...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Venezuela drejt luftës civile dhe ndryshimit të regjimit? (përditësuar)

Trampi ndikohet shumë nga kubanezë-amerikanë dhe venezuelanë të syrgjynosur në Florida. Shumë shoqërohen me të në “shtëpinë e bardhë dimërore” në Mar-a-Lago. Shumica e elitës financiare e Venezuelës janë arratisur nga vendi bashkë me një të dhjetën e popullatës tërësore të saj. Shumë të arratisur blenë banesa në bashkëpronësi në shumë prona të Trampit në Florida. Është e pamundur të heqësh një linjë ndarëse mes biznesit të Trampit dhe mbështetjes së tij për norma demokratike në Venezuelë

Ylli Përmeti

24/01/2019 - 19:20

Kriza e fundit në Venezuelë filloi pas strategjisë së Asamblesë Kombëtare të dominuar nga opozita për të fuqizuar pozicionin e saj si qeveri e ligjshme. Kjo strategji buron nga një shkak tjetër që lidhet kryesisht me gjendjen ekonomike të Venezuelës e cila u përkeqësua vitet e fundit që kur filloi rënia e çmimit të naftës (2014). Çmimi i naftës, me radhë, pësoi rënie pas luftës gjeopolitike që filloi Obama me Rusinë. Por ishte keqorientimi i ekonomisë së Venezuelës që mundësoi efektin e “armëve” gjeopolitike nga Amerika: sepse ekonomia e saj u mbështetë kryesisht në eksportin e naftës dhe financën e huaj. Kështu kreu i asamblesë kombëtare të Venezuelës, 35 vjeçari Juan Guaido, deklaroi veten president të përkohshëm dhe bëri thirrje për zgjedhje të lira ndërsa i ofroi Maduros dhe rrethit të tij të brendshëm amnisti nëse ata pajtoheshin në një tranzicion të qetë. Pas deklaratës së tij pasoi deklarata e Amerikës që njohu presidentin e ri dhe pas deklaratës së saj pasuan deklaratat e tjera në mbështetje të Amerikës: nga Kanadaja dhe shumica e vendeve të Amerikës Latine dhe përtej. Nuk mungoi në këtë proces njohjesh dhe vrima e fundit e kavallit: Kosova dhe Shqipëria. Por vendet kryesore të BE-së (Spanja, Gjermania, Franca dhe Britania) mbajtën një qendrim të rezervuar si fillim dhe pas dy ditësh tensione sociale i dhanë ultimatum Maduros që të zhvillonte zgjedhje brenda dhjetë ditëve ndryshe do të njihnin opozitën.

Kështu asambleja kombëtare, siç tregon dhe këshillon FT,[1] vepron aktualisht si qeveri kalimtare. Ajo vazhdon të theksojë çdo veprim ligjor që merr. Ajo është takuar me mbajtësit e bondeve të dështuar dhe dërgoi ambasadorin e saj në Organizatën e Shteteve Amerikane. Ajo mund të përpiqet të dërgojë një nga njerëzit e saj në kartelin e naftës së OPEC-ut. Për të njëjtën arsye njohja ndërkombëtare e presidentit të ri është më shumë se simbolike. Kërcënimi i Trampit se gjithë variantet janë në tryezë —duke përfshirë dhe ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë— është thjesht një kërcënim që asnjëri s`e beson. Vetëm sanksionet janë më realë, sepse do të ndërpresin burime të patronazhit ushtarak dhe nxisin ushtrinë të marrë anë. Rezultati eventual i të gjitha këtyre, konkludon analiza, është i panjohur: ose një pranverë përmes së cilës Maduroja, [presidenti i zgjedhur përmes zgjedhjeve të cilat Amerika pretendon se janë manipuluar], ose një periudhë kalimtare ushtarake e stilit së Zimbambes. Uashingtoni, në fakt, ka konsideruar nxitjen e dezertimeve ushtarake në gradat e larta.

Rreziqet për një luftë civile mes mbështetësve të presidentit të asamblesë dhe ushtrisë së Maduros janë realë sidomos kur dihet se Trampi kërkon fitoren e Juanit dhe ushtria e Maduros nuk mbështeti “interesat e zeza”, siç ajo tha pas gjithë këtyre ngjarjeve, dhe nuk pranoi presidentin e ri. Siç argumeton, për më shumë, kolumnisti amerikan i FT:

Disa mund ta quajnë “doktrinë Monroe” [jointervencioniste] politikën e Trampit përmes së cilës Amerika trajton hemisferën perëndimore ekskluzivisht si oborr të shtëpisë së saj. Por ata që brohorasin [duke përfshirë dhe demokratët] zellin e ri të Trampit për demokracinë e jashtme...duhet të mbajnë në mendje tre paralajmërime. Së pari Trampi është selektiv. Ai ka treguar interes të vogël për të folur për të drejtat e njeriut ose demokracinë në pjesë të tjera të botës, si në Mejnmar, Sudan dhe Kinë. As mund të zbatohet doktrina e Monroes: Trampi ka qenë sa pakujtesë kundrejt zgjedhjeve të manipuluara dhe abuzimeve me të drejtat njerëzore në Guatemalë dhe Honduras në hemisferën perëndimore po aq dhe kudo tjetër...problemi është se pakujtesa ose harresa e bënë atë më pak të parashikueshëm: sepse këto parime ose janë të përgjithshme ose s`janë. Trampi duhet të sqarojë mbi ç`bazë merr vendime fakt që çon në paralajmërimin e dytë: Trampi ndikohet shumë nga kubanezë-amerikanë dhe venezuelanë të syrgjynosur në Florida. Shumë shoqërohen me të në “shtëpinë e bardhë dimërore” në Mar-a-Lago. Shumica e elitës financiare e Venezuelës janë arratisur nga vendi bashkë me një të dhjetën e popullatës tërësore të saj. Shumë të arratisur blenë banesa në bashkëpronësi në shumë prona të Trampit në Florida. Është e pamundur të heqësh një linjë ndarëse mes biznesit të Trampit dhe mbështetjes së tij për norma demokratike në Venezuelë. Por është me dobi të theksohet se ai ka folur vazhdimisht për liri për vetëm tre vende — për Kubën, Iranin dhe Venezuelën. Fakti që refugjatët nga Guatemala dhe Honduras kanë prirjen për të qenë të varfër ndërsa venezuelanët që ai takon në Florida nuk janë, mund të ketë lidhje me të. Paralajmërimi i tretë është se Trampi gjendet në mbyllje të qeverisë…dhe mosmarrëveshja me demokratët e vendosë atë në anën e politikës së jashtme të Uashingtonit dhe shumicës së botës.[2]   

Por nga ‘paralajmërimet’ që përmend autori, vetëm i dyti ka një rëndësi të veçantë lidhur me ‘bazën’ përmes së cilës Trampi merr vendime në politikën e jashtme. Një tjetër ‘bazë’, dhe kryesorja, përmes së cilës Trampi merr vendime në politikën e jashtme, është çështja e naftës: domethënë, shtimi i eksporteve amerikane duke minimizuar eksportet venezueliane dhe duke mbajtur çmimin në koston e prodhimit dhe fitimit të ndërmarrjeve naftënxjerrëse amerikane. Në këtë mënyrë, Trampi me një gur godet disa zogj. Por ndërsa Trampi mbështeti opozitën dhe do të vazhdojë ta mbështesë për arsyet që u cituan më lartë, Putini mbështeti Maduron duke dënuar fuqitë e huaja dhe duke ripërmendur se fuqitë…shkelin të drejtën ndërkombëtare që mund të çojë drejtëpërdrejt në gjakderdhje. Bashkë me Putinin, këtë herë u radhit dhe Erdogani duke zgjeruar çarjen me Uashingtonin. Si pasojë, presidenti venezuelian urdhëroi ndjekjen e diplomatëve amerikanë nga vendi brenda 72 orëve. Por ngaqë Uashingtoni nuk njeh regjimin e Maduros refuzoi largimin e diplomatëve. Ky qendrim nuk zgjati më shumë se 24 orë pasi Uashingtoni urdhëroi tërheqjen e nëpunësve jo-emergjentë të qeverisë dhe u tha qytetarëve amerikanë të ‘konsideronin largimin’ seriozisht ndërsa kërkoi një sesion urgjent në këshillin e sigurisë në OKB por Rusia refuzoi sepse, sipas saj, ajo është një çështje e brendshme venezueliane. Rreth një javë më vonë Madurua u tërhoqë nga urdhëri i ndjekjes së diplomatëve amerikanë dhe hapi një dritare prej 30 ditësh gjatë të cilave do të negocionte themelimin e një “zyre për interesat amerikane” në Venezuelë dhe një zyrë reciproke në Amerikë. Përpara kësaj lëvizje një krye-emisar ushtarak në Uashington dezertoi duke nxitur anëtarë të tjerë të forcave ushtarake të vepronin njëlloj.

Sanksionet ekonomike mund të përfshijnë ndalimin e blerjes së naftës që Venezuela shet në Amerikë. Rafineritë amerikane importuan mesatarisht 500,000 fuçi në ditë të naftës së rëndë në sulfur venezuelane në 10 muajt e parë të vitit 2018. Amerika mund të ndalojë shitjen e tretësve dhe kimikateve të tjerë për të cilët ka nevojë Venezuela për të përzierë naftën e saj krudo pa të cilët nuk mund të shitet. Prodhimi i naftës është rrënuar më shumë se gjysma përgjatë 18 viteve të kaluar në pak më shumë se 1 milion fuçi në ditë nga 2.4 milionë një dekadë më parë. Një rrugë tjetër sanksionesh është shkëputja e Venezuelës nga sistemi financiar. Pompeo e përmendi këtë fakt në Këshillin e Sigurimit ku tha se shpresonte se çdo shtet do të “shkëpuste sistemin e tij financiar nga regjimi i Maduros”. Dhe kështu ndodhi pas pak ditësh:Uashingtoni njoftoi sanksione kundër ndërmarrjes shtetërore të naftës duke konfiskuar 7 miliard dollarë asete në Amerikë, duke ndaluar qytetarët amerikanë të blejnë bondet e ndërmarrjes ­—që pak ditë më vonë shtoi në listë dhe bondet sovrane të Venezuelës duke nxitur kapitalistët amerikanë (Pimco, BlackRock, AllianceBernstein, T.Rowe Price, Goldman Sachs etj.) të shesin borxhin në bonde te të huajt…pavarësisht humbjeve të  mëdha—, dhe duke shtuar se sanksionet do të ndikojnë në eksportet venezueliane me 11 miliard dollarë. Argumenti ishte se Amerika kërkon të ndihmojë në parandalimin e ndarjes së mëtejshme të aseteve nga “ish”, siç argumentoi ministri i brendshëm, Mnuchin, “presidenti Maduro”. Si rezultat, Madurua i quajti sanksionet amerikane si një përpjekje për të “vjedhur” ndërmarrjen nga Venezuela dhe deklaroi se vendi i tij do të fillonte veprime ligjore për të mbrojtur ndërmarrjen dhe paralajmëroi se do të kundërpërgjigjet simetrikisht kundrejt sanksioneve amerikane në të ardhmen e menjëhershme për të mbrojtur interesat e Venezuelës. Ndalimi i transaksioneve me ndërmarrjen shtetërore të Venezuelës dhe bllokimi i pronave të saj në Amerikë synon ndërprerjen e të ardhurave të saj me qëllim të mëtejshëm ushtrimin e presionit mbi Maduron.

Më konkretisht, sanksionet synojnë 500,000 fuçitë ditore që eksportohen në Amerikë në kohën kur prodhimi i naftës venezueliane është pak më shumë se 1 për qind i prodhimit botëror. Për të njëjtën arsye, si eksportet e Venezuelës ashtu dhe importet amerikane do të orientohen në shtete të tjerë. Kështu fuçitë e refuzuara nga ndërmarrjet amerikane do të gjejnë tregje në Indi dhe Kinë, siç kanë gjetur gjatë vitit 2018, ndërsa rafineritë amerikane do të detyrohen të gjejnë furnitorë të tjerë për të zëvendësuar krudon e Venezuelës. Por rafineritë amerikane do të detyrohen të paguajnë më shumë për krudon e vendeve të tjerë. Kështu ata mund të reduktojnë përqindjet operative për t’u përllogaritur për një marzh më të ulët. Ky efekt mund të kufizojë prodhimin e lëndës së rafineruar si nafta dhe benzina, duke reduktuar stoqet e naftës në Amerikë. Por përqindja e vogël e ekporteve energjitike venezueliane dhe zëvendësimi i krudos nga ndërmarrjet amerikane nuk mund të ndikojë në çmimin e naftës.[3] Kështu, fakti që krudoja venezueliane mund ta zëvendësojë tregun amerikan me tregun e lindjes së largët, ata që dëmtohen nga sanksionet amerikane —në afatshkurtër— janë kryesisht ndërmarrjet amerikane: rafineritë. Nga sanksionet amerikane do të preket dhe ndërmarrja spanjolle, Repsol, sepse vitin e kaluar filloi të rafineronte krudon venezueliane (rreth 10% nga totali i ndërmarrjes). Kështu, që kur u njoftuan sanksionet çmimi i naftës u rrit rreth 62.67 fuçia. Por çmimi aktualisht është mjaft poshtë krahasuar me katër vjet më parë kur arriti 86 dollarë.[4]

Në gjendjen e rënduar ekonomike Rusia e Putinit —sipas raporteve ruse— dërgoi 1.2 miliard dollarë në ar (30 tonë) për të shpëtuar Maduron: sepse Rusia ka interesa ekonomike të thella në Venezuelë krahas dëshirës për të mbajtur një frëngji gjeopolitike atje—duke krijuar një iriq në brekët amerikane. Moska i ka dhënë hua prej miliarda dollarësh Venezuelës dhe është përfshirë në disa sipërmarrje në industrinë e naftës. Thuajse gjithë ari do t`u shitet shteteve arabe në këmbim të euros. Një muaj përpara këtij veprimi banka angleze (“Bank of England”) refuzoi kërkesën e Maduros për të tërhequr 1.2 miliard dollarë në ar. Për të njëjtën arsye Moska dërgoi aeroplanin e saj në Venezuelë ku shkarkoi arin duke mënjanuar “nazet” e bankave perëndimore. Këto pretendime, sidoqofshin, refuzohen nga Moska zyrtare.[5] Por një gazetar i BBC-së tregon të kundërtën, se Madurua po përdor arin—pasurinë tjetër të vendit krahas “arit” të zi—për të rritur sasinë e valutës dhe krijojë miq. Shkurt, lojë diplomatike. Domethënë, po shet rezervat e arit në Turqi, Rusi dhe Emiratet Arabe.

Kështu vitin e kaluar Venezuela eksportoi rreth 900 milion dollarë ar vetëm në Turqi dhe pjesën tjetër në Emirate dhe Rusi. Shqetësimi që ngrihet sipas raportit, janë kushtet e punëtorëve të minierave të arit të cilët si pasojë e krizës ekonomike gërmojnë për ar pa leje ndërsa përplasen me banda kriminale, ku janë vrarë me dhjetra punëtorë ndërsa po shkaktojnë një katastrofë të vërtetë ekologjike[6] dhe dyshimi nga Amerika se një sasi që shkon Turqi përfundon në Iran duke shkelur sanksionet. Tashmë Turqia konsiderohet shqetësimi më i madh në tregun e arit dhe është paralajmëruar nga amerikanët se është në tel të thikës. Mendohet se rezervat e Venezuelës në ar janë rreth 8 miliard dollarë. Kështu opozita atje bashkë me aleatët e saj jashtë vendit po përpiqet të bllokojë eksportin e arit me qëllim që të dobësojë dhe më shumë Maduron.[7] Kujtoj se Venezuela e Çavezit ndihmoi më shumë se 1.7 milion amerikanë me naftë falas për ngrohje, nga viti 2005 deri në vitin 2013, kur uragani Katrina shkatërroi pasuritë e banorëve të prekur atje.[8] Dy ditë para se shtetet hegjemone të BE-së të njihnin opozitën e Venezuelës, siç kishin paralajmëruar, Madurua citoi në një mbledhje se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Pak ditë më vonë, kur opozita ishte në pritje të ndihmave të huaja dhe dezertimeve të ushtarakëve — Madurua bllokoi rrugët e kufijëve prej të cilave vinin ndihmat amerikane.                    



[1]Venezuelan opposition strategy bears fruit, FT, 23 January 2019. 

[2]The risks of Trump’s Venezuela freedom cry, Edward Luce, FT, 24 January 2019.

[3]US squeezes Venezuela: what now for oil? FT, 31 Janury 2019.

[4]US sanctions threaten Repsol crude-for-debt deal with Venezuela, FT, 01 Feb 2019.

[5]Moscow ‘sends $1.2bn in gold’ to aid Venezuela’s Maduro, The Times, February 1 2019.

[6]Venezuela`s illegal gold mines, DW, 24. 03. 2017.

[7]Venezuela`s gold diplomacy gamble, BBC, 09 Feb 2019.

[8]Venezuela donated free heating oil to 100,000 needy US households, 2005-2013, Brett Wilkins, Global Research, Feb 03, 2019.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA