Strategjia e re serbe për ndarjen e Kosovës sipas formulës “12 : 12” dhe dalja në Adriatik
Me dredhitë e tij, me strategjinë e durimit dhe pritjes së ndryshimit të raporteve në arenën ndërkombëtare, me forcimin e pozitës së shtetit të tij dhe me strategjinë e destabilizimit të shteteve fqinje, Vuçiçi është treguar faktor destabilizues në Ballkan, ndërsa Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë në vitin 2012 ka hartuar Memorandumin 2, si program strategjik se si të veprohet për destabilizimin e shteteve fqinje, duke i dhënë një rol të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në këtë strategji,
Adil Fetahu
31/01/2021 - 14:17
Apetitet e nacional-shovinistëve serbë për Serbinë e Madhe, që prej gjysmës së dytë të shekullit 19-të nuk janë shuar kurrë. Për të arritur këtë qëllim ata kanë hartuar, miratuar, promovuar e zbatuar programe, strategji, memorandume, rezoluta, deklarata e vendime dhe kanë vepruar në praktikë, duke rritur territorin e shtetit të vet dhe armiqësinë me shtetet e tjera. Krahas zgjerimit të territorit të shtetit në të gjitha anët, duke pushtuar territore të shteteve fqinje, synimin kryesor kanë pasur pushtimin e bregdetit dhe territorit shqiptar. Edhe pushtimi i Kosovës në vitin 1912 ka qenë në këtë funksion, me synim të daljes në bregdetin shqiptar, gjë që realizoi në vitin 1913-1914.
Shkencëtari më i njohur serb, Jovan Cvijiç, ekspansionin serb drejt jugut, me dalje në bregdetin shqiptar e arsyetonte me shkaqe ekonomike: “Për shkak të pavarësisë së vet ekonomike, Serbia duhet të fitojë qasje në Detin Adriatik dhe një pjesë të bregdetit të Shqipërisë, qoftë me pushtim të territorit, qoftë me fitimin e të drejtave ekonomike dhe të komunikacionit në atë krahinë. Kjo, vërtet do të thotë pushtimi i një krahine etnografikisht të huaj, por që duhet patjetër të merret për shkak të interesave të rëndësishme ekonomike, për shkak të nevojës jetësore”, shkruan Cvijiçi ndërsa përpilon hartat e viseve të cilat duhet pushtuar.
Këto apetite i kanë nëpër sirtarë edhe pushtetarët aktualë në Serbi, ndonëse nuk i shfaqin hapur metodat e pushtimit, synojnë që me metoda të tjera të arrijnë të njëjtat qëllime. Ata edhe sot e kësaj dite shohin ëndërr për një korridor sëpaku 5 km të gjerë, për të dalë në bregdetin shqiptar, prej Shëngjinit deri në Durrës! Shijen për këtë apetit ia shtoi emisari i ish-presidentit Tramp, Richard Grenell, me rastin e nënshkrimit të njëfarë marrëveshjeve në Uashington, më 4 shtator 2019, në të cilat bëhet fjalë për lidhje infrastrukture rrugore dhe hekurudhore, jo vetëm mes Kosovës e Serbisë, por edhe me Shqipërinë.
Mirëpo, Kosova i ka mbetur Serbisë eshtë në fyt, si çështje e pazgjidhur sipas saj. Në tridhjetë vitet e fundit, në qarqet politike, shtetërore, ushtarake, shkencore, kishtare e kulturore të Serbisë janë përpiluar e shfaqur shumë ide, propozime, plane, strategji, programe, rezoluta, deklarata, për zgjidhjen e problemit mes Kosovës e Serbisë. Dhe me qenë se me përfundimin e luftës në vitin 1999 Kosova faktikisht është shkëputur nga Serbia, ndërsa me shpalljen e pavarësisë (2008) e bëri edhe juridikisht, Serbia përpiqet që në kushte e rrethana të reja, të shkëputë e fitojë diçka nga territori i Kosovës.
Idenë për ndarjen midis Kosovës e Serbisë, e ka publikuar haptas shkrimtari dhe akademiku serb Dobrica Qosiç qysh në vitin 1966 e 1968 dhe 2002 e 2003. Në seancën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, më 29 maj 1968, Qosiçi shprehej: “Nëse rruga na shpie në realizimin e sovranitetit të Serbisë me shkëputjen e Kosovë-Metohisë nga Serbia dhe Jugosllavia, atëherë janë të pashmangshme ndeshje të rënda dhe tragjike, me pasoja historike të paparashikueshme”. Për shkak të prognozave të tij nacioanaliste, atëherë u përjashtua prej partie (LKJ).
Këtë ide e ka edhe sot lidershipi i Serbisë, sado që nuk e thotë në mënyrë shprehimore, por tërthorazi, duke përsëritur mantrën bajate se: “nuk mundet dikush të fitojë gjithçka, e dikush asgjë”! Ata e dinë se me bisedime Kosovën nuk mund ta kthejnë nën Serbi, por shtiren sikur është nën sovranitetin e Serbisë, duke e lidhur me preambulën e Kushtetutës së tyre (2006) dhe në Rezolutën 1244 të KS në OKB, edhe pse nga ajo Rezolutë nuk mund të gjejnë as shkronjën “S” të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.
Koordinatori i Paktit të Stabilitetit të Europës Juglindore, Erhard Busek thoshte: “Në takimet zyrtare politikanët serbë thonë se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, ndërsa në biseda të lira, kur pijmë kafe, ata më pyesin se si të lirohen prej saj”.
Dobrica Qosiçi është ideatori i parë për ndarjen e Kosovës. Në librin e tij, në formë ditari,“Kosovo”, tregon se me ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiç, qysh prej 14 dhjetorit 2002 deri më 12 janar 2003, ka qenë dy herë në vizitë në shtëpinë e Gjingjiçit dhe në kontakt të përhershëm me kryeministrin, në konsultime për zgjidhjen e problemit me Kosovën e që Qosiçi i ka propozuar : “ndarjen e territorit të Kosovë-Metohisë, përkufizimin midis Serbëve e Shqiptarëve, pa insistuar në territore të pastra etnike, me reciprocitet për format e të drejtave nacionale dhe civile për pakicat. Patrikana e Pejës, manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Deviçit të kenë pozitë vetëqeverisje dhe të drejta sipas modelit të manastireve ortodokse në Malin Atos të Greqisë, por që paraprakisht t’iu kthehen tokat dhe pyjet e nacionalizuara në vitin 1945”.
Me këtë propozim ishte pajtuar kryeministri ku kishte thënë se menjëherë do t’iu shkruajë letër Bushit, Blerit, Shrederit, Putinit, Shirakut dhe do t’i vizitojë të gjitha ato qendra, për t’i bindur për nevojën e ngutshme të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Deviza e Gjingjiçit ishte: “Në Kosovë të kthehen serbët, e jo Serbia”. Ai i kishte shkruar letër komandantit të NATO-s për Europën që të lejonte kthimin në Kosovë të 999 policëve të Serbisë, siç parashihet me Rezolutën e KS 1244.
Kryeministri Gjingjiç, pas konsultimit të Qosiçin, e kishte përpiluar strategjinë e tij për zgjidhjen e problemit me Kosovën. Kishte përcaktuar dy pikëpamje. E para ishte federalizimi i Kosovës, me dy entitete: shqiptare dhe serbe, me institucionet e tyre të pavarura, sipas shembullit të Bosnje-Hercegovinës. Si “federatë e entiteve” Kosova do të ishte në kuadër të Serbisë, me status: më shumë se krahinë, më pak se republikë. I vetëdijshëm se një koncept të tillë nuk do ta pranojë Kosova as bashkësia ndërkombëtare, në variantin tjetër Gjinjiçi parashihte: a) ndarjen territoriale; b) garanci efikase ndërkombëtare për serbët të cilët mbetën të jetojnë në pjesën shqiptare; c) status të posaçëm të objekteve fetare.
Gjingjiçi konsideronte se është momenti i fundit për të ndërmarrë aksione të vendosura për zgjidhjen e problemit me Kosovën, sepse koha nuk po punon në favor të Serbisë.
Gjingjiçi ishte një politikan i shkathët dhe kishte një reputacion pozitiv në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në Gjermani. Dhe si i tillë ishte më i rrezikshëm se të tjerët. Mirëpo, atë e likuiduan me atentat, në shkallët e ndërtesës së Parlamentit të Serbisë, më 12 mars 2003. Ai nuk arriti ta realizojë strategjinë për të cilën u pajtua me Qosiçin, por varianti i ndarjes së Kosovës iu mbeti “si patate e nxehtë në dorë” qeverive që pasuan, e të cilat i kryesuan ultranacionalistët e dëshmuar: Vojsllav Koshtunica, Mirko Cvetkoviç, Ivica Daçiç, Aleksandar Vuçiç. Në kohën e qeverisjes së tyre nisi strategji e modele të ndryshme. Prej vitit 2005, ka qarkulluar pikëpamja e të gjitha qeverive të Serbisë “më shumë se atonomi, më pak se pavarësi”, ose ndarja e Kosovës. Do të thotë se pavarësinë nuk mund ta gëlltisin kurrësesi.
Strategjitë dhe pikëpamjet e tyre për zgjidhjen e problemit me Kosovën i shpalosën edhe kryetarët e Serbisë: Boris Tadiç e Tomisllav Nikolliç, ndërsa kryetari aktual, Aleksandar Vuçiç është treguar më dinak dhe e fsheh strategjinë e tij si gjarpëri këmbët. Tadiçi kishte një plan-strategji prej katër pikash: 1) zgjidhje e posaçme për komunat veriore; 2) administrimi dhe eksteritorialiteti i manastireve të KOS; 3) garanci për serbët në enklava; 4) kthimi ose kompensimi i pronave shtetërore dhe atyre private. Koshtunica zgjidhjen e mendonte me një autonomi të mbikëqyrur, sipas modelit të Hongkongut, por kurrë pavarësi, as e mbikëqyrur as e plotë, duke pretenduar se ky model ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë mbi Kosovën dhe nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.
Tomisllav Nikolliçi edhe pse ishte një ultranacionalist, analfabet politik, ishte konsultuar me ASHAS, dhe me Kishën Serbe, por ishte më larg realitetit se sa të tjerët. Ai këmbngulte në formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e cila do të kishte shkallë të lartë të autonomisë territoriale dhe politike, kompetenca të gjëra dhe lidhje speciale me Serbinë; eksteritorialitet të manastireve e kishave serbe, por Serbia kurrë të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës!
Aleksandar Vuçiçi në vitin 2018 pati organizuar një “dialog të brendshëm” në Serbi, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve shkencore, kishtare, kulturore dhe të shoqërisë civile, dhe pati premtuar se pas përfundimit të atij dialogu do ta përpilojë e publikojë strategjinë e tij, të cilën nuk e publikoi asnjëherë. Por, me dredhitë e tij, në strategjinë e ndarjes së Kosovës futi Edi Ramën dhe Hashim Thaçin dhe në njëfarë mënyre mori një përkrahje nga disa zyrtarë në Uashington. Në fjalime, në bisedime dhe në media, Vuçiçi shpesh herë i ndërron fjalët, varësisht nga situata aktuale në terren. Duke i theksuar katër shtylla të politikës së jashtme: BE, SHBA, Rusia dhe Kina dhe përkrahjen e tyre në zgjidhjen e problemit të Kosovës, me kompromis, sipas të cilit “nuk mundet dikush të fitojë të gjitha, e dikush asgjë”!
Ky qendrim është pretendim i hapur ndaj territorit të Kosovës, pjesës veriore dhe jo vetëm asaj. Dhe në këtë pretendim shpeshherë lëshon tullumbace kërcënuese. Armatimi me armë nga Rusia dhe paralajmërimi i kthimit të detyrimit ushtarak, për shkak të situatës së pazgjidhur me Kosovën, janë kërcënim serioz. Me dredhitë e tij, me strategjinë e durimit dhe pritjes së ndryshimit të raporateve në arenën ndërkombëtare, me forcimin e pozitës së shtetit të tij dhe me strategjinë e destabilizimit të shteteve fqinje, Vuçiçi është treguar faktor destabilizues në Ballkan, ndërsa Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë në vitin 2012 ka hartuar Memorandumin 2, si program strategjik se si të veprohet për destabilizimin e shteteve fqinje, duke i dhënë një rol të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në këtë strategji, gjë që u vërtetua me rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi vitin e kaluar.
Një variant interesant i strategjisë serbe për zgjidhjen e problemit me Kosovën, me titull “Izlazna strategija Serbije na Kosovu i Metohiji” (Strategjia dalëse e Serbisë në Kosovë-Metohi) (shih: “Hereticus – casopis za preispitivanje proslosti”, No.4/2007; “Heretikus – revisitë për rishqyrtimin e së kaluarës…),- qarkullon nëpër media prej marsit të vitit 2008, që duket interesant përkah mënyra e shtjellimit dhe është e pranueshme” për palën serbe. Bëhet fjalë për “rektifikimin” (ndarjen) territoriale të Kosovës. Sipas asaj strategjie, edhe Serbia edhe Kosova humbin 12% të territorit të tyre. Dhe ja se si e kalkulojnë llogarinë me formulën 12: 12.
Serbia (me Kosovën) ka 88361 km/katrore. Kosova ka 10887 km², që i bie 12% të territorit të Serbisë me Kosovën. Komunat me shumicë serbe në Kosovë janë: Leposaviçi me 539 km², Zubinpotoku me 333 km², Zveçani me 123 km² dhe komuna e Mitrovicës së Veriut 100 km², që të gjitha së bashku bëjnë afro 1100 km², pak më tepër se 10% e territorit të Kosovës. Me një korigjim të kufirit në rrethin e Moravës dhe me zonat e mbrojtura të tri manastireve të Kishës Ortodokse Serbe (Graçanicës, Pejës dhe Daçanit) dhe me ndarjen e kompleksit të Gazimestanit,- Serbia do të fitonte 12% të territorit të Kosovës. Pjesa tjetër do t’iu mbetej shqiptarëve. Në këtë mënyrë, edhe Serbia edhe Kosova do të humbnin nga 12% të territorit ndërsa asnjëra palë nuk do të dilte plotësisht humbëse. Secila palë humbet 12% të territorit të pretenduar dhe secila diçka fiton e diçka humbet, thonë autorët e kësaj strategjie.
Pretendimi i palës shqiptare ndaj Preshevës neutralizohet me Shtërpcën, që mbetet në Kosovë. Ithtarët e kësaj strategjie dhe këtij plani thonë se ky ka qenë varianti zyrtar amerikan por gjoja Beogradi e ka refuzuar. Sipas tyre, ky plan do të ishte zgjidhja e vetme që kënaqë të dyja palët; shqiptarët që fitojnë pavarësinë dhe serbët që të mos mbeten pala humbëse. Thonë se këtë variant e ka përkrahur edhe ish-ministri i jashtëm Italian, Xhulio Ammati. E mira tjetër e këtij varianti, thonë ata, është se të dy vendet do të mbeten me popullsi homogjene etnike, mbi 80% Serbia dhe mbi 90% Kosova, që është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e brendshëm, sepse është dëshmuar se shtetet të cilat kanë mbi 20% popullsi të një kombi tjetër, kurrë nuk janë të qendrueshme.
Nuk duket kjo një strategji diabolike?
Në të gjitha strategjitë serbe, varianti i ndarjes së Kosovës është pika qendrore, prej së cilës kurrë nuk kanë hequr dorë, sado që në të njëjtën kohë ka qarkulluar edhe varianti i shkëmbimit të territoreve, si një zgjidhje e mundshme e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Në të gjitha variantet, Serbia akoma e konsideron Kosovën si territor të saj, pasi kështu e ka në kushtetutë, prandaj llogaritë e kompensimit i bënë me territorin e Kosovës, pa e prekur territorin e Serbisë. Se nëse janë këto llogari pa hanxhiun, mbetet të shihet dhe varet nga konstelacioni i zhvillimit të marrëdhënieve të përgjithshme ndërkombëtare dhe nga afiniteti i fuqive të mëdha për mënyrën e zgjidhjes së problemit. Deri atëherë, edhe Kosova edhe Serbia do të jetojnë në iluzione, se secila e ka sovranitetin mbi Kosovën: Serbia e ka në kushtetutë, por nuk e ka në realitet; Kosova poashtu e ka në kushtetutë dhe në fjalë boshe të politikanëve, por nuk e ka sovranitetin mbi pjesën veriore të Mitrovicës, as në enklavat e vendbanimet e tjera në të cilat jetojnë serbët si shumicë!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 1605 reads