...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Strategjia serbe kundër Kosovës dhe kundërstrategjia shqiptare: kush do të fitojë?

As Kurti dhe as Rama nuk kanë përmendur ndonjë herë nevojën e amnistimit të protestuesve të majit në emër të drejtësisë ose meqënse ishte vendimi i Kurtit që i detyroi ata të protestonin kundër kryetarëve të rinj; as kam dëgjuar nga ata nevojën e nxitjes së amerikanëve drejt të drejtës ndërkombëtare ose nevojën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë si parakusht për të frenuar Serbinë në qëllimet e saj. Ndaj kundërstrategjia shqiptare do të dështojë dhe bashkë me të dhe amerikanët dhe kombi shqiptar.

Ylli Përmeti

01/10/2023 - 13:19

Strategjia e Serbisë kundër Kosovës

Në studimin lidhur me raportet greko-shqiptare, nga antikiteti deri në ditët e sotme, kam përmendur një ‘rrugëzgjidhje’ lidhur me të drejtat e popullit çam në Greqi: them mes të tjerash se varianti më i mirë dhe më i drejtë është shfrytëzimi i kushteve shtypëse të shqiptarëve dhe fuqizimi i çamëve që jetojnë atje, shumë prej të cilëve nga frika e represionit të Athinës, njëjtësohen si grekë. Unë mbështes këtë variant sepse ai është më i miri dhe më i drejti në sytë e drejtës ndërkombëtare. Parakushtin vendimtar për këtë “strategji” e ka krijuar vetë Athina me shtypjen e të drejtave të shqiptarëve në Çamëri. Këtë parakusht shfrytëzuan shqiptarët e Kosovës gjatë Jugosllavisë së Milosheviçit dhe atë po shfrytëzon Beogradi aktualisht, sipas të cilit, Prishtina po shtyp të drejtat e serbëve në Kosovë.

Këtë pretendim Vuçiçi e denoncoi dhe në OKB―një javë përpara se të ndodhte aksioni i 24 shtatorit. Në ligjëratën e tij ai sulmoi SHBA-në për shtrembërimin e parimeve të Kartës së OKB-së; e quajti edhe një herë Kosovën “provincë” të Serbisë; dhe e paraqiti Serbinë e Milosheviçit si viktimë të terrorizmit të NATO-s dhe amerikanëve ndërsa Kurtin si terrorist. Pretendimi i Vuçiçit lidhur me Kurtin nuk mund të mohohet përsa kohë që në veri të Kosovës ai ka krijuar vërtet disa parakushte por jo gjithë parakushtet që krijoi Milosheviçi me shqiptarët e viteve `90. 

Në rastin e Milosheviçit bëhet fjalë për kufizim të autonomisë së Kosovës ndërsa në rastin e Kurtit bëhet fjalë për kufizim të të drejtave që u nënshkruan në marrëveshjen e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë sipas së cilës pakica serbe në Kosovë do të gëzonte pushtetin policor dhe gjyqësor dhe pengim të krijimit të bashkësisë serbe të cilës i shtohet me marrëveshjen e Ohrit dhe e drejta për t`u ndihmuar ekonomikisht nga Beogradi. 

Dinamika e krijuar në gjirin e popullit serb në veri të Kosovës përshkruhet nga një raport i Financial Times, ku tregohet dinamika shoqërore serbe, e cila, ndryshe nga koha para zgjedhjeve jodemokratike të prillit, nuk dëshiron të jetë pjesë e jetës politike shqiptare. Raporti nuk tregon përqindje, se nëse është shumica apo pakica që ushqen dëshirën përkatëse. Por nuk është e vështirë të kuptohet se në të bën pjesë shumica edhe nëse ka një pakicë që dëshiron të kundërtën në emër të paqes.

Kjo ishte shkrepësja e parë lidhur me dëshirën e pakicës serbe ndërsa e dyta ―e cila është në proces―janë ndryshimet gjeopolitike që po ndodhin në nivel botëror ose superfuqish mes ruso-kinezëve dhe perëndimorëve me në krye SHBA-në. Këto ndryshime nuk kanë për të ndaluar dhe do të thellohen në muajt dhe vitet në vijim. Ndryshimet në fjalë e gjejnë Serbinë deri diku të gatshme për t`u përgjigjur, sepse pas luftës me ne ajo ruajti një balancë mes integrimeve të saj në “rendin” e Uashingtonit dhe pavarësisë politike.

Tashmë pavarësia e saj politike respektohet dhe nga amerikanët. Kështu tha, për shembull, Eskobari gati një javë parpara ngjarjes së shtatorit, ndërsa pa iu dridhur qerpiku lëshoi profkën e madhe se nuk mund të ndryshonte “taktikat” perëndimore një vend prej 1.5 milionë banorësh duke nënkuptuar kërkesën e Kurtit për njohje të Kosovës nga Serbia përpara krijimit të bashkësisë serbe! 

Më konkretisht, lidhur me “tensionin” që shkaktoi Kurti me Lajçakun, Eskobari tha në një intervistë për Voa-n se “jam i shqetësuar se po shohim të marrë trajtë një Ballkan i dy shpejtësive. Kemi në njërën anë anëtarët e NATO-s që janë shumë të përkushtuar ndaj orientimit të tyre në NATO dhe atij evropian, dhe pastaj kemi tre të tjerët që po vështirësohen”.

Ai sqaroi vendet që nënkupton në këto dy shpejtësi: Maqedoninë e Veriut, Malinezi dhe Shqipërinë, duke nënkuptuar treshen tjetër në “shpejtësinë” tjetër. Më pas ai përmend Bosnjen, ku sipas tij, Dodiku po sfidon bazat e qendrueshmërisë dhe sigurisë në Bonjë-Hercegovinë pas mbi 25 vjet – që nga koha e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Ndaj ai shpreson se “së bashku me zërat e përgjegjshëm duhet të zgjidhim se si ta forcojmë Dejtonin dhe ta lëvizim përpara Bosnjë-Hercegovinën përgjatë rrugëtimit të saj evropian”.

Pyetjes se nëse pati mundësi të bisedonte me Vuçiçin lidhur me mungesën e saknsioneve ndaj Rusisë, Eskobari u përgjigj se “nuk ka ndonjë detyrim ligjor për të vepruar kështu dhe është qartësisht një vend që mund të drejtojë vetë politikën e tij të jashtme”.

Pyetjes së nëse ka ardhur koha për një lloj përqasje të re nga BE-ja dhe SHBA-ja” për të ndikuar në vendosmërinë e Beogradit dhe Prishinës, Eskobari përgjigjet me “jo” ndërsa sqaron se ka “ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”; dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës, [sepse] ajo e ka një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë; dhe mendoj se deklarata e Borrelit ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t`i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë...për rajonin përveç integrimit evropian” [...].

Lidhur me kritikat e Kurtit ndaj Lajçakut emisari amerikan ripërforcoi qendrimet e mëhershme të BE-së dhe Uashingtonit ―se ata i besojnë plotësisht Lajçakut― ndërsa “lëshoi” të vërtetën e mirëditur në të cilën besojnë perëndimorët por të parrëfyer kur tha: “Nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do të bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij”. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës” ndërsa tha se ishte alarmuar nga qendrimet e shoqërisë së Kosovës ndaj Lajçakut dhe se kishte kërkuar nga qeveria në Prishtinë t`i dënonte ato.

Në fund ai sqaron edhe qendrimin e Uashingtonit se “në të gjitha këto takime, Shtetet e Bashkuara ishin shumë të qarta se duam të shikojmë vetëm palë që janë të përqëndruara tek integrimi evropian dhe të përkushtuara ndaj NATO-s dhe që ndajnë gjithashtu pozicionin tonë për sa i përket çështjes së Rusisë”.           

Ky është një qendrim i pamatur nga Eskobari pavarësisht se SHBA-ja ka përdorur doktrinën e Blerit 20 e ca vitet e fundit rreth botës: së pari, sepse Kosova ka rreth 1.8 milionë banorë ndërsa ai përpiqet ta zvogëlojë atë; dhe së dyti, dhe kjo është çështja kryesore, Eskobari “dhunon” hapur parimin e pestë të Kartës së Kombeve të Bashkuara të miratuar që në vitin 1945 lidhur me Kosovën: parimin e “barazisë sovrane”, i cili citon se “gjithë shtetet janë të barabartë përpara të drejtës ndërkombëtare pavarësisht madhësisë së territorit të tyre, popullatës, ekonomisë ose ushtrisë”.

Ky parim është “dhunuar” (në thonjëza sepse jo detyrimisht është dhunuar në disa raste, si rasti i Shqipërisë e cila në politikën e saj të jashtme është linjëzuar gradualisht me Uashingtonin dhe BE-në pas braktisjes së socializmi marksist, pasi u parafabrikuan drejtuesit e partive kryesore në vendin tonë përmes shërbimeve inteligjente amerikane dhe fondacionit Soros) nga Uashingtoni njëzetë e ca vitet e fundit: që kur globalizmi neoliberal mori karakter zyrtar me agresionin serb ndaj shqiptarëve dhe me doktrinën e Blerit ose “doktrinën e ndërhyrjes” ushtarake dhe politike në vendet ku shkeleshin të drejtat e njeriut.

Kësaj doktrine Rusia dhe Kina iu përshtatë dekadën e parë deri në grushtin e shtetit në Ukrainë, sepse nuk u përdor nga amerikanët dhe evropianët “doktrina e Blerit” por e kundërta: ata mbështetën puçistët dhe një qeveri kalimtare dhe më pas qeveritë me prirje neoliberale dhe nacionaliste të cilat kufizuan të drejtat e pakicave kombëtare ruse. Pasoja e kësaj mbështetjeje ishte lufta tetë vjeçare në Ukrainë dhe lufta aktuale. Paralelisht me këtë dinamikë Rusia dhe Kina zhvilluan bllokun tjetër (BRICS) pikërisht për të kundërshtuar hegjemoninë amerikane, të cilën, siç argumenton dhe Çomski, ia fali Bashkimi Sovjetik ose Gorbaçovi në pjatë.    

Ndaj tashmë kohët kanë ndryshuar dhe hamendësohet se Eskobari u përgjigjet “urdhërave” të ministrit të tij të jashtëm, Blinkenit, i cili pranoi fundin e “rendit” botëror të globalizmit neoliberal të udhëhequr nga SHBA-ja dhe bëri një hap pas lidhur me qeveritë që nuk pranojnë gjithçka që dikon Uashingtoni!

Paralelisht me këto ngjarje, Kurti shkaktoi pakënaqësi mes partive shqiptare në M. e Veriut aq sa kryetari BDI-së, Ali Ahmeti, iu përgjigj më të njëjtin veprim pas tre javësh: shkoi në Kosovë dhe nuk takoi kryeministrin por Devollin, pasi ky i fundit e kishte ftuar. Sipas përfaqësuesve të partisë në fjalë, Kurti takoi partitë e reja dhe jo të vjetrat. Madje, ai me takimet e tij ‘përzgjedhëse’ përligji të njëjtin veprim për Vuçiçin në veri të Kosovës.

BDI-ja është larguar nga qeveria maqedonase korrikun e këtij viti, sepse u kushtëzua nga VMRO-DPMNE, partitë “maqedonase”, se ato do të votonin ndryshimet kushtetuese nëse BDI-ja dilte nga qeveria ku përfaqësohej me pesë ministri (të punëve të jashtme, ekonomisë, financave, arsimit, sistemit politik dhe një zëvendëskryeministër). BDI-ja si forcë politike ka dalë nga UÇK-ja pas konfliktit të vitit 2001 në M. Veriut dhe në zgjedhjet e fundit (2020) kishte 15 deputetë ose mbi 100,000 vota.

Mungesë bashkërendimi

Gjatë “dialogut” me Serbinë qeveria “Kurti” tregoi mungesë bashkërendimi në nivel politik (qendrimet e saj politike nuk i bashkërendon me “ndërkombëtarët”). Kjo mungesë shkaktoi dhe bashkërendim në nivel sigurie. Kështu ndërsa KFOR-ra tha në 6 shtator se gjendja në Kosovë vazhdon të jetë “shumë e paqëndrueshme” pavarësisht se gjendja e sigurisë është qetësuar në krahasim me majin kur shpërtheu dhuna, Kurti tha nga takimi i Partneritetit për Qeverisje të Hapur në Estoni se aleatët e Rusisë [Serbia] po synojnë të shtrembërojnë të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen, duke përmendur kërcënimet kibernetike, dezinformimin, dhe bullizmin kibernetik.

Një ditë më pas, kreu i Nato-s, Stoltenbergu kërkoi nga Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën nxitëse ndërsa i tha Prishtinës të bashkërendojë veprimet në veri. Deklarata e tij u bë në selinë e Nato-s në Bruksel dhe në prani të presidentes Osmani, e cila përsëriti edhe një herë “nevojën” e Nato-s në rajon si garantues të paqes dhe mbrojtjes së demokracisë!

Lidhur me vendosjen e forcave të sigurisë në veri të Kosovës, Stoltenbergu iu përgjigj Osmanit se ato duhet të veprojnë në përputhje me “angazhimin e Prishtinës nga viti 2013” për të kërkuar “pëlqimin e KFOR-it”; ndaj ai pret që çdo “veprim i policisë së Kosovës” të këshillohet me ta ndërsa përmendi marrëveshjen e Nato-s me qeverinë “Thaçi”. Kjo çështje mori një përmasë “ndërkombëtare” kur Rama kërkoi pas sulmit të shtatorit që KFOR-i të merrte kontrollin e veriut të Kosovës ndërsa Osmani iu përgjigj se Kosova ka kërkuar mbështetje për të parandaluar sulmet por jo për të kontrolluar veriun. Por është e qartë se si njëri ashtu dhe tjetri nuk lexojnë mandatin e KFOR-it, nuk kuptojnë se nga buron ai, dhe parashtrojnë kërkesa ‘idiote’ (Rama) dhe të vetëkuptueshme (Osmani).

Dy “shuplakat” ndaj Kurtit dhe ‘kompromisi’ me amerikanët

Kurti mori dy “shuplaka” të forta nga DASH-i dhe Brukseli lidhur me akuzën e tij ndaj Lajçakut: sepse të dyja qendrat përkatëse mbështetën Lajçakun. Ndërkohë raportet thonë se Uashingtoni dhe Brukseli kanë “frikë” se mos Rusia nxit konflikte në Ballkan për të zhvendosur vëmendjen nga Ukraina! Frika e vërtetë, në fakt, lidhet me fundin e luftës në Ukrainë dhe efektet e saj, sepse po shtohen zërat në perëndim se luftën e ka fituar Rusia dhe Ukraina s`ka asnjë gjasë për ta rifituar atë.

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se pajtimi me marrëveshjen e Ohrit, siguron njohjen ‘de facto’ dhe jo “de jure” të Kosovës dhe është kompromisi më i madh që ka bërë ajo. Në të vërtetë, Kosova me marrëveshjen e Ohrit nuk fiton as njohje ‘de facto’: sepse humbet qëllimin e saj për t`u njohur nga Serbia në emër të parimit të ndërsjelltësisë; nuk anëtarësohet në OKB si shtet i pavarur (sepse për Serbinë është vija e dytë e kuqe); mbetet pjesë “integrale” e Serbisë për sa kohë që kjo e fundit nuk ndryshon Kushtetutën; dhe heq dorë nga lufta për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

Ajo shprehu, gjithashtu, pakënaqësinë e saj lidhur me “ndërkombëtarët”, të cilët nuk po e vlerësojnë “kompromisin” e qeverisë “Kurti”, ndërsa tha se Lajçaku e mbushi kupën javën e kaluar. Për të njëjtën arsye, ajo kërkoi një strategji të re nga “ndërkombëtarët” dhe nuk foli fare për të drejtën ndërkombëtare përmes të cilës Kosova mund të fitojë dhe njohjen nga Serbia dhe rrit pavarësinë e saj politike dhe ekonomike dhe hap rrugën për t`u bashkuar me Shqipërinë!

Sulmi i 24 shtatorit dhe plani i Vuçiçit

Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit një grup i armatosur serb prej rreth 30 vetësh sulmoi policinë kosovare në fshatin Banjskë të Kosovës ku u vra një polic dhe u plagos një tjetër. Më pas ata u strehuan në një manastir ku u vranë tre serbë dhe u kapën rob disa të tjerë ndërsa të tjerët i shpëtuan rrethimit dhe u larguan në Serbi. Në orët e para të mëngjesit Kurti akuzoi se grupi ishte i mbështetur nga Beogradi por Vuçiçi e përgënjeshtroi në mbrëmje duke thënë se ata ishin serbë të Kosovës që u “rebeluan” kundër “terrorit” të Kurtit.

Ditën e parë pas sulmit Hovenieri, Rama dhe Berisha treguan vetëm “kriminelët” si fajtorë dhe jo Vuçiçin ndërsa serbët treguan vetëm Kurtin dhe shqiptarët në përgjithësi treguan vetëm Vuçiçin dhe Beogradin; te këta të fundit u përfshi dhe Lëvizja Bashkë! Kurti dhe Haradinaj shënjestruan Beogradin por me një ndryshim: Haradinaj ka treguar në mënyrë të përsëritur shkaktarin kryesor të tensioneve: Kurtin!

Gjykuar nga qendrimi i Vuçiçit pas ngjarjes mund të kuptohet dhe plani i tij: si fillim shkaktojmë një “rebelim” dhe e paraqesim atë në sytë e komunitetit ndërkombëtar si të tillë; dhe më pas ose kërkojmë me ngulm krijimin e bashkësisë serbe, të cilën po e pengon Kurti sipas serbëve (Kurti herë përputhet me kërkesat e ndërkombëtarëve ose marrëveshjen e Ohrit dhe herë vendos kushtin e njohjes përpara krijimit të saj). Nëse këto kërkesa nuk realizohen, mendon Vuçiçi, kërcënojmë me më shumë “rebelime” me qëllim që të krijohen kushtet për ndërhyrje ushtarake në veri.

Se si do të kontribojë Kurti në këtë plan kuptohet nga fakti se ai do të mundohet të asgjësojë “rebelimet” serbe siç u mundua të bënte në Banjskë. Kështu kemi “rebelët”, të cilët në sytë e të drejtës ndërkombëtare kanë çdo të drejtë të rebelohen kur u mohohen të drejtat, dhe policinë e Kosovës e cila e ka për detyrë t`i asgjësojë ata. Në këtë mënyrë Vuçiçi paraqet veten si Putinin e Ballkanit dhe Kurtin si Zelenskin e Ballkanit dhe realizon një synim më të lartë: paraqitet si shpëtimtar i popujve që shtypen nga “terroristët” e tipit “Kurti”.   

Të mos harrojmë se dinamikën e përshkruar e krijoi Kurti me vendimin e tij të padrejtë kur zhvilloi zgjedhje jodemokratike në veri me mbështetjen amerikane dhe evropiane dhe sigurisht dhe të Ramës. Ishte ai, në fjalë të tjera, përgjegjësi kryesor e krijimit të saj. Por amerikanët, gjithashtu, kanë përgjegjësi të madhe meqënse pa u shpallur zgjedhjet, nxitën Kurtin të përparonte me zgjedhjet ndërsa i kishin premtuar atij se “nëse qeveria e tij pranonte Aneksin e Ohrit, ata do të siguronin pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje”.

Por s`ndodhi kështu dhe Kurti u kurthua në një proces që tashmë ka shkuar në një nivel tjetër: në krijimin e kushteve për shkëputjen e veriut nga Kosova dhe paraqitjen e tij si Zelenskin e Ballkanit.       

Qendrimet e opozitave

Shqipëria ka dy forca politike në opozitë që tregojnë vetëm Vuçiçin shkaktar të tensioneve në veri të Kosovës dhe jo Kurtin: njëra është PD-ja e Berishës dhe tjetra është Lëvizja Bashkë. Ka dhe individë të tjerë që shkruajnë publikisht dhe kanë qendrime të njëjtë (disa janë dhe komunistë). Disa prej këtyre të fundit tregojnë vetëm “ndërkombëtarët” si shkaktarë.

Sidoqoftë, PD-ja e Berishës dihet se ka krijuar një lloj “pakti” me Kurtin dhe mban anën e tij, kryesisht për të paraqitur Ramën në Kosovë si anti-shqiptar dhe veten si patriot. Lëvizja Bashkë s`ka krijuar ndonjë “pakt” si i Berishës por nëse gjykojmë nga ato që shkruan kryetari i saj dhe një veprimtari e Kurtit në gjirin e lëvizjes në fjalë disa vite më parë, kuptohet se mbahet një qendrim “politik” sipas qasjes “i majti s`e kritikon të majtin”!

Kjo qasje, në fakt, nuk është e “majtë”, sepse historikisht e majta e kritikon të majtën në emër të ndreqjes së vendimeve dhe qendrimeve politike që nuk janë të drejtë. Diku në një studim kam cituar një qasje të ngjashme që mbizotërote në nomenklaturën amerikane përpara se të shfaqësh Trampi në skenën politike: ajo u krijua me shumë mund nga korporatat dhe është quajtur me termin e mirënjohur në literaturën politike si e “djathta e qendrës dhe e majta e qendrës”.

Orientimi i dy forcave kryesore politike drejt “qendrës” synonte përputhjen e dobive të korporatave me dobitë e tyre. Ndaj dhe për rreth njëzetë e ca vite në politikën amerikane mbizotëruan neoliberalët. Por në rastin tonë bëhet fjalë për qendrime që lidhen me shtete fqinje dhe politika ndërkombëtare dhe jo thjesht me qendrime partiake për politika kombëtare.

Sidoqoftë, Lëvizja Bashkë nuk e ndjek mjaftueshëm dinamikën (gjeo)politike dhe rrjedhimisht qendrimet e saj do të jenë gjithnjë të padrejta. Ndryshe nga këto parti opozitare në Shqipëri, AAK-ja e Kosovës pati qendrim shumë më të drejtë: ajo zhvilloi një mbledhje kryesie tre ditë pas ngjarjes së shtatorit dhe Haradinaj mbajti qendrim pas mbledhjes dhe gjatë punimeve të kuvendit të 28 shtatorit ku tregon përmbajtjen e saj: ai e quajti sulmin serb të 24 shtatorit “terrorist” siç e kishte quajtur më herët dhe siç e quajti Kurti ditën e parë pas sulmit por duke shkuar dy vjet pas: sipas tij, gjendja e krijuar buron nga zgjedhja e Kurtit rreth dy vjet më parë, kur ai zgjodhi për ndërmjetësues Borelin dhe Lajçakun dhe jo Uashingtonin. Haradinaj përmendi shkurtimisht dhe ngjarjet që pasuan gjatë dy viteve me ndërmjetësues evropianët.

Por qendrimi i AAK-së nuk është tërësisht i drejtë: sepse ajo nuk përmend fajësinë e Uashingtonit dhe beson se nëse procesi ndërmjetësohet nga SHBA-ja, Prishtina do të dalë faqebardhë. Kjo është arsyeja kryesore pse Haradinaj i bëri thirrje klasës politike në Kosovë të bashkohen dhe të ndryshojnë ndërmjetësues me qëllim që të rrisin sigurinë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Qendrimin e Haradinajt e ndau dhe Rama: ai tha se “formati i Brukselit s`ka se ç`të ofrojë më”. Prishtina kërkoi, gjithashtu, hetim ndërkombëtar të Serbisë. Qëllimi i saj është të vërtetojë akuzën e saj mes grupit që sulmoi më 24 shtator dhe Vuçiçit dhe të “detyrojë” perëndimin të vendosë sanksione ndaj Serbisë, sepse ndryshe (në fjalët e Kurtit) “do ta përsërisë”. 

Strategjia e Kurtit dhe kthesa e Ramës 

Kurti e projektoi ngjarjen e fshatit Banjskë ditën e dytë në logjikën se fajin për gjithçka ndodh në veri të Kosovës e ka vetëm Vuçiçi ndërsa ky i fundit i raportoi ambasadorit rus dhe i tha atij, jo për herë të parë, se Kurti po ushtron “spastrim etnik” ndaj pakicës serbe në Kosovë dhe përmendi faktin se KFOR-i dha lejen për vrasjen e serbëve të rrethuar në manastir ndërsa tregoi edhe një herë “fajtorin e vetëm” për rebelimin e serbëve: Kurtin.

Për të mbështetur akuzën e tij Kurti po përpiqet të tregojë lidhjen mes sulmuesve dhe Vuçiçit. Për të vërtetuar “lidhjen” deri tani ka treguar armët dhe mjetet e Beogradit dhe nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçin, dhe Bojan Mijailloviçin me Aleksandër Vulinin, i cili është drejtor i agjencisë inteligjente të sigurisë (BIA). Të dy këta individë janë në shënjestër të SHBA-së dhe janë sanksionuar përpara sulmit në Banjskë por është e vështirë të bëhet lidhja me Vuçiçin meqënse ata mund të veprojnë në pavarësi nga presidenti serb―përjashto mundësinë e hetimit të bisedave të Vuçiçit, të cilat mund të tregojnë lidhjen në fjalë. Vuçiçi refuzoi çdo përfshirje në aksion ndërsa pas pak ditësh Radoiçi mori përgjegjësinë e sulmit. Përpara marrjes së përgjegjesisë së sulmit Vuçiçi e falenderoi për “ruajtjen e serbëve në Kosovë”. 

Përpjekjen e Kurtit e ndihmoi ―për herë të parë― dhe Rama: ky kërkoi nga BE-ja të rishikonte qendrimin ndaj Serbisë, sepse “nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit”. Një ditë më pas Rama i quajti paramilitarët terroristë dhe tregoi shqetësim lidhur me sjelljen e Serbisë e cila mbajti ditë zie për të vrarët. Si pasojë, BE-ja ndryshoi paksa qendrim por nuk i quajti ata “terroristë” por quajti sulmin si “terrorist”. Paralelisht Vuçiçi mobilizoi ushtrinë në kufi. Si pasojë, si fillim amerikanët dhe një ditë më pas evropianët kërkuan nga Vuçiçi largimin e saj me një kërkesë të ngjashme nga Prishtina ditën vijuese.

Pasi të krijonte kushtet që kërkon e drejta ndërkombëtare për ndërhyrje ushtarake, Serbia do të vepronte me ushtrinë e saj por jo pa vlerësuar gjendjen tonë ushtarake në veri të Kosovës. Me siguri ajo mbikqyr veprimet e forcave ushtarake të Kosovës (numrin, armatimet etj.). Aktualisht numëri i forcave ushtarake të Kosovës në veri luhatet në varësi të tensioneve ndërsa nga KFOR-i janë rreth 4 mijë e 500 trupa. Por gjykuar nga numëri i komunave (katër) dhe numëri banorëve serbë në veri (rreth 50 mijë); katër stacionet policore atje dhe numëri i policëve në çdo stacion; dhe trupat “speciale” që janë vendosur në pika të ndryshme, kuptohet se numëri i ushtrisë serbe do të përputhet me numrin e forcave ushtarake shqiptare (dhe KFOR-it) dhe me gjasë do të dyfishohet me qëllim asgjësimin e shpejtë të forcave tona dhe mbrojtjen e banorëve serbë.

Ndaj asaj do t`i duheshin të paktën 10 mijë forca ushtarake për të aneksuar veriun dhe ndaj pohimi i ministrit të brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçlas, se Serbia tentoi të aneksonte veriun në 24 shtator, me 30 e ca paramilitarë, është edhe qesharak (parë nga një këndvështrim ushtarak) edhe kriminal, sepse nuk e mbështet pretendimin e tij në ndonjë fakt, për shembull, të gjetur nga hetimet, por më e rëndësishmja, ai tregon se s`ka kuptuar planin e Vuçiçit dhe ul vigjilencën në radhët e forcave tona ushtarake, sepse do të ishte ndryshe, për shembull, t`i thoshte asaj, se përballë do të kemi një forcë ushtarake serbe nga 10 mijë deri në 20 mijë ushtarë nëse Beogradi urdhëron aneksimin e veriut.     

Pretendimin e Sveçlës e mbështeti dhe Kurti një ditë më pas kur tha se ishte konfiskuar një dokument sipas të cilit “sulmi ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të bashkërenduar në 24 pozicione të dalueshme”. Sipas tij, pas sulmit të bashkërenduar “do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar me armë dhe trupa”, ushtarinë serbe.

Por kur shihet numëri i trupave serbe përgjatë kufirit, 4 mijë e 500 nga 8 mijë e 350 një pas ditë sulmit, sipas gjeneralit serb, Milan Mojsiloviç, numër të cilin SHBA-ja nuk ka mundur ta vërtetojë ndërsa Associated Press më herët tha se ushtria serbe po largonte trupa drejt Serbisë qendrore pas thirrjeve perëndimore dhe të njëjtën ditë kur Sveçla ngriti pretendimin, kuptohet se bëhet fjalë për një fiasko “kuturiare” në përpjekjen e tij për të bindur perëndimin të vendosë sanksione ndaj Vuçiçit.

Në fakt, Beogradi mobilizoi 14,000 forca ushtarake gjatë tensioneve të dhjetorit të vitit të kaluar dhe po aq gjatë majit të këtij viti―fakt që tregon se e ka shqyrtuar numërin e nevojshëm për ndërhyrje ushtarake. Madje, të dyja herët, forcat ushtarake serbe u vendosën në “gadishmëri të lartë” ndërsa gjatë sulmit të shtatorit nuk pati të njëjtin urdhër.     

Përfundime

Gjykuar nga qendrimet e palëve, kuptohet se amerikanët dhe evropianët do të synojnë të hetohet sulmi i 24 shtatorit dhe në varësi të hetimeve ―të cilat me shumë gjasa nuk do të tregojnë ndonjë lidhje me Vuçiçin― do të veprojnë. Në këtë variant, ata do të vendosin sanksione ndaj individëve të caktuar por jo ndaj Vuçiçit. Nga ky variant, kuptohet, gjithashtu, se përpjekja e Kurtit për të dënuar Serbinë do të dështojë. Kjo e fundit do të vazhdojë të mbrojë dhe spikasë sulmuesit e 24 shtatorit dhe do të inkurajojë veprimtari të ngjashme, të cilat do të rriten gjatë muajve në vijim, me ndryshimet gjeopolitike mes superfuqive të jenë shtysa kryesore.

Arsyeja kryesore se pse amerikanët do të ngurrojnë të dënojnë Serbinë, siç dëshiron Kurti dhe opozita e Prishtinës, është e karakterit gjeopolitik: ajo kërkon ta mbajë dhe integrojë Serbinë në “rendin” e saj dhe ta pengojë nga “rendi” ruso-kinez. Një arsye e dytë është e karakterit ‘pragmatik’: SHBA-ja ka investuar më shumë në Serbi se sa në Kosovë. Ndaj ajo do të synojë gjithnjë mbajtjen e tensioneve larg me qëllim që të përparojë me qëllimin e saj gjeopolitik dhe ekonomik, duke përdorur shpesh kërcënimet. 

Por ajo do të dështojë në këtë përpjekje, sepse shumica e popullit serb dëshiron “rendin” ruso-kinez dhe jo “rendin” amerikan.

Ndaj populli shqiptar dhe opozita e Kosovës kanë një detyrë të madhe tashmë: nuk duhet të mjaftohen me ngushëllime dhe vajtime për policin e vrarë në Banjskë, kërkimin e dënimit të Serbisë dhe rritjen e sigurisë në veri të vendit, por duhet të tregojnë gjithë shkaktarët e gjendjes së krijuar nëse vërtet kërkojmë të parandalojmë ngjarje më të dhimbshme në të ardhmen ndërsa përgatitemi për variantin më të keq: ndërhyrjen ushtarake serbe.

Veçanërisht në kushte kur dihet se Serbia nuk i “fal” lehtë jetët e “heronjëve” të saj dhe nuk heq dorë nga qëllimi i saj, sidomos tani që “rendi” i Uashingtonit mori “fund” zyrtarisht (siç e deklaroi Blinkeni javën e kaluar), Rusia po sfidon fort SHBA-në në OKB, dhe qeveritë dhe opozitat ‘pro-ruse’ në Evropë po fitojnë terren, me rastin e fundit, Sllovakinë: atje fitoi e “majta” e ish-kryeministrit Roberto Fico, pas një fushate kundër amerikanëve dhe Ukrainës dhe pro Rusisë.

Njoftimi se Antonio Tajani (shefi i diplomacisë italiane) po punon për të përforcuar praninë e KFOR-it në kufirin Kosovë-Serbi për të parandaluar aksione të ngjashme, nuk duhet të na “verbojë”―sepse dihet mandati i KFOR-it: është thjesht prani “figurante”. Këtë fakt e njeh Serbia dhe do ta shfrytëzojë dhe ka mundësi ta shfrytëzojë edhe nëse shtohet prania e KFOR-it në kufi.

Tregimi i gjithë shkaktarëve për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës do të ndihmonte shkaktarët të reflektonin. Por edhe nëse nuk reflektojnë, sepse s`kanë zhvilluar aftësi reflektimi, trysnia e popullit dhe e opozitës së ndershme ―në raport me shkaktarët― do t`i detyronte ata (Kurtin, amerikanët, evropianët dhe Ramën), të mateshin më shumë në të ardhmen. Nëse nuk veprojmë kështu, me siguri amerikanët (pas të cilëve rendin gjithë të tjerët) nuk do të heqin dorë nga “taktikat” e tyre që tashmë mund të quhen dhe të “turpshme” dhe kriminale.

Që pas sulmit të 24 shtatorit qendron Vuçiçi nuk diskutohet pavarësisht se na mungojnë provat (e karakterit juridik se prova me karakter politik ka plotë). Por përpjekja serbe është ende në fazën e krijimit të kushteve për ndërhyrje ushtarake dhe jo në fazën që përpiqet ta paraqesë Kurti. Do të ishte marrëzi (madje dhe vetëvrasje) për Serbinë të fillonte aneksimin e veriut pa krijimin e gjithë kushteve që kërkon e drejta ndërkombëtare. 

Bashkimi i Tiranës dhe Prishtinës kundër përpjekjeve serbe për të kërcënuar rendin në Kosovë, është lajm i mirë por nevojitet shumë kujdes, sepse si Rama ashtu dhe Kurti kanë kuptim të pjesshëm të realitetit gjeopolitik. Rama, për shembull, ka vite që na thotë se nuk kërcënohemi nga Serbia por ndryshoi qendrim gati brenda një nate kur pa sulmin e 24 shtatorit ndërsa Kurti u kurthua në një proces jodemokratik dhe krijoi një dinamikë armiqësore në popullin serb të Kosovës në kushte tejet të pabarabarta ushtarake mes Serbisë dhe Shqipërisë (përfshirë dhe Kosovën); ndaj dhe vendimet dhe veprimet e tij janë tejet të rrezikshme për kombin tonë.

Tashmë mund të thuhet se Tirana dhe Prishtina e kanë një strategji për të penguar qëllimet serbe në Kosovë. Por ajo është tejet e pjesshme dhe nuk përputhet me realitetin gjeopolitik mes superfuqive ndërsa kërcënohet nga gafat e Kurtit, sepse me siguri ai nuk do t`i amnistojë veprimet e protestuesve serbë gjatë majit dhe do të vazhdojë të mos bashkërendojë vendimet me amerikanët, qoftë edhe nëse hartohet një marrëveshje tjetër dhe nënshkruhet, siç kërkon Prishtina.

As Kurti dhe as Rama nuk kanë përmendur ndonjë herë nevojën e amnistimit të protestuesve të majit në emër të drejtësisë ose meqënse ishte vendimi i Kurtit që i detyroi ata të protestonin kundër kryetarëve të rinj; as kam dëgjuar nga ata nevojën e nxitjes së amerikanëve drejt të drejtës ndërkombëtare ose nevojën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë si parakusht për të frenuar Serbinë në qëllimet e saj. Ndaj kundërstrategjia shqiptare do të dështojë dhe bashkë me të dhe amerikanët dhe kombi shqiptar.   

Dinamika e krijuar do të ketë, sidoqoftë, dy efekte të mirë por të përkohshëm: së pari do të fuqizojë sigurinë në kufi por gjendja atje do të jetë e brishtë pavarësisht këtij fakti, sepse nevojiten shumë veprime të karakterit ushtarak që të ndalojnë sulmin e mundshëm të ushtrisë serbe; së dyti, Tirana dhe Prishtina bashkohen përfundimisht, qoftë edhe në mënyrë sipërfaqësore. Por ky ‘bashkim’ do të forcohet me kalimin e kohës meqënse klasat tona politike do të kuptojnë më shumë realitetin gjeopolitik në ditët dhe muajt në vijim. Ajo pati dhe një efekt tjetër lidhur me Kurtin, sepse ndodhi kur ai ishte në proces izolimi nga “ndërkombëtarët”.            

Kjo analizë është përditësuar dy ditë pas publikimit fillestar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA