...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse Turqia po shkon drejt luftës me Greqinë?

Erdogani përballet me dy zgjedhje: ose të përshkallëzojë gjendjen dhe të realizojë objektivin e tij ose të pranojë humbjen dhe të vetësyrgjynoset në Rusi apo në ndonjë vend tjetër

Ylli Përmeti

03/09/2020 - 13:13

Gjatë muajit korrik, 2020, kur pandemia kishte pushtuar planetin; kur BE-ja u zhyt në depresion ekonomik; dhe kur Uashingtoni i Trampit kishte hequr dorë nga politikat neoliberale dhe grushtet e shtetit rreth botës dhe tregoi simpati ndaj Erdoganit, ky i fundit filloi të gërvishtte plagën e vjetër turke në brigjet perëndimore të vendit ku filloi të kërkonte burime energjitike në tabanin nënujor të detit por me një qëllim të mëtejshëm: të përparojë zgjerimin e hapësirës detare dhe në afatgjatë të realizojë ëndërrën e pararendësve të tij: rikrijimin e perandorisë otomane.

Duhet thënë se pushteti ushtarak i Turqisë është i konsiderueshëm por nuk është autonom—në kuptimin e prodhimit të armëve brenda vendit. Arsenali ushtarak turk varet nga Rusia dhe SHBA-ja. Erdogani, sidoqoftë, po përpiqet të pavarësohet në pushtetin ushtarak. Nuk do të ishte e çuditshme që të nxitojë dhe të kërkojë të njihet si fuqi rajonale dhe botërore: “U lodhëm me lojën e hijeve. Filloi të bëhet qesharake, hedhin poshtë një shtet që nuk ka perspektivë dhe e bëjnë parangall përpara Turqisë e cila është një fuqi rajonale dhe botërore”, argumentoi Erdogani ditët e para të shtatorit.

Përpara këtij argumenti Erdogani kishte kërkuar, sipas Die Welt, inskenimin e një episodi të nxehtë pa humbje njerëzore dhe kishte kërkuar pak ditë më parë nga ushtarakët e tij, ku shtohet se nëse do të varësh nga presidenti turk, armata detare e tij do të kishte zhytur një anije greke në Mesdhe prej kohësh. Por ushtarakët e tij refuzuan. Madje dikush propozoi të goditësh një avion grek. Por ushtarakët refuzuan edhe këtë propozim. Por dimë se kur ushtarakët refuzojnë urdhërin e presidentit, ata shkarkohen. Kaq ditë nuk kemi parë ndonjë shkarkim të ushtarakëve të tij të lartë.

Sidoqoftë, ditët e fundit kanë qarkulluar tezat e reja të “mendimtarëve” që mbështesin Erdoganin. Njëri është arkitekti i “Atdheut Blu”, Xhem Gyrdeniz, një admiral turk në pension, të cilin e përmendin dhe mediat greke. Sipas tij Mesdheu mes Greqisë dhe Turqisë duhet të ndahet në mes dhe Turqia nuk është në fillimet e shekullit të kaluar kur kishte falimentuar dhe nuk kishte fuqi ushtarake. Tashmë, sipas tij, ajo është shumë e fuqishme! Këtë besim bart dhe Erdogani dhe përgjithësisht populli turk pavarësisht zhvlerësimit të lirës turke dhe rënies së ekonomisë në përgjithësi. Në fund të fundit, kur presidenti beson ashtu siç beson, pas të cilit rendin opinionistët dhe “ekspertët” e establishmentit me përshtypjet e tyre, populli që jeton me përshtypjet e tyre dhe jo me fakte dhe dije sistemike, s`ka se si mos të besojë përrallën e presidentit, qeverisë dhe “ekspertëve” të tij.

Shkaqet e vërtetë të krizës turke: Ylli Përmeti i tregon në “Global Journals”

Siç kam treguar në studimin e parapublikuar në një qendër akademike në SHBA, “Global Journals”, dy vjet më parë, të cilin shtypi dhe universitetet tanë e çensuruan (duke treguar edhe një herë karakterin e tyre joshkencor dhe vasal, të kontrolluar nga klasa politike) ekonomia turke është tejet e brishtë dhe varet kryekëput nga perëndimi dhe veçanërisht nga Uashingtoni. Nëse ky i fundit përdor sanksione ndaj Turqisë dhe i paralelizon ato me sanksionet e BE-së, ekonomia turke do të dëmtohet edhe më shumë dhe tensionet e brendshme do të rriten. Erdogani dhe qeveria e tij është në dijeni të këtij fakti. Por nuk e ka shqetësuar: ose sepse beson se perëndimi nuk do të përdorë sanksione ose sepse po përgatiten për skanarin tjetër: shkëputjen e Turqisë nga perëndimi me luftë.

Në fakt, BE-ja ka vendosur disa sanksione dhe priten të reja nëse gjendja përshkallëzon. Por kemi dhe një ndryshim të rëndësishëm në Uashington krahasuar me kohën e Obamës: Trampi, megjithëse e ka kërcënuar me sanksione, nuk do të vendosë sanksione ndaj Turqisë ndërsa e konsideron Erdoganin si “lojtar shahu të klasit botëror”. Ky fakt i jep zemër Erdoganit. Kjo është një arsye se pse ai po përparon “projektin” e tij në Mesdhe. Por edhe sikur Trampi të ndryshojë qendrim —të vendosë sanksione— Erdogani do ta vazhdojë betejën e tij: sepse ai e di se nëse ai shkon në zgjedhje dhe Turqia drejtohet nga një qeveri properëndimore, me anëtarë të sektit “gylenist” apo të tjerë, ai do të arrestohet.

Kështuqë ai përballet me dy zgjedhje: ose të përshkallëzojë gjendjen dhe të realizojë objektivin e tij ose të pranojë humbjen dhe të vetësyrgjynoset në Rusi apo në ndonjë vend tjetër. Mirëpo varianti i dytë bart një efekt të dëmshëm për fëmijët e tij dhe jo vetëm—por për gjithë mbështetësit e tij. Kështuqë me siguri ai do të zgjedhë përshkallëzimin dhe përplasjen ushtarake. Nuk është e rastit që disa parakushte i ka krijuar. Njëri ka karakter sistemik: orientimi i ekonomisë turke—ai është ekstrovert siç është orientimi i ekonomisë së vendeve perëndimore, Kinës, Japonisë etj. Ky karakter ekonomik është rezultat i politikave neoliberale të cilat Turqia filloi t`i zbatonte që në vitet `80 kur marrëdhëniet me perëndimin ishin të mira. Këto janë politika që filloi t`i përdorte Uashingtoni dhe Londra në vitet `80 dhe më pas filloi dhe BE-ja.

Me këtë parakusht Turqia mund të vazhdojë ekspansionin e saj ekonomik në rajon. Nuk është e rastit që “mendimtari” i “Atdheut Blu” beson se Turqia duhet krijojë baza ushtarake jashtë vendit duke përfshirë dhe Shqipërinë, për të ruajtur interesat e saj ekonomike—domethënë, për të ruajtur ndërmarrjet dhe tregëtarët turq në rajon. Një parakusht tjetër është subjektiv ose shoqëror. Për shembull, kinematografia atje po bind popullin turk se ai është i veçantë (trim etj.), kryesisht me filmat e Sulltanëve, të cilët, për më shumë, nuk po kritikohen nga kritikët. Disa të tjerë po krijohen. Për shembull, se Turqia ka të drejtë të pushtojë tokat që pushtuan pararendësit.

Për të realizuar objektivin e tij dhe për të mënjanuar mundësinë e përfshirjes së NATO-s në konflik, Erdogani do të luajë si fillim me zonën e diskutueshme (poshtë Kastelorizos) ku do të shtyjë ose detyrojë palën greke të qëllojë e para. NATO-ja, në fakt, nuk mund të përfshihet edhe për një arsye tjetër: sepse qendrimi i Uashingtonit është i “distancës së barabartë” (“arm`s length”) mes palëve ndërsa me NATO-n nuk i ka raportet dhe aq të mira. Mbetet përfshirja e Francës duke mbështetur Greqinë. Sidoqoftë, gjykuar nga fakti se arsenali ushtarak grek është i pakët krahasuar me arsenalin turk, është e qartë se lufta do të jetë e shkurtër, me Greqinë humbëse. Ka zgjidhje tjetër kjo mosmarrëveshje? Po nëse përdoret e drejta ndërkombëtare: domethënë, shkojnë vendet në gjykatën ndërkombëtare për të zgjidhur pretendimet e tyre. Erdogani, sidoqoftë, ka zgjedhur presionin, ndoshta sepse beson se do të humbasë në gjykatë. Kjo përplasje do të detyrojë BE-në të rishikojë NATO-n që me siguri do të shpërbëhet... 

Duhet thënë se Turqia ka ngritur disa baza ushtarake jashtë vendit. Në vitin 2017 ngriti dy baza ushtarake: një në Katar, ku ka çuar 5,000 ushtarë kur shpëtoi vendin përkatës nga izolimi mbytës i Arabaisë Saudite dhe aleatëve të saj, dhe një në Mogadisu të Somalisë, e cila i dhuroi Turqisë shkeljen e parë në ushtrinë afrikane. Në të njëjtin vit realizoi një marrëveshje me Omar al Basir të Sudanit—një udhëheqës që është shkishëruar nga komuniteti ndërkombëtar, i akuzuar për krime lufte— i cili do të lejonte Turqinë të merrte me qera për 99 vjet ishullin Suakin, duke i ofruar bazën në Detin e Kuq. Kohët e fundit Turqia synon depërtim ekonomik por dhe ushtarak në vendet e Afrikës Nënsahariane me interes të veçantë francez si Nigira dhe Çadi. Ashpërsimi dramatik i raporteve mes Parisit dhe Ankarasë—si zbarkimi i aeroplanmbajtjes “Sharl de Gol” në zonën e diskutueshme mes grekëve dhe turqve lidhet kryesisht me frontin afrikan dhe më pak me Egjeun.  Janë pikërisht bazat ushtarake dhe ekspansioni ekonomik turk që e bën Erdoganin të besojë se është fuqi rajonale dhe botërore.

Lexo dhe këtë:       

Ylli Përmeti - Dikotomia ushtarake mes Rusisë-Turqisë dhe Amerikës-Greqisë dhe alternativat e Erdoganit          

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA