...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Si e përjetova fashizmin e shoqërisë dhe gazetarisë greke?

Pyetjes se pse na urrejnë grekët si popull ne duhet t`i përgjigjemi me kuptimin e natyrës së njeriut: që të kuptojmë pse të tjerët na urrejnë nevojitet t`i japim përgjigje së pari pyetjes se pse nuk na dashurojnë: sepse e kundërta e dashurisë është urrejtja. Dashuria dhe urrejtja janë emocione të fuqishme dhe shkaktojnë dinamika të fuqishme: e para e zbukuron jetën; e dyta e shëmton. Ne e kuptojmë se nga buron urrejtja kur kuptojmë se nga buron dashuria. Ne dashurojmë një njeri kur është i ‘bukur’ për syrin tonë dhe përputhet me karakterin tonë.

Ylli Përmeti

09/11/2018 - 13:10

Djegia e flamujve është veprim fëmijëror dhe si i tillë është i padëshirushëm për cilindo që vepron kështu, siç janë veprimet e tjera kur gjuajnë flamujt e një kombi tjetër me armë dhe i tregojnë në publik. Karakterin fëmijëror e treguan edhe një herë militantët e agimit të artë pas vrasjes së shqiptarit Kaçifa (gazetarët e oligarkisë sonë e shkruajnë siç e shkruajnë kolegët e tyre grekë: Kaçifa(s)!) kur dogjën flamurin tonë.

Këto veprime më kujtojnë vitin 2004 kur përfaqësuesja jonë fitoi me Greqinë ―pasi Greqia kishte fituar kampionatin europian dhe kishte ekzaltuar popullin grek dhe kishte fituar besim dhe nuk shqetësoi asnjërin me ekzaltimet e saj në Portugali e gjetkë― dhe në 2005 humbi në stadiumin Olimpik, të cilën e prita me shumë kërshëri. Përgatita një parrullë 10 metra të gjatë, me sfond të kuq dhe me përmbajtjen “shqiptarin s`e ka nxjerrë lokja prej barkut por huta prej çarkut, forza Albania”. Më mori shumë kohë se e pikturova vetë. Atë ditë unë punoja deri vonë dhe parrullën ia dhashë kushëririt, të cilën ia mori në hyrje të stadiumit policia greke. Kur shkova unë, ndeshja ishte gati për të filluar. Policia greke besoi se unë isha grek dhe më futi në stadium nga ana e grekëve, ku ishin as s`ishin 1 mijë vetë. Unë futem dhe menjëherë shkoj te një grup shqiptarësh ―të kuq të gjithë, rreth 3 mijë vetë― dhe përfshihem në entuziazmin e stadiumit.

Emocionet ishin të fuqishme. Kur përfaqësuesja jonë po luante mirë, papritur në krahun tim të majtë shfaqet parrulla që më kishte marrë rreth 1 muaj për ta përgatitur: ajo ishte në duart e tifozëve grekë dhe ata i vunë flakën. Mu ndez gjaku kur pashë ndjegien e saj dhe thërras fortë drejt turmës: djema po na djegin flamurin! Filloi përleshja me policinë; ishte një gardh vertikal me policë që na ndante me tifozët grekë. Shqiptarët filluan të shkulnin ndenjëset plastike dhe i përdorën për sulm. Pas pak minutash dhe pasi ishim qetësuar disi tifozët grekë filluan të na gjuanin me sende të forta. Përpara meje një shqiptar u godit me një kuzhinetë në nofullë: ardhjen e saj e dëgjova sikur të ishte plumb. Për pasojë, gjithë dhëmbët i dolën nga goja sikur të ishin gurë bashkë me valën e gjakut. Filloi përleshja prapë…pas pak minutash, grupi i shqiptarëve që ishte në katin e dytë të stadiumit―na kishin ndarë që mos të ishim bashkë dhe mos të dukeshim shumë në raport me grekët― dogjën një flamur grek prej letre si hakmarrje e veprimeve greke…për pasojë, pas ndeshjes një grup shqiptarësh vërshoi në rrugët qendrore të Athinës dhe shkaktuan plotë trazira. Të nesërmen, masmedia e fillon reportazhin jo nga parrulla ime dhe nga veprimet e tjera provokuese të grekëve në bashkëpunim me policinë greke por nga djegia e flamurit grek; donte të na fajësonte për trazirat!

Dhe siç e paraqiti masmedia ashtu besoi dhe publiku! Kur shkova në punë―ndërmarrje me rreth 1500 punëtorë dhe vetëm me grekë― u përballa me sulmin kolektiv të tyre duke më thënë ashtu e kështu. Por isha mësuar me ta; kisha plotë vite që kacafytesha me ta―duke filluar me vitin 1999 kur më sulmonin se pse mbroja luftën e shqiptarëve në Kosovë. Pasdite shkoj në institut ku bashkëstudentët e mi, grekë, me të cilët bashkëpunoja për shumë punë gazetareske, disa prej të cilave i kam ruajtur, më shfaqen me një flamur shqiptar të grisur: e kishin grisur në stadium po të njëjtën mbrëmje! Ishin në grupin e nacionalistëve grekë ndërsa me brohoritje raciste më tregonin “bëmat”. Nuk e di se si u përmbajta dhe ua kthej: ju jeni gazetarë?! Dhe ua rrëmbej menjëherë flamurin e coptuar nga duart dhe u them: Fashistë me damkë! Aty filloi ftohja ime e madhe me ta dhe zemërata ime shpërtheu pak ditë më vonë kur patëm një mbrëmje “nderi” me pedagogë, kur rrëfeva se nuk isha grek por shqiptar dhe se nuk studioja vetëm gazetari sepse ishte një nga ëndërrat e mija por sepse doja të kuptoja se ç`gazetarë përgatisni…strategjia ime i befasoi dhe i turpëroi por e vlerësuan shumë si përpjekje dhe e konsideruan të vyer…

Ndërsa ky ishte një lloj fashizmi që shkaktohet nga masmedia (kur ajo nuk tregon shkaqet e vërtetë të ngjarjeve të këqija në shoqëri), një tjetër shkaktohet nga pedagogët: mes shumë pedagogëve që kisha, njëri na jepte politikën ekonomike dhe diplomacinë. Ai kishte punuar rreth 50 vjet në gazetat më të mëdha në Greqi dhe në role të ndryshme. Kishte punuar dhe si kryredaktor për shumë vite. Por pavarësisht këtij fakti, ai ishte trushpëlarë nga propaganda e kishës greke: se shqiptarët ishin sllavë dhe kishin ardhur në Ballkan në mijëvjeçarin e dytë të erës sonë! Kur e dëgjova shpërtheva dhe e kundërshtova. Si rezultat, ai nuk kundër-argumentoi por premtoi se do të lexonte më shumë. Kështu pas një jave që na jepte mësim, e filloi mësimdhënien duke kërkuar ndjesë ―veçanërisht kundrejt meje― se kaq vite nuk dinte origjinën e shqiptarëve, duke argumentuar se lexoi shumë gjatë fund-javës për këtë çështje dhe duke këshilluar studentët se duhet të ishin të kujdeshëm me shqiptarët, se janë popull i vjetër etj. Një pedagog tjetër, nip i Kolokotronit, që jepte reportazhin fetar―se si t`i thurësh lavde kishës greke dhe priftërinjëve përkatës (vetë pedagogu ishte fetar)―ishte fashist në kuptimi e plotë fjalës, sepse urrente shqiptarët. Nuk u përpoqa ta shtyja drejt reflektimit për këtë ndjenjë sepse ishte i madh në moshë (rreth 70 vjeç). Por e lashë të shpaloste gjithë urrejtjen e tij duke menduar se përballësh vetëm me studentë grekë. Ishte dhe një pedagog tjetër, që jepte historinë greke, fashist i deklaruar: sepse kështu deklaroi pa droje. Pedagogët e tjerë ishin më të kujdesshëm. Disa prej tyre dhe të dashur me mua veçanërisht kur u tregova origjinën. Nga këta lloj pedagogësh, rrjedhimisht, përgatiteshin studentë gazetarie prej të cilëve shoqëria greke “edukohet”.

Me rëndësi të veçantë është përmendja e ‘infiltrimit’ të gazetarëve në masmedia nga kisha greke ose pushteti fetar atje: duke ditur se gazetarët e rinj burojnë nga një cikël shkollor dhe shoqëror ku mësimi fetar dominon mendësinë e tyre, feja i ‘infiltron’ ata edhe kur mbarojnë studimet gazetareske kur ajo kërkon t`i bekojë dhe kur i kontrollon ata në vazhdim përmes drejtorëve në masmedia. Për shembull, kur mbaruam studimet, erdhi kryepeshkopi për të na shuguruar përmes një ceremonie të organizuar nga instituti― domethënë, kalonin të gjithë studentët një nga një nga kryepeshkopi duke i prekur studentët në ball dhe studenti për t`i puthur dorën dhe përulur para tij. Në ceremoninë ku unë merrja pjesë, vetëm unë nuk pranova t`i nënshtrohesha ritualit përkatës. Unë, në të vërtetë, qendrova pikërisht përballë kryepeshkopit me duar të kryqëzuara në gjoks duke vërejtur me përbuzje gjithë ceremoninë. Gjithë studentët e tjerë iu nënshtruan shugurimit. Për mosnënshtrimin tim u ‘dënova’ pas studimeve me mospranimin e platformave që propozoja. Nuk është e rastit që kolegët gazetarë më këshillon pas studimeve dhe përpjekjes sime për të realizuar një platformë (program televiziv) në dobi të të dy popujve, që të merrja së pari nënshtetësinë greke―duke kaluar nga një komision përbërja e të cilit ishte kryesisht me priftërinj―ku mes shumë pyetjeve të tjera, priftërinjtë të pyesnin: do të luftoje në nevojë të atdheut të ri kundër atdheut tend të vjetër?

Përmes këtij procesi, rrjedhimisht, pushteti fetar ‘infiltron’ gazetarët në masmedia. Një tjetër është ‘infiltrimi’ i tyre në role kyçe të masmedias (drejtor etj.). Në masmedian publike e ka të thjeshtë të diktojë individin që kisha dëshiron meqënse ministria e arsimit është edhe ministri fetare. Ndërsa në masmedian private i “emëron” duke folur drejtpërdrejt me pronarët. Kjo është arsyeja pse në debate publike masmedia greke nuk fton shqiptarë. Në luftën me Serbinë, për shembull, në debate publike ftoheshin zakonisht pak individë: Aristidh Kola, ndonjë herë Gazmend Kapllani dhe rrallë herë ndonjë individë që nuk mund të shkaktonte “tronditje” të opinionit publik. Në këtë mënyrë kontrollohet opinioni publik dhe riprodhohet urrejtja në shoqëri, të cilën e shqyrtoj në vazhdim. Në Greqi, rrjedhimisht, nuk ekziston ndonjë “parashtet” apo “paraushtri”, siç argumentojnë shumë në hapësirën mediatike dhe universitare. Por ekzistojnë disa pushtete (politike, fetare dhe ekonomike) të ndërvarur që nuk mund të mbijetojnë pa njëri-tjetrin.            

Pyetjes se pse na urrejnë grekët si popull ne duhet t`i përgjigjemi me kuptimin e natyrës së njeriut: që të kuptojmë pse të tjerët na urrejnë nevojitet t`i japim përgjigje së pari pyetjes se pse nuk na dashurojnë: sepse e kundërta e dashurisë është urrejtja. Dashuria dhe urrejtja janë emocione të fuqishme dhe shkaktojnë dinamika të fuqishme: e para e zbukuron jetën; e dyta e shëmton. Ne e kuptojmë se nga buron urrejtja kur kuptojmë se nga buron dashuria. Ne dashurojmë një njeri kur është i ‘bukur’ për syrin tonë dhe përputhet me karakterin tonë. Zakonisht njerëzit mjaftohen me bukurinë e syrit dhe nuk kërkojnë bukurinë e karakterit, jo sepse nuk duan të mësojnë se ‘ç`është’ dhe pse është ashtu siç ‘është’ tjetri por sepse nuk kanë mësuar të shqyrtojnë…kur ‘bukuria’ për syrin humbet dhe kur nuk kemi kuptuar ‘bukurinë’ e karakterit të tjetrit, ne jo detyrimisht e urrejmë. Ne urrejmë kur përballemi me dukuri të shëmtura dhe njerëz të padrejtë: sepse nga veprimet e padrejta krijohen gjithnjë dukuri të shëmtuara.

Gjykuar nga fakti se si janë paraqitur shqiptarët në Greqi nga masmedia―si njerëz të këqij, barbarë etj― kuptojmë pse na urrejnë. Kisha greke ka një arsye më shumë që ta nxisë paraqitjen jo të drejtë të shqiptarëve në masmedia: sepse vetëm përmes urrejtjes mund të nxisë ekspansionin territorial të saj duke krijuar dhe riprodhuar bindjen paralele se popujt ndryshe nga grekët janë të këqij. Në ligjërata publike kisha greke predikon dashurinë―pa treguar, sigurisht, as nga buron dashuria as se si edukohet― por paralelisht ajo predikon se ata që janë “ortodoksë” në jug të Shqipërisë janë grekë! Ky predikim në vetë-vete nuk është vetëm i padrejtë por nga grekët feja përkatëse kuptohet si karakter i “veçantë” i tyre. Shtoji kësaj “veçorie” dhe mendësie dhe të drejtën e popullit grek për të prenteduar realizimet e Athinës Klasike dhe e bënë shoqërinë greke “ideale” në raport me popujt e tjerë. Këto janë, rrjedhimisht, disa nga shkaqet kryesore se pse populli grek urren popullin shqiptar në veçanti...      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA