nga forcat e NATO-s. Duhet thënë se është kjo dinamikë në nivel superfuqish që shkakton të njëjtën dinamikë në nivel kombëtar. Për shembull, gjatë protestës së opozitës me dorëzimin e mandateve, pati zëra se ajo mund të nxitet nga shërbimet sekrete ruse apo serbe. Kjo hamendje lidhet kryesisht me qendrimin e komandatit amerikan. Në këtë dinamikë, nuk do të ishte e çuditshme që drejtori i SHISH-it në Shqipëri të pohojë pas një mbledhje me dyer të mbyllura...se gjatë vitit 2018 u vërejt “rritje tentativash nga Rusia për të shtuar influencën në vendin tonë”...por pa treguar ‘fakte’! Këto qendrime janë të rrezikshme sepse manipulojnë popujt — sidomos kur popujt nuk kanë mësuar të dallojnë ‘indikacionet’ nga ‘provat’ dhe mund të çojnë në frikë, urrejtje të ndërsjellë dhe luftë. Veçanërisht në Amerikë dhe Rusi ku për shkak të qendrimeve politike janë krijuar mendësitë përkatëse (kushtet subjektive): aktualisht rreth 70% e popullit amerikan dhe po aq nga populli rus shikojnë njëri-tjetrin si popuj armiq! 

Duhet thënë se është e thjeshtë të tregohen prova nga të dyja palët sidomos kur dihet se veprimtaria njerëzore dhe partiake mbikqyret nga shërbimet inteligjente. Gjykuar nga indikaciont dhe qendrimet publike, Rusia mund ta përdorë pushtetin e shërbimeve inteligjente kryesisht në vendet ku ajo kërcënohet më shumë: në vendet Balltike, Gjeorgji dhe Ukrainë.

Në Evropë, asaj nuk i intereson përdorimi i pushtetit inteligjent sepse kërkon të eksportojë mallin e saj të vyer: gazin dhe naftën ruse pavarësisht se Putini ka realizuar linja të tjera për eksportimin e tyre në Kinë etj. Gjykuar nga strategjia amerikane—ajo kërkon ta lodhë Rusinë me vendet fqinje të saj...—dhe nga mundësia e Rusisë për t`u përballur me sfidat përkatëse —ajo s`ka asnjë mundësi për të mbuluar një gamë të gjerë vendesh ku hamendësohet se ajo kërkon të shtrijë influencën e saj— mund të themi se Rusia do të vazhdojë të përqendrohet në vendet i sipërpërmendur derisa të paqëtohet gjendja: sepse pa u paqëtuar gjendja në kufijtë e saj ajo s`ka asnjë mundësi—edhe nëse do të dëshironte— të ndikonte në Ballkan. Aktualisht ajo është përqendruar në Ukrainë: sepse atje zhvillohen zgjedhjet ku synon të zgjidhet një president me orientim drejt Moskës.[6]

Nëse e ‘siguron’ Ukrainën - Rusia do të vazhdojë me kërcënimet e tjerë rreth saj. Përpjekjet e proponentëve rusë si Alekandër Dukin nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e opinionit publik në rajon për sa kohë që opinioni publik krijohet nga masmedia mbikombëtare ndërsa kjo e fundit diktohet nga elitat perëndimore dhe kombëtare. Opozita shqiptare (PD+LSI), në fakt, mund të ketë kërkuar ndihmë nga elita ruse meqënse kërcënohet nga elitat perëndimore dhe mund të ketë siguruar ndonjë mbështetje financiare meqënse Moska mund të ketë adoptuar qasjen e bashkëpunimit me armiqt e armiqëve të saj. Por këto janë hamendësime që mund të vërtetohen ose nga shërbimet tona ose nga koha...                        



[1]US is plotting to cripple us, warns Russian general, The Times, March 5 2019.

[2]Speech points to importance of ‘hybrid warfare’, Tom Parfitt, The Times, March 5 2019.

[3]Po aty.

[4]Press review: Pentagon`s Trojan Horse for Syria and Moscow open to Venezuela talks with US, Tass, March 04, 2019.

[5]USEUCOM 2019 Posture Statement, US European Command Public Affairs, March 05, 2019.

[6]Ukraine and the shifting balance of power, Nick Butler, FT, March 11 2019.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA