...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta me Iranin është në ditët më të zeza për SHBA-në

Po shfaqen tre kampe kryesore dhe askush nuk duket se ka një strategji të qëndrueshme për ta fituar luftën në Iran

Politico

16/08/2026 - 14:23

Reporterja e Politico sjell frymën mbizotëruese në Uashington lidhur me Iranin dhe mbështet përdorimin e “kalit të Trojës”

Gjendja të kujton ditët më të errëta të luftës në Irak, në mesin e viteve 2000, kur SHBA-ja dukej e paaftë ta nxirrte atë vend nga kryengritja dhe lufta civile. Por ndërsa numri i të vdekurve në luftën me Iranin deri tani ka qenë më i ulët, pasojat janë shumë më të mëdha, më thonë zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë. Përplasja me Iranin ka një ndikim më botëror sesa gjakderdhja e jashtëzakonshme në Irak. Mjafton të shohësh dëmin ekonomik nga regjimi islamist në Teheran që ka marrë nën mbikëqyrje Ngushticën e Hormuzit. Në vitet 2000, SHBA-ja përballej me më pak sfida ndaj ndikimit të saj botëror dhe mund ta përballonte një dështim të madh. Tani, besueshmëria e Amerikës po fundoset për shkak të gabimeve të saj në Lindjen e Mesme, ndërsa ylli i Kinës po ngrihet.

Presidenti Donald Trump po e dëmton më tej emrin e mirë të Amerikës duke lëkundur vazhdimisht qëndrimin e tij mbi atë që duhet bërë në Iran dhe duke dobësuar aleancat e SHBA-së me vendet që mund të ndihmojnë, thonë njerëz nga të dyja anët e spektrit politik. “Momenti është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe qeveria e Trampit po tregon pasiguri dhe paaftësi,” tha Elliott Abrams, një mbështetës i kahut të ashpër në Lindjen e Mesme, i cili punoi për Trampin gjatë mandatit të tij të parë.

Dan Shapiro, i cili shërbeu si zyrtar i lartë në Pentagon gjatë qeverisjes Bajden, u pajtua me të. “Është e zakonshme të përballesh me zgjedhje të vështira, por është e rrallë të gjendemi në një qorrsokak të krijuar prej nesh, ku fjalë për fjalë kemi vetëm mundësi të këqija,” tha ai.

Kur pyeta zyrtarët dhe ish-zyrtarët amerikanë se çfarë duhej bërë për të fituar, përgjigjja e parë më e zakonshme ishte një lloj britme e dëshpëruar që përkthehej: “Nuk duhej ta kishim nisur kurrë këtë luftë.” Pas saj vinte: “Çfarë do të thotë ‘të fitojmë’?”

Është një pyetje e drejtë dhe një pyetje së cilës Shtëpia e Bardhë nuk ka arritur t’i përgjigjet, ndërsa vazhdon t’i ndryshojë qëllimet e saj. Trampi e nisi luftën i vendosur t’i jepte fund programit bërthamor të Iranit, të shkatërronte shumë prej aftësive të tij ushtarake dhe duke lënë të kuptohej për ndryshimin e regjimit. Tani duket se ai është më i përqendruar në çlirimin e ngushticës nga kontrolli i Iranit. Në disa nivele më të ulëta të qeverisë mbizotëron një ndjenjë dëshpërimi.

“Nuk shoh një rrugëdalje nga kjo,” më tha një zyrtar amerikan i njohur me strategjinë e qeverisë për Lindjen e Mesme. Zyrtari tha se ekipi i Trampit “nuk i kupton në thelb” sundimtarët e Iranit. Trampi dhe këshilltarët e tij “gjithmonë kanë menduar se mund të vazhdojnë të ushtrojnë trysni dhe Irani do të shembet, por regjimi nuk do të shembet”.

U garantova zyrtarit dhe të tjerëve anonimitetin, në mënyrë që të flisnin hapur për çështje të ndjeshme. Zyra e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë dha deklaratën e mëposhtme kur kërkova sqarim: “Ndërsa [presidenti] ka qenë i qëndrueshëm në deklarimin se parapëlqen një zgjidhje diplomatike, ai vazhdon të ruajë të gjitha mundësitë nëse Irani vazhdon të përfshihet në terrorizëm dhe kundërshton të arrijë një marrëveshje.”

Në mesin e viteve 2000 në Irak, ndërsa trupat e të vrarëve vazhdonin të shtoheshin, Uashingtoni gjithashtu përpiqej të gjente një rrugë përpara. Idetë luhateshin nga tërheqja e trupave amerikane nga qendrat e populluara deri te ndarja e vendit në tri rajone. (Ndër mbështetësit e kësaj të fundit ishte edhe senatori i atëhershëm Joe Biden.) Në fund, shtimi i numrit të trupave amerikane, së bashku me masa të tjera, si bindja e udhëheqësve të fiseve sunite për t’u bashkuar me SHBA-në kundër Al Kaedës, ndihmoi në ndryshimin e rrjedhës së luftës.

Irani paraqet një sfidë tjetër. Është një vend më i madh, SHBA-ja nuk ka forca tokësore atje, regjimi i tij mbetet në pushtet dhe kundërpërgjigjja e tij prek aleatët e Amerikës në të gjithë Lindjen e Mesme. Ka, përafërsisht, tre kampe idesh mbi atë që duhet të bëjë SHBA-ja — të gjitha duket se mbështeten më shumë në shpresë sesa në realitet: Njëri kamp përbëhet nga mbështetësit e vijës së ashpër, të cilët duan të rrisin trysninë ushtarake dhe trysnitë e tjera ndaj Teheranit. Ata përfshijnë marrjen nga SHBA-ja të ishullit Kharg të Iranit, një nyje kyçe të prodhimit të naftës; dhënien e dritës jeshile për më shumë vrasje izraelite të udhëheqësve iranianë; lejimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të pushtuar tre ishuj për të cilët ka një mosmarrëveshje me Iranin; dhe armatosjen e grupeve etnike në të gjithë Iranin. Disa thonë se edhe 14 ditë të tjera bombardimesh amerikane duhet të mjaftojnë.

Këta mbështetës të vijës së ashpër kanë frikë se regjimi, veçanërisht tani që i ka mbijetuar një sulmi amerikano-izraelit, do të nxitojë të ndërtojë një armë bërthamore dhe të eksportojë më shumë terror. Disa këshillojnë — megjithëse rrallëherë e thonë drejtpërdrejt — se është më mirë ta lësh Iranin si një shtet të dështuar, edhe nëse zhytet në luftë civile, sesa ta lësh regjimin në pushtet.

“Nuk besoj se, nëse e shkatërron, domosdoshmërisht duhet ta rindërtosh,” më tha një mbështetës i tillë i vijës së ashpër, një ish-zyrtar amerikan, kur e pyeta nëse SHBA-ja do të ishte përgjegjëse për riparimin e një Irani të dështuar, ashtu siç u përpoq të bënte në Irak.

Le ta lëmë mënjanë moralin e shtyrjes së një vendi drejt kaosit. Nuk ka asnjë garanci se më shumë masa ushtarake do ta çojnë Republikën Islamike drejt rënies. Regjimi është i rrënjosur në të gjithë Iranin në mënyra që diktatura vetjake e Sadam Huseinit në Irak nuk ishte kurrë. Për më tepër, ndjenja e nacionalizmit te iranianët mund t’i mposhtë përpjekjet për t’i përçarë sipas përkatësisë etnike.

Kampi tjetër përbëhet nga kufizuesit — ata që duan çtensionim, pavarësisht pothuajse çdo gjëje që SHBA-ja duhet të heqë dorë për ta arritur atë. Ky është një grup që duket se po rritet në frymë si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë, madje edhe disa zyrtarë të qeverisë së Bajdenit po afrohen me idetë e tij.

Kufizuesit thonë se SHBA-ja duhet të arrijë një marrëveshje me Iranin, edhe nëse kjo do të thotë të ofrojë lëshime, si lehtësimi i sanksioneve. Një marrëveshje e ngjashme me memorandumin e mëparshëm të mirëkuptimit që SHBA-ja bisedoi me Teheranin do të vepronte. Nëse një marrëveshje përfundon e pamundur, SHBA-ja duhet të tërhiqet plotësisht dhe ta lërë rajonin të përballet me pasojat, argumenton ky grup. Aftësitë ushtarake të Iranit janë dëmtuar, kështu që nuk është një humbje e plotë për Uashingtonin. Pse të rrezikohen më shumë jetë dhe burime amerikane? SHBA-ja tashmë po mbetet pa municione kyçe.

“Duhet të ndalojmë tani, të kufizojmë humbjet dhe të rishqyrtojmë strategjinë tonë të mbrojtjes,” tha Jennifer Kavanagh nga grupi i ekspertëve Defense Priorities, i përqendruar te kufizimi i ndërhyrjeve.

Rreziku është që kjo mund të çojë në një Iran më të fuqizuar, nga i cili mbështetësit e vijës së ashpër kanë frikë — një Iran edhe më të prirur për të bashkëpunuar me Kinën dhe Rusinë dhe për të përhapur terror që përfundimisht mund të arrijë në Amerikë. Rreziqet e largimit nga një shtet i dështuar, ose ndoshta nga një rajon i dështuar në këtë rast, janë një mësim që SHBA-ja duhej ta kishte nxjerrë nga Afganistani dhe sulmet e 11 shtatorit. Dhe nuk është e qartë për mua nëse trupi politik i polarizuar amerikan i sotëm ka disiplinën për t’u bashkuar rreth një strategjie të re mbrojtëse.

Pastaj është edhe një kamp i tretë. Ai qëndron diku mes mbështetësve të vijës së ashpër dhe kufizuesve dhe ka nevojë për një emërtim të përshtatshëm. Ky grup dëshiron që SHBA-ja të vazhdojë bllokadën e saj ndaj trafikut detar iranian. Shpresa është që një masë e tillë, së bashku me sanksionet e tanishme dhe të reja, ta dobësojë ekonominë e Iranit deri në atë pikë sa regjimi t’u nënshtrohet kërkesave amerikane ose të rrëzohet nga vetë qytetarët e tij.

Një zë i shquar në këtë front është Miad Maleki, një ish-zyrtar i Departamentit të Thesarit, tashmë në Foundation for Defense of Democracies. Maleki i hedh poshtë protestat se një bllokadë e tillë thjesht dëmton iranianët e zakonshëm.

“Është regjimi ai që po i lë pa ushqim popullin iranian,” më tha ai. “SHBA-ja duhet të ruajë bllokadën detare, ndërsa përgatitet të qëndrojë në krah të iranianëve kur ata të kërkojnë sërish një të ardhme të lirë nga shtypja.” Por pika e thyerjes së Iranit mund të jetë më e vështirë për t’u llogaritur nga sa mendojnë shumë prej këtij grupi. Siç vuri në dukje, me jo pak zhgënjim, zyrtari amerikan i njohur me strategjinë e qeverisë për Lindjen e Mesme: “Qeveria amerikane ka vlerësuar gjithmonë, që prej dekadash, se ekonomia e Iranit është në prag të rrënimit.”

Gjithashtu, Irani ka të ngjarë të vazhdojë bllokadën e tij ndaj bartjes detare përmes Ngushticës së Hormuzit nëse SHBA-ja vazhdon bllokadën ndaj anijeve iraniane. Kjo do të thotë se ekonomia botërore — çmimet e karburanteve, furnizimet me ushqime — do të vuajë bashkë me Iranin. Politikisht, kjo është e rrezikshme për Trampin, partia republikane e të cilit përballet me zgjedhjet e mesmandatit në nëntor. Jehonat e Irakut e bëjnë gjendjen në Iran edhe më dëshpëruese për specialistët e politikës së jashtme.

Edhe një herë, SHBA-ja po përballet me një kundërshtar të hidhur të Lindjes së Mesme; me frikën nga armët e shkatërrimit në masë; me një president amerikan të gatshëm të ndërmarrë rreziqe të jashtëzakonshme; dhe me një qeveri që nuk mendoi mjaftueshëm përpara.

“Ashtu si në Irak, kjo është një gjendje e vështirë e krijuar prej nesh dhe një gjendje që duhej të ishte parashikuar dhe që mund të ishte zbutur me një planifikim më të njoftuar,” tha Suzanne Maloney, një analiste për Iranin në Brookings Institution në Uashington.

Pas përballimit të pasojave të pushtimit amerikan të vitit 2003, Iraku më vonë duhej të përballonte luftën kundër grupit terrorist Shteti Islamik. Por sot ai, në terma relativë duke pasur parasysh historinë e tij, po ecën mirë, pasi ka zhvilluar disa zgjedhje. Për iranianët e dëshpëruar për një jetë më të lirë, është shkatërruese të mendosh se regjimi në Teheran mund të dalë nga lufta më shtypës ndaj iranianëve të zakonshëm dhe më i rrezikshëm për botën në përgjithësi.

Mund të nevojitet një president i ri amerikan që Uashingtoni të përballet me Teheranin. Analistët e Iranit, disa prej të cilëve janë në kontakt me zyrtarë të regjimit, më thonë se Teherani duket se beson se Trampi nuk është i interesuar për një marrëveshje serioze paqeje dhe se gjithsesi nuk mund t’i besohet për ta nderuar atë. Kushdo që do të pasojë Trampin do të ketë në duar një rrëmujë të jashtëzakonshme, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme për të treguar udhëheqje botërore. Ndërkohë, me siguri do të shfaqen disa ide të reja.

A di ndonjëri si të ndërtohet një kalë i madh prej druri?   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA