...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shkeljet e rënda kushtetuese të Metës dhe kërcënimi me burg

Gjykata Kushtetuese mbeti me një anëtar nga nëntë që duhet të kishte, pas rivlerësimit të pesë anëtarëve të saj që zgjati 10 muaj: sepse tre u dorëhoqën­—dy prej tyre pas përfundimit të mandatit dhe njëri për arsye personale

Ylli Përmeti

24/07/2019 - 10:02

Gjatë fazës së parë të zbatimit të reformës në drejtësi, 2016-2019, opozita dhe Meta vepruan në dy fronte­ për ta minuar atë­: me qendrime institucionale dhe protesta. Që të dy frontet janë të karakterit politik, sepse vepruan për hir të pushtetit politik dhe jo për hir të vërtetave politike. Në nivel institucional, ata përdorën më shumë mungesën e Gjykatës Kushtetuese, të cilën e lidhin me qeverinë “Rama”: ndërsa me protestat rrugore zvarritën krijimin e komisionit të kualifikimit, me protestat institucionale pështjelluan opinionin publik — bashkë me opinionistët dhe demagogët e establishmentit kundër të cilëve vendosen opinionistët dhe demagogët e qeverisë “Rama”, të cilët nuk kanë treguar asnjë herë të vërteta më bindëse se kundërshtarët e tyre politikë.

Për të realizuar objektivin e pështjellimit opozita shfrytëzoi dhe mungesën e citimit nga Kushtetuta e re, se nga do të fillonte reforma, kur dihet se nuk kërkon shumë mend për të kuptuar se nga do të fillonte reforma përsa kohë që ajo synon rikualifikimin e sistemit të drejtësisë me qëllim luftimin e korrupsionit në institucione. Pa krijimin e komisionit të kualifikimit, rrjedhimisht, reforma nuk mund të fillonte. Për të penguar krijimin e komisionit të kualifikimit opozita u hodh në protestë rrugore. Por presionet e të huajve i detyruan të krijonin marrëveshje me Ramën, pas të cilës filloi dhe reforma të merrte udhë.

Por le t`i marrim argumentet një dhe nga një dhe t`i shqyrtojmë në dritën e drejtësisë.

Argumenti që përdor Meta se Rama bllokoi punën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përgjatë vitit 2017-18 dhe për pasojë krijimin e Gjykatës Kushtetuese,[1] është i vërtetë vetëm nëse e shikojmë nga perspektiva e presidentit —domethënë, nga e drejta e tij për të përzgjedhur me short anëtarët e këshillit, sipas Kushtetutës, dhe nga fakti se vetë Rama u shpreh kundër anëtarëve të këshillit përkatës, sepse sipas tij ata ishin të korruptuar. Në fakt, Meta kërkonte në të drejtën e tij kushtetuese, të kontrollonte Gjykatën Kushtetuese duke përdorur dhe ministrin e drejtësisë, Manjanin e LSI-së. Përmes tij dhe jo vetëm ai kërkonte të ‘infiltronte’ anëtarët e Këshillit të Emërimeve dhe këta me radhë të ‘infiltronin’ anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Por pa komisionin e kualifikimit gjykatësit e rinj nuk mund të ushtronin detyrën sepse nuk kishin kaluar kualifikimin. Kjo është arsyeja pse u pranua nga establishmenti politik operacioni ndërkombëtar i monitorimit (ONM-ja) dhe fuqitë u përqendruan te krijimi i komisionit të kualifikimit pas protestës disa mujore të opozitës (2017). Për pasojë, Gjykata Kushtetuese mbeti me një anëtar nga nëntë që duhet të kishte, pas rivlerësimit të pesë anëtarëve të saj që zgjati 10 muaj: sepse tre u dorëhoqën­—dy prej tyre pas përfundimit të mandatit dhe njëri për arsye personale.[2]

Gjykuar nga ky fakt, kuptohet se shumica e anëtarëve të saj kanë qenë të korruptuar. Ndërsa “nga kandidatët e përzgjedhur me short për KED-in për vitin 2017-2018, vetëm tre kaluan me sukses vetingun, dy prej tyre me vendim të formës së prerë”! Krijimi i KED-it u mundësua vetëm në fund të vitit 2018-të kur kandidatët kaluan kualifikimin. Por këtë herë shorti u zhvillua sipas Kushtetutës në Kuvend dhe jo në presidencë. Për pasojë, procesi u kundërshtua nga Meta dhe opozita: sepse sipas tyre “ishte në kundërshtim me ligjin hedhja e shortit në kuvend”...kur Kushtetuta citon se “nëse presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik”!

Akuza e Metës dhe opozitës, rrjedhimisht, se ishte qeveria “Rama” ajo që pengoi reformën në drejtësi dhe shkatërroi Gjykatën Kushtetuese, është kryekëput e padrejtë: sepse reforma në drejtësi fillon me rikualifikimin e njerëzve që përfshihen në të dhe jo me krijimin e institucioneve pa kaluar nga kualifikimi.

Argumenti se ishte presioni që ushtroi Rama dhe kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja që bllokoi funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Gjykatës Kushtetuese për dy vite rrjesht, sepse “vetëm kështu nuk kishte se kush t`i kontrollonte vendimarrjet antikushtetuese që [Rama] realizoi me ligjin antikushtetues për “Shembjen e Teatrit Kombëtar; Kontratat Konçesionare anti-kushtetuese të PPP-ve të miratuara nga qeveria; vendimet e Këshillit të Ministrave, të marra në kundërshtim të hapur me kushtetutën dhe me interesat e shtetasve shqiptarë”, shpërnjeh pikërisht fillimin e reformës dhe përpjekjet e Metës dhe opozitës për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe penguar reformën në drejtësi. Kështu, sipas Metës, pa gjykatë kushtetuese nuk kishte ku të ankohej as opozita, as presidenti dhe as grupet e interesit dhe qytetarët për shkeljet kushtetuese të qeverisë dhe kuvendit!

Rama, në fakt, thjesht shfrytëzoi mungesën e Gjykatës Kushtetuese për të realizuar politikat e tij kriminale, të cilat nuk ndryshojnë shumë nga politikat kriminale të qeverisë Berisha-Meta.

Ky proces dhe këto obstruksione çuan në shfrytëzimin e mungesës së Gjykatës Kushtetuese pikërisht nga Meta këtë herë: duke zhdekretuar zgjedhjet në kundërshti me kushtetutën. Nuk është e vështirë të ketë menduar se “meqënse mungon Gjykata Kushtetuese dhe përgjegjës është bërë Rama...mund të marr çdo lloj vendimi që pengon refomën dhe ndihmon opozitën”. Për të përligjur vendimin e tij ai përdori “krizën” politike, se ajo mund të çonte në përplasje civile dhe për pasojë përdori parime të tjerë të kushtetutës. Kështu filloi dhe procesi i shkarkimit të tij nga qeveria. Por pavarësisht këtij fakti, ai sërish po e përdor mungesën e Gjykatës Kushtetuese, sepse është ajo që çertifikon procesin e shkarkimit të tij nga qeveria (Neni 131, dh).

Duke shpërnjohur gjithë këta veprime, presidenti nuk ngurroi të shprehte me rastin e tre-vjetorit të fillimit të reformës në drejtësi (22 korrik 2019), se ndihësh “krenar që 3 vjet më parë, në detyrën e Kryetarit të parlamentit, kishte këmbëngulur për miratimin me konsesus të plotë të Reformës në Drejtësi për të mos lejuar kapjen e sistemit përmes ndryshimeve kushtetuese”!

Le t`i kthehemi tani argumentit se zhdekretimi i zgjedhjeve nga presidentit ishte drejtë, në përputhje me kushtetutën dhe fjalën e fundit për përputhshmërinë e vendimit të tij e ka Gjykata Kushtetuese. Në këtë rast, gjykata do të lexojë Kushtetutën, se nëse presidenti ka të drejtë të zhdekretojë zgjedhjet, që nuk e ka, dhe do të konsiderojë qendrimet e palëve në mosmarrëveshje: opozita thotë se Meta ka të drejtë t`i zhdekretojë zgjedhjet ndërsa qeveria jo. Por gjykata nuk do të mjaftohet me kaq: ajo do të shqyrtojë dhe qendrimet e Metës se nëse bien ndesh me Kushtetutën—qendrime që paraqiten nga qeveria “Rama”. Kjo e fundit do të shfrytëzojë dhe argumentet e parashtruar në këtë shqyrtim dhe rrugë të tjera hetuese për të fajësuar Metën për shkelje të kushtetutës dhe pengim të reformës në drejtësi: sepse Meta ka kryer shkelje të karakterit politik dhe juridik: ai ka bashkëpunuar ngushtë me opozitën gjatë protestave të saj, si në prapaskenë ashtu dhe në lëvizjet dhe qendrimet e tij publike.

Qëllimi ka qenë gjithnjë pengimi i reformës në drejtësi. Për të gjitha këto, ka fakte, shumë të papublikuara (disa lëvizje janë publikuar ndërsa qendrimet e tij publike janë të publikuara). Shërbimet inteligjente zotërojnë plotë fakte të karakterit ‘prapaskenik’ dhe mund t`ia kanalizojnë qeverisë (akuzës) kur kjo e fundit t`i dëshirojë. Këto janë shkelje tejet të rënda dhe jo thjesht të rënda. Pas shkarkimit, Meta do të përpiqet të “rehabilitojë” veten përmes partisë së tij. Por gjatë të njëjtës fazë do të ketë filluar punë Spak-u dhe kryetarët e partive kryesore janë të parët në listën e hetimeve...



[1]Meta: Jas i Ramaforma e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese, Top Channel, 16/07/2019.

[2]Shkëlqimi dhe rënia e Gjykatës Kushtetuese, Top Channel, 25/05/2019.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA