...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse shtetet anëtare të BE-së, Amerika dhe Sauditët bllokun “listën e zezë” të parajsave fiskale të komisionit evropian?

Dërgata e palës së përfshirë në listë…mbuloi lobimin e furishëm prej javësh nga Uashingtoni, Riadi dhe vende të tjerë të shënjestruar kundër procesit të cilin kryeqytetet e BE-së sulmuan pa u parë (“blindsided”) mbi një çështje me ndjeshmëri të lartë politike.

Ylli Përmeti

03/03/2019 - 11:53

Brukseli shkaktoi një goditje të fortë kundrejt Uashingtonit dhe qeverive evropiane kur njoftoi listën e parë të zezë për vendet ku zhvillohet veprimtari kriminale. Mes 23 vendeve jashtë bllokut përfshiu katër ishuj amerikan: Guami, Samoa Amerikane, Ishujt Virxhin dhe Puerto Rikon. Në listë ishte dhe Arabia Saudite. Si rezultat, zemërata u rritë në kryeqytetet kryesore evropiane, Francës, Britanisë dhe Gjermanisë, kryesisht lidhur me faktin se ‘kush’ u përfshi në listë sesa ‘si’. Administrata amerikane e kundërshtoi listën e Brukselit sepse njësia paditëse financiare “Financial Action Task Force”—trupa botërore e ngarkuar për identifikimin e financës terroriste dhe larjen e parave— ishujt përkatës nuki ka përfshirë. Ndërsa europianët u ankuan sepse nuk u lejuan të gjykonin metodologjinë e komisionit dhe u njoftuan vetëm se cili vend ishte përfshirë kur besohësh se ishte tejet vonë për të kundërvepruar. Si rezultat i listës, bankat europiane duhet të zhvillojnë kontrolle shtesë kur të përballen me rrjedhën e parave dhe shkëmbimet financiare (transaksionet) të klientëve të vendeve të përfshira në listë.

Por lufta nuk mbaroi me kaq: Brukseli, citon FT, “mësoi se Britania do të kërkonte të udhëhiqte një luftim në tërheqje (“rearguard action”) për të bllokuar listën e zëzë — sepse lista ishte rrezik i madh për britanikët sidomos pas daljes së saj nga BE-ja kur territoret e saj të parajsave fiskale do të jenë në shënjestër të listës së përditësuar. Bashkë me Francën, Britania ka krijuar një raport të ndjeshëm tregëtar me sauditët i cili rrezikon të ndërlikohet me listën e zezë...Pas nënshkrimit të listës nga parlamenti europian qeveritë anëtare kishin tre javë kohë (deri në 12 mars) për të krijuar një shumicë dhe për ta nxjerrë listën jashtë përdorimit ndërsa britanikët kishin pak mundësi për të vepruar. Qoftë edhe me mbështetjen e Francës dhe presionin amerikan, konkludon FT, është e pamundur që Britania të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për t`u përputhur me kufirin që nevojitet për të vetuar listën e zezë. Por kjo pritshmëri nuk mund ta ndalojë atë të përpiqet”.[1]

Por pas pak më shumë se dy javë, komisioni europian dështoi në përpjekjen e tij pasi 28 qeveritë evropiane organizuan një revoltë të rrallë dhe unanime: ato “përmbysën përpjekjen për të emëruar dhe turpëruar juridiksionet ku pretendohet se janë burim rreziqesh për larje parash. Dërgata e palës së përfshirë në listë…mbuloi lobimin e furishëm prej javësh nga Uashingtoni, Riadi dhe vende të tjerë të shënjestruar kundër procesit të cilin kryeqytetet e BE-së sulmuan pa u parë (“blindsided”) mbi një çështje me ndjeshmëri të lartë politike. Amerikanët ranë mbi ne si një ton me tulla, tha një zyrtar i Brukselit”. Kështu anëtarët e BE-së bllokuan listën formalisht për mos t`u publikuar javën e planifikuar (një javë më pas). Paralel me presionin publik dhe jopublik amerikan, BE-ja u kërcënua nga Arabia Saudite me pasoja të “ashpra” ekonomike. Vetë komisioni pranoi se nënvlerësoi shkallën e rezistencës nga kryeqytetet evropiane: “ai ishte besimplotë se vendet anëtare do ta nënshkronin pa u menduar për shkak të frikës se mos akuzoheshin për minimin e luftës së BE-së kundër larjeve të parave”.[2]

Objektivi i KE-së u bë shpejtë pjesë e juridiksionit financiar të Shqipërisë gjatë kohës kur në Bruksel zhvillohësh beteja për të groposur listën e zezë: kështu ministria e financave filloi hartimin e ligjit sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian për të krijuar një regjistër i cili do të zbardhë emrat e pronarëve përfitues të ndërmarrjeve të regjistruara në parajsat fiskale por të dhënat do të jenë të ndera vetëm nga disa institucione në kohën kur lejohet regjistrimi i ndërmarrjeve në parajsat përkatëse!

Sidoqoftë, çdo të prisnim nga elita jonë: ndershmëri financiare? Britania, për shembull, ka amenduar ligjin e larjes së parave vitin e kaluar për 14 territore të jashtme­—i cili përfshin qendrat financiare të ishujve britanike Virxhin dhe Kejman, për të krijuar regjistrues publik të pronarëve përfitues të ndërmarrjeve deri në fund të vitit 2023, me qëllim që të parandalohen kriminelët në larjen e parave të pista përmes ndërmarrjeve anonime jashtë vendit pavarësisht se do të ketë pasoja për agjentët e pasurive të parajsave përkatëse. Në Kejman, për shembull, si pasojë e stivimit të parave të pista nga oligarkitë e kohëve tona, është zhvilluar sektori i ndërtimit si asnjë herë tjetër, sepse ka shumë kërkesa për blerje banesash. Tashmë, rreth 50-60 për qind e ekonomisë buron nga shërbimet financiare: është vendbanimi me fondet gardhonjëse më popullore në botë. Çmimi mesatar i një shtëpie është 704,000 ndërsa në Monako (Francë) 5.9 milion dollarë. Thuajse gjithë vendbanimet dhe hotelet në bashkëpronësi janë zhvilluar në bregdet. Kështu mbetet të shihet se sa do ta dëmtojë ligji britanik ishullin përkatës kur t`i dërgojë firmat dhe individët në vend tjetër për biznesin e tyre.    

Çështjen e parajsave fiskale e kam shqyrtuar në vend tjetër[3] dhe kam treguar pse dhe si janë krijuar nga elitat perëndimore. Aktualisht BE-ja po përpiqet në disa fronte për të ndaluar oligarkët e popujve që fshehin fitimet jashtë vendit. Përpjekjes së saj i është bashkuar dhe Rusia e Putinit dhe Amerika e Obamës dhe Trampit aktualisht. Por është e qartë se në frontin e listës së zezë BE-ja dështoi kryesisht për shkak të shteteve anëtare. Hamendësisht, sepse gjithë oligarkitë evropiane fshehin fitimet që realizojnë në parajsat përkatëse. Për pasojë, qendrimi i qeverive europiane u përputh me synimin e BE-së: se lista nuk ishte hartuar përmes një “procesi të besueshëm dhe të tejdukshëm”.  

Qasja e BE-së është e njëjtë me qasjen e shtetit modern: si fillim krijon kushtet për qarkullimin e lirë të mallrave dhe kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve dhe oligarkitë përkatëse pastaj ndjek gjurmët e tyre. Në kushtet e globalizmit neoliberal kjo përpjekje bëhet e pamundur pavarësisht se vullenti politik ekziston në Bruksel, Uashington dhe Moskë: sepse oligarkitë ekonomike po zgjerohen në lindjen e largët (Kinë, Indi etj.) dhe ruajtja e parajsave fiskale do të shërbejë si për oligarkitë europiane ashtu dhe për oligarkitë aziatike që tashmë janë krijuar dhe në një fazë të mëvonshme, për oligarkitë afrikane…          



[1]Transatlantic tensions over dirty money, FT, Feb 21, 2019.

[2]US lashes out at Brussels over failed dirty money blacklist, FT, 01 March, 2019.

[3]Financa: nga statizmi në globalizmin neoliberal.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA