Pse banania është ‘kancerogjene’ dhe si mund ta parandalojmë?

Praktika që ndiqet për bananen është dy herë shqetësuese: një herë kur prodhuesit e saj nuk përdorin parime shkencore në plantacione por i “bombardojnë” ato me kimikate dhe një herë kur piqet në frigoriferë me gas etilen, i cili shkakton kancer
Ylli Përmeti
12/10/2018 - 12:57
Pas shqyrtimit të perimeve dhe prodhimeve industriale (sheqer etj.) do të ishte e dobishme të shqyrtonim një masakër tjetër që po shkaktojnë elitat: frutat kancerogjene. Kështu do të mund të krijojmë një tablo të plotë për ushqimet: sepse ne jemi të detyruar të konsumojmë perime, prodhime industriale dhe fruta. Për të njëjtën arsye në vijim do të tregoj jo vetëm shkaqet pse frutat në përgjithësi dhe banania në veçanti janë kancerogjene por dhe shkaqet pse elitat kapitaliste zhysin popujt në padije dhe sëmundje.
Nga leximet e mija kisha kuptuar deri diku se çfarë bënin prodhuesit e frutave. Por kur punoja si administrator i një ndërmarrje private në Shqipëri, e cila instalonte sisteme sigurimi, dhe shkova në një ndërmarrje tjetër private për të vlerësuar gjendjen për nevojat e saj të sigurisë, drejtori i ndërmarrjes, pasi u sigurua se unë isha i parrezikshëm për tregun e tij, nga “hetimi” i tij i shkurtër, më çoi në 14 frigoriferë të mëdhenj ku donte të instalonte kamera. Frigoriferët ishin plotë me arka bananesh. Kur e pyeta se çfarë bënin me këto banane, ai ma ktheu: këtu piqen! Pasi dolëm nga frigoriferët më pyeti se nëse sistemi i sigurimit ndikohet nga një gaz që përdorte ndërmarrja për pjekjen e bananeve. Pasi u habita pak, i përgjigjem jo. Të them të drejtën, nuk isha i sigurtë për përgjigjen time. Më pas fillova të studioja gazin, i cili, quhet ‘gas etilik’.
Përdorimi i gazit etilik për përshpejtimin e pjekjes së bananes dhe përdorimi i kalinitit për të vonuar pjekjen e saj, për kultivim “bioorganik”, lejohet nga rregullatori i BE-së, kur temperatura ku banania ekspozohet është 20°C dhe përqendrimi i gazit etilik, 0.1%![1] Banania qendron në krye të frutave klimakterike―domethënë, ajo ka aftësi të lartë frymëmarrëse, sepse ka shumë sensorë krahasuar me frutat e tjerë. Përmes tyre ajo furnizohet me gaz etilik, sidomos përgjatë fazës së pjekjes kur sasia e etilenit në atmosferë rritet. Fakti që është klimakterike e bënë atë të piqet gradualisht edhe nëse është këputur herët nga pema. Nëse ajo ekspozohet në sasi të madhe etileni – pjekja e saj përshpejtohet edhe më shumë.[2]
Megjithëse pastërtia e etilenit është më e lartë se 99.9%, metalet e rënda, si dioksidi i karbonit, sulfuri etj., janë përbërësit e tij.[3] Ai prodhohet nga vetë natyra por edhe nga njeriu. Burimi kryesor janë mbetjet e agrikuturës dhe hedhurinat (77%), djegia e paplotë e lëndëve diegëse të fosileve (21%) dhe çlirimet përgjatë prodhimit të etilenit (çlirime antropogjenike). Ai çlirohet nga bimët (frutat, gjethet, rrënjët dhe zhardhokët). Më shumë çlirohet përgjatë pjekjes së frutave dhe rënies së gjetheve. Sasia e lartë e CO² në atmosferë është një burim tjetër. Tymi i duhanit përmban gjithashtu sasi të konsiderueshme etileni. Përqendrimi i madh i etilenit në atmosferë shkakton mbytje, sepse ai ulë përqindjen e oksigjenit. Por rreziku më i madh buron nga ndezshmëria e tij: kur ai ndizet, shkaktohet shpërthim.
Në Amerikë etileni përdoret për nxitjen e pjekjes së frutave por edhe për nxitjen e mbirjes së farave duke e injektuar në tokë — përtej stimulantëve të tjerë përgjatë rritjes! Studimet e shekullit të kaluar janë realizuar mbi kavie (minj) dhe tregojnë se ato nuk kanë zhvilluar tumore malinje. Por kaviet janë ekspozuar në gaz etilik. Injektimi i tij në organizëm është bërë vetëm përmes organeve respiratore. Në rastin e bananes, sasia e etilenit që ajo bart, injektohet përmes stomakut në organizëm, dhe stomaku ia çon gjakut!
Rrjedhimisht, atje janë katër aspekte të rëndësishëm që ndikojnë në rritjen e sasisë së etilenit në organizmin e njeriut: (1) se banania, ngaqë është frut klimakterik, nuk ka nevojë për përshpejtim të procesit të pjekjes; (2) se frigoriferët ku bananet ekspozohen (në të vërtetë, tashmë nuk piqen vetëm bananet në frigoriferë të tillë por edhe domatet, mangot, papajat, pjeprat, etj.)[4] mund të bombardohen me më shumë etilen se sasia e lejuar (0.1%), në varësi të nevojave të tregut; (3) se banania kur ekspozohet në etilen - një sasi të konsiderueshme të tij e bart me vete dhe e kalon në stomak; dhe (4) se përgjatë procesit të pjekjes me etilen banania nuk ekspozohet në rrezet e diellit siç ekspozohet në plantacionet e bananeve në vendin ku prodhohen. Rrezet e diellit në vetë-vete janë burim pjekjeje dhe cilësie: sepse ato transformojnë energjinë e dritës në energji kimike (fruti fotosintetizohet).
Këta janë katër aspekte shumë të rëndësishëm që nuk janë marrë në konsideratë nga “shkencëtarët” e sektorit! Një aspekt tjetër –i pestë- është fakti që studimet zakonisht sponsorizohen nga korporatat private. Ky fakt në vetë-vete zbeh rëndësinë e cilësisë së ushqimit meqënse banania kur piqet në kushte frigoriferike, ulë koston e prodhimit dhe rritë përfitimet.
Nuk do të ishte e çuditshme që çmimi i bananes në Britani, dekadën e fundit, në vend të rritet, siç rriten çmimet e ushqimeve të tjerë, është ulur më shumë: nga £1.08kg në vitin 2002 në vitin 2014 ajo kushtonte më pak se £68 qindarka, 59% më pak.[5] Por në Itali, Francë dhe Gjermani çmimi i bananes është rritur me 10%, 3.9% dhe 7.2%, përkatësisht.

Në Shqipëri, banania importohet aguridhe dhe piqet në kushte frigoriferike. Nuk dihet se sa qendra të tilla ka. Vetë Rama ka mirëparaqitur―në padijen e tij― disa frigoriferë ku piqen frutat. Për të njëjtën arsye çmimi i saj ka mbetur thuajse i njëjtë pesë vitet e fundit. Një përpjekje amatoreske —ndoshta për të çmonopolizuar tregun— u bë nga qeveria Berisha kur ajo komunikoi një subvencion për të gjithë ata që do të zhvillonin sera për kultivimin e bananes në Shqipëri!
Në vitin 2021 u importuan 3 miliardë lekë ose 25 milionë euro banane, duke u rritur me 9.1% krahasuar me një vit më parë. Konsumi për frymë i bananes arriti 12,2 kg nga 6 kg që ishte një dekadë më parë dhe është tre herë më i lartë se Franca (me 4 kg). Spanja e ka 7 kg për frymë; Greqia 10.8 kg; Italia 11 ndërsa rekordin e mban Britania me 17 kg për frymë. Ekuadori është vendi kryesor prejt të cilit importohen bananet, me 77%. Më pas vjen Kolumbia dhe e treta Kosta Rika dhe gjatë vitit të kaluar importuam dhe nga Greqia dhe Malizi.
Por nuk janë vetëm qeveritë tona padije shkencore lidhur me pjekjen dhe kultivimin e bananes. Por edhe plantacionet ku ato kultivohen spërkaten me pesticide nga aeroplanët. Kjo është arsyeja që në Amerikën Latine banania quhet “frut kimik”!
“Pesticidet na shterpëzuan”, thanë dhjetra mijëra punëtorë që punonin në plantacionet amerikane (United Fruit Company) të Amerikës Latine (Panama), në vitet 1970, dy vite më parë. Ndërmarrja amerikane, e cila ndryshoi emër më pas, dhe e quajti “Chiquita Brands International”, ndiqet penalisht prej vitesh nga më shumë se 1,100 punëtorë për shkak se ata besojnë se janë dëmtuar në shëndetin e tyre. Pesticidi quhet Di-bromochloropropane ose DBCP, i cili vret krimba mikroskopik në trupin e bananeve. Por mund të dëmtojë pjellorinë e meshkujve. Studimet e kryera në vitet 1950 mbi kavie (lepuj, minj) tregojnë se pesticidi shkakton “atrofi testikulare” ose “dobësim të spermës”.
Pavarësisht se studiuesit përkatës u munduan të dijësonin ligjbërësit në SHBA-në e viteve 1961, pesticidi vazhdoi të përdorësh dhe disa vite por më pas u ndalua ndërsa besohet se përdoret pavarësisht ndalimit. Shqetësimi nuk kufizohet vetëm në Panama: Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Honduras dhe Nikaragua, përballen me të njëjtin shqetësim. Studime të tjerë tregojnë se pesticidi qendron në tokë dhe ujë për shumë vite edhe është dhe kancerogjen dhe punëtorët nuk janë dijësuar për ndikimet e dëmshme dhe shumë përjetojnë shqetësime të tjera.
Banania kërcënohet seriozisht edhe nga ndryshimi i klimës. Sipas një raporti,[6] plantacionet e Kosta Rikës janë goditur nga një epidemi e kandrave miellore (mealy bugs) dhe mollëkuqja (scale insects) dhe thuajse 20% e prodhimit të saj u shkatërrua. Nëse kjo epidemi përhapet në gjithë Amerikën Latine dhe Karaibe, ku prodhohet rreth 80% e prodhimit botëror, dëmet ekonomike do të jenë tejet të mëdha për vendet që sektorin e kanë motorr të ekonomisë. Për të luftuar sëmundjet e bananes disa qendra studimore në Evropë por provojnë qasje të ndryshme, me më kryesoren rritjen e tyre në kushte tokësore ndryshe nga toka ku rriten në vendet tropikale (sepse një sëmundje kërpudhore përhapet përmes tokës) dhe disa të tjerë po provojnë variante të rinj, të ndryshuar gjenetikisht.
Me ndotjen masive të ekosistemit, nuk do të ishte e çuditshme që kultivarët e bananeve, nga Azia në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, të kërcënohen seriozisht, gjithashtu, nga një kërpudhë shkatërruese.[7] Plantacionet janë blerë –dhe të tjerë janë në proces, nga miliarderët e botës së tregut të lirë, të cilët, nuk zbatojnë parime rigoroze shkencore. Për shembull, një miliarder brazilian, me origjinë izraelite dhe trashëgimni bankare nga Siria, që nga koha e Perandorisë Otomane, duke ndjekur rigorozisht porosinë e atit të tij, se 'nëse ti zgjedh të lundrosh mbi detet e bankave, ndërto bankën tënde siç do të ndërtoje anijen tënde, me fuqinë për të lundruar me siguri në çdo stuhi’, dhe fitoi më shumë se $200 miliard asete (pasuri të patundshme, banka, ndërmarrje telekomunikacioni etj.)...bleu “çikitën”, prodhuesin dhe shpërndarësin më të madh amerikan.[8]Dhe nuk është vetëm ky miliarder që ble sektorë fitimprurës në vendet e integruar në rendin botëror të globalizmit neoliberal.
Nuk do të ishte e çuditshme, rrjedhimisht, që punëtorët, jo vetëm të braktisen në plantacionet e bananeve dhe të keqpaguhen, por edhe të sakrifikohen në sajë të përdorimit të lartë të teknologjisë dhe konkurrencës së ashpër në nivel botëror. Krahas kësaj masakre, elitat kanë shkatërruar dhe urtësinë e popujve lidhur me këtë çështje: historikisht popujt i mbanin bashkë frutat me qëllim që të piqnin njëra-tjetrën. Mund të qëmtosh mes tyre dhe kuptimin e efektit të pjekjes së frutave nga njëra-tjetra. Por duhet thënë se kuptimi i tyre është sërish i pjesshëm. Banania, për shembull, mund të qendrojë bashkë me fruta të tjera dhe të gjitha bashkë të pjekin njëra-tjetrën. Në kushtet kur frutat “piqen” pasi këputen, banania do të piqet më shpejtë sepse është frut më klimakterik se të tjerët: gazi që çlirojnë frutat e tjera do të përdoret nga banania.
Në këtu kushte, gazi kontrollohet nga vetë frutat dhe është gas në dozat e nevojshme dhe i padëmshëm për shëndetin e njeriut dhe kafshëve. Në frigoriferët e socializmit marksist në Shqipëri u përdor praktika e përzieries së frutave në frigorifer―domethënë, të ruajtjes së tyre në njëjtin frigorifer. Në kushte të freskëta frutat piqen më ngadalë. Por sërish pjekin njëra-tjetrën. Dhe duke gjykuar nga karakteristikat e tyre vëmendje e veçantë duhet t`i kushtohet frutit që piqet më herët. Duhet thënë se kuptimi i kësaj çështje nga agronomët e shekullit të kaluar ishte i pjesshëm por, sidoqoftë, ata ishin pranë kuptimit të drejtë të dukurisë. Fakti që industria e prodhimit e kufizon përqindjen e etilenit mbi fruta tregon pikërisht efektin e tij të dëmshëm në organizëm.
Të gjitha këto kur banania propagandohet si frut kundër kancerit! Por ai mëtim s`është i vërtetë: tumoret luftohen kur qelizat tona janë balancuar në ushqyes bioorganikë (lexo për më shumë librin tim mbi shëndetin) dhe banania, edhe nëse është bio-organike, nuk mund t`i luftojë ata me përmbajtjen e saj (një banane e pjekur përmban rreth 1 gram proteinë, 28 gramë karbohidrate, 15 gramë sheqer, 2 gramë fibra dhe 450 mg potas). Ato substanca janë një përqindje shumë e vogël nëse e shohim me nevojat që kanë qelizat tona për të ruajtur balancën e tyre.
Një studim i botuar në vitin 2023 në Journal of the National Cancer Institute tregon se jetesa pranë (brenda 3 km) ndërmarrjeve ku prodhohet etileni shoqërohet me rreziqe më të larta në zhvillimin e “karcinomës duktale in situ” por jo për “kancerin invaziv të gjirit”.
“Etileni është klasifikuar”, siç citon i njëjti studim, “si kancerogjen për njerëzit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit bazuar në prova të mjaftueshme në kafshë eksperimentale, prova të forta nga studimet mekanike dhe prova të kufizuara nga studimet që tregojnë një rrezik të shtuar për kancerin limfohematopoietik (kryesisht limfomën) dhe kanceret e gjirit tek punëtorët që shfaqen në atë gas për shkak të punës. Të dhënat më bindëse epidemiologjike vijnë nga një grup i madh i Institutit Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (NIOSH), i cili gjeti rritje të vdekshmërisë nga sëmundjet malinje limfohematopoietike (p.sh., leucemia limfocitare kronike [CLL], limfoma jo-Hodgkin [NHL]) dhe incidenca e kancerit të gjirit dhe vdekshmëria e lidhur me shfaqjen e lartë ngrumbullues ndaj tij”.
Praktika që ndiqet për bananen, në fjalë të tjera, është dy herë shqetësuese: një herë kur prodhuesit e saj nuk përdorin parime shkencore në plantacione por i “bombardojnë” ato me kimikate dhe një herë kur piqet në frigoriferë me gas etilen. Është e vështirë të thuhet se cila nga këto praktika është më e rrezikshme për shëndetin, sepse s`ka studime. Por parë nga këndvështrimi i kimikateve që përdoren gjatë prodhimit të tyre dhe kimikati ―etileni― që shtohet gjatë pjekjes, por dhe nga karakteri` bananes ―përthithëse― është e qartë se kjo lloj bananeje është tejet e rrezikshme për shendetin.
Sipas legjislacionit shqiptar, një pesticid mund të regjistrohet në vend nëse është i regjistruar në të paktën një vend të BE-së, por nëse BE e nxjerr nga përdorimi, për shkak të rreziqeve në mjedis dhe shëndetin e njerëzve, Shqipëria ndalon vetëm importin e mëtejshëm të pesticidit, duke e lejuar të vazhdojë të përdoret. Pesticidi që përdoret nga plantacionet e bananeve në Amerikën Latine, DBCP, ndalohet në BE, dhe rrjedhimisht, mund të hamendësojmë se nuk përdoret në Shqipëri. Por fakti që shteti ynë është i zhgardhuar prej më shumë 30 vitesh, dhe AKU-ja thjesht ndjek “epshet” e shteteve të BE-së, gjasat janë se tregtarët e kanë sjell bashkë importin e bananeve.
Përfundime
Nga gjithë anët e shqyrtuara mund të nxjerrim përfundime se banania mund të transportohet me shpejtësi më të madhe me trena elektrikë sesa me anije. Kjo praktikë nënkupton se vendet importuese duhet të kërkojnë tregun më të afërt të mundshëm. Në rastin e Shqipërisë, për shembull, ajo mund të vijë nga Lindja e Mesme, nëse fermerët zbatojnë parime shkencore mbi kultivarët dhe jo konkurrencë dhe përfitim, sesa nga Amerika Latine apo vende të tjerë të largët. Ajo nënkupton, gjithashtu, se transportimi më i shpejtë dhe bashkërendimi mes prodhuesve, shpërndarësve dhe nevojave të një shoqërie―domethënë, “konsumatorëve” të mundshëm, meqënse kështu na kanë pagëzuar elitat, mund të shmang pjekjen e saj me gas etilik, dhe pasojat që ai mund të shkaktojë në organizëm dhe të piqet në kushte të natyrshme me etilenin që ajo çliron, ku rrezet e diellit nuk do të mungojnë.
Një praktikë tjetër është ndërtimi i serrave në vendin tonë. Por ato duhet të ndërtohen në vende ku temperaturat janë të larta gjatë dimrit me qëllim që të ulet kostua e prodhimit, sepse dihet se temperatura “ideale” për rritjen e bananeve është 31-32 °C, dhe në përputhje me parimet agornomike për prodhim organik të tyre. BE-ja ka miratuar parimet themelore për prodhimin e bananeve organike. Por në vendin tonë nuk përdoren. Praktika tjetër, që po eksperimentohet nga holandezët, për të prodhuar banane pa tokë, dhe tjetra, britanikja dhe disa vendeve të tjerë evropianë, duke ndryshuar kodin e saj gjenetik me qëllim që të luftojnë sëmundjen kërpudhore të “panamasë”, është një praktikë e dështuar, pikërisht sepse nuk zbatojnë parime shkencore.
*Pjesë nga një studim më i gjerë e përditësuar
[1]Organic farming in the tropics and subtropics, Naturland e.V. -2nd edition 2001, f, 11.
[2]Recent advances in ethylene research, Journal of Experimental Botany, Oxford University, 2009, f, 3325.
[3]Ethylene, World health organization, International Agency for research on cancer. pdf.
[5]Just how much does it cost growers to give us bananas at 68p per kilo?The Guardian, 25 February 2014.
[6]Scientists ‘incredibly concerned’ for fate of banana as plagues and fungus infections spread across world’s supplies, The Independent, 16 December 2013.
[7]Banana variety risks wipeout from deadly fungus wilt, The Guardian, 21 January 2015.
[8]Joseph Safra, banker seeking a slice of the banana business, FT, August 15, 2014.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 1321 reads



