A po përfitohet politikisht nga dhimbja e Deharit?
Labinot Gjini
13/11/2016 - 20:37
Disa po thonë se VV synon të përfitojë politikisht nga vdekja e Deharit megjithëse të gjitha faktet thonë të kundërtën! Merrni dhe renditni faktet dhe do ta shihni se edhe nga ana kronologjike VV nuk e ka filluar këtë bujë mediatike. Por ishte Nexhmi Krasniqi, prokurori, KMDLNJ-ja me deklaratat e tij kundërthënëse dhe, më pastaj, mediat e klanit "pronto" me tendencën e tyre për ta arsyetuar dhe spastruar pushtetin nga çfarëdo lloj përgjegjësie nga vdekje-vrasja e Astritit. VV (zyrtarisht), duhet thënë të vërtetën, vetem sa ka reaguar ndaj deklaratave të këtyre zyrtarëve dhe të këtyre mediave të cilët, të ndjerë në faj vetëvetiu nga rasti, u munduan me deklaratat e tyre të shfajësoheshin sa më parë para publikut duke fshehur shumë të vërteta.
Sidoqoftë, le te supozojmë se VV tentoi të përfitojë politikisht nga rasti i Astrit Deharit: çfarë halli kanë këta të tjerët të cilët po mundohen ta shuajnë përmes një neutralizimi, relativizimi, eufomizimi rastin në fjalë ? A thua se këta e kanë hallin e vetem te zbardhja e vdekjes së Astritit dhe jo hallin e dëmit politikë që ky rast po ju shkakton atyre personalisht apo partisë (klanit) të tyre në përgjithësi ?
Nga reagimet e tyre ku del në pah "halli i tyre i madh" i përfitimit politikë të VV nga ky rast, nuk po del se halli i Astritit është preokupim i parë për ta, por po del se dëmi politikë që ky rast po ndjellë ndaj tyre apo partisë së tyre është një hall të cilit duhet ti gjendet një zgjidhje. Se po të kishin hallin e Astritit ata nuk do të hidheshin në sulm kundër VV, por do të kërkonin që rasti të zbardhet në mënyrën sa më profesionale dhe të kërkohet përgjegjësia dhe përgjegjësit, pavarësisht në ishte vrasje apo vetëvrasje kjo. Se, në fund të fundit, çështja në ishte vrasje apo vetëvrasje, në të dyja rastet nuk e përjashton përgjegjësinë institucionale dhe, në të dyja rastet, nuk e bënë rastin më pak politikë nga sa është. Besa, në të dyja rastet, nuk i përjashton pyetjet e shumta që lidhen me mbajtjen e këtyre të rinjëve në paraburgim dhe as nuk e përjashton me misterin e gërvishjës së fasadës së Kuvendit me mjete eksplosive dhe, besa, as dyshimet e thella të popullit se mbas kësaj qëndron Qeveria dhe jo këta pesë të dyshuar.
Ngritja e çështjës se nëse ishte vrasje apo vetëvrasje, realisht, është ngritur qëllimisht për ta mbuluar çështjen më të rëndësishme: që i gjithë procesi që fillon nga arrestimi e deri tek vdekja e Astritit është politikë dhe është i bërë në mënyrën më barabare të mundshme duke shkelur mbi të gjitha rregullat e drejtësisë dhe liritë njerëzore. E gjithë kjo të çon vetëvetiu të kuptosh se ata duan që ta shuajnë sa më parë rastin e Astritit anipse fjala është për një vdekje tragjike të një djali të ri në një qeli të një burgu në të cilin po qëndronte gati për tre muaj mbi bazën e një dyshimi (dhe jo aktakuze) pa u marrë ende asnjë deklaratë nga prokurori (tre muaj në paraburgim pa iu bërë as edhe një intervistë!). Ani pse fjala është që me reagimet e VV apo pa reagimet e VV, rasti në substancën e tij është politik dhe përmban, po në substancën e tij, një përgjegjësi institucionale të cilën askush nuk e morri deri më tani.
Nga kjo del se nëse VV po mundohet të bëjë presion me reagimet e saja mbi politikën duke shfrytëzuar opinionin publik, hajde po themi për të përfituar edhe politikisht, por që efekti në vetëvete po e shtynë (detyron) sistemin e drejtësisë në drejtimin e transparencës së plotë, pra po e detyron që të ndahet nga urdhërat e politikës në zbardhjen e rastit, cili është qëllimi i reagimit të aktorëve politikë dhe i mediave të kontrolluara direkt prej tyre dhe cili është efekti në vetëvete për drejtësinë dhe të ardhmën e saj në Kosovë?
Qëllimi i reagimit të tyre kuptohet se është spastrimi i çfarëdo lloj përgjegjësie nga të bërat dhe të pabërat e sistemit të drejtësisë dhe i pushtetit në rastin në fjalë dhe efekti është për të ardhmen e këtij vendi që ky sistem, sado i korruptuar, kriminal, i përfshirë dhe i varur nga rrjete e politikës dhe parapolitikës, të vazhdojë të kryejë punën e tij jashtë çdo përgjegjësie profesionale dhe institucionale përderisa ai mund të ndihmojë një pushtet të caktuar të ngritur mbi marrëveshje klanësh kriminale në krye të Kosovës. Dhe ky efekt, i cili e ndihmon pandërgjegjjen dhe papërgjegjësinë institucionale të sistemit politiko-juridik të këtij vendi që ai të vazhdojë të jetë i varur nga politika dhe parapolitika në këtë drejtim, do të ketë pasojat e tij afatëgjatë ku asnjë qytetar i këtij vendi, tani të mbushur me mosbesim të plotë ndaj këtyre institucioneve, nuk do të ndihet i sigurt në duartë e këtij sistemi dhe as nuk do ta ndjejë asnjëherë se vetem drejtësia po vepron dhe po shprehet ndaj tij. Dhe kjo, me rrotullimin e konjukturave politike dhe ekonomike, të cilat mund t'i ndërrojnë pozitat tona socio-politike e ekonomike, mund ta çojnë çdo njërin prej nesh, pavarësisht pozicionit tonë të sotshëm, të përjetojmë dhimbjen që përjetoi Astrit Dehari pak ditë më parë.
Nga kjo, pavarësisht pavarësisë sime intelektuale, preferoj ta mbaj larg qëndrimin e Vetëvendosjës! dhe efektin në vetëvete që ky qëndrim-reagim përmban, edhe nëse në këtë qëndrim ka ndonjë tendencë për të përfituar politikisht, sesa atë tjetrin i cili, jo vetem se duket të jetë edhe më hipokritë, por edhe me efekte në vetëvete të tmerrshëme për shoqërinë tonë në aspektin e ndërgjegjjës dhe përgjegjësisë qytetare dhe institucionale.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse



