...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përpjekjet e vojvodinasve për pavarësi nga Serbia dhe sfidat

Me gjithë këto “erëra që fryjnë në skenën politike e shoqërore të Vojvodinës”, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në atë krahinë të aneksuar para 100 vjetëve, ku struktura e tashme e popullsisë është reth 80% serbe, synimet e “Mllada Vojvodinës” apo të forcave të tjera që aspirojnë pavarësinë e Vojvodinës nuk kanë gjasa të realizohen

Adil Fetahu

11/01/2020 - 14:27

*As Kosova nuk është Krime, as Vojvodina nuk është Sevastopol

“Vojvodina nasha dika, bice Republika” (Vojvodina krenaria jonë, do bëhet Republikë)

Si u asimilua Panonia (Vojvodina) ilire nga serbët dhe sa mundësi ka ajo të shkëputet nga Beogradi?

Me këto fjalë dhe të tjera përmbajtje e mesazhe, në Novi Sad dhe në disa qytete të tjera të Vojvodinës, janë shfaqur (më 6 e 9 shtator 2019) grafite e pllakata të Organizatës “Mllada Vojvodina” (Vojvodina e Re), e cila “në programin e saj” ka pavarësinë e Vojvodinës nga Serbia.  Kjo organizatë ekziston dhe vepron në Vojvodinë që nga viti 2015, dhe veprimin e vet më aktiv e ka filluar pas zgjedhjeve në Kataloni, në të ciat  patën fituar forcat që angazhohen për pavarësi nga Spanja.  Madje, disa grafite kishin këtë përmbajtje: “Vojvodina = Katalonia”. Pozita edhe opozita në Vojvodinë janë deklaruar se nuk kanë lidhje me këtë organizatë. Megjithatë, Liga Socialdemokrate e Vojvodinës, parti e kryesuar nga Nenad Çanak, thotë se nuk është fshehtësi që e përkrahin idenë për Vojvodinën Republikë, veçse  realizimin e kësaj  ideje duhet ta realizojnë përmes institucioneve, duke ia kthyer Vojvodinës pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, të hyrat dhe pasuritë burimore, siç i ka pasur deri në vitin 1988.

Partia Përparimtare Serbe (e Vuçiçit) e dënon veprimin e “Mllada Vojvodinës”, sepse, sipas saj, ky veprim ka karakter dezintegrues e separatist dhe është në kundërshtim me rrugën e reformave “që po bën Serbia”. Ndonëse këto parulla nuk përkrahen nga shumica e qytetarëve, megjithatë, për shkak të përmbajtjes së tyre,  nuk duhet as të mbiçmohen as  të nënçmohen, thonë qarqet e regjimit serb. Organizata “Mllada Vojvodina” herë-pas-here, sipas rasteve,  shfaqet me aktivitetet e saj. Kështu, me rastin e vizitës së kryetarit të Rusisë, Vladimir Putin në Serbi (17.01.2019), në Vojvodinë  u shfaqën pllakata me fjalë kundër asaj vizite: “Putine – Goo”; “As Kosova nuk është Krime, as Vojvodina nuk është Sevastopol”; “Antifashizmi në Vojvodinë, kurrë nuk do t’i frikësohet revizionizmit serbian”; “Kushdo që mbështetë rehabilitimin e shërbëtorëve të fashizmit dhe të kriminelëve të Luftës së Dytë Botërore, është armik i Vojvodinës”; “Do të sanksionohen në mënyrën më të ashpër të gjithë ata që do përpiqen ta zvogëlojnë rëndësinë e luftës antifashiste”; “Vdekje Obrazit – Liri Vojvodinës”, etj.  

Sipas përfaqësuesve të kësaj Organizate, Vojvodina është viktimë e centralizmit dhe unitarizmit serbomadh, prandaj ardhmëria e Vojvodinës nuk mund të ndërlidhet me nacionalizëm, me klerofashizëm  dhe me vlera anti-europiane.

Me rastin e 100-vjetorit të aneksimit dhe bashkimit të Vojvodinës me Serbinë (1918-2018), në sheshin “Petar Karagjorgje Petroviç”, përmendoren e të cilit e zbuloi Vuçiçi, Organizata “Mllada Vojvodina”, mbi pllakën origjinale të emërtimit të sheshit, kishte vënë pllakën e vet, me emërtimin: “Trg Republike Vojvodine” (Sheshi i Republikës së Vojvodinës), ndërsa në disa qytete tjera të Vojvodinës kishin vu pllakatat me tekstin: “Pas 100 vjetëve edhe Hongkongu i tha (Kinës, v.j.) – mirupafshim”!

Ndërkaq, me rastin e paralajmërimit të ardhjes në Novi Sad të poetit dhe akademikut ultranacionalist Matija Beçkoviç, për të promovuar librin e tij “Stotine mojih portreta” (Njëqint portretet e mia),  që u mbajt në selinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë - Dega në Novi Sad (më 6 nëntor 2019), në muret e asaj shtëpie ishte vënë pllakata: “Beçkoviqu – idi kuci” (Beçkoviç – shko në shtëpi)! E njëjta gjë u përsërit më 9 nëntor, në Zrenjanin, duke vënë pllakatën dhe eklipsuar plotësisht pllakatën me portretin e madh të Beçkoviçit. Si rezultat, njësitë antigrafite të shërbimeve komunale të Novi Sadit e qyteteve tjera, vrapojnë dhe i  heqin, fshijnë, gëlqerosin e mbulojnë  pllakatat dhe grafitet  e Organizatës “Mllada Vojvodina”.

Memorandumi për Ardhmësinë e Vojvodinës

Që aktiviteti i Organizatës “Mllada Vojvodina” nuk është i vetmuar dhe izoluar, dhe se në një farë mënyre ka mbështetjen edhe të disa partive politike dhe organizatave joqeveritare në Vojvodinë, tregon edhe rasti i fundit i lidhjes së një “Memorandumi për Ardhmërinë e Vojvodinës”. Në të vëretë, më 17 dhjetor 2019, përfaqësuesit e 9 partive politike dhe organizatave joqeveritare, ndër të cilat më të njohura ishin: Liga Socialdemokrate e Vojvodinës, Partia Vojvodinase, Lidhja Demokratike e Kroatëve në Vojvodinë,  Aleanca e Rumunëve të Vojvodinës, Partia Malazeze, Lidhja e Sllovakëve të Vojvodinës, “Së bashku për Vojvodinën”, Lëvizja Liberaldemokrate e Vojvodinës dhe “Forumi V-21”, në bashkëpunim me Frontin e Vojvodinës, i cili bashkon disa organizata joqeveritare,­—nënshkruan në Beograd Memorandumin për Ardhmërinë e Vojvodinës.

Duke paraqitur argumentet e degradimit të gjithanshëm të Vojvodinës nën centralizmin serb, ky bashkim i partive, si një koalicion parazgjedhor, pretendon që pas zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, të zhvillojë luftë institucionale për kthimin e autorizimeve që ka pasur Vojvodina deri në vitin 1988. Ata thonë se ideja e tyre është për një Vojvodinë Europiane. Ata që e njohin më mirë historinë e Vojvodinës, e dijnë se kjo krahinë edhe kur ishte  pjesë  e Austrohungarisë, deri në  vitin 1918, e  ka pasur identitetin e vet  dallues, si rajon multikultural.

Njëri nga nënshkruesit e Memorandumit (memorandum emër famëkeq, që na kujton në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave, v.j.), Nenad Çanak, theksoi se Fronti Vojvodinas tubon forcat proeuropiane në Serbi, dhe fton të gjitha forcat e tilla të bashkohen në zgjedhjet e ardhshme, ngaqë Serbia gjendet në krizë të thellë politike, të cilën e ka shkaktuar nacionalizmi dhe centralizmi serbomadh. Aleksandar Oxhiç, kyetar i Partisë Vojvodinase, thotë se në rrugën europiane nuk mund të shkohet përmes Rusisë ose Unionit Euroaziatik.

Prioritet i veprimit të forcave të bashkuara në Memorandum do të jetë realizimi i të drejtave më të mëdha dhe avancimi i statusit të Vojvodinës, përmes rajonizimit dhe decentralizimit të Serbisë. Vetëm anëtarësimi i plotë i Serbisë në BE dhe në NATO garanton progresin politik, shoqëror, ekonomik dhe civilizues, theksohet në Memorandum. Pa anëtarësimin në këto struktura, Serbia do të mbetet edhe më tutje rob i strukturave politike e të sigurisë, të cilat e kanë futur në luftë me fqinjët më të afërt dhe me shtetet më demokratike.  Prandaj, marrëdhëniet me fqinjët duhet të jenë prioritet i Serbisë. Serbia duhet ta pranojë realitetin në Kosovë dhe të vazhdojë bisedimet në Bruksel, për të arritur marrëveshje juridikisht të detyrueshme, theksohet në Memorandum.

Në lidhje me Memorandumin në fjalë, Organizata “Mllada Vojvodina” më 22 dhjetor k.v., në derën e selisë së Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, kishte vënë pllakatin me tekst: “Veç po ju vëzhgojmë se çfarë po bëni me Memorandumin e nënshkruar… Një shans e keni. Nuk ka të ndalur. Luftë deri në fund. Vojvodina – Republikë”! Tekstin e asaj pllakate e kishin vënë edhe në twiter dhe në instagram të faqes së “Mllada Vojvodinës”.                                                        

Me gjithë këto “erëra që fryjnë në skenën politike e shoqërore të Vojvodinës”, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në atë krahinë të aneksuar para 100 vjetëve, ku struktura e tashme e popullsisë është reth 80% serbe, synimet e “Mllada Vojvodinës” apo të forcave të tjera që aspirojnë pavarësinë e Vojvodinës nuk kanë gjasa të realizohen. Vështirë se do të arrijnë të realizojnë çfarëdo edhe nga synimet për përparimin e pozitës juridike dhe statusit të Krahinës, në qoftë se nuk do ta kenë mbështetjen e plotë të fuqive të Europës dhe Amerikës, karshi synimeve të Rusisë për mbajtjen e Serbisë në orbitën e saj. Megjithatë, edhe maratona prej dhjetra mijëra kilometrash, fillon me hapin e parë.            

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA