...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Tregtia e armëve e qeverisë “Vuçiç”, korruptimi i vendeve-njohëse të Dardanisë dhe opozita serbe

Krimi i shitjes kontrabandë të armëve të prodhuara në industrinë ushtarake: “Prvi Partizan”, “Krushik”, “Kragujevac” etj., në Serbi, është i njohur dhe vërtetuar që moti, dhe një nga aktorët kryesor të kësaj tregtie, Sllobodan Teshiq, ishte futur në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara, për shkak të shitjes së armëve “Al-Kaides” dhe regjimeve e organizatave të tjera terroriste.

Adil Fetahu

30/12/2019 - 20:54

Çështja e armëve që ka vërshuar këto ditë në mediat serbe lidhet me ministrin e jashtëm Ivica Daçiç, m. e brendshëm Nebojsha Sefanoviç dhe shumë personalitete të tjera, pa përjashtuar edhe vet kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Përmendja këto ditë e këtij krimi nga deputetja në Kuvendin e Serbisë, Marinika Tepiç, ka nxehur gjakrat dhe ka prishur klimën e festave të fundvitit, ngaqë, siç thotë dhe fjala e urtë: “nxjerr një kashtë e dalin gjashtë”. Madje, ky krim është vetëm njëri nga të shumtët nga lista e gjatë e thuajse gjithë ministrave në Qeverinë e Serbisë, me në krye lezbiken Ana Brnabiç.

Revista javore e Beogradit, NIN (Nedeljne informativne novine/gazetë informative javore), e datës 19 shtator 2019 në një shkrim të gjatë të tilluar, “Për secilin ministër në Qeverinë e Serbisë – mesatarisht nga tre krime”, paraqet hollësi për 18 ministra, me  kryeministren  e  tyre. Në gazetë thuhet se shumë nga krimet janë mbajtur në fshehtësi nga opinioni i gjërë, se ndonjë dënim është shqiptuar, por asnjë prej ministrave nuk është shkarkuar dhe as ka dhënë dorëheqje për shkak të krimeve për të cilët akuzohen.

Krimi i shitjes kontrabandë të armëve të prodhuara në industrinë ushtarake: “Prvi Partizan”, “Krushik”, “Kragujevac” etj., në Serbi, është i njohur dhe vërtetuar që moti, dhe një nga aktorët kryesor të kësaj tregtie, Sllobodan Teshiq, ishte futur në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara, për shkak të shitjes së armëve “Al-Kaides” dhe regjimeve e organizatave të tjera terroriste. Edhe pse ishte në listën e zezë të KB, Teshiqi (më 2013) kishte marrë pjesë, bashkë me Vuçiçin, që asokohe ishte ministër i mbrojtjes së Serbisë, në një takim të delegacioneve të kreut ushtarak të Serbisë dhe atij të Libisë, kur me Libinë ishte lidhur kontratë për shitjen e armëve në vlerë prej 150 milionë dollarë. Pas shitjeblerjes së armëve, në rrethana të pasqaruara, në vitin 2015 ishin marrë peng e pastaj vrarë dy diplomatë të Ambasadës së Serbisë në Libi (Sllagjana Stankoviç dhe Jovica Steviç), kurse në vitin 2017 ka humbur  jetën në një “aksident  trafiku” edhe ambasadori (Oliver Potezhica). Sipas opozitës serbe, Vuçiçi e Daçiçi janë përgjegjës për heshtjen dhe fshehjen e vrasjes së ambasadorit dhe dy diplomatëve të tjerë, për  vdekjen e të cilëve asnjëherë nuk janë zhvilluar hetime të mirëfillta. Për këto gjërësisht ka shkruar gazeta “Nacional” e Zagrebit, e datës 11 nëntor 2019.

Siç shkruan gazeta, Ivica Daçiç qysh kur ishte ministër i punëve të brendshme, ka bashkëpunuar me grupet kriminale të pastrimit të parave: Lluka Bojoviç, Darko Shariç etj. Bojoviçi që prej vitit 2012 është duke vuajtur dënimin me burg në Spanjë, i gjykuar për krim të organizuar. Për takimet e Daçiçit me Bojoviçin e të tjerë në shoqërinë e krimit të organizuar, atëbotë ka pohuar në Prokurorinë për Krimin e Organizuar edhe vet kryetari aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por as afera e shumëfolur për Daçiçin “Kofer” (Valixhja), nuk e kanë penguar Vuçiçin të bëjë koalicion qeverisës me Daçiçin dhe partinë e tij! Tash që Daçiçi është ministër i jashtëm, deputetja Tepiq e akuzon për krimin më të ri­—të mbledhjes së parave nga bizneset private dhe nga shitja e armëve në zonat e luftës në shtetet arabe, në Ukrainë e në vende të tjera, duke korruptuar me ato para zyrtarët e lartë të shteteve të cilat e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Eksporti i korrupsionit serb

Nervozën më të madhe krerëve të pushtetit serb ua ka shkaktuar nënkryetarja e Partisë për Liri e Drejtësi (e Dragan Gjillasit), deputete në Kuvendin e Serbisë, Marinika Tepiq, e cila haptas në konferenca për shtyp, në foltoren e Kuvendit dhe në emisione televizive i akuzon  Vuçiçin, Daçiçin, Nebojsha Stefanoviçin dhe të tjerë, për mbledhjen e parave nga shitja kontrabandë e armëve, që me ato para kanë korruptuar zyrtarët e lartë të  shteteve të cilat e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në të vërtetë, deputetja Tepiq thotë se duke lozur në kartën patriotike, Daçiçi, Stefanoviçi e të tjerë, se po punojnë  për interes të Serbisë për  tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kanë mbledhur para nga firmat private dhe ato shtetërore të prodhimit dhe të shitjes së armëve. Dhe natyrisht një pjesë i kanë investuar në eksportin e korrupsionit në shtetet të cilat kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por një pjesë të parave të grumbulluara i kanë mbajtur për vete. Deputetja Tepiq, me emër e mbiemër, me fakte e prova (të cilat do të duhej t’i hetojë prokuroria e shtetit) i akuzon personat konkret për skandalet e shitjes së armëve, keqpërdrimin e detyrës zyrtare në mbledhjen e parave, favorizimin e firmave dhe personave të caktuar për eksportin e armëve dhe vënien para falimentimit të industrisë ushtarake të Serbisë. Deputetja Tepiq e akuzon drejtpërdrejt dhe konketisht ministrin e punëve të jashtme, Ivica Daçiç, kur vetëm në një rast nga shitësi i armëve Sllobodan Teshiq, ka marrë para në dorë (kesh) më se një million euro, e në disa raste të tjera kur Daçiçi ka marrë para “për tërheqjen e njohjeve  të Kosovës”, ka qenë i pranishëm edhe shefi i Kabintetit të tij, Nikolla Nedelkoviç.

Në çështjen e shitjes së armëve është përfshirë edhe Ministria e Ekonomisë, të cilën e drejton Rasim Lajiç, duke favorizuar Sllobodan Teshiqin me dhënien e lejeve për eksportin e armëve, në afatet më të shkurtëra ndërsa eksportuesit e mallrave të tjera  duhet të presin muaj të tërë për të marrë lejen. Madje, armët as nuk shkojnë në destinacionin e deklaruar në lejen e dhënë, por shkojnë në adresa e tek shfrytëzues të tjerë ndërsa Ministria nuk bënë kontrollin e nevojshëm!

Gjithë skandali plasi para dy muajve kur një punëtor i kontrollit të Fabrikës së armëve “Krushik” në Valevë, Aleksandër Obradoviç, zbuloi se “shteti po thithë paratë prej fabrikës”, i cili menjëherë u arrestua nga Agjencia Informative e Sigurisë (BIA) dhe e burgosi në Burgun Qendror të Beogradit, me akuzë se ka zbuluar fshehtësinë ushtarake. Vetëm pas presionit të masës së punëtorëve dhe të popullit, pas 20 ditëve u lirua nga paraburgimi dhe u vendos në arrest shëpiak. Edhe pas daljes nga burgu, Obradoviçi përsëriti rrëfimin e tij duke vërtetuar se ajo që ka thënë është e vërtetë, dhe duke shtuar se  politikën e tregëtisë dhe të  kuadrove në “Krushik” e në fabrikat e tjera të industrisë ushtarake e kanë marrë në dorë njerëzit e shefit të BIA, Branisllav Gashiçit. Sipas akuzave të deputetes Tepiq, pas të gjitha punëve të pista të tregtisë së armëve të Serbisë, qëndrojnë funksionarë të lartë të partisë dhe bashkëpunëtorë të afërt  Vuçiçit. Personi  kryesor në tregtinë e armëve është Sllobodan Teshiq, tregtari më i madh i armëve në rajon, që ka disa firma të ligjshme dhe të paligjshme për shitjen e armëve, dhe është specialist për shitjen e armëve regjimeve dhe vendeve të cilët janë nën embargo të armëve dhe kanë regjime teroriste. Teshiqi qysh në vitin 2000 ishte futur në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara, kurse prej vitit 2017 në listën e zezë e ka futur edhe administrata amerikane.  Ndër personat e  tjerë në zinxhirin e trafikimit të armëve është edhe Branko Stefanoviç i ati i ministrit të punëve të brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviçit, përfaqësues ekskluziv, i firmës private për shitjen dhe eksportin e armëve  (GIM), i cili armët i blenë me çmime shumë më të lira se eksportuesi i mëparshëm shtetëror “Jugoimport”. Në këtë mënyrë “Krushiku” ka humbur dhjetra miliona euro, punon me 20% të kapaciteteve dhe rrezikon të mbeten pa punë 2000 punëtorë. Për çka ka ndodhur në industrinë ushtarake, i kemi njohtuar me shkrim Akejsabdar Vuçiçin, Ana Brnabiçin dhe Aleksandar Vullinin, por ata nuk kanë ndërmarrë asgjë, - ka thënë  kontrollori Obradoviç. Arkat me armë, përgatitur për eksport, i ati i ministrit Stefanoviç i kishte vendosur në depon e MUP-it, në Avallë! Dyshohet se disa prej armëve i ka konfiskuar policia dhe u janë dhënë kontrabandistëve privat për t’i shitur.

Deputetja Tepiq, këto ditë i ka vënë zjarr skandalit të kontrabandimit të armëve dhe mbledhjes së parave për fushatën e tërheqjes së njohjeve të Kosovës, duke akuzuar të gjithë me radhë, prej kryetarit të shtetit, ministrin e jashtëm e të brendshëm dhe persona  të tjerë në zinxhirin e këtij krimi. Ajo ka thënë se tërë procesi i tërheqjes së njohjeve të Kosovës është paguar me paratë e mbledhura nga bizneset private dhe nga tregtarët e eksportit të armëve, dhe këtë duhet ta hetojë policia e prokroria ndërsa hetojnë pasurinë e personave të apostrofuar. Kryetari Vuçiç duhet ta ketë ditur këtë, prandaj e ftoi që të jepte përgjigje në këto pyetje.

Por, për çudi, Vuçiçi që e ka zakon të reagojë menjëherë edhe për çështje krejtësisht të parëndësishme, për këtë skandal aq të madh e komprometues, është treguar i përmbajtur ndërsa ka thënë se kjo është fushatë politike e opozitës kundër tij. Gjatë vizitës që bëri (më 25 dhjetor) në Kompleksin Turistik në Fushka Gora (Vojvodinë), gazetarët kërkuan nga Vuçiçi të komentojë deklaratat e deputetes Tepiq, sipas së cilës Serbia u ka paguar shteteve për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Vuçiçi nuk e mohoi këtë, veçse tha: “Kur arrijmë të përmirësojmë diçka, atëherë flasin për shpenzimet, e kjo është vetëm sa për të thënë diçka”. Kështu, në mënyrë indirekte, kryetari i shtetit pranon se tërheqja e njohjeve të Kosovës është bërë me pagesë duke korruptuar zyrtarët e shteteve të cilat e kanë tërhequr njohjen. Ndërkaq, ministri i jashtëm, Daçiçi, që shtë personi më i përfolur në këtë çështje, ka reaguar, duke mohuar se nuk ka marrë pará për vete. Ai ka kërcënuar deputeten Tepiç se do ta padisë për shpifje dhe ulje të autoritetit të tij personal dhe të shtetit të Serbisë. Daçiçi ka thënë se “deklaratat e Marinikës janë sikur t’ishin nga separatistët dhe terroristët shqiptarë. Zyrtarët kosovarë tash e kanë Marinikën aleate në përpjekjet e tyre për ta kompromentuar shtetin e Serbisë. Nuk bëhet fjalë këtu kundër korrupsionit, veçse    industrisë ushtarake, në një kontekst kriminal e lidhin me tërheqjen e njohjeve për ta komprometuar tërë aksionin dhe shtetin e Serbisë në këtë projekt të rëndësishëm dhe të suksesshëm të diplomacisë serbe. Ky është atak në një çështje të rëndësishme shtetërore dhe tentim për shkatërrimin e projektit të mbrojtjes të interesave shtetërore në Krahinën jugore. Po të shpalllej një hua popullore, të gjithë serbët do të jepnin pará për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Lobimin për aksionin e tërheqjes së njohjeve të Kosovës e ka lejuar vet Vuçiçi, sepse ky është projekt me interes kombëtar dhe shtetëror”, ka thënë Daçiçi. Sipas Daçiçit, kjo fushatë është nxitur nga opozita.

Ndaj deklaratave të deputetes Marinika ka reaguar edhe i përfoluri Nikolla Nedelkoviç, shef i Kabinetit të ministrit të punëve të jashtme, duke kërcënuar se do të ngrejë padi kundër deputetes për deklaratat e saj, të cilat i ka quajtur “gënjeshtra të turpshme, të cilave iu gëzohen vetëm armiqtë e Serbisë, ndërsa ai dhe të gjithë patriotët serbë krenohen me fushatën e tërheqjes së njohjeve të Kosovës nga 17 shetete! Askush nuk e ka  sulmuar Serbinë në mënyrë kaq brutale, sa e ka bërë këtë deputetja Tepiq”,  ka thënë Nedelkoviçi, në komunikatën zyrtare të njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë. Duke iu përgjigjur kërkesës nga deklaratat e Marinikës, që të hetohet pasuria e Nedelkoviçit, ai ka thënë se “pasuria ime e vetme është patriotizmi dhe dashuria ndaj Serbisë”!

Kundër akuzave të deputetes Tepiq ka reaguar edhe trabanti i Vuçiçit, ministri i mbrojtjes, Aleksandër Vullin. Ai ka thënë se: “për shkak të deklaratave komprometuese të deputetes Tepiq, në emër të të gjithë qytetarëve të Serbisë, u kërkoj falje të gjithë shteteve të cilët e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës”. Vullini duket se nuk e di funksionin e tij: a është kryetar i shtetit (të kërkojë falje në emër të gjithë qyetarëve të Serbisë), a është ministër i jashtëm (të kërkojë falje në emër të diplomacisë), apo është ministër i mbrojtjes që  të kërkojë falje në emër të çështjeve kriminale të zhvilluara brënda saj, në industrinë ushtarake?

I ashtuqutuajturi drejtori i Zyrës për Kosovë-Metohi në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, që është megafon i rendomtë i Vuçiçit, ka reaguar duke thënë se: “Tepiqi e ka turpëruar tërë popullin serb, karshi suksesit më të madh që ka arritur Serbia me tërheqjen e njohjeve”. Edhe ministri i Energjetikës, Aleksandër Antiç, i ka gjykuar dekaratat e deputetes Tepiq, se shteti ka paguar për tërheqjen e njohjeve. “Deklaratat e saj nuk i kanë shkaktuar kurrëfarë dëmi politik Daçiçit dhe këshilltarit të tij Nedeklkoviç, veçse i kanë bërë dëm të madh shtetit të Serbisë, duke u radhitur në krahun e politikanëve të Prishtinës, me akuzat kinse se Sebia i ka korruptuar qeveritë e vendeve të cilat kanë tërhequr njohjen. Prandaj, dëmi i është shkaktuar Serbisë, ndërsa turpi është i deputetes, e cila nga parlamenti bënë këto akuza”, ka theksuar ministri Antiç.

Edhe pse opozita nuk është deklaruar lidhur me akuzat që ka bërë deputetja nga radhët e opozitës, zyrtarët më të lartë të Serbisë akuzat e saj ia atribuojnë opozitës dhe konkretisht liderit të saj, Dragan Gjillas. I vetmi nga opozita që ka reaguar ndaj akuzave të deputetes Tepiç ishte kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviç, i cili ka thënë: ”Edhe sikur t’ishin të vërteta ato që thotë Tepiç, ato ishin në të mirë të Serbisë”.

Analisti më i njohur politik i Serbisë, Dushan Janjiç, ka thënë: “Të dhënat nga akuzat e tilla i shfrytëzon pala tjetër dhe kjo mund të krijojë probleme delikate në raportet ndërkombëtare, sidomos me Uashingtonin dhe Brukselin”. 

Marinka Tepiç, e cila ka shkaktuar “termet dhe cunami politik” në Serbi, me ngritjen e aferës së armëve për fushatën e tërheqjes së njohjeve të Kosovës, është një femër e guximshme. Me rastin e vizitës së eksremistit të djathtë britanik, Xhim Doson, në nëntor të vitit 2017, Tepiç nga foltorja e parlamentit pyeti: “Çka kërkon në Serbi fashisti Xhim Doson, i cili u jep donacione manastireve nga paratë e fituara me shitjen e armëve”? Tepiç është e lindur në Pançevë (1974), ka kryer Fakultetin e Filologjisë- gjuhë dhe letërsi angleze dhe rumune, ka punuar si gazetare dhe aktiviste në disa OJQ, ka qenë anëtare e Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, ndërsa prej vitit 2017 është anëtare e Kryesisë së Partisë për Liri dhe Drejtësi (të Dragan Gjillasit). Është me prejardhje rumune (me mbiemër: Çobanu).   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA