...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si do ta shndërrojë ‘Amerika e Para’ botën në 2025?*

Në mënyra të ndryshme, SHBA-ja, Rusia dhe Kina janë bërë fuqi revizioniste që po kërkojnë ndryshim rrënjësor të status quo-së

Gideon Rachman

05/01/2025 - 08:40

Përurimi i Donald Trampit si president i SHBA-së do të bëhet më 20 janar, në të njëjtën ditë me hapjen e Forumit Ekonomik Botëror (FEB) në Davos. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, takimi vjetor i Davosit - i cili mbledh së bashku udhëheqës tregtarë dhe politikë nga e gjithë bota - është bërë një simbol i globalizimit të drejtuar nga elita. Por Trampi është një armik i betuar i asaj që ai e quan “globalizëm”. Pushuesit në Davos nxisin tregtinë e lirë; Trampi thotë se “tarifa” është fjala e tij e parapëlqyer. FEB organizon forume të panumërta për bashkëpunimin ndërkombëtar; Trampi beson në nacionalizmin “Amerika së Pari”. Për tre dekada, fuqitë e mëdha të botës përqafuan gjerësisht botëkuptimin e Davosit. Kjo ishte një periudhë kur ndërvarësia ekonomike mbyti rivalitetet gjeopolitike. Trampi, presidenti Shi Jinping i Kinës dhe presidenti Vladimir Putin i Rusisë kanë folur të gjithë në Forumin Ekonomik Botëror në të kaluarën.

Por tani, në mënyra të ndryshme, SHBA-ja, Kina dhe Rusia janë bërë të gjitha fuqi revizioniste që po kërkojnë ndryshim rrënjësor në rendin të tanishëm botëror. Kur Putini filloi një pushtim të plotë të Ukrainës në vitin 2022 […], ai flijoi lidhjet ekonomike të vendit të tij me perëndimin në dobi të vizionit të tij për madhështinë ruse. Kina e Shisë është bërë më nacionaliste dhe më kërcënuese në sjelljen e saj ndaj Tajvanit. Dhe Trampi po kërkon ndryshime thelbësore në sistemin ndërkombëtar të tregtisë dhe në marrëdhëniet e Amerikës me aleatët e saj. Nuk është fare për t`u habitur që Rusia dhe Kina po kërkojnë ndryshime në rendin botëror. Rusia është një ish-superfuqi që po përpiqet të rindërtojë ndikimin e saj të humbur. Kina është një superfuqi në rritje që dëshiron që bota t`i përshtasë ambiciet e saj. Është revizionizmi amerikan ai që është edhe më i çuditshëm dhe më i gjerë në pasojat e tij.

SHBA-ja është ende vendi më i fuqishëm në botë dhe ekonomia më e madhe në botë. Dollari është monedha rezervë e botës dhe sistemi i aleancës amerikane mbështet sigurinë e Evropës, Azisë dhe Amerikës […]. Nëse SHBA-ja është e ndërgjegjshme për të rimenduar rrënjësisht zotimet e saj ndërkombëtare, atëherë e gjithë bota do të duhet të përshtatet. E megjithatë kjo duket se po ndodh. Sipas John Ikenberry nga Universiteti Princeton, një teoricien kryesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, “një shtet revizionist ka mbrritur në skenë për të kundërshtuar rendin ndërkombëtar liberal…janë Shtetet e Bashkuara. Është Trampi në Zyrën Ovale, zemra rrahëse e botës së lirë.” Siç e sheh Ikenberry, Trampi është i gatshëm të kundërshtojë “thuajse çdo element të rendit ndërkombëtar liberal – tregtinë, aleancat, migrimin, multilateralizmin, solidaritetin mes demokracive, të drejtat e njeriut”. Si pasojë, në vend që të mbështesë status quo-në ndërkombëtare, SHBA është gati të bëhet prishësi kryesor. “Çdo bisedë që kam bërë ndonjëherë mbi rreziqet gjeopolitike me të cilat përballemi në botë filloi me Kinën dhe Rusinë,” thotë Ivo Daalder i Këshillit të Çikagos për Çështjet Botërore. “Por rreziku më i madh jemi ne. Është Amerika.” Aleatët tradicionalë të Amerikës janë ndër vendet që ndihen më të kërcënuar nga një ndryshim në mënyrën se si SHBA-ja ushtron pushtetin e saj. Demokracitë e fuqisë së mesme si Britania e Madhe, Japonia, Kanadaja, Koreja e Jugut, Gjermania dhe e gjithë BE-ja janë mësuar me një botë në të cilën tregjet amerikane janë të hapura – dhe SHBA-ja ofron një garanci sigurie kundër fuqive kërcënuese autoritare.

Por Trampi po premton të vendosë tarifa ndaj aleatëve më të afërt të Amerikës dhe ka vënë në pikëpyetje garancitë e sigurisë së SHBA-së – përfshirë nenin 5 të NATO-s, klauzolën e saj të mbrojtjes së ndërsjellë […]. Në një rast famëkeq këtë vit, presidenti i zgjedhur vuri në dukje se ai do ta linte Rusinë “të bënte ç`dreqin dëshironte” me vendet e NATO-s që nuk arritën të përmbushnin zotimet e tyre të shpenzimeve për mbrojtjen. Kërcënimi i paraqitur nga Trampi për interesat aleate tashmë po çon në debate të dhimbshme në disa nga vendet që ai synon. Kur Chrystia Freeland dha dorëheqjen si ministre e financave të Kanadasë këtë muaj, ajo akuzoi Justin Trudeau, kryeministrin, për dështimin e njohjes së “sfidës së rëndë” të paraqitur nga “nacionalizmi ekonomik i ashpër” i Amerikës, duke përfshirë një kërcënim tarifash prej 25 për qind. Kanadaja, këshilloi ajo, duhej të mbante barutin e saj fiskal të thatë për t`u përgatitur për një “luftë tarifore të ardhshme”. Pyetja nëse dhe si t`i përgjigjemi tarifave të Trampit është duke ushtruar mendjen diplomatike në të gjithë botën perëndimore. Gjetja e një përgjigjeje është edhe më e vështirë sepse synimet e vërteta të Trampit mbeten të paqarta. Kuptohet më mirë ish-presidenti dhe presidenti i ardhshëm si një marrëveshës? Apo është ai një revolucionar - synon të hedhë në erë sistemin, çfarë mund të ndodhë? Përgjigja fillestare e BE-së do të jetë të shpresojë se kërcënimet tarifore të Trampit janë thjesht një taktikë negociuese – dhe se një marrëveshje e arsyeshme mund të arrihet, shumë përpara se të shpërthejë një luftë e përgjithshme tregtare. Por nëse Trampi vazhdon me tarifat e tij të kërcënuara për një periudhë të zgjatur, Brukseli ka të ngjarë të përgjigjet.

Aleatët e tjerë amerikanë si Britania dhe Japonia mund të përgjigjen ndryshe. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të shpresojë se administrata “Tramp” do ta kursejë atë nga tarifat, ndoshta sepse SHBA-ja ka një tepëricë të vogël tregtare me MB. Edhe nëse Britania goditet, thellësia dhe rëndësia e marrëdhënieve të sigurisë mes Londrës dhe Uashingtonit do ta bëjnë çdo qeveri të Mbretërisë së Bashkuar të mendojë shumë përpara se të hyjë në një luftë tregtare me SHBA-në. Japonia, e cila ka një tepëricë të madhe tregtare me SHBA-në, është një shënjestër e mundshme shumë më e dukshme për tarifat e Trampit. Por zyrtarët japonezë mendojnë se nuk ka gjasa që Tokio të kundërpërgjigjet. Ashtu si britanikët, japonezët do të ishin shumë ngurrues për të bërë çdo gjë që tundonte një udhëheqje Trampiste për të vendosur garancitë e sigurisë amerikane në tryezë – si çipi i radhës i Uashingtonit në një negociatë. Nevoja që aleatët e Amerikës të balancojnë përparësitë tregtare dhe sigurinë kombëtare pasqyron faktin se nuk është vetëm rendi ekonomik botëror ai që është në sfidë. Në Evropë dhe Azi, balanca e vendosur e fuqisë është gjithashtu nën kërcënim. Kur bëhet fjalë për sigurinë, Rusia dhe Kina janë revizionistët më të rrezikshëm – sepse janë kombet që kërkojnë ndryshime në kufijtë ndërkombëtarë dhe rregullime të rendit botëror dhe rajonal të sigurisë […].

Si Putini ashtu edhe Shija shohin qartë mundësitë në gjendjen e tanishme botërore. Në një fjalim të fundit në mbledhjen e Brics në Rusi, Shija përshëndeti shfaqjen e një epoke të re globale, “të përcaktuar nga turbullira dhe shndërrimi”. Putini dha një shënim të ngjashëm në një fjalim që mbajti në Soçi më 7 nëntor, dy ditë pas zgjedhjes së Trampit, duke shpallur se: “Para syve tanë, një rend krejtësisht i ri botëror po shfaqet”.

Ndonjëherë, Putini dhe Trampi duken sikur po lexojnë nga e njëjta anë himnin kundër zgjimit. Në fjalimin e tij në Soçi, udhëheqesi rus e përcaktoi armikun e tij si “mesianizëm liberal dhe globalist” - ndjenja që Trampi mund t`i kishte përvetësuar lehtësisht. Por ndërsa Trampi beson se rendi i ri botëror duhet të rrisë pasurinë dhe fuqinë e Amerikës, qëllimi kryesor i Putinit është të zvogëlojë SHBA-në në madhësi. Ai i tha audiencës së tij në Soçi se “ajo që është në rrezik është monopoli [i pushtetit] të perëndimit që u shfaq pas rënies së Bashkimit Sovjetik”. Shija gjithashtu e sheh rënien e fuqisë perëndimore si një tipar qendror dhe të dëshirueshëm të rendit të ri botëror në zhvillim. Udhëheqësi kinez ka dëshirë të shpallë se “lindja po rritet ndërsa perëndimi po bie”.

Si Rusia ashtu edhe Kina shpresojnë të ndërtojnë Brics si kundërpeshë ndaj G7 të dominuar nga perëndimi. Përtej gjeneraliteteve, si Putini ashtu edhe Shija kanë në mendje kërkesa specifike territoriale […]. Në Uashington dhe Bruksel, tani hamendësohet se Rusia është e vendosur jo vetëm që të qëndrojë në territorin ukrainas që ka pushtuar, por gjithashtu në fakt t`i japë fund pavarësisë së vendit duke fituar një veto mbi politikat e jashtme dhe të sigurisë së Ukrainës, si dhe duke vendosur krijimin e një qeverie miqësore ndaj Moskës në Kiev.

Zyrtarët perëndimorë vërejnë gjithashtu se kërkesat e Putinit të paraluftës shtriheshin shumë përtej Ukrainës. Në një ultimatum që Kremlini lëshoi në dhjetor 2021, kërkesat ruse përfshinin tërheqjen e të gjitha forcave të NATO-s nga vendet e Evropës Lindore që iu bashkuan aleancës pas rënies së bllokut sovjetik. Hamendësimi brenda NATO-s është se lufta në Ukrainë – dhe humbjet e mëdha që u shkaktuan forcave ruse nga forcat ukrainase të mbështetura nga perëndimi – do ta kenë bërë Putinin edhe më radikal në të menduarit e tij. Një zyrtar i lartë evropian thotë se: “Ne duhet të kuptojmë se Rusia mendon se tashmë është në luftë me ne”. Një homolog amerikan shton se një fitore ruse në Ukrainë do të paraqiste një “kërcënim të madh” për NATO-n. Një fitore e perceptuar ruse në Ukrainë do të kumbonte gjithashtu në mbarë botën, dhe veçanërisht në Kinë. Një mundësi e dukshme është se do ta inkurajonte Shinë të ndiqte ambiciet e tij revizioniste në Azi. Profesori Steve Tsang i Soas, Universiteti i Londrës, argumenton se Shija beson se “marrja e Tajvanit” është thelbësore për “ëndrën e tij kineze”. Për Shinë, fitorja në Tajvan do të shënonte “ardhjen e Kinës si fuqia e shquar” në Indo-Paqësorin dhe në fund të fundit në botë.

Qendrimi i Pekinit është se Tajvani njihet ndërkombëtarisht pjesë e Republikës Popullore të Kinës. Por ishulli është i vetëqeverisur dhe pavarësisë së tij de fakto mund t`i jepet fund vetëm nga trysnia e dendur kineze - ose një pushtim. Në Pekin, udhëheqja politike e Tajvanit portretizohet si separatiste e rrezikshme. Ka pasur shumë hamendësime në Amerikë se Shija i ka thënë ushtrisë së tij që të jetë gati për të pushtuar ishullin deri në vitin 2027. Data për të cilën vetë udhëheqësi kinez ka folur në publik është viti 2050.

Nga ana tjetër, Shija tani është 71 vjeç. Ai mund të tundohet të përpiqet të sigurojë trashëgiminë e tij relativisht shpejt. Presidenti Joe Biden ka thënë disa herë se SHBA-të janë të përgatitura të shkojnë në luftë për të mbrojtur Tajvanin nga një pushtim kinez, megjithëse Trampi nuk ka bërë asnjë zotim të tillë. Dhe ndërsa presidenti i ardhshëm është i rrethuar nga skifterët kinezë, ai vetë ka bërë fushatë si një kandidat për paqe – dhe shpesh ka shprehur admirimin e tij për Shinë dhe Putinin. Pyetjet se si Trampi do ta gjykojë planin e tij revizionist America e Para bëhen edhe më të ndërlikuara nga fakti se ai nuk do të veprojë në një zbrazëti ndërkombëtare. Presidentit amerikan do t`i duhet gjithashtu t`i përgjigjet veprimeve dhe kundërveprimeve të fuqive të tjera të huaja - udhëhqësve liderëve revizionistë në Moskë dhe Pekin.

Duke pasur parasysh të gjithë elementët e përfshirë, nuk mund të ketë siguri se si do të zhvillohet rendi i ri botëror, por vetëm skenarë. Kështu, këtu janë pesë mundësi:

Një marrëveshje e re e një fuqie të madhe: Natyra marrëveshëse e Trampit, këmbngulja e tij për t`iu shmangur një lufte dhe përbuzja e tij për aleatët demokratikë i bën SHBA-të të bëjnë një marrëveshje të madhe me Rusinë dhe Kinën. SHBA i jep në heshtje Rusisë dhe Kinës sfera të ndikimit në rajonet e tyre. Amerika përqendrohet në fuqizimin e mbizotërimit në rajonin e saj - duke u shtyrë rreth Meksikës dhe Kanadasë dhe duke kërkuar të marrë përsëri Kanalin e Panamasë dhe të fitojë këqyrjen mbi Greolandën. Trampi detyron një marrëveshje paqeje për Ukrainën pa garanci sigurie shoqëruese. Sanksionet kundër Rusisë janë zbutur dhe Putini është i mirëpritur në darkën e Ditës së Falënderimeve në Mar-a-Lago. Një marrëveshje e mundshme me Kinën do të përfshinte lehtësimin e kufizimeve amerikane të teknologjisë dhe tarifave ndaj Pekinit, në këmbim të blerjeve kineze të mallrave amerikane dhe marrëveshjeve të dashura në Kinë për kompanitë amerikane si Tesla. Trampi do të sinjalizonte gjithashtu mungesën e vëmendjes të tij për të luftuar për të mbrojtur Tajvanin. Aleatët e SHBA-së në Evropë dhe Azi do të liheshin në përpjekje për të siguruar mbrojtjen e tyre në një atmosferë të re pasigurie.

Luftë rastësore: Aleatët perëndimorë kanë një luftë tregtare me njëri-tjetrin. Paqëndrueshmëria politike përhapet në Evropë, me ngritjen e forcave populiste simpatike si për Trampin ashtu edhe për Putinin. Një marrëveshje për armëpushim është arritur në Ukrainë – por në Evropë përhapet frika se Rusia do të rifillojë armiqësitë në të ardhmen. Vetë Trampi vazhdimisht vë në pikëpyetje gatishmërinë e Amerikës për të mbrojtur aleatët e saj. Kina, Rusia ose Koreja e Veriut – ose ndonjë ndërthurje i këtyre fuqive – vendosin të përfitojnë nga rrëmuja perëndimore duke nisur veprime ushtarake në Azi dhe Evropë. Por ata e llogarisin gabim. Demokracitë aziatike dhe evropiane luftojnë, dhe përfundimisht SHBA tërhiqet në konflikt, siç ndodhi dy herë në shekullin e 20-të.

Anarkia në një botë pa udhëheqës: SHBA-ja, Kina, Rusia dhe BE-ja shmangin konfliktin e drejtpërdrejtë. Por politikat e Trampit America e Para për tregtinë, sigurinë dhe institucionet ndërkombëtare krijojnë një zbrazëti udhëheqjeje. Rritja ekonomike është e dëshpëruar në të gjithë botën nga luftërat tregtare të Trampit. Konfliktet civile në vende si Sudani dhe Mianmari dendësohen. OKB-ja është dobësuar nga rivaliteti i fuqive të mëdha dhe është e pafuqishme për të ndërhyrë. Në vend të saj, konfliktet ushqehen nga fuqitë konkurruese rajonale që po kërkojnë përparësi dhe burime. Më shumë vende si Haiti rrëshqasin në anarki të dhunshme. Rriten flukset e refugjatëve drejt perëndimit. Partitë populiste, përçmuese të demokracisë liberale, lulëzojnë në një atmosferë pasigurie sociale dhe ekonomike.

Globalizimi pa Amerikën: SHBA tërhiqet pas mureve tarifore dhe largohet nga Organizata Botërore e Tregtisë. Çmimet rriten në Amerikë dhe mallrat bëhen më të dobëta. Pjesa tjetër e botës i përgjigjet autarkisë amerikane duke përshpejtuar ndërvarësinë ekonomike. BE-ja ratifikon marrëveshjen e re tregtare me Amerikën Latine dhe nënshkruan marrëveshje të reja me Indinë dhe Kinën. Evropa gjithashtu hap tregun e saj për automjetet elektrike kineze dhe teknologjinë e gjelbër, në këmbim të krijimit të fabrikave nga kinezët në të gjithë BE-në dhe frenimit të agresionit rus kundër Evropës. Integrimi i jugut botëror me ekonominë kineze thellohet më tej dhe Brics fiton anëtarë dhe ndikim të ri. Përdorimi i dollarit si monedhë botërore bie.

Amerika e para ka mbrothësi: besimi i Trampit në natyrën e parezistueshme të fuqisë amerikane është përligjur. Investimet drejtohen në SHBA, duke rritur epërsinë e Amerikës në teknologji dhe financa. Evropianët dhe japonezët rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen e tyre dhe kjo është e mjaftueshme për të penguar agresionin rus dhe kinez. Tarifat amerikane ulin në mënyrë dramatike rritjen kineze, duke e çuar sistemin kinez në krizë. Regjimi iranian më në fund u rrëzua nga një ndërthurje e trysnisë ushtarake, ekonomike dhe të brendshëm. Prestigji i Trampit rritet brenda dhe jashtë vendit. Liberalët amerikanë janë zhytur në heshtje dhe disa nga armiqtë e Trampit janë burgosur. Tregu i aksioneve arrin një nivel të ri.

Realiteti i katër viteve të ardhshme ka të ngjarë të jetë një përzierje e çuditshme e të gjithë skenarëve të mësipërm, plus disa zhvillime të tjera të paparashikuara. Siç shprehet në mënyrë të famshme filozofi italian Antonio Gramshi, në fund të viteve 1920: “E vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lindë; në këtë ndërqeverisje shfaqen një shumëllojshmëri e madhe simptomash patologjike”.

 

*Shënim i Ylli Përmetit: Komentatori i gjeopolitikës i Financial Times, Gideon Rachman, bën një përmbledhje të mirë të zhvillimeve të fundit gjeopolitike por i sheh ato kryesisht nga këndvështrimi amerikan ose nga qëllimet e Trampit dhe paparashikueshmëria e tij dhe nuk përfshin ―duke paraqitur më shumë hollësi― gjeostrategjinë ruse dhe kineze, dhe keqparaqet disa ngjarje si pretendimi se Putini “filloi pushtim të plotë të Ukrainës në vitin 2022”, apo pretendimi se “sistemi i aleancës amerikane mbështet sigurinë e Evropës, Azisë dhe Amerikës” apo se “NATO mund të përdor nenin 5 për mbrojtje të ndërsjellë” apo në fund se “Rusia dhe Kina kërkojnë të ndryshojnë kufijtë ndërkombëtarë”. Katër skenarët e tij, rrjedhimisht, se çfarë mund të ndodhë me kthimin e Trampit në Shtëpinë e Bardhë, duhet bëhen dytë cilët i përshkruaj në libër, meqënse Rusia dhe Kina nuk mund të heqin dorë nga gjeostrategjia e tyre dhe SHBA-ja nuk mund t`i përballojë të dy, dhe do të detyrohet të bëjë një marrëveshje të madhe, si ajo e para që përshkruan Rachman.     

*Note by Ylli Përmeti: Financial Times commentator on geopolitics Gideon Rachman makes a good summary of recent geopolitical developments but sees them mainly from the American perspective or Trump`s intentions and his unpredictability and does not include ―by presenting more details― Russian and Chinese geostrategy, and misrepresents some events such as the claim that Putin “started a full invasion of Ukraine in 2022”, or the claim that “the US alliance system supports the security of Europe, Asia and America” or that “NATO can use Article 5 for mutual protection” or finally that “Russia and China seek to change international borders”. His four scenarios, therefore, of what might happen with Trump`s return to the White House, must be reduced to two, which have been described in my book, since Russia and China cannot give up their geostrategy and the US cannot afford both and will be forced to make a big deal, like the first one Rachman describes.



Përgatiti për botim Ylli Përmeti

FT, December 27 2024. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA