...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rifat Blaku kundër Vuk Drashkoviçit: e kujt është Kosova?

Debati ishte nxehur kur përkundër marrëveshjes që të mos bisedohet se e kujt është Kosova, Drashkoviçi me tiradën e tij epike, me mite e gënjeshtra filloi të mbrojë interesat nacionale serbe në Kosovë. Fjalët e tij shkrepin xixa kërcënimi. Si mjeshtër i lojës me fjalë, në stilin e tij letrar, me figura e metafora, ishte shprehur: “Për serbët Kosova nuk është vetëm mit, epi ynë, nuk është vetëm mbamendje jonë, por Kosova është religjioni ynë suprem.

Adil Fetahu

31/10/2018 - 13:42

- E kujt është Kosova?

-Çka është Kosova për Serbët, e çka për Shqiptarët?

-A do ta “mbulojë” shajkaça plisin, apo mund të bashkëjetojnë të dyja?

Këto janë disa nga titujt dhe theksimet e gazetës “Borba” të Beogradit, kur raportonte nga bisedimet e zhvilluara në një “Tryzezë të rrumbullakët”, mbajtur në Redaksinë e asaj gazete, në janar të vitit 1992. Sipas raportimit të gazetës, ishte Veton Surroi që kishte nxitur bisedimet mes opozitës serbe dhe asaj shqiptare, për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ishte menduar që takime të tilla të mbahen në Redaksinë e “Borbës” në Beograd dhe në Redaksinë e “Bujkut” në Prishtinë. Mirëpo, Redaksia e “Bujkut” thoshte se nuk është konsultuar lidhur me Tryzën, prandaj nuk kishte pranuar organizim të takimit në Prishtinë.

Në takimin e mbajtur në Redaksinë e “Borbës”, morën pjesë: Veton Surroi e Rifat Blaku (Partia Parlamentare), Shkelzen Maliqi (Partia Socialdemokrate), Gazmend Pula (Forumi i Helsinkit), Vuk Drashkoviçi (SPO), Radosllav Stojanoviçi (DP), Nebojsha Popov (UJDI), Vesna Peshiq (SRS) dhe Dragan Veselinov (SSS).

“Borba” e 9 janarit 1992, shkruante: “Akulli u thye, përfaqësuesit e opozitës serbe dhe asaj shqiptare (sic!), u takuan në “Borba” dhe mbajtën takimin e parë nga seria e takimeve të ardhshme, në temën e çështjes më të ndieshme serbe – Kosovën. Më kryesorja është se përfaqësuesit e opozitës serbe dhe asaj shqiptare u pajtuan, para fillimit të takimit, që tashpërtash të mos flasin se e kujt është Kosova, por të bisedojnë për rregullimin e marredhënieve në Kosovë dhe krijimin e demokracisë në tërë Serbinë”.

Biseda kishte filluar me tone të qeta. Në fillim, Veton Surroi kishte propozuar që tema e parë e bisedës të jetë “Interesi i Serbëve dhe i Shqiptarëve në Kosovë”, të bëhet regjistri (katalogu) i të gjitha pajtimeve dhe mospajtimeve të të dy palëve dhe interesi i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Shkelzen Maliqi ishte shprehur pesimist sa i përket mundësisë së një marrëveshje historike midis dy popujve, por kryesorja, sipas Maliqit, ishte: A mund të parandalohet konflikti dhe të dilet nga “balta e gjallë” në të cilën jemi zhytur? Dragan Veselinov konsideronte se Kushtetuta e Serbisë është burimi i konfliktit politik, së pari duhet të gjendet çelësi i ndaljes së luftës, të pranohet Serbia si shtet i pavarur dhe të hiqet gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë. Me tone jo shumë provokative ishin paraqitur edhe pesëmarrësit e tjerë të opozitës serbe: Radoslav Stojanoviç e Vesna Peshiq. Edhe Vuk Drashkoviçi fillimisht e kishte nisur bisedën me kërkesën që shqiptarët të bashkohen për rrëzimin e regjimit të Millosheviçit (në zgjedhje), dhe pastaj Serbia do t’iu garantojë shqiptarëve të drejtat kulturore dhe qytetare. Sipas Drashkoviqit, vetëm biseda për shkëputjen e Kosovës nuk vjen në konsiderim, sepse “për Serbët, Kosova është religjion suprem”!. Rifat Blaku,menjëhrë iu kundërvu tezës së Drashkoviçit, duke thënë se “Kosova edhe për Shqiptarët është gjithashtu një lloj besimi, mendjeje dhe zemre”, por tashpërtash më urgjente është ndalja e represionit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, ngaqë thirrja në histori vetëm e thellon konfliktin.

Debati ishte nxehur kur përkundër marrëveshjes që të mos bisedohet se e kujt është Kosova,  Drashkoviçi me tiradën  e tij epike, me mite e gënjeshtra filloi të mbrojë interesat nacionale serbe në Kosovë. Fjalët e tij shkrepin xixa kërcënimi. Si mjeshtër i lojës me fjalë, në stilin e tij letrar, me figura e metafora,  ishte shprehur: “Për serbët Kosova nuk është vetëm mit, epi ynë, nuk është vetëm mbamendje jonë, por Kosova është religjioni ynë suprem. Njegoshi  kurrë nuk ka qenë në Kosovë, por tërë kohën e ka vajtuar Kosovën. Daja im (?) kurrë s’ka qenë në Kosovë, por betimin kryesor e kishte: pasha plagën e Kosovës. Serbët janë popull që kohën nuk e llogarisin me thëniet: para ose pas Krishtit, por prej Kosovës dhe para Kosovës (aludon në Luftën e Kosovës, 1389,- a.f.).  Dhe kur është kështu, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në definimin e interesave nacionale serbe dhe duhet të llogarisim në këtë fakt, i cili nuk ka çmim, i cili nuk mund të mbulohet as të zvogëlohet me kurrëfarë të dhëna statistikore për numrin e banorëve të Kosovës. Cili, pra, është interesi nacional serb në Kosovë?

Para së gjithash, si popull dhe si shtet, të mos e humbim Jerusalemin tonë.  Nuk jemi vetëm ne serbët që kemi mitet tona. Rusët e kanë Vlladimirskaja-n, Spanjollët e kanë Toledon, Hebrejtë e kanë Jerusalemin, Italianët e kanë Piemontin.  Prandaj, në të gjitha bisedimet tona duhet ta respektojmë këtë fakt, se pala serbe kurrë nuk mund të pajtohet që si shtet – ta humbë Kosovën, atë Jerusalem tonin, atë Kosovë ashtu siç është. Edhe sikur asnjë serb të mos mbetet aty, serbët kurrë nuk do të heqin dorë prej Kosove (…) Harta e Kosovës është si qielli, në të cilin kishat dhe manastiret serbe janë yje. Një territor e përcakton edhe ajo se kujt i përket në aspektin shpirtëror, kulturor, sa kisha e manastire ka, të kujt janë toponimet, emrat e kujt i mbajnë lumenjtë, malet, fshatrat, lagjet”. Në këto tirade, Blaku ndërhyn: “E çka ishin para kësaj”, por Drashkoviçi nuk ka përgjigje, veçse vazhdon me të veten, e thotë: “Por, njëkohësisht, është interes nacional serb që me popullsinë shumicë shqiptare të jetojë në paqe, të civilizuar, bashkarisht, pa dhunë, në demokraci, me respektimin maksimal të të gjitha të drejtave civile dhe nacionale, zakoneve, kulturave nacionale të të dy popujve. Po si të arrihet kjo?Para së gjithash, me heqjen dorë të shqiptarëve nga secesioni, dhe heqjen dorë të serbëve nga ambicja se tanket mund ta zëvendësojnë dialogun dhe demokracinë, dhe se mendja është më e dobët se plumbat. Duhet të bëjmë çmos, të mos ndodhë apokalipsi. Prej gjithë kësaj del se tri gjëra janë më të rëndësishme: demokracia, demokracia dhe (vetëm) demokracia”, - përfundon fjalën e tij, me lojë fjalësh, adhuruesi më i flakët i kryeçetnikut Drazha Mihajlloviç.

Reagimin e tij ndaj fjalës së Drashkoviçit, profesori Rifat Blaku e fillon me pyetjen: “A të debatojmë sinqerisht se si ta tejkalojmë situatën në të cilën gjendemi, apo duam me këmbëngulje të mbrojmë secili pikëpamjet e veta, pa marrë parasysh sa kanë ato bazë shkencore, apo sadopak të pranueshme për palën tjetër? Një korrektësi minimale paraqet premisë themelore për një dialog sadokudo të barabartë. Njerëzit e ditur e  shikojnë të kaluarën për të nxjerrë mësime pozitive për të ardhmën, për të ndërtuar të ardhmën më të mirë e më të drejtë, e kurrësesi me dofarë “faktesh” të projektohen idetë për të ardhmen, sepse këto shpien në egoizëm nacional, këtu e gjithnjë, gjë që përpjekjet demokratike të Europës këtë nuk e pranojnë. Më duhet të shpreh mospajtimintim me zotëri Drashkoviçin kur thotë se Kosova për serbët nuk është vetëm ep, religjion suprem, Jerusalem. Historia nuk fillon në Mesjetë, ndërsa ai që gjithnjë e thekson atë, si primat kronologjik sipas tij, nuk mund të injorojë as periudhën antike. Sepse, nëse dikush fillon nga e drejta historike, nuk duhet të harrojmë me këtë rast se Shqiptarët, pasardhës të Ilirëve, pra më përpara se sllavët ishin në territorin për të cilin po bisedojmë.  Populli shqiptar ka prejardhjen nga popujt e vjetër të Ballkanit, pra të popujve antik. Prandaj, teza për Kosovën si tokë e shenjtë serbe, si djep serb, vetvetiu flet për njëfarë pasigurie.  Historianët më të njohur serbë, vërtetojnë se elemnti serb në Kosovë është vendosur në shekullin 13 e 14, sidomos në kohën mbretit Dushan, por kurrë nuk ka qenë popull shumicë i Kosovës.  Po e them këtë, sepse  duhet të çliroheni nga mitologjia mesjetare, ngaqë në Europën e sotme nuk shkohet me mitologji. Propaganda serbe në dhjetë vjetët e fundit e ka pru gjendjen në të cilën jemi sot. Prandaj, po ia kujtoj zotëri Drashkoviçit, se Kosova edhe për shqiptarët, ndoshta është edhe më tepër se zemra, se mendja, se pasuria, se mbamendja.  Dhe nëse duam të hyjmë në histori, për çfarë nuk insistoj, jo se ne shqiptarëve nuk na konvenon, përkundrazi, por nëse shkojmë asaj rruge, atëherë po ia kujtoj se djepi i popullit serb në Ballkan, nuk është Kosova, por Rashka. Mjerisht, serbët dhe malazezët në Kosovë, veçmas ekstremistët, të cilët janë në pozita udhëheqëse në hierarkinë politike, disa vjetëve të fundit sikur ia kanë caktuar vetes rolin që kishin dikur gjermanët suedetë, apo folksdojçerët e Vojvodinës në prag të Luftës së Dytë Botërore. Këta, po i shërbejnë si dorë e zgjatur politikës ekspansioniste serbe për okupimin e plotë të Kosovës, të popullsisë së saj, të Shqiptarëve, që jetojnë aty në mënyrë të pandërprerë shekuj me radhë. Ju lutem, të mos merremi me histori sipas kërkesave ditore të kësaj apo asaj politike.  Të bisedojmë konkretisht se sa është e gatshme sot  opozita serbe të flasë për terrorin shtetëror që po ushtrohet mbi popullin shqiptar”, përfundon fjalën e tij profesor Blaku.

Pas kësaj, ishte zhvilluar edhe nje polemikë e drejtpërdrejt midis Blakut e Drashkoviçit lidhur me kishat dhe xhamitë. “Kjo filozofi e juaj, për kishat dhe xhamitë, bie ndesh me pjesën tjetër  të mendimit tuaj për demokraci, liri, barazi. Sipas kësaj logjike, Turqia do të duhej tash të shtrojë çështjen e territorit, ngaqë në Beograd ka pasur mijëra xhami”, ka thënë Blaku (ka pasur disa qindra, e jo mijëra, v.j.).  Në pyetjen e Drashkoviçit: “A mendoni se është zgjidhje shkëputja e Kosovës nga Serbia”,  Blaku i është përgjigjur: “Nuk ka asgjë të përjetshme. Në asnjë dokument ndërkombëtar nuk  shkruan, se nuk mund të ndryshohen kufijtë me marrëveshje. Nuk di a do të jetë Kosova republik, apo ndoshta Shqipëri, siç nuk e di se çfarë do të jetë Serbia”, është përgjigjur Blaku.

* * *

Ndonëse në fund të takimit ishte konkluduar se dialogu duhet të vazhdojë, duket se dialogu i nxitur midis opozitës serbe dhe përfaqësuesve të (partive politike) shqiptarëve,  ka përfunduar me atë tryezë, jo vetëm për shkak se Redaksia e gazetës “Bujku” nuk kishte pranuar të jetë organizuese e tryezës në Prishtinë, por më tepër për shkak se u pa që pikëpamjet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës janë të papajtueshme midis dy palëve. Dhe, si mund të arrihet pajtimi me pikëpamjet hegjemoniste, si ajo që thotë Drashkoviçi: “Edhe sikur të mos mbetet asnjë serb atje, serbët dhe Serbia kurrë nuk do të heqin dorë nga Kosova”! Dhe këtë pretendim e mbështetë në mite e gënjeshtra, për një periudhë të kaluar nga Mesjeta. Drashkoviçi, dhe drashkoviçët e tjerë, nuk janë aq budallenjë, sa të mos e dijnë se territoret e shteteve në Europë janë dryshuar vazhdimisht gjatë gjithë kohës, deri këto të fundit me rënien e Jugosllavisë. Serbia Kosovën e ka pushtuar me luftë në vitin 1912, dhe e ka lëshuar poashtu me luftë në vitin 1999. Sipas logjikës së “drashkoviçëve”, Turqia do të duhej të kërkonte Rumelinë, Austria të kërkonte gjysmën e Europës, Spanja do të mund të kërkonte Hollandën, ndërsa Maroku do të mund ta kërkonte gjysmën e Spanjës. Nëse kishat mesjetare serbe, edhe ato shqipare të përvetësuara si serbe, mund të jenë argument i “tapive” serbe mbi Kosovën, atëherë edhe xhamitë në Servile e Kordobë “janë argumente” të tapive arabe mbi Spanjen! Se çka ishte në Mesjetë, sot nuk mund t’i shërbejë askujt  si argument për pretendime territoriale.  Kufijtë, regjimet, sundimtarët dhe struktura e popullsisë janë ndërruar shumëherë në kohë, herë spontanisht e herë me dhunë, siç ka vepruar Serbia në Kosovë prej vitit 1912. Në asnjë mënyrë, as e kaluara as e tashmja nuk mund t’i shërbejë Serbisë si argument për pretendimet për asnjë pëllëmbë tokë të Kosovës, përveç disa fshatrave të Leposaviçit, të cilat i janë bashkuar Kosovës në vitin 1961, për qëllime politike, për të shtuar sadopak numrin e popullsisë serbe në Kosovë. Vetëm për atë pjesë do të mund të bëhej “korrigjimi i kufirit”, të cilin e kanë nxitur Thaçi e Vuçiçi.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA